Veprat e Apostujve 10
Korneli dhe Miqtë e Tij Marrin Frymën e Shenjtë
Ungjilli është për çdo njeri
Korneli ishte një udhëheqës i ushtarëve romakë. Ai dhe familja e tij besonin te Perëndia, por nuk ishin judenj dhe nuk dinin për Jezu Krishtin. Korneli e ndante atë që kishte me të varfrit dhe i lutej shpesh Perëndisë.
Veprat e Apostujve 10:1–2
Një pasdite, një engjëll i erdhi Kornelit ndërkohë që po agjëronte dhe lutej. Engjëlli tha: “Kornel, lutja jote t’u plotësua”. Perëndia e kishte parë mirësinë e tij. Engjëlli i tha Kornelit të gjente Apostullin Pjetër, i cili po qëndronte në një qytet të quajtur Jopë. Pjetri do t’i tregonte Kornelit se çfarë të bënte.
Veprat e Apostujve 10:3–6, 30–32
Korneli u tha shërbëtorëve të tij atë që i kishte thënë engjëlli. Ai i dërgoi në Jopë për t’i kërkuar Pjetrit që të vinte ta takonte.
Veprat e Apostujve 10:7–8
Në Jopë, Pjetri ishte mbi çatinë e një shtëpie duke u lutur. Ai ishte i uritur dhe ishte gati të shkonte të hante, kur papritmas pa një vegim.
Veprat e Apostujve 10:9–10
Pjetri pa një çarçaf të madh që zbriste nga qielli, plot me të gjitha llojet e kafshëve dhe shpendëve. Pastaj Pjetri dëgjoi një zë që i thoshte se duhej t’i hante ato kafshë. Por këto ishin kafshë që judenjve nuk u lejohej t’i hanin. Ligji i Moisiut thoshte se ato ishin të papastra. Pjetri nuk donte t’i hante.
Veprat e Apostujve 10:11–14
Zëri tha që nëse Perëndia e kishte bërë diçka të pastër, ajo nuk duhej të quhej e papastër. Vegimi u përsërit tri herë. Pjetri vriste mendjen se ç’kuptim kishte ai vegim.
Veprat e Apostujve 10:15–17
Pikërisht në atë çast, Shpirti i tha Pjetrit se po e kërkonin tre burra. “[Sh]ko me ta”, – i tha Shpirti, – “sepse unë jam ai që t’i kam dërguar.”
Veprat e Apostujve 10:16–21
Të tre burrat ishin shërbëtorë të Kornelit. Ata i treguan Pjetrit për engjëllin që kishte parë Korneli, dhe e pyetën Pjetrin a do të vinte që ta mësonte. Judenjtë zakonisht nuk hynin në shtëpitë e njerëzve që nuk ishin judenj dhe Apostujt nuk ua mësonin atyre ungjillin. Por duke kujtuar vegimin e tij, Pjetri vendosi të shkonte.
Veprat e Apostujve 10:22, 28
Kur mbërriti Pjetri, Korneli po e priste me shumë miq e familjarë. Ai i tha Pjetrit se ishin gati të dëgjonin çdo gjë që Perëndia e urdhëronte t’u thoshte.
Veprat e Apostujve 10:26, 33
Tani Pjetri e kuptoi se çfarë po i mësonte Perëndia në vegim. Pjetri u tha të gjithëve se Perëndia nuk e do një komb apo grup njerëzish më shumë sesa një tjetër. Perëndia e pranon këdo që e ndjek Atë dhe bën atë që është e drejtë. Pjetri u mësoi Kornelit dhe familjes e miqve të tij rreth Jezu Krishtit.
Veprat e Apostujve 10:34–43
Ndërsa jepte mësim, Fryma e Shenjtë erdhi tek të gjithë ata që po dëgjonin. Pjetri i ftoi ata të pagëzoheshin në emër të Jezu Krishtit. Pjetri kishte mësuar se të gjithë fëmijët e Perëndisë janë të mirëpritur në Kishën e Jezu Krishtit. Ungjilli i Jezu Krishtit iu predikua të gjithëve.
Veprat e Apostujve 10:44–48