Mateu 25:1–13
Shëmbëlltyra e Dhjetë Virgjëreshave
Të qenit gati për Jezusin kur të vijë përsëri
Dishepujt e Jezusit e dinin se një ditë, pasi Ai të kthehej tek Ati i Tij, Jezusi do të kthehej sërish në tokë. Ata e pyetën se nga do ta kuptonin kur Ai do të kthehej sërish. Ata donin të ishin gati për Të. Për t’iu përgjigjur, Jezusi u tregoi një shëmbëlltyrë.
Mateu 24:3.
Në shëmbëlltyrë, dhjetë gra po shkonin në një dasmë. Dasma ishte natën, prandaj grave iu desh të merrnin llamba të mbushura me vaj për të ndriçuar udhën e tyre. Pesë prej grave ishin të mençura dhe sollën plot vaj. Pesë të tjerat ishin të pamenda dhe nuk sollën mjaft vaj.
Mateu 25:1–4
Grave iu desh të prisnin që të vinte dhëndri dhe dasmorët. Por dhëndrit iu desh shumë kohë. Ndërsa prisnin, ato të gjitha ranë në gjumë.
Mateu 25:5
Në mesnatë, dikush bërtiti se dhëndri më së fundi po vinte. Ishte koha që gratë t’i bashkoheshin atij në festën e dasmës.
Mateu 25:6
Të gjitha gratë ngritën llambat për të ndriçuar udhën. Por pesë gratë që nuk sollën mjaft vaj, nuk kishin fare dritë. Vaji i tyre ishte përdorur i tëri ndërkohë që po prisnin dhëndrin.
Mateu 25:7–8
Pesë gratë pa vaj u kërkuan grave të tjera që t’u jepnin nga vaji i tyre. Por nuk kishte aq vaj sa t’u jepnin. Pesë gratë pa vaj me të shpejtë shkuan të blinin më shumë vaj.
Mateu 25:8–9
Ndërkohë që ato ikën, dhëndri erdhi. Pesë gratë që ishin gati, shkuan me të në dasmë.
Mateu 25:10
Kur gratë e tjera u kthyen, dera ishte e mbyllur. Ato trokitën në derë dhe i kërkuan dhëndrit që t’i lejonte të hynin brenda. Por ishte tepër vonë. Ato nuk mund të hynin në dasmë.
Mateu 25:11–12
Jezusi është si dhëndri në shëmbëlltyrë. Askush nuk e di kur Ai do të vijë përsëri. Vetëm Ati Qiellor e di këtë. Prandaj Jezusi u tha pasuesve të Tij që të ishin gati si pesë gratë që kishin vaj të mjaftueshëm. Njerëzit të cilët u binden urdhërimeve të Zotit dhe e ndjekin Shpirtin, do të jenë gati kur Jezu Krishti të vijë përsëri.
Mateu 24:36; 25:13; Doktrina e Besëlidhje 45:56–57