Histori nga Shkrimet e Shenjta
Pali e Krahason Kishën me Trupin e Krishtit – Mësimdhënia rreth dhuratave shpirtërore, unitetit dhe dashurisë hyjnore


1 Korintasve 12–13

Pali e Krahason Kishën me Trupin e Krishtit

Mësimdhënia rreth dhuratave shpirtërore, unitetit dhe dashurisë hyjnore

Pali duke shkruar një letër, me njerëzit e Korintit në sfond.

Korinti ishte një qytet i madh, plot lëvizje. Atje jetonin shumë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit. Por ata ishin të gjithë nga vende të ndryshme dhe ishin shumë të ndryshëm nga njëri‑tjetri. Pali dëshironte t’i ndihmonte që të ishin në unitet dhe të shihnin të mirën tek njëri‑tjetri. Prandaj u shkroi një letër.

1 Korintasve 1:11–13

Njerëz në Korint me dhurata të ndryshme nga Perëndia.

Në letrën e tij, Pali u tha shenjtorëve se ata të gjithë kishin dhurata të veçanta nga Perëndia. Disa njerëz kishin dhuratën e besimit. Të tjerët kishin dhuratën e bërjes së mrekullive. Disa ishin të mençur dhe disa mund të shëronin njerëz të tjerë. Disa njerëz mund të flisnin gjuhë të tjera. Të gjithë shenjtorët kishin dhurata të ndryshme, por të gjitha vinin nga Perëndia.

1 Korintasve 12:3–11, 29–30

Njerëz në Korint duke u pagëzuar.

Pali dha mësim se, edhe pse shenjtorët ishin të ndryshëm nga njëri‑tjetri, besimi i tyre te Jezusi i bëri bashkë. Kur vendosën t’i ndiqnin mësimet e Jezusit, të pagëzoheshin dhe të bashkoheshin me Kishën e Tij, ata u bënë një grup, i bashkuar në Jezu Krisht.

1 Korintasve 12:27

Dy njerëz duke ndarë bukën; dy njerëz duke ecur së bashku; një nënë dhe fëmijët e saj.

Pali tha se Kisha është si një trup, me një kokë, me krahë, këmbë dhe shputa këmbësh. Çdo pjesë e trupit bën gjëra të ndryshme. Veshi nuk duhet të ndihet keq ngaqë është i ndryshëm nga syri. Dhe koka nuk mund t’u thotë këmbëve: “Unë nuk kam nevojë për ju”. Secila pjesë është e rëndësishme dhe ato të gjitha punojnë së bashku.

1 Korintasve 12:12–14

Njerëzit në Korint u mblodhën së bashku.

Pali i quajti shenjtorët në Korint “trupi i Krishtit”. Ai donte që ata të punonin së bashku sikurse pjesët e ndryshme të një trupi, duke përdorur dhuratat e tyre të ndryshme për ta ndihmuar dhe bekuar njëri‑tjetrin.

1 Korintasve 12:15–27

Pali duke shkruar një letër; Jezusi duke i dhënë bukë një burri.

Për ta bërë këtë gjë, njerëzit kishin nevojë për një lloj shumë të veçantë dashurie, të quajtur dashuri hyjnore. Kjo është dashuria që Jezu Krishti ka për çdo njeri. Pali tha se të kesh dashuri hyjnore do të thotë të jesh i duruar me të tjerët, edhe kur ata nuk janë dashamirës. Do të thotë të mos jesh arrogant, egoist ose ziliqar. Do të thotë të duash të vërtetën dhe të kesh shpresë.

1 Korintasve 13:1–7; Moroni 7:47

Një burrë duke i dhënë bukë një gruaje.

Pali u tha shenjtorëve në Korint se dashuria hyjnore zgjat përgjithmonë. Pavarësisht se çfarë dhuratash të tjera mund të kemi, ne të gjithë kemi nevojë për dashuri hyjnore. Secili prej nesh mund të ketë dashuri hyjnore nëse i kërkojmë Atit Qiellor për të, me gjithë zemër dhe përpiqemi të jemi një pasues i vërtetë i Jezu Krishtit.

1 Korintasve 13:1–3, 8; Moroni 7:48