Histori nga Shkrimet e Shenjta
Jezusi Hyn në Jerusalem – Njerëzit mirëpresin Shpëtimtarin e tyre


Mateu 21:1–16

Jezusi Hyn në Jerusalem

Njerëzit mirëpresin Shpëtimtarin e tyre

Njerëzit presin të takohen me Jezusin jashtë Jerusalemit.

Pothuajse ishte koha e Pashkës, një festë e rëndësishme për judenjtë. Shumë njerëz shkuan në Jerusalem për Pashkën. Iku edhe Jezusi me dishepujt e Tij. Kur njerëzit dëgjuan se Jezusi po vinte, ata shkuan ta takonin Atë.

Mateu 21:1; Gjoni 12:12–13

Jezusi dhe dishepujt e Tij duke iu afruar Jerusalemit.

Kur Jezusi dhe dishepujt e Tij iu afruan Jerusalemit, Ai u kërkoi atyre që t’i sillnin Atij një gomaricë. Shumë vjet më parë, një profet kishte thënë se Shpëtimtari do të vinte me përulësi, hipur mbi një kërriç.

Mateu 21:1–7; shih edhe te Zakaria 9:9

Jezusi hyn në Jerusalem.

Jezusi hyri në qytet hipur mbi një gomaricë. Njerëzit u lumturuan kur e panë Atë. Ata e mirëpritën Atë si mbret. Ata vunë përtokë degë palmash dhe veshje që gomarica të ecte mbi to. Ata e falënderuan Perëndinë dhe thirrën: “Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!”.

Mateu 21:8–9; Lluka 19:36–38; Gjoni 12:13

Njerëzit vështrojnë Jezusin.

Shumë njerëz në Jerusalem vrisnin mendjen se çfarë po ndodhte. “Kush është ky?” – pyetën ata. Të tjerë u përgjigjën se ishte Jezusi nga Nazareti.

Mateu 21:10–11

Jezusi sheh njerëz duke shkëmbyer para në tempull.

Më pas, Jezusi shkoi në tempull. Disa njerëz atje po shkëmbenin para dhe po shitnin kafshë për flijim. Jezusi e dinte se ishin të pandershëm.

Mateu 21:12

Jezusi u thotë njerëzve, të cilët po shkëmbejnë para, që të largohen nga tempulli.

Jezusit nuk i pëlqeu që ata po fitonin para nga njerëzit që dëshironin të adhuronin në tempull. Ai i detyroi të largohen nga tempulli dhe ua përmbysi tryezat. Ai tha: “Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje[je], por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh”.

Mateu 21:12–13; shih edhe tek Isaia 56:7; Jeremia 7:11

Jezusi shëron njerëz në tempull.

Njerëz që ishin të verbër ose që nuk mund të ecnin, erdhën te Jezusi në tempull dhe Ai i shëroi. Fëmijët thirrën “Hosana”, duke e lavdëruar Jezusin dhe duke thënë se Ai ishte Shpëtimtari.

Mateu 21:14–15

Jezusi flet me priftërinjtë dhe skribët.

Disa prej priftërinjve dhe skribëve u zemëruan kur panë se çfarë bëri Jezusi dhe kur dëgjuan se çfarë po thoshin fëmijët. Jezusi u kujtoi një shkrim të shenjtë që thotë se Perëndia do të bënte që përlëvdim i përsosur të vinte nga gojët e fëmijëve.

Mateu 21:15–16; shih edhe te Psalmeve 8:2