Histori nga Shkrimet e Shenjta
Jezusi Jep Mësim Predikimin në Mal – Ndihmë për ne që të bëhemi më shumë si Ati ynë Qiellor


Mateu 5–7

Jezusi Jep Mësim Predikimin në Mal

Ndihmë për ne që të bëhemi më shumë si Ati ynë Qiellor

Jezusi duke dhënë mësim pranë detit të Galilesë.

Jezusi dhe dishepujt e Tij shkuan te një mal pranë detit të Galilesë. Atje, Jezusi u dha mësim atyre se si ne mund të jemi të lumtur dhe të bëhemi më shumë si Ati ynë Qiellor.

Mateu 5:1–2

Jezusi duke dhënë mësim rreth mënyrës se si të bëjmë paqe me të tjerët.

Jezusi dha mësim se njerëzit janë të bekuar dhe të lumtur kur janë të përulur, kur janë të pastër në zemër dhe kur përpiqen të bëjnë atë që është e drejtë. Njerëzit që i falin të tjerët, mund të falen. Njerëzit që bëjnë paqe, do të quhen fëmijët e Perëndisë.

Mateu 5:3–9

Ne duhet të jemi si një dritë për botën.

Jezusi tha se dishepujt e Tij janë një dritë për botën, si një qytet në majë të malit që mund ta shohë çdo njeri. Nuk duhet ta fshehim dritën tonë.

Mateu 5:14

Veprat tona të mira mund të jenë si një dritë për të tjerët.

Nëse e ndjekim Jezusin, jemi si një qiri që i jep dritë çdo njeriu në dhomë. Punët tona të mira mund t’i ndihmojnë njerëzit që të besojnë tek Ati Qiellor.

Mateu 5:15–16

Jezusi duke dhënë mësim se ne duhet ta duam çdo njeri.

Jezusi tha se ne duhet ta duam çdo njeri, madje edhe njerëzit që nuk na duan ne. Ne duhet të lutemi për ta. Jezusi dha mësim se ne duhet të përpiqemi që të jemi si Ati ynë Qiellor. Ai dha mësim se kur i ndihmojmë njerëzit, nuk kemi pse ua tregojmë të gjithëve atë që bëmë. Perëndia i sheh gjërat e mira që bëjmë dhe Ai do të na bekojë.

Mateu 5:38–48; Mateu 6:1–4

Ne duhet të lutemi me zemër.

Kur lutemi, ne nuk duhet të shqetësohemi për atë që të tjerët mendojnë për ne. Nuk duhet të themi të njëjtat fjalë çdo herë, nëse nuk janë aq domethënëse për ne. Duhet të flasim nga zemra. Ati Qiellor i dëgjon lutjet tona dhe e di se çfarë na nevojitet. Edhe kur asnjë tjetër nuk mund të na dëgjojë, Ai do të na dëgjojë.

Mateu 6:5–8

Ne duhet t’i trajtojmë të tjerët ashtu si ne duam të trajtohemi.

Jezusi dha mësim se ne nuk duhet të mendojmë se jemi më të mirë se njerëzit e tjerë. Duhet të kujtojmë që ne të gjithë kemi sfida. Në vend që t’i gjykojmë të tjerët, duhet të mendojmë për mënyrën se si mund të bëjmë më mirë. Ne duhet t’i trajtojmë njerëzit sipas mënyrës që duam të trajtohemi.

Mateu 7:1–5, 12

Jezusi duke dhënë mësim rreth një shtëpie të ndërtuar mbi shkëmb.

Më pas, Jezusi tregoi një situatë rreth një njeriu të marrë që e ndërtoi shtëpinë e tij mbi rërë, dhe një njeriu të zgjuar që e ndërtoi shtëpinë e tij mbi shkëmb. Kur erdhi stuhia e shiut, shtëpia mbi rërë u shemb dhe shtëpia mbi shkëmb qëndroi e palëvizur. Jezusi tha se po t’i dëgjojmë mësimet e Tij dhe t’i ndjekim ato, ne jemi si njeriu i zgjuar.

Mateu 7:24–28