Mateu 27; Lluka 23; Gjoni 19
Jezusi Jep Jetën e Tij për Ne
Një flijim për të na shpëtuar nga mëkati dhe vdekja
Pasi Pilati vendosi që Jezusi duhej të kryqëzohej, ai u tha ushtarëve të tij ta merrnin Jezusin. Ata e fshikulluan, e pështynë, i vunë një kurorë me gjemba mbi kokë dhe e tallën.
Marku 15:15–20
Ushtarët e detyruan Jezusin të mbarte një kryq të rëndë druri. Ata e çuan Atë në një vend jashtë Jerusalemit, që quhej Golgota.
Gjoni 19:17
Ushtarët i gozhduan duart dhe këmbët e Jezusit në kryq. Jezusi i kërkoi Atit të Tij Qiellor që t’i falte ushtarët, sepse ata nuk e dinin se po kryqëzonin Birin e Perëndisë.
Lluka 23:33–34
Atë ditë u kryqëzuan me Jezusin edhe dy kriminelë. Njëri prej tyre i tha Atij: “Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve”.
Lluka 23:39
Krimineli tjetër tha se ata e meritonin ndëshkimin e tyre, por Jezusi nuk kishte bërë asgjë të gabuar. Ai i kërkoi Jezusit ta kujtonte atë në mbretërinë e Tij. Jezusi i tha se së shpejti ata do të ishin së bashku në botën e shpirtrave.
Lluka 23:40–43
Shumë gra që e ndoqën Jezu Krishtin, kishin ardhur te kryqi për të qenë me Të. Njëra nga gratë ishte nëna e Jezusit, Maria. Jezusi e pa atë dhe i tha Gjonit, njërit prej Apostujve të Tij, të kujdesej për të.
Gjoni 19:25–27; shih edhe te Lluka 8:1–3; Marku 15:40–41
Për tre orë, errësira mbuloi tokën. Jezusi u ndje shumë i vetmuar. Ai ndjeu sikur Ati i Tij në Qiell e kishte braktisur.
Mateu 27:45–46
Në fund të fundit, Jezusi e dinte se e kishte përfunduar vuajtjen e Tij. Ai tha: “Atë, mbaroi, vullneti yt u krye”. Pastaj Jezusi uli kokën dhe dha jetën e Tij. Për të parë nëse Ai kishte vdekur vërtet, një ushtar e tejshpoi në brinjë me një heshtë.
Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 27:54 (te Mateu 27:50, poshtëshënimi a [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]); Gjoni 19:28–30, 34
Kur Jezusi vdiq, toka u drodh. Shkëmbinjtë u thyen në copa. Veli i tempullit, perdja që mbulonte vendin më të shenjtë në tempull, u ça më dysh.
Mateu 27:51
Ushtarët u frikësuan. “Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë”, – thanë ata.
Mateu 27:54
Dishepujt e Jezusit e mbështollën trupin e Tij me pëlhurë dhe e vendosën në një varr në një kopsht. Më vonë, ata rrokullisën një gur të madh para derës së varrit.
Mateu 27:57–61; Gjoni 19:38–41