Histori nga Shkrimet e Shenjta
Jezusi Jep Mësim rreth Tokës, Farave, Bukës dhe Margaritarëve – Histori të thjeshta për të na ndihmuar që të kuptojmë të vërtetat shpirtërore


Mateu 13

Jezusi Jep Mësim rreth Tokës, Farave, Bukës dhe Margaritarëve

Histori të thjeshta për të na ndihmuar që të kuptojmë të vërtetat shpirtërore

Jezusi duke dhënë mësim nga një barkë ndërkohë që njerëzit dëgjojnë.

Jezusi shpesh tregoi tregime të quajtura shëmbëlltyra. Në ato shëmbëlltyra Jezusi krahasoi gjëra të zakonshme, të përditshme me të vërteta të rëndësishme rreth ungjillit të Tij. Për t’i kuptuar shëmbëlltyrat, pasuesit e tij duhej të dëgjonin me kujdes dhe të mendonin thellësisht rreth kuptimit të tyre. Shëmbëlltyrat i ndihmonin të mësonin rreth mbretërisë së Perëndisë.

Mateu 13:3, 10–15

Jezusi fillon të tregojë një shëmbëlltyrë për një njeri që mbolli disa fara.

Në një shëmbëlltyrë, një njeri shkoi në fushë për të mbjellë disa fara. Ai shpërndau shumë fara nëpër fushë. Farat ranë në lloje të ndryshme toke.

Mateu 13:3

Disa prej farave bien në një vend me dhe të fortë.

Disa fara ranë në një vend me dhe të fortë, ku nuk mund të rriteshin kurrë. Zogjtë erdhën dhe i hëngrën farat që ranë atje.

Mateu 13:4

Disa prej farave bien në një tokë me gurishta.

Disa fara ranë në një tokë me gurishta. Farat mbinë shpejt, por rrënjët nuk mund të rriteshin për shkak të gurëve. Kur u bë nxehtë, bimët u thanë.

Mateu 13:5–6

Disa prej farave bien në tokë plot me ferra.

Disa fara ranë në tokë plot me ferra. Për shkak të ferrave, farat nuk mund të rriteshin.

Mateu 13:7

Disa prej farave rriten duke u bërë bimë të forta.

Farat e tjera ranë në tokë të mirë. Ato u bënë bimë të forta, të shëndetshme. Ato u rritën duke dhënë shumë fryt.

Mateu 13:8

Jezusi shpjegon se farat janë si fjala e Perëndisë.

Për t’i ndihmuar dishepujt e Tij që të kuptonin, Jezusi shpjegoi se çfarë do të thoshte shëmbëlltyra e Tij. Farat janë si fjala e Perëndisë. Llojet e ndryshme të tokës janë si zemrat e njerëzve dhe mënyrat e ndryshme se si ata reagojnë ndaj të dëgjuarit të fjalës së Perëndisë. Toka e mirë është si njerëzit që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë, e kuptojnë atë dhe i binden Atij.

Mateu 13:18–23

Jezusi jep mësim rreth një kokrre sinapi.

Për të dhënë mësim rreth mënyrës se si mbretëria e Perëndisë do të rritej, Jezusi tregoi për një kokërr sinapi. Ajo është shumë e vogël, por bëhet sa një pemë ku mund të jetojnë zogjtë.

Mateu 13:31–32

Jezusi jep mësim rreth bukës dhe majasë.

Jezusi gjithashtu tha se mbretëria e Perëndisë është si tharmi ose majaja që një grua e përdori kur bëri bukë. Kërkohet vetëm shumë pak maja që buka të fryhet.

Mateu 13:33

Jezusi tregon një shëmbëlltyrë rreth një margaritari.

Jezusi tregoi një tregim tjetër rreth një burri, i cili blinte margaritarë. Ai gjeti një që ishte shumë i bukur dhe shumë i vlefshëm. Ai shiti gjithçka që kishte, që të mund të blinte margaritarin. Jezusi e tregoi këtë tregim për të dhënë mësim se bekimet e ungjillit janë kaq të vlefshme sa ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për ta marrë atë.

Mateu 13:45–46