1 dhe 2 Timoteut
Letrat drejtuar Timoteut
Pali këshillon mikun e tij të ri në moshë
Timoteu ishte një djalë i ri me besim të fortë te Jezu Krishti. Nëna e tij, Eunika, dhe gjyshja e tij, Loida, ishin gjithashtu gra me besim të madh. Ato i dhanë mësim Timoteut nga shkrimet e shenjta, madje që kur ishte fëmijë.
2 Timoteut 1:5; 3:15
Timoteu dhe Pali ishin miq të mirë. Ata kishin punuar dhe udhëtuar së bashku, duke i shërbyer Zotit dhe duke shpërndarë ungjillin e Tij. Pali e donte Timoteun si birin e vet.
Filipianëve 2:19–22; 1 Timoteut 1:2
Pali i kërkoi Timoteut që të udhëhiqte Kishën në Efes. Palit i duhej të shkonte në një qytet tjetër. Ndërkohë që ishte larg, ai i shkroi Timoteut një letër për ta ndihmuar.
1 Timoteut 1:1–3
Më vonë, kur Pali ishte në burg në Romë, ai i shkroi Timoteut një letër tjetër. Ai e paralajmëroi Timoteun se do të vinin kohë të vështira. Disa njerëz do të largoheshin nga e vërteta dhe do t’i donin gjërat e botës më shumë sesa Perëndinë. Ata do të jepnin mësim gjëra që nuk janë të vërteta.
2 Timoteut 3:1–7; Titit 4:3–4
Pali i tha Timoteut të mos kishte frikë. Ai tha: “Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie”. Pali i tha Timoteut që të vazhdonte duke bërë gjërat që kishte mësuar. Shkrimet e shenjta do ta çonin atë drejt Jezu Krishtit.
2 Timoteut 1:7–9; 3:14–17
Pali e dinte se jeta e tij shpejt do të mbaronte. Por ai nuk kishte frikë të vdiste. Pali i tha Timoteut se, ndonëse kishte kaluar përmes shumë sfidave në jetën e tij, ai e kishte mbajtur të fortë besimin e vet. Kishte mirëbesuar se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do t’i jepnin atij jetë të përjetshme.
2 Timoteut 4:6–8