“Meri dhe Karolina Rollinsi”, Histori nga Doktrina e Besëlidhje (2024)
“Meri dhe Karolina Rollinsi”, Histori nga Doktrina e Besëlidhje
nëntor 1830 – korrik 1831
Meri dhe Karolina Rollinsi
Dashuria e fortë për shkrimet e shenjta
Meri Rollinsi ishte 12 vjeçe kur misionarët vizituan për herë të parë Kirtlandin në Ohajo. Ajo i dëgjoi të flisnin për Librin e Mormonit. Në atë kohë, kishte vetëm një kopje të librit në Kirtland dhe atë e kishte një udhëheqës i Kishës i quajtur Ajzek Morli.
Meri shkoi në shtëpinë e Vëllait Morli dhe kërkoi ta shihte librin. Vëllai Morli e la që ta mbante në dorë. Meri e pyeti nëse mund ta merrte në shtëpi.
Vëllai Morli nuk donte t’ia jepte Merit kopjen e vet të librit. Ai nuk kishte lexuar ende shumë prej tij. Meri iu lut Vëllait Morli që t’ia jepte hua.
Vëllai Morli ra dakord. Ai i tha Merit se mund ta merrte librin në shtëpi nëse e sillte të nesërmen, herët në mëngjes. Meri e trajtoi atë si një thesar. Qëndroi zgjuar pjesën më të madhe të natës për ta lexuar.
Kur Meri ia ktheu librin, Vëllai Morli u habit se sa shumë kishte lexuar ajo. “Vajzë”, – tha ai, – “merre këtë libër në shtëpi dhe mbaroje. Mua më pret puna.”
Meri ishte personi i parë në Kirtland që e lexoi Librin e Mormonit plotësisht. Menjëherë pasi mbaroi, ajo takoi Profetin Jozef Smith. Kur ai zbuloi se sa shumë i pëlqente Merit Libri i Mormonit, ai tha se ajo mund të merrte kopjen e Vëllait Morli. Ai do t’i jepte një tjetër Vëllait Morli.
Më vonë atë vit, Meri dhe familja e saj u shpërngulën për në Indipendëns të Misurit. Ajo ishte e emocionuar që do të shikonte se si udhëheqësit e Kishës filluan të hartonin një libër të ri të quajtur Libri i Urdhërimeve. Ky libër do të kishte shumë prej zbulesave që Jezu Krishti ia kishte dhënë Jozef Smithit.
Doktrina e Besëlidhje 67; 70:1–4; Saints [Shenjtorët], 1:178
Por disa njerëzve në Indipendëns nuk u pëlqente Kisha. Ata donin që shenjtorët të largoheshin. Një ditë, burra të zemëruar u futën me dhunë në godinën ku po shtypej Libri i Urdhërimeve. E flakën makinerinë e shtypshkrimit jashtë dritares dhe i shpërndanë fletët e Librit të Urdhërimeve në rrugë.
Saints [Shenjtorët], 1:177–178
Meri dhe motra e saj, Karolina, po shihnin nga prapa një gardhi. Meri i tha Karolinës se donte t’i merrte fletët përpara se të shkatërroheshin. Karolina kishte frikë nga burrat e zemëruar. “Do të na vrasin”, – tha ajo. Por Meri dhe Karolina e dinin se ato faqe kishin fjalën e Perëndisë në to.
Saints [Shenjtorët], 1:178
Motrat pritën derisa burrat nuk e kishin mendjen. Pastaj vrapuan drejt rrugës dhe rrëmbyen sa më shumë fletë që mundën. Teksa po nxitonin, disa burra i panë dhe u bërtitën që të ndalonin. Meri dhe Karolina i shtrënguan më fort fletët dhe vrapuan sa më shpejt të mundnin drejt një fushe me misër aty pranë.
Saints [Shenjtorët], 1:178–179
Dy burra i ndoqën motrat deri te fusha me misër. Misri ishte aq i lartë sa Meri dhe Karolina nuk mund të shihnin se ku po shkonin. Ato u shtrinë përtokë dhe i fshehën fletët poshtë trupave të tyre. Ato mbajtën vesh në heshtje teksa të dy burrat ecnin nëpër misër duke i kërkuar.
Saints [Shenjtorët], 1:179
Shpejt burrat hoqën dorë. Meri dhe Karolina ishin të sigurta. Ato i kishin shpëtuar faqet e zbulesave të Zotit për Librin e Urdhërimeve. Sot ato zbulesa janë te libri Doktrina e Besëlidhje.
Saints [Shenjtorët], 1:179