“Ktheh[u]ni … tek Unë … që të Mund t’ju Shëroj”
Ka ngazëllim në qiell për shkak të atyre që kthehen. Nuk është tepër vonë për ju që të riktheheni.
Dikur jetonim në një shtëpi me pemë madhështore rreth e qark. Pranë hyrjes, qe një pemë e bukur shelgu. Një natë të trishtë, shpërtheu një stuhi e fuqishme dhe shelgu u rrëzua duke u përplasur përdhe. Ai shtrihej përdhe me rrënjët e shkulura dhe ishte një pamje brengosëse.
Sa u bëra gati të ndizja motosharrën dhe ta prisja pemën për dru zjarri, fqinji ynë erdhi jashtë me vrap për të më ndaluar. Ai më qortoi pse kisha hequr dorë nga pema dhe na nxiti me këmbëngulje që të mos e shkatërronim. Më pas, ai tregoi drejt një rrënje që ishte ende brenda në tokë dhe tha që, nëse e mbështetnim pemën në pozicionin vertikal, ia prisnim degët dhe e ushqenim, rrënjët do të zinin prapë.
Isha mosbesues dhe dyshoja se si vallë një pemë e rrëzuar dhe që dukej qartazi si mos më keq, mund të mbijetonte e të rikthehej në jetë. Arsyetova se, edhe po të fillonte të rritej përsëri, me siguri që nuk do t’i mbijetonte stuhisë së radhës. Por duke e ditur që fqinji ynë besonte se pema kishte ende një të ardhme, ne e ndoqëm planin.
Po rezultati? Pas njëfarë kohe, pamë shenja jete ndërsa pema filloi të zinte rrënjë. Tani, 12 vjet më pas, pema është e gjallë dhe plot jetë, me rrënjë të forta dhe duke kontribuar prapë në bukurinë e peizazhit.
Teksa takova shenjtorë nëpër botë, më vjen në mend kjo pemë shelgu dhe se si ka shpresë edhe kur gjithçka duket se ka marrë fund. Disa, dikur, kishin dëshmi për ungjillin që ishin të forta dhe të gjalla sikurse shelgu. Pastaj, për arsyet e veta personale, ato dëshmi u dobësuan, duke çuar në humbjen e besimit. Të tjerë qëndrojnë të lidhur cekët me rrënjën më të hollë në dheun e ungjillin.
Prapëseprapë, vazhdimisht, më frymëzojnë historitë e shumë prej atyre që kanë zgjedhur ta përtërijnë dishepullimin e tyre dhe të rikthehen në shtëpinë e tyre në Kishë. Në vend që t’i flakin besimin dhe bindjen e tyre fetare si dru veç për zjarr, përkundrazi, ata u janë përgjigjur nxitjeve shpirtërore dhe ftesave të përzemërta për t’u kthyer.
Mora pjesë në një konferencë kunji në Kore, ku një anëtar që ishte kthyer në aktivitet, dëfteu: “I falënderoj vëllezërit për gatishmërinë e tyre për ta pranuar mungesën e besimit tim dhe dobësinë time, që më zgjatën dorën, si dhe për anëtarët që janë gjithmonë kaq të dashur me mua. Ende kam shumë miq përreth meje që janë më pak aktivë. Është për të qeshur, por ata i thonë njëri‑tjetrit që t’i rikthehen Kishës, që t’iu rikthehet besimi. Mendoj se ndoshta të gjithë ata janë të dëshiruar për besimin.”
Të gjithë ju që jeni të dëshiruar për besimin, ju ftojmë të riktheheni. Ju premtoj se besimi juaj mund të forcohet teksa adhuroni prapë me shenjtorët.
Një ish‑misionar nga Afrika e Jugut i shkroi një udhëheqësi të lartë të Kishës, duke i kërkuar ndjesë dhe duke i kërkuar për falje që qe fyer prej mësimeve të tij lidhur me një traditë të caktuar kulturore, gjë që e kishte bërë atë ta linte Kishën. Ai shprehu me përulësi: “Mjerisht, fakti që u ndjeva i fyer 15 vjet më parë, më ka bërë të paguaj një çmim jashtëzakonisht të rëndë. Sa shumë humba, shumë më tepër nga sa pata përfytyruar ndonjëherë! Ndihem shumë i turpëruar nga dëmi që mund të kem shkaktuar rrugës, por mbi të gjitha më vjen mirë që e kam gjetur rrugën e kthimit.”
Për të gjithë ju që e dalloni atë që keni humbur, ju ftojmë të riktheheni në mënyrë që të shijoni prapë frytin e gëzueshëm të ungjillit.
Një motër në Shtetet e Bashkuara u largua nga Kisha për shumë vjet. Historia e saj e kthimit përmban mësime të fuqishme për prindërit dhe pjesëtarët e familjeve që janë në ankth për të dashurit që shkëputen. Ajo shkroi:
“Mund të rendit një mori arsyesh se përse i ktheva shpinën Kishës, ungjillit dhe, në njëfarë mënyre, familjes sime. Por ato në të vërtetë nuk kanë rëndësi. Nuk mora një vendim madhor për ta lënë Kishën – mund të kem bërë një mijë zgjedhje. Por një gjë që e kam ditur gjithmonë, është se prindërit e mi vërtet që morën një vendim madhor dhe ata iu përmbajtën atij. Ata vendosën të më donin.
