Gjoni 21; Mateu 28:16–20; Marku 16:15–19
Jezusi u Kërkon Apostujve që të Ushqejnë Delet e Tij
Të tregojmë dashuri për Jezusin duke u mësuar të tjerëve rreth Tij
Pasi Jezusi u ringjall, Pjetri dhe disa prej Apostujve të tjerë shkuan të peshkonin. Megjithëse peshkuan tërë natën, ata nuk kapën asgjë.
Gjoni 21:1–3
Të nesërmen në mëngjes, Apostujt e panë Jezusin në bregdet, por nuk e dinin se ishte Ai. Ai i pyeti a kishin zënë ndonjë peshk. Ata thanë se nuk kishin zënë.
Gjoni 21:4–5
Jezusi u tha Apostujve që të hidhnin rrjetat e tyre në anën e djathtë të barkës dhe do të kapnin peshq. Apostujt bënë çfarë tha Jezusi dhe më shumë se njëqind peshq mbushën rrjetën. Rrjeta ishte aq e rëndë me peshq saqë Apostujt nuk e tërhiqnin dot brenda në barkë.
Gjoni 21:6
Më pas, Gjoni e kuptoi se cili ishte burri. Ai i tha Pjetrit: “Është Zoti”. Pjetri u hodh në det dhe notoi drejt Jezusit. Apostujt e tjerë i sollën barkën dhe peshqit në bregdet. Jezusi po gatuante ca bukë e peshq dhe Ai i ftoi Apostujt të hanin me Të.
Gjoni 21:7–13
Pasi hëngrën, Jezusi i tha Pjetrit: “A më do ti mua më shumë se këta?” Pjetri tha “po”. Pastaj Jezusi tha: “Kulloti qengjat e mi!”
Gjoni 21:15
Pastaj Jezusi e pyeti Pjetrin përsëri a e donte ai Atë. Përsëri Pjetri tha “po”. Jezusi i tha atij: “Ki kujdes për delet e mia”.
Gjoni 21:16
Jezusi e pyeti Pjetrin një herë të tretë a e donte Atë. Pjetri tha: “Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua”. Jezusi i tha atij përsëri: “Kulloti delet e mia”. Ai donte që Pjetri të kujdesej për njerëzit që e ndjekin Atë.
Gjoni 21:17
Më vonë, Jezusi u kërkoi Apostujve të Tij që të takoheshin me Të në një mal. Atje Ai u tha që ta shpërndanin ungjillin e Tij në të gjithë botën, t’u mësonin njerëzve urdhërimet e Tij dhe të pagëzonin çdo njeri që besonte. “Do të bëheni dëshmitarët e mi”, – tha Ai. Ai premtoi se Ai do të ishte me ta dhe do t’u jepte fuqi nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Mateu 28:16–20; Marku 16:15–19; Veprat e Apostujve 1:8
Më pas, Jezusi shkoi në qiell në një re. Ai u kthye tek Ati i Tij në Qiell. Teksa Apostujt e shihni Atë të largohej, u shfaqën dy engjëj. Ata thanë se ashtu si Jezusi ishte ngjitur në qiell, Ai do të kthehej në tokë në të njëjtën mënyrë një ditë.
Veprat e Apostujve 1:9–11