2025
“M’u Afroni Pranë”
Maj 2025


17:5

“M’u Afroni Pranë”

Jezu Krishti e do secilin prej nesh. Ai na ofron mundësinë për t’u afruar më pranë Tij.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, është gëzim për mua që jam me ju në këtë konferencë të përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kjo është Kisha e Tij. Jemi mbledhur në ndërtesa dhe shtëpi në mbarë botën në emër të Tij.

Ne marrim mbi vete emrin e Tij kur hyjmë në mbretërinë e Tij nëpërmjet besëlidhjes. Ai është Biri i ringjallur dhe i përlëvduar i Perëndisë. Ne jemi qenie të vdekshme që u nënshtrohemi mëkatit dhe vdekjes. Prapëseprapë, prej dashurisë së Tij për secilin prej nesh, Shpëtimtari na fton të vijmë më pranë Tij.

Shpëtimtari duke dalë nga varri.

Këtu është ftesa e Tij për ne: “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni; lypni dhe do të merrni; trokisni dhe do t’ju çelet”.

Ka raste kur ndihemi pranë Shpëtimtarit, Jezu Krishtit. E megjithatë, ndonjëherë gjatë sprovave tona në vdekshmëri, ndiejmë njëfarë distancimi prej Tij dhe dëshirojmë sigurinë se Ai e di çfarë kemi në zemër dhe se na do si individë.

Ftesa e Shpëtimtarit përfshin mënyrën për ta ndier atë siguri. Afrojuni Atij më pranë duke e kujtuar gjithmonë Atë. Kërkojeni Atë me zell nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta. Kërkojini Atit Qiellor nëpërmjet lutjes me gjithë zemër që të ndiheni më pranë Birit të Tij të Dashur.

Ka një mënyrë të thjeshtë për të menduar për këtë. Kjo është ajo që do të bënit po të ndaheshit për njëfarë kohe nga miq të dashur. Do të gjenit një mënyrë për të komunikuar me ta, do t’ju gëzonte çdo mesazh që do të merrnit prej tyre, dhe do të bënit gjithçka mundeshit për t’i ndihmuar.

Sa më shumë që të ndodhte kjo, sa më shumë që të zgjaste, aq më thellësisht do të forcohej lidhja e dashurisë dhe do ta ndienit që po afroheshit gjithnjë dhe më pranë. Nëse do të kalonte shumë kohë pa komunikimin e dashur dhe mundësinë për ta ndihmuar njëri-tjetrin, lidhja do të dobësohej.

Jezu Krishti e do secilin prej nesh. Ai na e ofron atë mundësi për t’u afruar më pranë Tij. Ashtu si me një mik të dashur, ju do të vepronit pothuajse në të njëjtën mënyrë, duke komunikuar nëpërmjet lutjes drejtuar Atit Qiellor në emrin e Jezu Krishtit, duke mbajtur vesh për udhërrëfim të dashur nga Fryma e Shenjtë dhe më pas duke u shërbyer të tjerëve për Shpëtimtarin me gëzim. Shpejt do ta ndienit atë bekim të të afruarit më pranë Tij.

Në rininë time, përjetova gëzimin e ardhjes më pranë Shpëtimtarit – dhe të ardhjes së Tij më pranë meje – nëpërmjet veprimeve të thjeshta të bindjes ndaj urdhërimeve. Kur isha i ri në moshë, sakramenti ofrohej gjatë një mbledhjeje në mbrëmje. Ende mund ta kujtoj një natë të caktuar, më shumë se 75 vjet më parë, kur jashtë ishte errësirë dhe ftohtë. Më kujtohet ndjenja e dritës dhe ngrohtësisë kur kuptova se e kisha zbatuar urdhërimin për t’u mbledhur me shenjtorët për të marrë sakramentin, duke bërë besëlidhje me Atin tonë Qiellor për ta kujtuar gjithmonë Birin e Tij dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij.

Në fund të mbledhjes atë mbrëmje, kënduam himnin “Me Mua Rri; Ësht’ Muzg Tani”, me fjalët e paharrueshme: “O Shpëtu’s, pran’ k’të nat’ më rri”.

Këto fjalë më sollën një ndjesi të jashtëzakonshme të Shpirtit, që kur isha djalosh. E ndjeva dashurinë dhe afërsinë e Shpëtimtarit atë mbrëmje nëpërmjet ngushëllimit të Frymës së Shenjtë.

Vite më vonë, doja ta rindizja po atë ndjenjë të dashurisë së Shpëtimtarit dhe afërsisë që kisha ndier me Zotin gjatë asaj mbledhjeje sakramenti në rininë time. Ndaj, zbatova një tjetër urdhërim të thjeshtë: Shqyrtova shkrimet e shenjta.

Në librin e Llukës, lexova për ditën e tretë pas Kryqëzimit dhe varrimit të Tij, kur shërbëtoret besnike kishin ardhur, prej dashurisë për Shpëtimtarin, për të vajosur trupin e Tij. Kur mbërritën, e gjetën gurin të rrokullisur nga varri dhe panë që trupi i Tij nuk ishte aty.

Një engjëll jashtë varrit të Krishtit.

Dy engjëj iu shkuan pranë dhe i pyetën se përse druheshin:

“Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

Ai nuk është këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,

duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë.”

Krishti dhe dishepujt rrugës për në Emaus.

Atë mbrëmje në muzg, dy dishepuj u nisën në këmbë nga Jerusalemi rrugës për në Emaus dhe Zoti i ringjallur iu shfaq atyre dhe eci me ta.

