2025
Dashuria Hyjnore – Shenjë e Dishepullimit të Vërtetë
Maj 2025


11:29

Dashuria Hyjnore – Shenjë e Dishepullimit të Vërtetë

Pikëmbërritja e vërtetë e dishepullimit, në kuptimin e plotë të fjalës, është të bëhesh siç është Jezu Krishti.

Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit na ftoi ta “bëjmë dishepullimin tonë përparësinë tonë më të lartë”. Ajo ftesë e fuqishme më ka nxitur të përsiat thellësisht rreth dishepullimit tim vetjak ndaj Jezu Krishtit.

Dishepullimi Është i Qëllimshëm

Një dishepull është një ndjekës ose nxënës i dikujt tjetër. Dishepujt janë “çirakë” që ia përkushtojnë jetën e vet bërjes si mësuesi i tyre. Pra, të qenit një dishepull i Jezu Krishtit nënkupton më shumë sesa thjesht të besosh mësimet dhe doktrinën e Tij. Madje nënkupton më shumë sesa thjesht njohjen e natyrës së Tij hyjnore dhe pranimin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, sado në thelb e rëndësishme është kjo.

Presidenti Dallin H. Ouks shpjegoi: “Ndjekja e Krishtit nuk është një praktikë rastësore ose episodike. Është një zotim i vazhdueshëm dhe një mënyrë jetese që duhet të na udhërrëfejë në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet.” Dishepullimi është një rrugëtim i qëllimshëm që e ndërmarrim, për t’u shndërruar nëpërmjet flijimit shlyes të Zotit dhe fuqisë së Tij aftësuese. Pikëmbërritja e vërtetë e dishepullimit, në kuptimin e plotë të fjalës, është të bëhesh siç është Jezu Krishti, madje deri në atë pikë sa të marrim “shëmbëlltyrën e tij në pamjen [tonë]”.

Për të qenë dishepuj të Zotit, ne duhet t’i imitojmë qëllimshëm mendimet dhe veprimet e Tij çdo ditë, për shembull, bindjen, përulësinë dhe durimin e Tij. Teksa i përvetësojmë gradualisht këto cilësi në vetë identitetin tonë, ne bëhemi “pjes[ë]tarë të natyrës [së Tij] hyjnore”. Përpjekja për një përngjasim të tillë me karakterin e Shpëtimtarit, është në thelb të adhurimit ndaj Tij. Siç dha mësim Presidenti Nelson: “Admirimi ynë i lartë ndaj Jezusit shprehet më së miri kur ne përpiqemi të përngjasojmë me Jezusin”.

Shenja e Dishepullimit të Vërtetë

Nga gjithë ato cilësi të shumta hyjnore të Jezu Krishtit me të cilat duhet të përpiqemi të përngjasim, njëra është ajo që spikat dhe mishëron gjithë të tjerat. Ajo cilësi është dashuria e Tij e pastër ose dashuria hyjnore. Edhe profeti Mormoni, edhe Apostulli Pal na kujtojnë se pa dashuri hyjnore, “s’je[m]i asgjë”. Ose, siç iu zbulua Profetit Jozef Smith, pa “dashuri hyjnore, [ne] s’mund të bë[jmë] asgjë”.

Vetë Shpëtimtari e përcaktoi dashurinë si një tregues ose shenjë nëpërmjet së cilës dishepujt e Tij të vërtetë do të dalloheshin, kur Ai shpalli:

“Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri‑tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri‑tjetrin.

Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri‑tjetrin.”

Dashuria hyjnore është një koncept i gjerë që mund të jetë i vështirë për t’u përkufizuar, por që perceptohet lehtësisht nga të gjithë ata që janë prekur prej saj. Tek udhëzuesi Predikoni Ungjillin Tim na mësohet se “dashuria hyjnore, sikurse besimi, çon drejt veprimit”. Në të vërtetë, dashuria hyjnore mund të përshkruhet si “dashuri në veprim”. Ky përshkrim jep një këndvështrim të shkëlqyer mbi deklaratën përmbledhëse të jetës së Shpëtimtarit: Ai “e përshkoi vendin duke bërë mirë”.

