Histori nga Shkrimet e Shenjta
Jezusi Shëron një Grua dhe Ngre së Vdekuri të Bijën e Jairit – “Mos ki frikë, vetëm ki besim”


Marku 5:21–43

Jezusi Shëron një Grua dhe Ngre së Vdekuri të Bijën e Jairit

“Mos ki frikë, vetëm ki besim”

Jairi me gruan dhe të bijën e tij.

Një burrë i quajtur Jair jetonte me gruan dhe të bijën e tij në një qytet pranë detit të Galilesë. Jairi ishte një udhëheqës në sinagogën ku judenjtë shkonin të adhuronin Perëndinë.

Marku 5:22

E bija e Jairit sëmuret rëndë.

E bija e Jairit, e cila ishte vetëm 12 vjeçe, u sëmur rëndë. Ajo ishte gati duke vdekur. Jairi e dinte se ajo kishte nevojë për ndihmë. Ai gjithashtu e dinte se Jezusi ishte në qytetin e tyre.

Marku 5:22–23

Jairi i kërkon Jezusit të shërojë bijën e tij.

Jairi u largua nga shtëpia e tij dhe e gjeti Jezusin. Ai u gjunjëzua para këmbëve të Jezusit dhe i kërkoi Atij të vinte për të shëruar të bijën e tij. Jairi e dinte se nëse Jezusi do ta bekonte të bijën e tij, ajo do të jetonte. Jezusi e ndoqi Jairin për në shtëpinë e tij. Turmat e njerëzve e ndoqën Atë.

Marku 5:23–24

Një grua në turmë dëshiron të shërohet nga Jezusi.

Një grua në të njëjtin qytet gjithashtu kishte nevojë për ndihmën e Jezusit. Ajo kishte qenë shumë e sëmurë për 12 vjet. Ajo i kishte shpenzuar të gjitha paratë e veta te mjekët, por askush nuk mundi ta shëronte – gjërat veç sa ishin përkeqësuar. Ajo e dinte se Jezusi mund ta shëronte. Por si do të çante për tek Ai mes gjithë asaj turme?

Marku 5:25–27

Jesus Heals Woman Raises Jairus' Daughter

Gruaja besonte që, në qoftë se thjesht mund ta prekte rrobën e Jezusit, ajo do të shërohej. Ajo shtriu dorën drejt Jezusit teksa Ai ecte pranë. Sapo e preku cepin e rrobës së Tij, ajo u shërua nga sëmundja.

Mateu 9:20; Marku 5:27–29; Lluka 8:44

Jezusi pyet se kush e kishte prekur Atë.

Menjëherë Jezusi e ndali ecjen. Ai ndjeu se një fuqi kishte dalë prej Tij. “Kush më preku?” – pyeti Ai. Dishepujt e Tij u pështjelluan. Shumë njerëz e kishin prekur Atë, ata ishin të rrethuar nga njerëzit. Jezusi vështroi përreth që të shihte se kush e kishte prekur Atë.

Marku 5:30; Lluka 8:45

Jezusi i thotë gruas të shkojë në paqe.

Jezusi e pa gruan e cila i kishte prekur rrobat e Tij. Ajo i tregoi Jezusit për sëmundjen e saj dhe se Jezusi e kishte shëruar. Jezusi i tha të merrte zemër. Ajo u shërua për shkak të besimit të saj tek Ai. “Shko në paqe”, – i tha Ai asaj.

Marku 5:33–34; Lluka 8:47–48

Jairi mëson se vajza e tij ka vdekur.

Më pas një burrë erdhi nga shtëpia e Jairit. Ai tha se ishte tepër vonë; e bija e Jairit tashmë kishte vdekur. Jairi nuk duhej ta shqetësonte më Jezusin.

Marku 5:35

Jezusi i thotë Jairit të besonte tek Ai.

Sapo Jezusi e dëgjoi këtë, Ai i tha Jairit: “Mos ki frikë, vetëm ki besim”. Pastaj ata shkuan në shtëpinë e Jairit.

Marku 5:36–38

Jezusi i thotë të ngrihet bijës së Jairit.

Jairi dhe gruaja e tij e çuan Jezusin atje ku dergjej e bija e tyre. Jezusi e mori vajzën për dore dhe i tha asaj: “Ngrihu”.

Marku 5:41

E bija e Jairit ngjallet përsëri.

Menjëherë, e bija e Jairit u ngrit nga shtrati. Nuk ishte më e vdekur! Jezusi i kërkoi Jairit dhe gruas së tij që t’i jepnin asaj diçka për të ngrënë. Ata u mahnitën nga ajo që Jezusi bëri për të bijën e tyre. Ai u kërkoi që ata të mos u tregonin njerëzve të tjerë rreth kësaj mrekullie.

Marku 5:42–43