Lluka 15
Një Dele e Humbur, një Monedhë e Humbur dhe një Bir i Humbur
Tri shëmbëlltyra rreth dashurisë së Perëndisë
Disa udhëheqës judeas e panë Jezusin duke folur dhe duke ngrënë me njerëz që i konsideronin si mëkatarë. Udhëheqësit mendonin se ishte e gabuar që Jezusi të hante me mëkatarët. Jezusi u tregoi udhëheqësve tri tregime ose shëmbëlltyra, për t’i ndihmuar që të kuptonin se Ai dëshiron të ndihmojë çdo njeri që të pendohet dhe sa i lumtur është Ai kur ata pendohen.
Lluka 15:1–3
Shëmbëlltyra e parë ishte rreth një burri i cili kishte 100 dele. Njëra nga delet e tij humbi.
Lluka 15:4
Bariu i la të 99 delet e tjera dhe shkoi për të kërkuar të humburën. Ai vazhdoi të kërkonte derisa e gjeti.
Lluka 15:4
Kur më së fundi e gjeti delen e tij të humbur, ai qe shumë i gëzuar. Ai e mbajti mbi supet e veta delen deri në shtëpi dhe u tha miqve dhe fqinjëve të tij që të gëzonin bashkë me të. Jezusi tha se kështu ndihet Ati Qiellor kur dikush pendohet për mëkatet e veta dhe kthehet tek Ai.
Lluka 15:5–7
Shëmbëlltyra e dytë ishte rreth një gruaje që kishte 10 monedha argjendi. Kur e humbi njërën, ajo ndezi një llambë dhe fshiu shtëpinë, duke kërkuar monedhën e humbur. Ajo vazhdoi të kërkonte derisa e gjeti.
Lluka 15:8
Kur më së fundi e gjeti monedhën e saj të humbur, ajo qe shumë e gëzuar. U tha shoqeve dhe fqinjëve të saj që të gëzonin bashkë me të. Jezusi tha se kështu ndihen engjëjt në qiell kur dikush pendohet për mëkatet e veta.
Lluka 15:9–10
Shëmbëlltyra e tretë ishte rreth një burri i cili kishte dy bij. Biri më i vogël nuk donte të jetonte më me të atin e tij. Ai i kërkoi të atit që t’ia jepte tani pjesën e tij të parave të familjes. Më pas, biri u largua nga shtëpia dhe shkoi në një vend të largët.
Lluka 15:11–13
Biri bëri disa zgjedhje shumë të këqija. Ai i shpërdoroi paratë që ia kishte dhënë i ati.
Lluka 15:13
Pasi i kishte harxhuar të gjitha paratë e tij, ai ishte shumë i uritur. Askush nuk i jepte ndonjë gjë për të ngrënë. Më së fundi, ai gjeti një punë për të ushqyer derrat. Biri ishte aq i uritur, saqë donte të hante ushqimin e derrave. E dinte se kishte nevojë të kthehej tek ati i tij.
Lluka 15:14–18
Por biri nuk ishte i sigurt që ati i tij do ta mirëpriste kur të kthehej. Ai vendosi ta pyeste të atin a mund të ishte njëri prej shërbëtorëve të tij.
Lluka 15:17–19
Kur i biri po ecte drejt shtëpisë, ati i tij e pa duke ardhur që larg. Ati ishte aq i lumtur sa ai vrapoi drejt birit të tij!
Lluka 15:20
Ati e përqafoi birin e tij dhe e puthi atë. Ai u tha shërbëtorëve që të sillnin rrobat më të mira për birin e tij dhe të përgatitnin një festë. Ai donte që të festonin të gjithë dhe të ishin të lumtur ngaqë i biri i kishte ardhur në shtëpi.
Lluka 15:20–24
Gjatë kësaj kohe biri më i madh kishte qenë duke punuar në fushë. Kur u kthye në shtëpi, ai dëgjoi këngë e valle. Pyeti një shërbëtor se çfarë po ndodhte. Shërbëtori i tregoi se vëllai i tij më i vogël ishte kthyer në shtëpi, prandaj ata po bënin festë për ta kremtuar.
Lluka 15:25–27
Vëllai më i madh u zemërua. I ati e ftoi në festë, por ai nuk donte të shkonte. Ai i tha të atit se i kishte shërbyer për shumë vjet, por askush nuk i kishte bërë kurrë një festë atij. I ati i tha: “Çdo gjë që kam është jotja”, por se është mirë të gëzohesh kur dikush pendohet dhe kthehet në shtëpi.
Lluka 15:28–32