2025
Ndihmat Hyjnore për Vdekshmërinë
Maj 2025


14:41

Ndihmat Hyjnore për Vdekshmërinë

Plani i Atit tonë Qiellor na siguron ndihma për të na udhërrëfyer përgjatë rrugëtimeve tona në vdekshmëri.

I.

Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Zoti na zbuloi disa gjëra rreth jetës sonë paratokësore. Atje ekzistonim si fëmijë shpirtërorë të Perëndisë. Ngaqë Perëndia dëshironte t’i ndihmonte fëmijët e Tij të përparonin, Ai vendosi të krijonte një tokë, në të cilën të mund të merrnim një trup, të mësonim nëpërmjet përvojës, të zhvillonim tipare hyjnore dhe të viheshim në provë për të parë a do t’i zbatonim urdhërimet e Perëndisë. Ata që kualifikoheshin, do të kishin “lavdi të shtuar mbi kokat e tyre përherë e përgjithmonë” (Abraham 3:26).

Për të krijuar kushtet për këtë plan hyjnor, Perëndia zgjodhi Birin e Tij të Vetëmlindur që të ishte Shpëtimtari ynë. Luciferi, alternativa e sugjeruar e të cilit do të shkatërronte lirinë e zgjedhjes së njeriut, u bë Satani dhe u “flak… tutje”. I dëbuar në tokë dhe pa privilegjin e jetës në vdekshmëri, e cila iu mohua, Satanit iu lejua që të përpiqej “për të mashtruar e verbuar njerëzit dhe për t’i çuar ata në robërinë e vullnetit të tij, madje të gjithë ata që nuk do t’i bindeshin zërit [të Perëndisë]” (Moisiu 4:4).

Thelbësore ndaj planit të madhërishëm të Perëndisë për rritjen [e karakterit] të fëmijëve të Tij në vdekshmëri, ishte që ata të përjetonin “kundërshtim në të gjitha gjërat” (2 Nefi 2:11). Ashtu si muskujt tanë fizikë nuk mund të zhvillohen ose ruhen pa rezistuar kundrejt ligjit të rëndesës, po ashtu rritja [në karakter] gjatë vdekshmërisë kërkon që ne t’u rezistojmë tundimeve të Satanit dhe kundërshtimeve të tjera në vdekshmëri. Më e rëndësishmja për rritjen shpirtërore është kërkesa për të zgjedhur midis së mirës dhe së keqes. Ata që zgjidhnin të mirën, do të përparonin drejt fatit të tyre të përjetshëm. Ata që zgjidhnin të keqen, sikurse të gjithë do të bënin në tundimet e ndryshme në vdekshmëri, do të kishin nevojë për ndihmë shpëtuese, të cilën një Perëndi i dashur e projektoi dhe na e siguroi.

II.

Pa dyshim, ndihma më e fuqishme e Perëndisë në vdekshmëri ishte sigurimi nga ana e Tij e një Shpëtimtari, Jezu Krishtit, i cili do të vuante për të paguar çmimin dhe siguruar falje për mëkatet për të cilat pendohemi. Ajo Shlyerje e mëshirshme dhe e lavdishme shpjegon arsyen përse besimi te Zoti Jezu Krisht është parimi i parë i ungjillit. Shlyerja e Tij “shkakton ringjalljen e të vdekurve” (Alma 42:23) dhe ajo “shlye[n] për mëkatet e botës” (Alma 34:8), duke i fshirë të gjitha mëkatet tona për të cilat jemi penduar, dhe duke i dhënë Shpëtimtarit tonë fuqi për të na ndihmuar në dobësitë tona në vdekshmëri.

Shpëtimtari Jezu Krisht.

Përtej asaj fshirjeje të lavdishme të mëkateve të kryera dhe që janë falur, plani i një Ati të dashur në Qiell siguron shumë dhurata të tjera për të na mbrojtur, përfshirë mbrojtjen tonë nga kryerja e mëkatit që në fillesë. Jeta jonë në vdekshmëri gjithmonë fillon me një baba dhe një nënë. Idealja do të ishte që të dy të jenë të pranishëm, me dhunti të ndryshme për të na udhërrëfyer gjatë rritjes. Nëse jo, mungesa e tyre është pjesë e kundërshtimit që duhet ta kapërcejmë.

III.

Plani i Atit tonë Qiellor na siguron ndihma të tjera për të na udhërrëfyer përgjatë rrugëtimeve tona në vdekshmëri. Unë do të flas për katër prej tyre. Mos më kërkoni t’i përmbahem të katërtave, pasi këto ndihma ndërlidhen me njëra-tjetrën. Për më tepër, ka mbrojtje të tjera të mëshirshme përveç këtyre.