Si ndjekës të Jezu Krishtit, ne duhet të përpiqemi drejt një përngjasimi me mënyrën se si Mësuesi ynë e tregoi dashurinë e Tij të pastër për të tjerët. Ndonëse Shpëtimtari e shfaq dashurinë hyjnore në shumë mënyra, do të doja t’u kushtoja vëmendje tre modeleve të caktuara të dashurisë së Tij hyjnore, që shihen lehtësisht te dishepujt e Tij të vërtetë.

Dashuria Hyjnore Është të Tregosh Dhembshuri

Së pari, Shpëtimtari e tregoi dashurinë hyjnore duke qenë i dhembshur. Gjatë shërbesës së Tij mes nefitëve, sikurse shënohet te Libri i Mormonit, Zoti e ftoi popullin të kthehej në shtëpi dhe të përsiaste për gjërat që Ai u kishte mësuar, dhe të përgatitej për kthimin e Tij ditën vijuese. Më pas, në anal thuhet:

“Ata ishin në lot dhe shikonin mbi të me vendosmëri, sikur donin t’i kërkonin që të rrinte edhe pak me ta.

Dhe ai u tha atyre: Vini re, zemra ime është e mbushur me dhembshuri për ju.”

Dhembshuria është ajo pjesë e dashurisë hyjnore që synon të lehtësojë vuajtjen. I mbushur me dhembshuri, Zoti i shëroi të sëmurët dhe të munduarit mes popullit. Pastaj, i bekoi fëmijët e tyre ndërsa engjëjt zbritën nga qielli dhe i rrethuan ata. Ai i kreu këto vepra dashamirëse e të përzemërta, dhe shumë të tjera, sepse “kishte dhembshuri”.

Ndërkohë që shërbeja si misionar në moshë të re në Amerikën Jugore, edhe unë mora dobi nga dhembshuria e një miku të dashur. Një mbrëmje ndërsa po ngisja makinën për në shtëpinë e presidentit tonë të misionit me shokun tim misionar, një i ri me biçikletë u kthye befas përballë automjetit. Ndodhi aq shpejt saqë nuk munda ta shmangia dot përplasjen. Në mënyrë tragjike, ky i ri humbi jetën nga përplasja. U trondita pa masë nga humbja e jetës së tij. I tmerruar dhe i tronditur ndërsa realiteti makabër i asaj që sapo kishte ndodhur po më vinte përfund, më çuan në burg dhe më mbyllën brenda. Nuk isha ndier kurrë më i frikësuar dhe i vetmuar. Më kishte pushtuar dëshpërimi dhe frika se mos më burgosnin për gjithë jetën.

Një misionar tjetër si unë, Plaku Brajën Koçevër, e mori vesh për aksidentin dhe mori shtysë nga dhembshuria. Ai erdhi në burg dhe iu lut policëve që ta lejonin të rrinte me mua në qeli, që të mos isha vetëm. Mrekullisht, ata pranuan. Edhe sot e kësaj dite, ndiej mirënjohje të thellë për veprën e dashurisë si të Krishtit nga ky dishepull, e cila më qetësoi, më ngushëlloi dhe më dha zemër gjatë çastit më të vështirë në jetën time. Dhembshuria e tij plot dashuri hyjnore ishte një shenjë treguese e dishepullimit të tij. Sikurse vërejti Presidenti Nelson: “Një nga mënyrat më të thjeshta për ta dalluar një pasues të vërtetë të Jezu Krishtit, është se sa me dhembshuri ai person i trajton njerëzit e tjerë”.

Dashuria Hyjnore Është të Japësh Shërbesë ndaj Nevojave të Pashprehura

Një shembull tjetër i mënyrës se si Shpëtimtari e tregon dashurinë e Tij, është nëpërmjet vëzhgimit dhe dhënies së shërbesës prej Tij ndaj nevojave të pashprehura të të tjerëve. Burrin që kishte qenë i paralizuar për 38 vjet, pa asnjë njeri për ta ndihmuar, Zoti e shëroi plotësisht dhe e nxiti që të jetonte me drejtësi. Gruas që u kap duke shkelur kurorën, Ai i ofroi shpresë dhe ngushëllim në vend të dënimit. Burrit me paralizë që e zbritën nga çatia, Zoti i dha falje për mëkatet, jo thjesht shërim të trupit.

