Histori nga Shkrimet e Shenjta
Jezusi i Shfaqet Saulit – Një ftesë për t’u penduar dhe për ta ndjekur Zotin


Veprat e Apostujve 9:1–31

Jezusi i Shfaqet Saulit

Një ftesë për t’u penduar dhe për ta ndjekur Zotin

Sauli dhe udhëheqës të tjerë udhëtojnë për në Damask.

Sauli ishte një farise, një udhëheqës i judenjve që i njihte mirë shkrimet e shenjta. Por Sauli nuk besonte që Jezusi ishte Shpëtimtari. Ai shpesh i futi në burg ndjekësit e Jezusit. Një ditë, Sauli shkoi në një qytet të quajtur Damask për të arrestuar disa nga ndjekësit e Jezusit dhe për t’i çuar në Jerusalem për t’u ndëshkuar.

Veprat e Apostujve 9:1–2; 22:4–5; 26:5

Sauli e dëgjon zërin e Jezusit.

Ndërsa Sauli udhëtonte, befas një dritë ndriçoi mbi të. Ishte më e ndritshme se dielli. Sauli ra përtokë. Ai dëgjoi një zë duke thënë: “Saul, Saul”. Pastaj zëri e pyeti Saulin pse po luftonte kundër Jezusit dhe po i lëndonte dishepujt e Tij.

Veprat e Apostujve 9:3–4; 26:13–14

Sauli e pyet Jezusin se çfarë duhet të bëjë.

Sauli pyeti se kush po fliste. Zëri tha: “Unë jam Jezusi”. Sauli u frikësua dhe mbeti i habitur. Ai e pyeti Jezusin se çfarë duhej të bënte. Jezusi i tha Saulit: “Çohu dhe hyr në qytet”. Atje do të mësonte se çfarë duhej të bënte më pas.

Veprat e Apostujve 9:5–6

Sauli udhëzohet që të shkojë në Damask.

Sauli u bind dhe u çua në këmbë. Por tani ishte i verbër. Nuk mund të shihte asgjë. Njerëzit që udhëtuan me të, e çuan në qytetin e Damaskut. Për tri ditë, Sauli as nuk hëngri dhe as nuk piu.

Veprat e Apostujve 9:8–9

Jezusi viziton Ananian.

Një nga dishepujt e Jezusit që jetonte në Damask, ishte Anania. Jezusi e vizitoi Ananian në një vegim dhe i tha të shkonte ta ndihmonte Saulin.

Veprat e Apostujve 9:10–12

Anania i përgjigjet Jezusit.

Por Anania ishte i pështjelluar. Ai kishte dëgjuar për Saulin. E dinte se sa fort kishte luftuar Sauli kundër dishepujve të Jezusit.

Veprat e Apostujve 9:13–14

Jezusi i kërkon Ananias që të ndihmojë Saulin.

Jezusi i kërkoi Ananias ta ndihmonte Saulin prapëseprapë. Jezusi tha se Ai e kishte zgjedhur Saulin për t’ia çuar ungjillin e Tij shumë njerëzve që nuk ishin judenj dhe nuk dinin për Të.

Veprat e Apostujve 9:15–16

Anania i jep Saulit një bekim.

Anania iu bind Jezusit. Ai e gjeti Saulin dhe i dha një bekim. Anania e thirri atë “Vëlla Saul”.

Veprat e Apostujve 9:17

Saulit iu kthye shikimi.

Anania tha se Jezusi e kishte dërguar që Sauli të mund të shërohej dhe të mbushej me Frymën e Shenjtë. Menjëherë Sauli mundi të shihte përsëri.

Veprat e Apostujve 9:17–18

Sauli u mëson njerëzve rreth ungjillit.

Sauli u pagëzua. Pastaj u dha mësim të gjithëve në qytet rreth Jezu Krishtit. Njerëzit u mahnitën që Sauli kishte ndryshuar kaq shumë. Për gjithë pjesën tjetër të jetës së tij, Sauli u quajt Pal. Ai u mësoi të gjithë njerëzve, judenjve dhe shumë të tjerëve, që të besonin te Jezusi. Pali u bë një apostull i Jezu Krishtit.

Veprat e Apostujve 9:18–22, 29–31; 13:9