Së pari, flas për Dritën ose Shpirtin e Krishtit. Moroni, te mësimi i tij i shkëlqyer në Librin e Moronit, citon atin e tij se “Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja” (Moroni 7:16). Ne e lexojmë po të njëjtin mësim në zbulesat moderne:

“Dhe Shpirti i jep dritë çdo njeriu që vjen në botë; dhe Shpirti ndriçon çdo njeri në botë, që i bindet zërit të Shpirtit” (Doktrina e Besëlidhje 84:46).

Përsëri: “Sepse Shpirti im i dërgohet botës për ta ndriçuar të përulurin e të penduarin dhe për ndëshkimin e të paperëndishmëve” (Doktrina e Besëlidhje 136:33).

Presidenti Jozef Filding Smith i shpjegoi këto shkrime të shenjta: “Zoti nuk i ka lënë njerëzit (kur ata linden në këtë botë) të pashpresë, duke u përpjekur verbazi që të gjejnë dritën dhe të vërtetën, por çdo njeri … lindet me të drejtën për të marrë udhërrëfimin, udhëzimin, këshillën e Shpirtit të Krishtit ose Dritës të së Vërtetës”.

Studimi i shkrimeve të shenjta.

E dyta nga ndihmat e madhërishme, të siguruara nga Zoti për të na ndihmuar që të zgjedhim atë që është e drejtë, është një grumbull udhëzimesh hyjnore në shkrimet e shenjta si pjesë e planit të shpëtimit (planit të lumturisë). Këto udhëzime janë urdhërimet, ordinancat dhe besëlidhjet.

Urdhërimet përcaktojnë shtegun që Ati ynë Qiellor e ka shenjuar për ne që të përparojmë drejt jetës së përjetshme. Njerëzit që i përfytyrojnë urdhërimet si mënyrën se si Perëndia vendos se kë të ndëshkojë, nuk arrijnë që ta kuptojnë këtë qëllim të planit të dashur të Perëndisë për lumturinë. Në atë shteg, dalëngadalë ne mund ta arrijmë marrëdhënien e nevojshme me Shpëtimtarin tonë dhe të kualifikohemi për një rritje të fuqisë së Tij për të na ndihmuar në udhën tonë drejt fatit që Ai dëshiron për ne të gjithë. Ati ynë Qiellor dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të kthehen në mbretërinë çelestiale, ku banojnë Perëndia dhe Shpëtimtari ynë, dhe të kenë atë lloj jete si ata që banojnë në atë mbretëri çelestiale.

Ordinancat dhe besëlidhjet janë pjesë e ligjit që përcakton shtegun drejt jetës së përjetshme. Ordinancat, si dhe besëlidhjet e shenjta që i bëjmë me Perëndinë nëpërmjet tyre, janë hapat e kërkuar dhe parmakët thelbësorë mbrojtës përgjatë atij shtegu. Më pëlqen të mendoj për rolin e besëlidhjeve sikurse demonstrohet që sipas planit të Perëndisë, bekimet e Tij më të larta u jepen atyre që premtojnë që më parë për t’i zbatuar urdhërime të caktuara dhe të cilët i mbajnë ato premtime.

Ndihma të tjera të dhëna nga Perëndia për bërjen e zgjedhjeve të drejta janë shfaqjet e Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut‑Perëndi. Funksioni i Tij, i përcaktuar në shkrimin e shenjtë, është që të dëshmojë për Atin dhe Birin, të na mësojë, të na kujtojë të gjitha gjërat dhe të na prijë drejt çdo të vërtete. Shkrimet e shenjta përfshijnë shumë përshkrime për shfaqjet e Frymës së Shenjtë, të tilla si një dëshmim shpirtëror në përgjigje ndaj një kërkese rreth së vërtetës së Librit të Mormonit. Një shfaqje nuk duhet të ngatërrohet me dhuratën e Frymës së Shenjtë, e cila jepet pas pagëzimit.

Një nga ndihmat më domethënëse të Perëndisë për fëmijët e Tij besnikë, është dhurata e Frymës së Shenjtë. Rëndësia e kësaj dhurate është e dukshme në faktin që ajo, në mënyrë formale, jepet pas pendimit dhe pagëzimit me ujë “dhe pastaj [shpjegojnë shkrimet e shenjta] vjen një heqje e mëkateve tuaja me anë të zjarrit dhe me anë të Frymës së Shenjtë” (2 Nefi 31:17). Njerëzit që e kanë këtë heqje të mëkateve, dhe më pas rregullisht e përtërijnë pastrimin e tyre nëpërmjet pendimit të përditshëm dhe të jetuarit sipas besëlidhjeve që bëjnë nëpërmjet ordinancës së sakramentit, kualifikohen për premtimin se Fryma e Shenjtë, Shpirti i Zotit, “mund të [jetë] gjithmonë … me ta” (Doktrina e Besëlidhje 20:77).

