Efesianëve 2:19–20; 4:11–14
Në Unitetin e Besimit
Jezu Krishti e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet apostujve dhe profetëve
Apostujt e Jezusit e predikuan ungjillin e Tij në shumë shtete. Njerëzit që e besuan ungjillin, u pagëzuan. Apostulli Pal dëshironte që të gjithë të ndiheshin të mirëpritur në Kishën e Shpëtimtarit, edhe nëse ishin nga vende të ndryshme.
Mateu 28:19–20; Efesianëve 2:19
Pali u shkroi një letër shenjtorëve në Efes. Ai tha se kur Jezusi vdiq për ne, ishte sikur Ai shembi një mur që i ndante fëmijët e Perëndisë. Pavarësisht se nga vinin, ata nuk ishin më të huaj. Ata mund ta merrnin ungjillin dhe të ishin pjesë e “familjes së Perëndisë”, si një familje e madhe.
Efesianëve 2:11–19
Pali tha se Kisha është si një ndërtesë e fortë. Ndërtesat kanë nevojë për një themel të palëkundshëm. Guri më i rëndësishëm në themel është guri kryesor i qoshes. Të gjithë gurët e tjerë vihen në radhë kundrejt gurit të qoshes. Jezu Krishti është guri kryesor i qoshes për Kishën e Tij.
Efesianëve 2:20
Pjesa tjetër e themelit të Kishës janë profetët dhe apostujt, të cilët japin dëshmi për Jezu Krishtin. Zoti gjithashtu na fton ne të gjithëve që të ndihmojmë për të ndërtuar Kishën e Tij, nëpërmjet mësimdhënies, nëpërmjet dhënies së shërbesës, nëpërmjet shpërndarjes së ungjillit dhe në shumë mënyra të tjera.
Efesianëve 2:20; 4:11–12
Kisha është e nevojshme, tha Pali, për ta ndihmuar çdo njeri që ta njohë Jezu Krishtin. Kisha e Jezu Krishtit është në tokë sot, me një themel të fuqishëm te Jezu Krishti dhe profetët e apostujt e Tij. Nëpërmjet Kishës së Tij, ne mund të rritemi “[në] uniteti[n e] besimit” dhe të bëhemi më shumë si Jezusi.
Efesianëve 2:21–22; 4:13