Histori nga Shkrimet e Shenjta
Shpëtimtari Lind – Premtimi i Perëndisë përmbushet


Lluka 2; Mateu 2:1–15

Shpëtimtari Lind

Premtimi i Perëndisë përmbushet

Jozefi dhe Maria duke udhëtuar për në Bethlehem.

Jozefi dhe Maria jetonin në Nazaret. Maria do të lindte një foshnjë së shpejti. Çdo njeri duhej të shkonte në qytetin e vet të lindjes për të paguar taksat. Kjo do të thoshte që Jozefi dhe Maria duhej të shkonin në Bethlehem, qytetin e lindjes së Jozefit. Iu desh të udhëtonin shumë larg për të arritur atje.

Lluka 2:1–5

Maria dhe Jozefi në Bethlehem.

Rrugëtimi nuk ishte i lehtë për Marien. Ngaqë kaq shumë njerëz kishin ardhur në Bethlehem, Maria dhe Jozefi nuk mund të gjenin një vend për Marien që të lindte foshnjën e saj.

Lluka 2:6–7

Maria dhe Jozefi duke mbajtur Jezusin, foshnjën e sapolindur.

Ata gjetën një vend ku zakonisht mbaheshin kafshët. Në këtë vend të përulur, Jezusi u lind. Maria dhe Jozefi e donin dhe kujdeseshin për foshnjën Jezus. Ata e mbështollën me një pelenë për ta ndihmuar Atë që të ishte ngrohtë dhe rehat. E vendosën të flinte në një grazhd, i cili zakonisht përdorej për të ushqyer kafshët.

Lluka 2:6–7

Një engjëll duke iu shfaqur një grupi barinjsh.

Aty pranë, barinjtë po ruanin delet e tyre gjatë natës. Papritur, një dritë e shndritshme shkëlqeu përreth tyre dhe një engjëll u shfaq. Barinjtë patën frikë.

Engjëlli duke u thënë barinjve se Jezusi sapo kishte lindur.

Engjëlli u tha atyre që të mos kishin frikë, sepse ai kishte një lajm të mrekullueshëm. Shpëtimtari kishte lindur në Bethlehem dhe ata mund ta gjenin Atë të shtrirë në një grazhd. Pastaj më shumë engjëj erdhën duke thënë: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!”.

Lluka 2:10–15

Barinjtë duke përshëndetur foshnjën Jezus.

Barinjtë shkuan me nxitim në Bethlehem dhe e gjetën foshnjën Jezus, ashtu siç kishte thënë engjëlli. Ata u thanë njerëzve për gjërat e mrekullueshme që kishin parë dhe dëgjuar. Ata e dinin se Jezusi ishte një fëmijë i veçantë.

Lluka 2:16–17

Simeoni duke mbajtur foshnjën Jezus.

Maria dhe Jozefi e çuan foshnjën Jezus në tempull për t’ia paraqitur Atë Perëndisë. Atje takuan një burrë që quhej Simeon. Fryma e Shenjtë i kishte thënë Simeonit se ai do të takonte Shpëtimtarin përpara se të vdiste. Ai e mbajti foshnjën në duar dhe tha se Jezusi do të shpëtonte të gjithë fëmijët e Perëndisë. Jozefi dhe Maria u mahnitën nga ato që tha ai.

Lluka 2:22–35

Ana duke parë nga afër foshnjën Jezus.

Në tempull kishte një person tjetër të quajtur Ana. Bashkëshorti i saj kishte vdekur para shumë vitesh. Tani Ana e kalonte tërë kohën duke adhuruar Perëndinë në tempull. Ajo falënderoi Perëndinë për mundësinë që e pa nga afër Shpëtimtarin. Kurdoherë që takonte dikë që po priste për Shpëtimtarin, ajo u fliste për Jezusin.

Lluka 2:36–38

Dijetarët duke parë një yll të ri që po shfaqej në qiell.

Kur u lind Jezusi, dijetarë në një vend tjetër panë një yll të ri. Ata e dinin se ai do të thoshte që lindi një fëmijë i veçantë, i cili do të ishte Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës. Ata filluan një udhëtim të gjatë për të vizituar këtë fëmijë dhe për ta adhuruar Atë. Ata dëshironin t’i sillnin Atij dhurata për të treguar dashurinë e tyre për Të.

Mateu 2:1–7

Dijetarët duke parë Shpëtimtarin në Jerusalem.

Pasi udhëtuan për një kohë të gjatë, dijetarët erdhën në Jerusalem. Ata thanë se një mbret i ri i judenjve, Shpëtimtari, kishte lindur dhe ata kishin ardhur për ta adhuruar Atë. Pyetën se ku mund ta gjenin mbretin e ri.

Mateu 2:1–2

Herodi duke u thënë njerëzve të tij që të gjenin mbretin e ri.

Një mbret i quajtur Herod dëgjoi se dijetarët po kërkonin një mbret të ri. Ai ishte i shqetësuar. Priftërinjtë dhe skribët e tij i thanë se shkrimet e shenjta thoshin që mbreti i ri do të lindte në Bethlehem. Herodi u tha dijetarëve të kërkonin në Bethlehem dhe më pas të ktheheshin e t’i tregonin kur ta gjenin mbretin e ri.

Mateu 2:3–8

Dijetarët duke adhuruar foshnjën Jezus.

Dijetarët erdhën në Bethlehem. Ata ndoqën yllin, i cili i çoi tek Jezusi. Kur e gjetën Atë dhe Marien e Jozefin, ata i dhanë Jezusit tri dhurata të veçanta dhe e adhuruan Atë. Perëndia i paralajmëroi që të mos ktheheshin tek Herodi, prandaj u kthyen në shtëpi nga një rrugë tjetër.

Mateu 2:9–12

Një engjëll duke i thënë Jozefit se ai duhet ta çonte familjen e tij në Egjipt.

Pasi u larguan dijetarët, Jozefi pa një ëndërr. Në ëndërr, një engjëll i tha Jozefit se Herodi ishte i zemëruar. Jozefi duhej t’i çonte Marien dhe Jezusin në Egjipt, për sigurinë e tyre.

Mateu 2:13

Jozefi, Maria dhe Jezusi duke u larguar për në Egjipt.

Jozefi u ngrit menjëherë. Ai u largua për në Egjipt me Marien dhe Jezusin ndërkohë që ishte ende natë.

Mateu 2:14

Jozefi, Maria dhe Jezusi në shtëpi.

Maria, Jozefi dhe Jezusi qëndruan në Egjipt derisa engjëlli u tha se Herodi kishte vdekur dhe ishte e parrezikshme të ktheheshin. Më pas ata u kthyen për të jetuar në Nazaret.

Mateu 2:15, 19–23