Histori nga Shkrimet e Shenjta
Ai Është Ngritur – Jezu Krishti mposht vdekjen për të gjithë


Lluka 24:1–12, 36–49; Gjoni 20

Ai Është Ngritur

Jezu Krishti e mposht vdekjen për të gjithë

Dishepujt e Jezusit largohen nga varri i Tij.

Dishepujt e Jezusit e vendosën trupin e Tij në një varr. Donin të bënin më shumë për t’u kujdesur për trupin e Tij, por për pak ishte Shabat. Ata planifikuan të ktheheshin pasi të mbaronte Shabati.

Lluka 23:52–56

Maria Magdalena dhe të tjerët kthehen te varri.

Herët në mëngjesin e ditës së tretë pas vdekjes së Jezusit, Maria Magdalena dhe njerëz të tjerë shkuan te varri.

Lluka 24:1; Gjoni 20:1

Trupi i Jezusit nuk është në varr.

Kur mbërritën, ata panë se guri që mbulonte varrin, ishte rrokullisur. Ata shkuan brenda dhe trupi i Jezusit nuk ishte atje.

Lluka 24:2–3; Gjoni 20:1

Maria i thotë Pjetrit dhe Gjonit se dikush e ka marrë trupin e Jezusit.

Maria vrapoi t’u thoshte Pjetrit dhe Gjonit se dikush e kishte marrë trupin e Jezusit. Pjetri dhe Gjoni vrapuan drejt varrit.

Gjoni 20:2–4

Pjetri dhe Gjoni shohin që trupi i Jezusit nuk është në varr.

Kur ata mbërritën te varri, Pjetri dhe Gjoni u futën brenda. Ata panë se trupi i Jezusit ishte larguar. Pëlhura me të cilën e kishin mbështjellë, ishte ende atje.

Gjoni 20:5–7

Maria sheh dy engjëj brenda në varr.

Pjetri dhe Gjoni shkuan në shtëpi, por Maria qëndroi pranë varrit, duke qarë. Ajo hodhi vështrimin brenda në varr dhe pa dy engjëj. Ata e pyetën përse po qante. Ajo tha se dikush e kishte marrë trupin e Jezusit dhe nuk e dinte se ku ishte.

Gjoni 20:11–13

Jezusi e pyet Marinë përse po qan.

Atëherë erdhi Jezusi, por Maria nuk e dinte se ishte Ai. Jezusi e pyeti: “Grua, pse po qan?” Maria mendoi se Ai ishte kopshtari. Ajo e pyeti a e dinte se ku ishte trupi i Jezusit.

Gjoni 20:14–15

Maria kthehet dhe e vështron Jezusin.

Jezusi tha: “Mari”. Ajo u kthye. Tani ajo e dinte se ishte Jezusi. Ajo i tha Atij: “Mësues”. Jezusi i kërkoi t’u tregonte dishepujve të tjerë se Ai duhej të shkonte tek Ati i Tij Qiellor. Maria i gjeti dishepujt e tjerë dhe u tha se ajo e kishte parë Jezusin dhe Ai ishte i gjallë përsëri!

Gjoni 20:16–18

Jezusi u shfaqet dhe u flet Apostujve të Tij.

Atë mbrëmje shumë prej Apostujve u mblodhën së bashku. Ata i mbyllën dyert, të frikësuar se udhëheqësit e judenjve mund të përpiqeshin t’i gjenin. Papritur e panë Jezusin të qëndronte mes tyre. Në fillim patën frikë. Menduan se Ai ishte një shpirt. Jezusi tha: “Paqja me ju!”

Lluka 24:33–38; Gjoni 20:19

Njëri prej Apostujve i prek dorën Jezusit.

Jezusi i ftoi Apostujt të preknin duart dhe këmbët e Tij. Ai donte që ata të dinin se Ai kishte trup, jo thjesht një shpirt. Ai madje hëngri peshk dhe hoje blete me ta. Sa të lumtur ishin dishepujt që e panë Atë.

Lluka 24:39–44; Gjoni 20:20

Jezusi jep mësim për vdekjen dhe Ringjalljen e Tij.

Më pas, Jezusi i ndihmoi Apostujt e Tij që t’i kuptonin shkrimet e shenjta që dhanë mësim rreth vdekjes dhe Ringjalljes së Tij. Ai dëshironte që ata t’i jepnin mësim çdo njeriu se, për shkak të Tij, ata do të mund të pendoheshin dhe të merrnin falje. Apostujt do të ishin dëshmitarët e Tij.

Lluka 24:44–48

Thomai flet me dy Apostuj të tjerë.

Apostulli Thoma nuk ishte atje kur erdhi Jezusi. Ai tha se nuk do ta besonte që Jezusi ishte i gjallë përveçse po të shihte shenjat e gozhdëve në duart e Tij.

Gjoni 20:24–25

Jezusi shfaqet përsëri.

Tetë ditë më vonë, dishepujt u mblodhën së bashku. Jezusi u shfaq përsëri. Këtë herë Thomai ishte atje.

Gjoni 20:26

Thomai bie në gjunjë përpara Jezusit.

Jezusi e ftoi Thomain që të prekte plagët në duart dhe ijën e Tij. Ai i tha Thomait: “Mos ji mosbesues, por besues”. Thomai tha: “Zoti im dhe Perëndia im”. Tani Thomai besoi se Jezusi ishte ringjallur. Jezusi tha se njerëzit janë të bekuar kur besojnë, edhe kur nuk e kanë parë Atë.

Gjoni 20:27–29