Presidenti Jozef<nb/>F. Smith.

Kështu, Presidenti Jozef F. Smith dha mësim se Fryma e Shenjtë do të “ndriçojë mendjet e njerëzve në lidhje me gjërat e Perëndisë, për t’i bindur në kohën e kthimit të tyre në besim se kanë bërë vullnetin e Atit dhe për të qenë brenda tyre një dëshmi e qëndrueshme si një shoqërues gjatë gjithë jetës, duke vepruar si udhërrëfyesi i sigurt dhe i palëkundshëm drejt çdo të vërtete dhe duke i mbushur ata ditë pas dite me gëzim e lumturi, me një prirje për të bërë mirë ndaj gjithë njerëzve, për të vuajtur të padrejtën në vend që të bëjnë të padrejtën, për të qenë të mirë e të mëshirshëm, të duruar e dashamirës. Të gjithë që e zotërojnë këtë dhuratë të paçmuar, këtë perlë me vlerë të madhe, kanë një etje të vazhdueshme për drejtësinë. Pa ndihmën e Shpirtit të Shenjtë”, e mbylli Presidenti Smith “asnjë njeri i vdekshëm nuk mund të ecë në udhën e ngushtë e të ngushtuar.”

IV.

Me kaq shumë ndihma të fuqishme për të na udhërrëfyer në rrugëtimet tona në vdekshmëri, është zhgënjyese që kaq shumë njerëz mbeten të papërgatitur për takimin e tyre të caktuar me Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë, Jezu Krishtin. Shëmbëlltyra e Tij për dhjetë virgjëreshat, e përmendur aq shpesh në këtë konferencë, sugjeron se nga njerëzit që ftohen të takohen me Të, vetëm gjysma do të jenë të përgatitur.

Dhjetë virgjëreshat.

Ne të gjithë dimë shembuj të të papërgatiturve: misionarë të kthyer nga misionet që e kanë ndërprerë rritjen e tyre shpirtërore si rrjedhojë e periudhave e të mos qenit aktivë, të rinj e të reja që e kanë vënë në rrezik rritjen e tyre shpirtërore duke u ndarë nga mësimdhënia dhe veprimtaritë e Kishës, burra që e kanë shtyrë shugurimin e tyre në Priftërinë Melkizedeke, burra dhe gra, nganjëherë pasardhës të pionierëve fisnikë ose prindërve të denjë, të cilët janë larguar nga shtegu i besëlidhjeve duke zgjedhur të mos i bëjnë e mbajnë besëlidhjet në tempullin e shenjtë.

Lutja vetjake.

Shumë prej devijimeve të tilla ndodhin kur anëtarët dështojnë në ndjekjen e planit themelor të mirëmbajtjes shpirtërore që përfshin lutjen vetjake, studimin e rregullt të shkrimeve të shenjta dhe pendimin e shpeshtë. Në dallim, disa e lënë pas dore ripërtëritjen e përjavshme të besëlidhjeve duke mos e marrë sakramentin. Disa thonë se Kisha nuk po i përmbush nevojat e tyre. Këta njerëz kanë përparësi ato çfarë ata perceptojnë si nevojat e tyre të ardhshme dhe jo ato që Zoti ka siguruar në mësimet e Tij të shumta dhe mundësitë për shërbimin tonë thelbësor ndaj të tjerëve.

Përulësia dhe mirëbesimi te Zoti janë ilaçet për devijime të tilla. Siç na mëson Libri i Mormonit, Zoti i “bekon dhe i përparon [vërtet] ata që e vendosin besimin e tyre në të” (Helamani 12:1). Mirëbesimi te Zoti është një nevojë e posaçme për të gjithë ata që në mënyrë të gabuar i matin urdhërimet e Perëndisë dhe mësimet e profetëve të Tij me gjetjet më të fundit dhe urtësinë e njeriut.

Kam folur për ndihmat e shumta në vdekshmëri që Ati ynë i dashur në Qiell i ka dhënë për t’i ndihmuar fëmijët e Tij që të kthehen tek Ai. Roli ynë në këtë plan hyjnor është të mirëbesojmë te Perëndia dhe t’i kërkojmë e t’i përdorim këto ndihma hyjnore dhe, më veçanërisht nga të gjitha, Shlyerjen e Birit të Tij të Dashur, Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Unë lutem që ne do t’i japim mësim dhe do t’i jetojmë këto parime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.