Histori nga Shkrimet e Shenjta
Një Letër nga Jakobi – Një ftesë për t’iu bindur, jo thjesht për ta dëgjuar, fjalën e Perëndisë


Jakob [Bibël] 1–3

Një Letër nga Jakobi

Një ftesë për t’iu bindur, jo thjesht për ta dëgjuar, fjalën e Perëndisë

Jakobi duke shkruar një letër.

Jakobi qe një bir i Marisë dhe njëri nga vëllezërit e Jezu Krishtit. Jakobi ishte edhe një udhëheqës i Kishës në Jerusalem. Ai shkroi një letër drejtuar njerëzve të Perëndisë në të gjithë botën për t’i ndihmuar që të jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit.

Jakob [Bibël] 1:1

Jozef Smithi duke lexuar Biblën.

Jakobi shkroi: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia”. Shumë vjet më vonë, një djalë i quajtur Jozef Smith, i lexoi këto fjalë dhe vendosi të lutej rreth pyetjeve të tij. Jozef Smithi më vonë tha: “Unë kisha mësuar se dëshmia e Jakobit ishte e vërtetë”. Perëndia iu përgjigj lutjes së Jozefit dhe Ai do t’u përgjigjet edhe lutjeve tona.

Jakob [Bibël] 1:5; Joseph Smith – Historia 1:11–17, 26

Jakobi duke i dhënë mësim një grupi njerëzish.

Jakobi gjithashtu shkroi se ne duhet të dëgjojmë me kujdes atë që thonë njerëzit e tjerë, dhe të përpiqemi që të mos zemërohemi me ta. Kur jemi të zemëruar, nuk mund t’i shërbejmë Perëndisë.

Jakob [Bibël] 1:19–20

Një djalë dhe një vajzë i flasin një gruaje me një fëmijë që po qan.

Jakobi tha se nuk mjafton thjesht ta dëgjojmë fjalën e Perëndisë; ne gjithashtu duhet ta jetojmë atë. “Bëhuni bërës të fjalës”, – shkroi ai, – “dhe jo vetëm dëgjues.”

Jakob [Bibël] 1:22

Djali dhe vajza i kanë ftuar gruan dhe foshnjën e saj që të hyjnë brenda një tende të ngrohtë me familjen e tyre.

Të jesh një pasues i Jezu Krishtit është më shumë sesa thjesht të besosh te Perëndia, shpjegoi Jakobi. Edhe djalli e di se Perëndia është i vërtetë. Kur shohim njerëz që kanë ftohtë ose janë të uritur, ne duhet t’u japim veshje dhe ushqim. Duhet të vizitojmë të vejat dhe jetimët. “Besimi pa vepra është i vdekur”, – shkroi Jakobi.

Jakob [Bibël] 1:27; 2:14–20

Një burrë duke e drejtuar një kalë jashtë rrezikut.

Jakobi gjithashtu dëshironte t’u mësonte shenjtorëve që t’u flisnin me dashamirësi njerëzve. Ai tha se të qenit të kujdesshëm me fjalët tona, është si të drejtosh një kalë. Ne mund ta drejtojmë një kalë të madh me një fre, i cili i ngjitet një pjese të vogël metali në gojën e kalit. Fjalët tona gjithashtu mund të duken të vogla, por mund të jenë të fuqishme.

Jakob [Bibël] 3:2–3

Një anije në stuhi, duke u drejtuar nga një timon i vogël.

Jakobi tha se kontrollimi i fjalëve tona është si drejtimi i një anijeje. Edhe nëse anija është e madhe dhe erërat janë të forta, ne mund ta drejtojmë anijen duke e kontrolluar me anë të një timoni ose një leve komanduese shumë të vogël. Timoni është si fjalët tona. Nëse mund ta kontrollojmë atë që themi, ne mund të sjellim një ndryshim të madh.

Jakob [Bibël] 3:4–5

Njerëzit duke u grindur me një ushtar romak, i cili ka rrëzuar ca fruta.

Fjalët e vrazhda, shpjegoi Jakobi, mund të jenë si një flakë e vogël që ndez një zjarr të madh. Ato mund të përhapen shpejt dhe të shkaktojnë shumë lëndim. Kjo është arsyeja përse është e rëndësishme që ne të jemi të kujdesshëm me fjalët tona.

Jakob [Bibël] 3:5–6

Fëmijë duke i ofruar fruta ushtarit.

Jakobi shkroi se ne e përdorim gojën që t’i lutemi Atit Qiellor. Por nganjëherë gjithashtu e përdorim gojën për t’u thënë gjëra të këqija njerëzve të tjerë, të cilët janë fëmijë të Atit Qiellor. Jakobi tha se nuk duhet të jetë kështu.

Jakob [Bibël] 3:9–10

Një skenë plot paqe pranë një burimi uji, me Jakobin duke u dhënë mësim njerëzve rreth ungjillit.

Për t’u mësuar shenjtorëve që të flasin fjalë të mira, Jakobi dha mësim se një burim nuk mund të nxjerrë edhe ujë të freskët [të ëmbël] por edhe ujë të hidhur. Një pemë fiku nuk mund të japë ullinj dhe një hardhi rrushi nuk mund të japë fiq. Në të njëjtën mënyrë, po të kemi mirësi dhe dashuri në zemrat tona, edhe fjalët tona duhet të jenë të mira dhe të dashura.

Jakob [Bibël] 3:11–18