Histori nga Shkrimet e Shenjta
Zakeu Tagrambledhësi – Ngjitja në pemë për të parë Jezusin


Lluka 19:1–10

Zakeu Tagrambledhësi

Ngjitja në pemë për të parë Jezusin

Zakeu duke mbledhur taksa.

Jezusi vizitoi qytetin e Jerikos. Atje jetonte një burrë i quajtur Zake. Zakeu ishte një tagrambledhës i pasur. Shumica e njerëzve nuk i kishte qejf tagrambledhësit. Ata mendonin se tagrambledhësit u merrnin para së tepërmi njerëzve.

Lluka 19:1–2

Zakeu përpiqet të shohë Jezusin në një turmë njerëzish.

Zakeu dëgjoi se Jezusi ishte në qytet. Ai donte të mësonte më shumë për Të. Ai u përpoq të shkonte për ta parë Jezusin, por nuk mundej ngaqë kishte aq shumë njerëz përreth Tij dhe Zakeu ishte tepër i shkurtër që të shihte mbi ta. Si mund të arrinte që ta shihte Jezusin?

Lluka 19:3–4

Zakeu ngjitet në pemë që të mund të shohë Jezusin.

Zakeu vrapoi përpara turmës dhe u ngjit në një pemë që të mund ta shihte Jezusin. Kur Jezusi i kaloi pranë, Ai ngriti sytë lart dhe e pa Zakeun në pemë. Jezusi e thirri në emër dhe i tha: “Zbrit poshtë”. Jezusi donte të vinte për vizitë në shtëpinë e tij. Zakeu zbriti me të shpejtë poshtë nga pema. Sa i lumtur ishte që Jezusi do t’i vinte në shtëpi!

Lluka 19:4–6

Jezusi viziton Zakeun në shtëpinë e tij.

Njerëzit në Jeriko pyesnin veten përse Jezusi do të shkonte në shtëpinë e Zakeut. Ata mendonin se Zakeu ishte një mëkatar ngaqë ishte tagrambledhës.

Lluka 19:7

Jezusi flet me Zakeun dhe familjen e tij.

Zakeu i tha Jezusit: “Unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime”. Ai tha se, në qoftë se merrte para së tepërmi nga dikush, ai do t’i kthente edhe më shumë. Jezusi i tha Zakeut: “Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi”. Jezusi tha se Ai kishte ardhur për t’i gjetur e shpëtuar njerëzit që ishin të humbur.

Lluka 19:6, 8–10