Histori nga Shkrimet e Shenjta
Darka e Fundit – Jezusi paraqet sakramentin


Mateu 26; Lluka 22; Gjoni 13–14

Darka e Fundit

Jezusi paraqet sakramentin

Jezusi dhe Apostujt e Tij në Jerusalem.

Jezusi dhe Apostujt e Tij ishin në Jerusalem për të festuar Pashkën judease. Njerëzit judeas e festonin Pashkën çdo vit. Ajo i ndihmonte të kujtonin se shumë vjet më parë familjet e tyre ishin skllave në Egjipt dhe Perëndia i ndihmoi të arratiseshin.

Eksodi 12:27

Jezusi dhe Apostujt e Tij të mbledhur përqark një tryeze.

Ndërkohë që ishin në Jerusalem, Jezusi dhe Apostujt e Tij bënë një festë të veçantë së bashku. Jezusi kishte kohë që mezi priste ta hante këtë vakt me ta.

Lluka 22:7–15

Jezusi duke i larë këmbën njërit prej Apostujve të Tij.

Pasi mbaruan së ngrëni, Jezusi mbushi një legen me ujë. Ai filloi t’u lante këmbët Apostujve të Tij.

Gjoni 13:4–5

Pjetri duke pyetur përse Jezusi po u lan këmbët.

Kur i erdhi radha Pjetrit, ai pyeti përse Jezusi po e bënte këtë gjë. Larja e këmbëve ishte diçka që zakonisht e bënin vetëm shërbëtorët.

Gjoni 13:6

Jezusi duke u dhënë mësim Apostujve të Tij rreth mënyrës se si ta duam njëri‑tjetrin.

Jezusi tha se Ai po ua lante këmbët që t’u jepte shembull. Ai donte që ata t’i shërbenin njëri‑tjetrit dhe ta donin njëri‑tjetrin ashtu siç i kishte dashur Ai. Po ta bënin këtë, njerëzit do ta dinin se ata ishin dishepujt e Tij.

Gjoni 13:14–16, 34–35

Pjetri duke folur me Jezusin.

Jezusi u tha dishepujve të Tij se Ai shpejt do të vdiste. Pjetri tha se ishte i gatshëm të vdiste për Jezusin.

Gjoni 13:36–38

Jezusi duke iu përgjigjur Pjetrit.

Por Jezusi e dinte se po vinin kohë të vështira. Ai i tha Pjetrit se përpara se gjeli të këndonte mëngjesin e nesërm, Pjetri do të thoshte tri herë se Ai nuk e njihte Jezusin.

Gjoni 13:38

Jezusi duke u dhënë mësim Apostujve të Tij rreth Frymës së Shenjtë.

Jezusi e dinte se Apostujt e Tij mund të ishin të shqetësuar dhe të frikësuar. Ai premtoi se Perëndia do t’u dërgonte Frymën e Shenjtë. Fryma e Shenjtë do t’i ngushëllonte, do t’u jepte mësim dhe do t’i ndihmonte të kujtonin se çfarë u kishte mësuar Jezusi. Ai u tha të mos shqetësoheshin ose të frikësoheshin. Ai tha: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”.

Gjoni 14:1, 15–16, 26–27

Jezusi duke copëtuar bukën për sakramentin.

Më pas, Jezusi bëri diçka shumë të veçantë për t’i ndihmuar Apostujt e Tij që ta kujtonin gjithmonë Atë. Ai u dha atyre sakramentin. Së pari, Ai e bekoi bukën, e ndau në copa dhe ua dha Apostujve të Tij. Jezusi u tha të mendonin për trupin e Tij kur të hanin bukën. Ai u kërkoi të sillnin ndërmend se Ai do të vdiste për ta.

Mateu 26:26; Lluka 22:19

Jezusi duke bekuar verën për sakramentin.

Jezusi më pas hodhi verë në një kupë. Ai e bekoi verën dhe u tha Apostujve që ta pinin. Jezusi u tha të mendonin për gjakun e Tij kur të pinin verën. Ai u kërkoi të mbanin mend se Ai do të vuante, do të gjakosej dhe do të vdiste për dhembjen dhe mëkatet e të gjithë njerëzve, me qëllim që ne të mund të pendoheshim e të merrnim falje.

Mateu 26:27–28; Lluka 22:20

Jezusi duke u mësuar Apostujve të Tij që të zbatojnë urdhërimet e Tij.

Më pas, Jezusi shpjegoi se Ai është si një hardhi dhe dishepujt e Tij si shermendet. Nëse një shermend qëndron i lidhur me hardhinë, ai jep fryte. Një shermend që nuk është i lidhur me hardhinë, thahet dhe nuk mund të rritë fryte. Jezusi dëshironte që dishepujt e Tij të qëndronin gjithmonë pranë Tij duke e dashur njëri‑tjetrin dhe duke i zbatuar urdhërimet e Tij.

Gjoni 15:4–12

Jezusi dhe Apostujt e Tij duke ecur drejt Gjetsemanit.

Pasi i dha mësim këto gjëra, Jezusi dhe Apostujt e Tij kënduan në himn. Ata ecën drejt një kopshti të quajtur Gjetseman.

Mateu 26:30