Mateu 1; Lluka 1
Engjëjt Vizitojnë Marien dhe Jozefin
Të zgjedhur për t’u kujdesur për Birin e Perëndisë
Një grua e quajtur Maria jetonte në qytetin e Nazaretit. Ajo e donte Perëndinë dhe iu bindej urdhërimeve të Tij. Maria do të martohej me një burrë të quajtur Jozef, i cili gjithashtu e donte Perëndinë.
Mateu 1:18–19; Lluka 1:26–28
Një ditë, një engjëll i quajtur Gabriel vizitoi Marien. Fillimisht Maria ishte e frikësuar. Por Gabrieli tha se ishte dërguar nga Perëndia. Maria nuk duhej të kishte frikë. Ai tha se Maria ishte shumë e veçantë për Perëndinë dhe shpejt do të kishte një fëmijë. Fëmija i Maries do të ishte Biri i Perëndisë, Jezusi.
Lluka 1:26–33
Por Maria u pështjellua. Ajo ende nuk ishte e martuar me Jozefin. Si mund të kishte një fëmijë? Gabrieli shpjegoi se do të ndodhte nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Ai i tha asaj: “Me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme”.
Lluka 1:34–37
Maria ishte e përulur dhe besnike. Ajo i tha Gabrielit se ishte shërbëtorja e Zotit. Ajo qe e gatshme të ishte nëna e Birit të Perëndisë.
Lluka 1:38
Kur Jozefi mësoi se Maria do të lindte një foshnjë, ai u shqetësua. Vriste mendjen nëse ende duhej të martohej me Marien.
Mateu 1:19
Por një natë në ëndërr, engjëlli vizitoi Jozefin. Engjëlli i tha Jozefit se fëmija i Maries ishte Biri i Perëndisë dhe Jozefi duhej ta quante Atë Jezus. Jezusi do t’i shpëtonte të gjithë njerëzit prej mëkateve të tyre. Engjëlli i tha Jozefit se ende duhej të martohej me Marien.
Mateu 1:20–23
Jozefi bëri atë që tha engjëlli. Jozefi dhe Maria u martuan.
Mateu 1:24
Maria shkoi të vizitonte kushërirën e saj, Elizabetën. Engjëlli i tha Maries se edhe Elizabeta ishte shtatzënë, edhe pse ajo ishte tepër e moshuar. Kjo ishte një tjetër mrekulli nga Perëndia. Biri i saj do të rritej që të ishte Gjon Pagëzori. Kur Maria hyri në shtëpi, ajo përshëndeti Elizabetën.
Lluka 1:13–17, 36, 39–40
Sapo Elizabeta e dëgjoi Marien, foshnja e Elizabetës kërceu nga gëzimi brenda saj. Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë. Ajo e dinte se Maria po mbante Birin e Perëndisë. Maria u gëzua me Elizabetën. Ajo përlëvdoi Perëndinë për tërë gjërat e mrekullueshme që Ai bën, për të bekuar fëmijët e Tij.
Lluka 1:41–55