Histori nga Shkrimet e Shenjta
Jezusin e Arrestojnë – Gjykimi i Birit të Perëndisë


Marku 14–15; Lluka 22–23; Gjoni 18–19

Jezusin e Arrestojnë

Gjykimi i Birit të Perëndisë

Juda dhe disa roja mbërrijnë në Gjetseman.

Pasi Jezusi mbaroi lutjen dhe vuajtjen në Gjetseman, Juda mbërriti me një numër të madh rojash judease. Juda ishte njëri nga Apostujt. Ai e dinte se Jezusi shkonte shpesh në këtë kopsht. Udhëheqësit judeas e kishin paguar Judën që t’i ndihmonte ta gjenin Jezusin kështu që ata të mund ta merrnin Atë me vete.

Gjoni 18:2–3

Pjetri sulmon shërbëtorin e kryepriftit.

Kur rojat u përpoqën ta merrnin Jezusin, Pjetri nxori një shpatë. Ai ia preu veshin shërbëtorit të kryepriftit.

Gjoni 18:10

Jezusi i thotë Pjetrit që ta largojë shpatën.

Jezusi i tha Pjetrit që ta largonte shpatën. Jezusi tha se Ai kishte nevojë të bënte atë që dëshironte Ati i Tij.

Gjoni 18:11

Jezusi ia shëron veshin shërbëtorit.

Jezusi ia preku veshin shërbëtorit dhe ia shëroi.

Lluka 22:51

Jezusin e çojnë te shtëpia e kryepriftit.

Rojat e çuan Jezusin te shtëpia e kryepriftit. Atje ishin edhe udhëheqës të tjerë judeas. Ata donin të gjenin një arsye për ta dënuar me vdekje Jezusin. Ata sollën brenda njerëz që të thoshin gënjeshtra për Të.

Marku 14:53–61

Kryeprifti e pyet Jezusin a është Biri i Perëndisë.

Më së fundi, kryeprifti e pyeti Jezusin a ishte Biri i Perëndisë. Jezusi tha: “Unë jam”.

Marku 14:61–62

Kryeprifti dhe udhëheqës të tjerë zemërohen me Jezusin.

Kjo e zemëroi kryepriftin dhe udhëheqësit e tjerë. Ata e goditën Jezusin, e pështynë dhe u tallën me Të. Ata ranë dakord se Ai duhej vrarë.

Marku 14:63–65

Pjetri u thotë njerëzve se nuk e njeh Jezusin.

Ndërkohë që Jezusi ishte në shtëpinë e kryepriftit, Pjetri priste jashtë. Ai u ul pranë një zjarri që të ngrohej. Tri herë njerëzit thanë se e njohën Pjetrin si njërin prej dishepujve të Jezusit. Por çdo herë Pjetri tha se nuk e njihte Jezusin.

Marku 14:54, 66–71

Pjetri largohet duke qarë.

Atëherë gjeli këndoi dhe Pjetrit iu kujtua ajo që kishte thënë Jezusi, se Pjetri do ta mohonte Atë tri herë. Pjetri u largua duke qarë.

Marku 14:72

Udhëheqësit judeas e çojnë Jezusin te Pilati.

Udhëheqësit judeas e çuan Jezusin te Pilati, guvernatori romak. Erdhi edhe një turmë njerëzish. Udhëheqësit donin që Pilati ta dënonte me vdekje Jezusin. Ata i thanë Pilatit se Jezusi e quajti Veten mbreti i judenjve.

Marku 15:1–3; Lluka 23:2; Gjoni 18:28–31

Jezusi flet me Pilatin.

Pilati e pyeti Jezusin a ishte mbreti i judenjve. Jezusi tha: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote”. Ai shpjegoi se erdhi në botë për t’u mësuar njerëzve të vërtetën.

Gjoni 18:33–37

Jezusi dhe Pilati qëndrojnë përpara turmës.

Pilati tha se nuk besonte që Jezusi kishte bërë ndonjë gjë të gabuar. Por shumë prej njerëzve bërtitën: “Kryqëzoje!” Pilati vendosi të bënte atë që dëshironin ata dhe që Jezusi të vritej.

Marku 15:12–14; Lluka 23:14–24