Kur u thirra të shërbeja si peshkop, gjashtë fëmijët tanë të vegjël i bënë sfiduese mbledhjet e sakramentit për bashkëshorten time, Kristinën, së cilës iu desh t’i përballonte e vetme ndërsa unë ulesha në podium. Siç mund ta përfytyroni, fëmijët tanë shpesh nuk ishin fare nderues. Duke e vënë re situatën e saj, dy anëtarë të lagjes sonë, Xhoni dhe Debi Beniçi, filluan të uleshin me të çdo të diel për ta ndihmuar. Mirësia e tyre vijoi për vite me radhë, dhe ata u bënë si gjyshër të dytë për familjen tonë. Ashtu si Zoti, këta dishepuj e kishin vënë re nevojën e pashprehur dhe vepruan me dashuri – një shenjë spikatëse e dishepullimit të tyre.

Dashuria Hyjnore Është t’i Ndihmosh të Tjerët Përgjatë Shtegut të Besëlidhjeve

Së fundi, dashuria e përsosur e Shpëtimtarit përqendrohet tek aftësimi i të gjithë fëmijëve të Perëndisë për të përmbushur potencialin tonë hyjnor, që të mund të “m[arrim] pjesë në shpëtimin e tij dhe në fuqinë e shlyerjes së tij”. Teksa bëhemi më shumë si Mësuesi ynë, dëshira jonë për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat përgjatë shtegut të besëlidhjeve, do të rritet natyrshëm.

Për shembull, ne mund t’i ngremë moralisht dhe të shoqërohemi me ata që ndihen të fyer ose të harruar, t’i ndihmojmë ata të cilët janë të rinj në bashkësinë tonë, që të ndihen të mirëpritur, ose të ftojmë miq që të adhurojnë me ne në mbledhjen e sakramentit, ndoshta këtë Pashkë që vjen. Ka mënyra të panumërta për t’i inkurajuar dhe ndihmuar të tjerët në përparimin e tyre, nëse kërkojmë qëllimshëm dhe plot lutje ndihmën e qiellit, që të kemi sy për të parë dhe zemër për të kuptuar se si i sheh dhe ndihet Jezu Krishti për ta.

Ndihma ndaj të tjerëve përgjatë shtegut të tyre të besëlidhjeve, mund të marrë formën e një vepre të pazakontë shërbimi. Ja një shembull: gjatë detyrës sime të tanishme në Filipine, mësova për familjen Agamata. Ata u pagëzuan në vitin 2023 dhe më pas, me padurim vendosën një datë për t’u vulosur si familje në Tempullin e afërt të Urdanetës në Filipine. Mirëpo, pikërisht përpara takimit të familjes, disa tajfune e goditën rajonin. Vëllai Agamata, një fermer orizi, nuk pati mundësi që t’i mbillte bimët gjatë stuhive të forta. Kur furtunat më në fund kaluan, atij i duhej ta mbillte orizin shpejt ndërsa toka ishte ende nën ujë – kushtet ideale për mbjellje. Për fat të keq, udhëtimi për në tempull do të duhej të shtyhej.

Misionarët ndihmojnë në mbjelljen e orizit.
Misionarët duke mbjellë oriz.

Dy dishepuj, Plaku dhe Motra Koilan, bashkë me tre misionarë në moshë të re me shërbim, dëgjuan për vështirësinë e familjes Agamata dhe ofruan ndihmë pavarësisht se nuk kishin përvojë në bujqësi. Duke punuar nën diellin përzhitës, ata ndihmuan për mbjelljen e filizave, duke bërë që familja Agamata ta përfundonte detyrën dhe të frekuentonte tempullin për vulosjen e tyre, siç qe planifikuar. Plaku Koilan vërejti se “pamja e fytyrave të [familjes Agamata] shkëlqente teksa i pamë të veshur me të bardha në shtëpinë e Zotit. Gëzimi që ndiem duke i dhënë shërbesë individit, është një gëzim si asnjë tjetër!”

Familja Agamata jashtë tempullit.

