Histori nga Shkrimet e Shenjta
Mrekullitë gjatë Udhëtimit të Palit drejt Romës – Zoti bekon shërbëtorin e Tij


Veprat e Apostujve 21–22; 26–28

Mrekullitë gjatë Udhëtimit të Palit drejt Romës

Zoti bekon shërbëtorin e Tij

Palin e arrestojnë në Jerusalem.

Shpirti i tha Palit të shkonte në Jerusalem. Shumë njerëzve atje nuk u pëlqeu ajo që dha mësim Pali rreth Jezu Krishtit. Ata e arrestuan dhe e lidhën me zinxhirë. Pali u tregoi të gjithëve rreth kohës kur pa një dritë nga qielli, dëgjoi zërin e Jezusit dhe u pagëzua.

Veprat e Apostujve 21:4, 12–13, 27–40; 22:1–16

Jezusi i shfaqet Palit në burg.

Palin e futën në burg. Ndërkohë që ishte atje, Jezusi iu shfaq dhe tha: “Pal, kurajë”. Ai tha se Pali do të jepte dëshmi për Të në Romë.

Veprat e Apostujve 23:10–11

Pali dëshmon për Jezu Krishtin.

Palin e çuan përpara guvernatorëve dhe një mbreti. Ai u dëshmoi me guxim për Jezu Krishtin këtyre sundimtarëve të fuqishëm. Ai dëshironte që çdo njeri të besonte te Jezusi.

Veprat e Apostujve 24:10–27; 25:6–8, 17–19; 26:1–29

Pali i thotë ekuipazhit të anijes që të presë derisa moti të jetë më i mirë.

Mbreti e dërgoi Palin në Romë që të gjykohej nga Cezari, perandori. Pali udhëtoi me anije me të burgosur të tjerë, duke bërë ndalesa gjatë udhës. Gjatë një ndalese, Pali e dinte se së shpejti do të bëhej dimër. Nëse do të vazhdonin udhën, ata do të ishin në rrezik të madh. Ai i tha ekuipazhit të anijes që të priste derisa moti të ishte më i mirë.

Veprat e Apostujve 27:1–10

Anijen e zë një stuhi.

Askush nuk e besoi Palin, prandaj vazhduan lundrimin. Erdhi një stuhi e madhe dhe anija u përplas nga valët për shumë ditë. Nuk i shihnin dot diellin ose yjet. Menduan se do të vdisnin në stuhi.

Veprat e Apostujve 27:11–20

Një engjëll i shfaqet Palit në anije.

Një natë, një engjëll i Perëndisë vizitoi Palin dhe i tha: “Pal, mos druaj”. Engjëlli tha se Pali do të mbërrinte në Romë, sikurse kishte premtuar Zoti. Ai tha se Perëndia do ta mbronte çdo njeri në anije, askush prej tyre nuk do të vdiste.

Veprat e Apostujve 27:23–24

Pali u tregon njerëzve në anije për engjëllin.

Pali u tregoi të gjithëve se çfarë tha engjëlli. “Kini zemër të gëzuar”, – tha Pali, – “sepse unë besoj në Perëndinë.”

Veprat e Apostujve 27:21–25

Pali dhe të tjerë në një ishull të quajtur Maltë.

Ditë më vonë, anija u përplas dhe u mbyt. Por siç kishte premtuar engjëlli, askush në anije nuk vdiq. Të gjithë ata notuan drejt një ishulli të quajtur Maltë.

Veprat e Apostujve 27:40–44; 28:1

Njerëzit në Maltë ndihmojnë Palin dhe të tjerët.

Njerëzit që jetonin në Maltë, ishin dashamirës ndaj Palit dhe njerëzve të tjerë nga anija. Ata ndezën një zjarr që çdo njeri të mund të ngrohej.

Veprat e Apostujve 28:2

Një gjarpër kafshon Palin, por ai nuk lëndohet.

Papritur një gjarpër doli nga zjarri dhe e kafshoi Palin në dorë. Por Palin nuk e gjeti gjë. Ai thjesht e shkundi gjarprin. Njerëzit u habitën.

Veprat e Apostujve 28:3–6

Pali i jep një bekim të atit të Publiusit.

Një burrë, i quajtur Publius, e lejoi Palin të qëndronte në shtëpinë e tij. I ati i Publiusit ishte shumë i sëmurë. Pali i vuri duart mbi kokë dhe përdori fuqinë e Perëndisë për ta shëruar atë.

Veprat e Apostujve 28:7–8

Pali duke mbërritur në Romë.

Pali kaloi tre muaj në Maltë. Zoti e ndihmoi të bënte shumë mrekulli, duke i bekuar dhe shëruar njerëzit që ishin të sëmurë. Më pas, ashtu siç e kishte premtuar Zoti, Pali udhëtoi drejt Romës.

Veprat e Apostujve 28:9–16

Pali duke dhënë mësim rreth ungjillit ndërkohë që është i burgosur.

Pali ende qe i burgosur ndërkohë që ishte në Romë. Por rojat e tij i lejonin njerëzit që ta vizitonin atë. Pali i dha mësim rreth Jezu Krishtit kujtdo që donte të dëgjonte. Pali gjithashtu u shkroi letra anëtarëve të Kishës në shumë vende. Disa nga këto shkrime, të quajtura letra, janë në Dhiatën e Re.

Veprat e Apostujve 28:16–31