“Plaku Majkëll Sizla”, Liahona, maj 2025.
Plaku Majkëll Sizla,
Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë
Plaku Majkëll Sizla i mban mend shumë mirë vështirësitë e vitit 2017. Një të martë të muajit janar, ai humbi vendin e punës te një firmë ligjore ndërkombëtare kur kompania shpalli falimentimin. Të nesërmen iu përmbyt shtëpia kur u ça një tub uji. Hajdutët ia bënë rrëmujë shtëpinë ditën e tretë duke u përpjekur që të merrnin gjërat me vlerë të familjes. Brenda disa ditësh, jeta i ishte kthyer përmbys.
“Buzëqesha atë të diel si zakonisht teksa u ula në podium si president kunji”, – tha ai. “Askush nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur. Por brenda vetes isha tmerrësisht i pikëlluar. Isha në një gjendje shumë të trishtuar.”
Pas mbledhjes, një burrë i qetë, i dhembshur në lagje më pyeti se çfarë nuk shkonte. “Ai thjesht dëgjoi dhe më pas më përqafoi”, – tha Plaku Sizla. “E ndjeva Zotin duke më përqafuar, se Ai e dinte hallin tim, se gjithçka do të ishte në rregull.”
Majkëll Sizla iu lindi Armin Ludvigut dhe Irmtraut Hanës në Nojmynster të Gjermanisë më 26 korrik 1972. Ai u rrit në Shlesvig‑Holshtajn dhe më pas shërbeu në Misionin e Jutës, Ogden. Bashkëshortja e tij, Margret En Rauhu, shërbeu në Misionin e Sheshit të Tempullit. Ata u martuan në Tempullin e Frankfurtit në Gjermani më 4 prill 1997. Në kohën kur mori thirrjen, ata jetonin me pesë fëmijët e tyre në Grishajm të Gjermanisë, ku u ka pëlqyer të enden nëpër pyje dhe të shkojnë me pushime në një ishull të Danimarkës.
Plaku Sizla mori një diplomë universitare për jurisprudencë në Universitetin e Mainzit në vitin 2000. Ai e përfundoi karrierën e tij ligjore si partneri me përvojë i korporatës “McDermott Will & Emery”.
Përpara thirrjes së tij si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, Plaku Sizla shërbeu si I Shtatëdhjetë Zonal në Zonën e Europës Qendrore, si president i përkohshëm misioni në Misionin e Gjermanisë, Frankfurt, si president kunji, këshilltar i lartë dhe këshilltar në peshkopatë.