Libri i Llukës na lejon të përfytyrojmë se si ishte të ecje me ta atë mbrëmje:

“Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta.

Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.

Dhe ai u tha atyre: ‘Ç’janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?’

Dhe një nga ata, … me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: ‘Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?’”

Ata i treguan Atij për trishtimin e tyre se Jezusi kishte vdekur ndërkohë që kishin besuar se Ai do të ishte Shëlbuesi i Izraelit.

Duhet të ketë pasur dashuri në zërin e Zotit të ringjallur ndërsa u fliste këtyre dy dishepujve të hidhëruar dhe të pikëlluar.

Ndërsa vijova me leximin, arrita te këto fjalë që ma ngrohën zemrën, pikërisht siç isha ndier kur isha djalë i vogël:

“Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.

Por ata e detyruan duke thënë: ‘Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron’. Edhe ai hyri që të rrijë me ta.”

Krishti i ulur me dishepujt.

Atë natë, Shpëtimtari e pranoi ftesën për të hyrë në shtëpinë e dishepujve të Vet. Ai u ul në tryezë me ta. Ai mori bukën, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre. Sytë e tyre u çelën dhe ata e njohën Atë. Më pas, Ai u zhduk prej syve të tyre.

Lluka i shënoi për ne ndjenjat e atyre dishepujve të bekuar: “Dhe ata i thanë njeri tjetrit: ‘Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte [s]hkrimet?’”

Më pas dy dishepujt u kthyen nxitimthi në Jerusalem për t’u treguar njëmbëdhjetë Apostujve atë që kishte ndodhur. Ndërsa po tregonin përvojën e tyre, Shpëtimtari u shfaq përsëri.

Ai qëndroi në mes të tyre dhe “u tha atyre: ‘Paqja me ju!’” Pastaj, shqyrtoi profecitë lidhur me misionin e Tij për të shlyer mëkatet e të gjithë fëmijëve të Atit të Tij dhe për të këputur rripat e vdekjes.

“Dhe u tha atyre: ‘Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë,

dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi.

Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave.’”

Alma duke dhënë mësim në Ujërat e Mormonit.

Ashtu si dishepujt e Tij të dashur, çdo fëmijë i Atit Qiellor që ka zgjedhur të hyjë nëpërmjet portës së pagëzimit, është nën besëlidhjen për të qenë një dëshmitar i Shpëtimtarit dhe për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë gjatë gjithë jetës sonë në vdekshmëri. Ky zotim na u bë i qartë nga profeti i madh i Librit të Mormonit, Alma, shekuj më parë në ujërat e Mormonit:

“Pasi ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij dhe jeni të gatshëm të mbani barrët e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta –

Po, dhe jeni të gatshëm të vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet … madje deri në vdekje, që ju të mund të shëlbeheni nga Perëndia … që ju të mund të keni jetën e përjetshme.”

Ndërsa jeni besnikë ndaj këtyre premtimeve, do të zbuloni se Zoti e mban premtimin e Tij për të qenë një me ju gjatë shërbimit tuaj, duke jua bërë barrët të lehta. Ju do të arrini ta njihni Shpëtimtarin dhe me kalimin e kohës do të arrini të jeni si Ai dhe të “përsos[e]ni në të”. Duke u ardhur në ndihmë të tjerëve për hir të Shpëtimtarit, do të zbuloni se po afroheni më pranë Tij.

Shumë prej jush keni njerëz të dashur që po enden larg shtegut që të çon drejt jetës së përjetshme. Vrisni mendjen se çfarë mund të bëni më tepër për t’i rikthyer ata në shteg. Mund të mbështeteni te Zoti se Ai do t’iu afrohet më pranë atyre ndërsa i shërbeni Atij me besim.

Mund të sillni ndërmend premtimin e Zotit ndaj Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit kur ishin larg familjeve të tyre për të bërë punët e Tij: “Miqve të mi Sidney dhe Joseph, familjet tuaja janë mirë; ato janë në duart e mia dhe unë do të bëj me ta si të më duket mirë; sepse në mua është gjithë fuqia”.

Ndërsa ua lidhni plagët njerëzve nevojtarë, fuqia e Zotit do t’ju mbështetë. Krahët e Tij do të shtrihen bashkë me tuajat për t’i ndihmuar dhe për t’i bekuar fëmijët e Atit tonë Qiellor.

Çdo shërbëtor në besëlidhje me Jezu Krishtin do të marrë drejtimin e Tij nga Shpirti ndërsa i bekon të tjerët dhe u shërben atyre për hir të Tij. Atëherë ata do ta ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit dhe do të gjejnë gëzim tek afrohen më pranë Tij.

Unë jam dëshmitar i Ringjalljes së Zotit, me po aq siguri sikur të kisha qenë atje me dy dishepujt në atë shtëpi në rrugën për në Emaus. E di se Ai jeton.

Kjo është Kisha e Tij e vërtetë – Kisha e Jezu Krishtit. Në Ditën e Gjykimit, ne vërtet do të qëndrojmë përpara Shpëtimtarit, ballë për ballë. Do të jetë një kohë e gëzimit të madh për ata, në këtë jetë, që i janë afruar Atij pranë në shërbim të Tij dhe mund të presin me padurim t’i dëgjojnë fjalët e Tij: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik”.

Dëshmoj si dëshmitar i Shpëtimtarit të ringjallur dhe Shëlbuesit tonë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.