Veprat e Apostujve 1–4
Apostujt e Jezusit Udhëheqin Kishën e Tij
Duke dhënë mësim, duke pagëzuar, duke shëruar dhe duke ndarë gjithçka
Pasi Jezusi u kthye tek Ati i Tij në Qiell, Apostujt u bënë udhëheqësit e Kishës. Ata jepnin mësim ungjillin e Shpëtimtarit, i ftonin njerëzit të bashkoheshin me Kishën e Tij dhe bënin shumë mrekulli me fuqinë e Perëndisë. Jezusi premtoi t’i ndihmonte ata duke dërguar Frymën e Shenjtë.
Veprat e Apostujve 1:8–13; 2:41–47
Meqenëse Juda kishte vdekur, kishte vetëm njëmbëdhjetë Apostuj. Apostujt u lutën për të ditur se cilin donte Perëndia që të zinte vendin e Judës dhe që të ishte një dëshmitar i veçantë i Jezu Krishtit. Perëndia zgjodhi një burrë të quajtur Matia. Ai u bë njëri nga Dymbëdhjetë Apostujt.
Veprat e Apostujve 1:15–26
Në një festë të veçantë judease, dishepujt ishin së bashku në Jerusalem. Papritmas u duk sikur një erë nga qielli mbushi shtëpinë. Ata panë dritë si zjarr të qëndronte mbi ta dhe të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë. Për shkak të Frymës së Shenjtë, ata mundën të flisnin në gjuhë të tjera.
Veprat e Apostujve 2:1–4
Kur njerëzit në Jerusalem dëgjuan për këtë, u mblodh një turmë e madhe. Edhe pse njerëzit në turmë ishin nga shumë vende dhe flisnin gjuhë të ndryshme, secili prej tyre e dëgjoi atë që thoshin Apostujt në gjuhën e vet përkatëse. Njerëzit u mahnitën!
Veprat e Apostujve 2:5–13
Pjetri qëndroi në këmbë dhe i foli turmës. Ai u tregoi rreth Jezu Krishtit. Ai dha dëshminë e tij se Jezusi është Shpëtimtari dhe se ishte ringjallur.
Veprat e Apostujve 2:14–36
Kur njerëzit e dëgjuan këtë, ata ndien se kishin nevojë të ndryshonin. Ata i pyetën Apostujt se çfarë duhej të bënin.
Veprat e Apostujve 2:37
Pjetri tha: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë”. Rreth 3000 veta u pagëzuan dhe u bashkuan me Kishën atë ditë.
Veprat e Apostujve 2:38–43
Më vonë, Pjetri dhe Gjoni shkuan në tempull. Ata panë një burrë që nuk mund të ecte. Ai rrinte aty çdo ditë, duke u kërkuar para njerëzve.
Veprat e Apostujve 3:1–2
Burri u kërkoi para Pjetrit dhe Gjonit. Ata ndaluan dhe e vështruan. Pjetri tha: “Na shiko!”
Veprat e Apostujve 3:3–4
Pjetri tha se ata nuk kishin as argjend dhe as ar. Por kishin diçka më të mirë. “Në emër të Jezu Krishtit Nazarenas”, – tha ai, – “çohu dhe ec!” Pjetri e ndihmoi atë të ngrihej në këmbë. Për herë të parë në jetën e tij, burri mundi të ecte! Ai ishte aq i lumtur sa kërceu në këmbë dhe hyri në tempull me Pjetrin dhe Gjonin.
Veprat e Apostujve 3:6–8
Njerëzit u mahnitën. Pjetri u tha atyre se nuk ishte fuqia e tij apo fuqia e Gjonit që e shëroi burrin. Ai u shërua me anë të fuqisë së Jezu Krishtit dhe besimit tek Ai. Pjetri u tha atyre të pendoheshin dhe të besonin te Jezusi.
Veprat e Apostujve 3:9–26
Disa prej udhëheqësve të judenjve nuk u pëlqente ajo që Pjetri dhe Gjoni po jepnin mësim. Ata thanë se askujt nuk i lejohej të jepte mësim rreth Jezusit.
Veprat e Apostujve 4:1–18
Pjetri dhe Gjoni thanë se do t’i bindeshin Perëndisë dhe se Perëndia donte që ata t’u tregonin njerëzve atë që dinin për Jezu Krishtin.
Veprat e Apostujve 4:19–20
Apostujt vazhduan ta jepnin mësim ungjillin e Shpëtimtarit me fuqi të madhe. Gjithnjë e më shumë njerëz iu bashkuan Kishës së Tij. Ata u mbushën me Frymën. Ata e donin njëri-tjetrin dhe ndanin gjithçka. Ata e shitën atë që kishin dhe ua dhanë paratë Apostujve që t’ua jepnin të varfërve.
Veprat e Apostujve 4:31–37