Lluka 1:5–25, 57–80
Lind Gjon Pagëzori
Perëndia mban një premtim të bërë ndaj Elizabetës dhe Zakarias
Zakaria dhe Elizabeta ishin njerëz besnikë që e donin Perëndinë. Ata ishin lutur që të kishin një foshnjë. Tani ishin shumë të moshuar dhe akoma nuk kishin fëmijë.
Lluka 1:5–7
Zakaria ishte një prift që shërbente në tempull në Jerusalem. Një ditë, ai u zgjodh të digjte temjan në një dhomë të shenjtë në tempull.
Lluka 1:8–10
Papritur, një engjëll u shfaq. Zakaria u frikësua. Engjëlli tha: “Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua”. Ai tha se Zakaria dhe Elizabeta do të kishin një djalë. Ata duhej ta quanin atë Gjon. Engjëlli tha se Gjoni kishte një punë të rëndësishme për të bërë. Ai do t’i ndihmonte njerëzit që të përgatiteshin për ta pranuar Shpëtimtarin kur Ai të vinte.
Lluka 1:12–17
Zakaria nuk mund ta besonte atë që po i thoshte engjëlli. Ai dhe Elizabeta ishin tepër të moshuar që të kishin fëmijë. Engjëlli tha se, meqë Zakaria nuk e besoi mesazhin e tij, ai nuk do të ishte në gjendje të fliste derisa të lindte Gjoni.
Lluka 1:18–20
Njerëzit po vrisnin mendjen përse Zakaria po shpenzonte kaq shumë kohë brenda në tempull. Kur u largua, ai nuk mund të fliste. Ata mundën ta vinin re se kishte ndodhur diçka e veçantë.
Lluka 1:21–23
Muaj më vonë, Elizabeta lindi një foshnjë, pikërisht ashtu siç kishte premtuar engjëlli. Familja dhe miqtë e tyre ishin kaq të lumtur! Ata erdhën të shihnin foshnjën.
Lluka 1:57–59
Ata menduan se foshnja duhet të kishte të njëjtin emër si Zakaria, babai i tij. Elizabeta tha: “[Ai] do të quhet Gjon”. Ata pyetën Zakarian i cili ende nuk mund të fliste. Ai shkroi: “Emri i tij është Gjon”. Të gjithë u befasuan.
Lluka 1:59–63
Papritur Zakaria mundi të fliste përsëri. Ai e falënderoi Perëndinë dhe u mbush me Frymën e Shenjtë. Ai u tha të gjithëve se Perëndia i kujtonte premtimet e Tij të bëra ndaj njerëzve të Tij. Ai tha se Gjoni do të ishte profet. Gjoni do t’i mësonte njerëzit të pendoheshin dhe të pagëzoheshin. Ai do t’i ndihmonte të përgatiteshin për të mësuar nga Jezu Krishti.
Lluka 1:64–80