Gjoni 11:1–46
Jezusi Rikthen në Jetë Llazarin
“Unë jam ringjallja dhe jeta”
Maria, Marta dhe Llazari jetonin në një qytet të quajtur Betani. Ata besonin te Jezusi dhe Ai i donte ata. Maria dhe Marta ishin motrat e Llazarit.
Gjoni 11:1, 5
Llazari u sëmur rëndë. Jezusi ishte në një qytet tjetër. Maria e Marta i dërguan fjalë Atij që ta njoftonin se miku i Tij ishte i sëmurë.
Gjoni 11:1–3
Jezusi priti dy ditë. Më pas, Ai u tha dishepujve të tij se do të shkonin në Betani. Dishepujt ishin të shqetësuar ngaqë disa prej njerëzve afër Betanisë donin t’i bënin keq Jezusit. Por Jezusi donte ta ndihmonte Llazarin. Jezusi tha se Llazari tashmë kishte vdekur dhe Ai do ta rikthente atë në jetë.
Gjoni 11:6–16
Marta u takua me Jezusin jashtë qytetit. Ajo tha se, në qoftë se Jezusi do të kishte ardhur më parë, Llazari nuk do të kishte vdekur. Jezusi premtoi se Llazari do të jetonte përsëri.
Gjoni 11:17–24
Jezusi tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta”. Ai e pyeti Martën a besonte tek Ai. Ajo tha: “Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë”.
Gjoni 11:25–27
Marta u kthye në shtëpi dhe i tha Marisë se kishte ardhur Jezusi. Maria erdhi dhe ra përtokë te këmbët e Jezusit, duke qarë për të vëllanë. Edhe Jezusi qau. Ai i donte Llazarin, Marien dhe Martën.
Gjoni 11:28–36
Jezusi, Marta, Maria dhe të tjerë shkuan te guva ku ishte varrosur Llazari. Një gur i madh e mbulonte hyrjen. Jezusi tha që ta largonin gurin.
Gjoni 11:38–39
Por Marta i tha Jezusit se Llazari kishte tashmë katër ditë që kishte vdekur. Jezusi ia kujtoi Martës premtimin e Tij. Ai i kërkoi asaj që të besonte.
Gjoni 11:39–40
Më pas, Jezusi iu lut Atit të Tij. E falënderoi Perëndinë që gjithmonë e dëgjonte Atë. Jezusi donte që njerëzit të besonin se Perëndia e kishte dërguar Atë që të ishte Shpëtimtari. Pastaj Jezusi thirri: “Llazar, eja jashtë!”.
Gjoni 11:41–43
Llazari doli nga guva. Ai ende ishte i mbështjellë me veshjet dhe rripat e pëlhurës me të cilat ishte varrosur. Jezusi u tha njerëzve që ta zgjidhnin. Shumë njerëz që po shihnin atë ditë, tani besuan se Jezusi vërtet ishte Shpëtimtari, Biri i Perëndisë.
Gjoni 11:44–45