Nuk do të mund ta di kurrë se sa lot janë derdhur, se sa net pa gjumë ka pasur, as se sa fjalë lutjeje me shpirt e përgjëruese janë shqiptuar në emrin tim. Ata nuk më predikuan për mëkatet e mia, përkundrazi, ata më shtrinë dorën ndërsa isha në gjendjen time mëkatare. Nuk më bënë të ndihesha jo e mirëpritur në shtëpinë e tyre dhe në takime familjare; për çdonjërën nga këto ndjenja isha vetë shkaktare. Në vend të kësaj, ata vazhduan të më mirëpritnin. Duhet ta kenë parë dritën time të zbehej me kalimin e kohës. Por ata e dinin se personi që isha asokohe, ishte veçse hija e personit që do të bëhesha.
Ashtu sikurse udha ime e largimit nga Kisha ishte e ndërlikuar, po kështu qe udha ime e kthimit. Por një gjë që nuk qe e vështirë në lidhje me rikthimin, ishte ndjesia e të qenit sërish në shtëpi, aty ku përkas.”
Mesazhi im sot u drejtohet veçanërisht të gjithëve ju që dikur e ndienit Shpirtin, por që jeni në dilemë a ka një rrugë kthimi apo një vend për ju në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit. Është gjithashtu për çdokënd që po mbahet në fije të perit ose që po tundohet të shkëputet.
Ky mesazh nuk është as sfidë dhe as dënim. Është një ftesë, e dhënë me dashuri e një dëshirë të sinqertë për t’ju mirëpritur të ktheheni në shtëpinë tuaj shpirtërore.
Jam lutur që të ndieni dëshminë e Frymës së Shenjtë ndërsa dëgjoni tani këtë ftesë të përzemërt dhe këtë premtim të mrekullueshëm nga Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti:
“A nuk do të ktheheni tani tek unë, dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në besim, që të mund t’ju shëroj?”
Çdo javë, shumë veta po i përgjigjen ftesës së Shpëtimtarit duke u kthyer në dishepullim dhe aktivitet në Kishë, duke e kërkuar heshturazi dhe përulësisht shërimin që premton Jezusi. Dhe në kundërshtim me rrëfimet që qarkullojnë ndonjëherë, numra rekord të të rinjve e të rejave tona po zgjedhin që të qëndrojnë të fortë dhe ta rritin besimin e tyre te Jezu Krishti.
Kur disave prej pasuesve të Jezusit në Kapernaum iu dukën të vështira mësimet e Tij dhe zgjodhën që të largoheshin, Ai u kthye nga Apostujt e Tij dhe i pyeti: “A doni edhe ju të largoheni?”
Kjo është pyetja së cilës ne të gjithë individualisht duhet t’i përgjigjemi ndërsa përballemi me kohëra vetjake provash. Përgjigjja e Pjetrit ndaj Jezusit është e pavdekshme dhe kumbuese: “Te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.”
Pra, ndërsa e merrni parasysh ftesën e Shpëtimtarit për t’u kthyer tek Ai, çfarë mund të mësoni nga historia e pemës së shelgut?
-
Udhëtimi i kthimit shpesh nuk është i lehtë apo i rehatshëm, por ia vlen. Kur e ngritëm shelgun sërish vertikalisht, ia premë të gjitha degët. Nuk ngjante bukur. Edhe ne mund të ndihemi të cenueshëm tek i flakim zakonet e vjetra dhe zhvishemi nga kryelartësia. Përqendrimi i besimit tuaj te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij – trungu dhe rrënjët – do t’ju japin shpresën dhe kurajën për ta hedhur atë hap të parë të rikthimit.
-
Shelgut tonë iu deshën shumë vjet që ta rifitonte forcën dhe bukurinë e tij të dikurshme. Tani është edhe më i fortë e më i bukur se më parë. Jini të duruar ndërsa besimi e dëshmia juaj gjithashtu rriten. Kjo përfshin të mos fyheni prej komenteve të pamenduara si: “Po nga ke qenë gjithë këta vjet?”
-
Shelgu kurrë nuk do të kishte mbijetuar pa përkujdesjen dhe ushqyerjen e vazhdueshme. Ju do ta ushqeni besimin dhe dëshminë tuaj teksa ushqeheni me bollëk në tryezën e sakramentit çdo javë dhe teksa adhuroni në shtëpinë e Zotit.
-
Ashtu sikurse shelgut i nevojitej drita e diellit që degët e gjethet e tij të rriteshin sërish, po kështu, dëshmia juaj do të rritet ndërsa mbeteni të ndjeshëm ndaj ndjenjave dhe dëshmisë prej Shpirtit. Mësoni prej Amulekut, i cili kohën e tij si anëtar më pak aktiv e përshkroi duke thënë: “Unë u thirra shumë herë[,] por nuk doja të dëgjoja”.
-
Fqinji im e dinte se çfarë mund të bëhej edhe një herë shelgu. Po kështu edhe Zoti e njeh potencialin tuaj hyjnor dhe se çfarë mund të bëhen besimi dhe dëshmia juaj. Ai kurrë nuk do të heqë dorë nga ju. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, gjithçka që është e thyer, mund të shërohet.
Unë dëshmoj se ka ngazëllim në qiell për shkak të atyre që kthehen. Ju jeni të nevojshëm dhe për ju ka dashuri. Dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe se Ai i bekon të gjithë ata që rikthehen tek Ai me paqe më të madhe dhe gëzim të madh. Krahët e Tij të mëshirës nuk janë të mbledhura, por janë të hapura e të shtrira drejt jush. Nuk është tepër vonë për ju që të riktheheni. Me gjithë dashurinë në zemrat tona, ju mirëpresim në shtëpi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.