Familja Agamata tani shijon bekimet e larmishme të vulosjes si familje e përjetshme, pasi disa bashkëdishepuj që qenë plot dashuri hyjnore – shenjë e dishepullimit të tyre – vendosën t’i ndihmonin vëllezërit dhe motrat e tyre të bënin përpara përgjatë shtegut të tyre të besëlidhjeve.

Vëllezër dhe motra, dishepullimi ndaj Jezu Krishtit është e vetmja mënyrë për të fituar lumturi afatgjatë. Është një shteg i mbushur me vepra dashurie të qëllimshme dhe pikësynuese kundrejt të tjerëve. Ndonëse shtegu i dishepullimit mund të jetë i vështirë e sfidues dhe ndonëse me raste mund të kemi vështirësi e mund të mos ia dalim, ne mund të gjejmë ngushëllim te fakti që Perëndia është i vetëdijshëm për ne dhe dëshiron të na ndihmojë sa herë që përpiqemi. Isaia na kujton që “Perëndia … [na] zë nga dora … dhe [na] th[otë]: ‘Mos u frikëso, unë të ndihmoj’”.

Me këtë siguri në mendje nga Ati ynë në Qiell, lutem me zell që të mund ta ndjekim ftesën e Presidentit Nelson për ta bërë përparësi dishepullimin tonë. Iu “lut[shim] Atit me gjithë fuqinë e zemrës” që të “mbushe[m]i me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht; … që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai”, sepse ne do të mbartim një shenjë të dishepullimit të vërtetë, e cila është “dashuria hyjnore[,] … dashuria e pastër e Krishtit”.

Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari, Shëlbuesi, Shembulli dhe Miku ynë i gjallë e i lavdishëm. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Zoti Jezu Krisht do të Vijë Përsëri”, Liahona, nëntor 2024, f. 121.

  2. Shihni te Merriam-Webster.com Dictionary, “disciple” [“dishepull”].

  3. Dallin H. Ouks, “Ndjekja e Krishtit”, Liahona, nëntor 2024, f. 23.

  4. Alma 5:14; shihni edhe tek Alma 5:19.

  5. Shihni te 2 Pjetër 1:3–8.

  6. Russell M. Nelson, “Perfection Pending”, Ensign, nëntor 1995, f. 87.

  7. Moroni 7:46; shihni edhe te 1 Korintasve 13:3.

  8. Doktrina e Besëlidhje 18:19; theksimi i shtuar.

  9. Gjoni 13:34–35; theksimi i shtuar.

  10. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishti (2023), f. 123.

  11. Veprat e Apostujve 10:38.

  12. Shihni tek 3 Nefi 17:3.

  13. 3 Nefi 17:5–6.

  14. Shihni te Merriam-Webster.com Dictionary, “compassion” [“dhembshuri”].

  15. Shihni tek 3 Nefi 17:7–25.

  16. Mateu 9:36; 14:14; Marku 1:41; 6:34.

  17. Oficerët e policisë më futën në burg si pjesë e procedurës së tyre standarde për një aksident që rezulton fatal. Më ndanë nga shoku im misionar pasi unë isha shoferi. Qëndrova në burg për dy ditë. Gjatë hetimeve policore, ata zbuluan se ky i ri ishte nën efektin e drogës në kohën që pësoi aksidentin dhe që kjo me gjasë kishte rezultuar në kthesën e tij të beftë përpara automjetit tonë në lëvizje e sipër. U paraqita përpara një gjykatësi për një seancë zyrtare dëgjimore, ku u vendos se nuk kishte asnjë provë faji apo shpërfilljeje, por që ky ishte thjesht një aksident fatkeq dhe tragjik.

  18. Shihni te Mateu 25:31–40, veçanërisht te vargu 36.

  19. Rasëll M. Nelson, “Kërkohen Paqebërës”, Liahona, maj 2023, f. 98–99.

  20. Shihni te Gjoni 5:2–9, 14.

  21. Shihni te Gjoni 8:1–11.

  22. Shihni te Marku 2:1–12.

  23. Omni 1:26.

  24. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:12.

  25. Shihni te 2 Nefi 26:24.

  26. Komunikim vetjak me Darwin Serrano Cauilan‑in, 1 dhjetor 2024.

  27. Isaia 41:13.

  28. Moroni 7:48.

  29. Moroni 7:47.