Mos e Ngurtësoni Zemrën
Nëse pendohemi sinqerisht, përulemi, mirëbesojmë dhe mbështetemi te Zoti, zemrat tona do të zbuten.
Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit filloi kur Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij i Dashur, iu shfaqën të riut Jozef Smith, duke iu përgjigjur lutjes së tij të përulur. Si pjesë e Rivendosjes, Jozef Smithi përktheu një anal të lashtë nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Ky anal përmban “marrëdhënie[t e] Perëndisë me banorët e lashtë të kontinentit Amerikan dhe përmban tërësinë e ungjillit të përjetshëm”.
Kur isha djalë i ri, ndërsa lexoja Librin e Mormonit, shpesh pyesja veten pse Lamani dhe Lemueli nuk i besuan të vërtetat që iu ishin dhënë, edhe kur një engjëll i Zotit iu shfaq dhe u foli drejtpërdrejt. Pse Lamani dhe Lemueli nuk mund të ishin më të përulur e më të bindur ndaj mësimeve të atit të tyre, Lehit, dhe vëllait të tyre më të vogël, Nefit?
E gjeta njërën nga përgjigjet e kësaj pyetjeje te 1 Nefi, ku thuhet se Nefi ishte “i pikëlluar nga ngurtësia e zemrave të tyre”. Nefi i pyeti vëllezërit e tij më të mëdhenj: “Si është e mundur që jeni kaq të ngurtë në zemrat tuaja dhe kaq të verbër në mendjet tuaja?”
Çfarë do të thotë të kesh ngurtësim të zemrës?
Në koreanisht përkthimi i fjalës “ngurtësim” në Librin e Mormonit është 완악 (Wan-Aak: 頑惡). Kjo frazë përdor karakterin kinez “Wan” (頑), që do të thotë “kryeneç” dhe “Aak” (惡), që do të thotë “i lig”. Kur e ngurtësojmë zemrën, ne verbohemi dhe gjërat e mira nuk mund të na hyjnë në zemër apo në mendje. Ne bëhemi kryeneçë dhe fillojmë të përqendrohemi më shumë te dëshirat e botës, duke mos u lënë vend në zemër gjërave të Perëndisë. Ne zgjedhim të përqendrohemi vetëm te mendimet tona, duke mos i pranuar mendimet dhe udhëzimet e të tjerëve. Ne zgjedhim të mos e hapim zemrën për gjërat e Perëndisë, por përkundrazi e hapim për ndikimin e gjërave të botës dhe për kundërshtarin. Kur zemra na ngurtësohet, ne e ndrydhim ndikimin e Frymës së Shenjtë. Ne jemi “të ngadalshëm [që] t[a] kujto[jmë] Zotin” dhe me kalimin e kohës e “humb[asim] ndjesinë” ndaj fjalëve të Tij.
Alma i mësoi popullit në Amonihë se disa “nuk [e] pranonin Shpirtin e Perëndisë për shkak të ngurtësisë së zemrave të tyre”. Ai gjithashtu dha mësim se “ata që do t’i ngurtësojnë zemrat e tyre, atyre do t’u jepet pjesa më e vogël e fjalës, derisa ata të mos dinë asgjë në lidhje me misteret e tij”. Përfundimisht, Shpirti tërhiqet dhe Zoti “do t[a] heq[ë] … fjalën [e Tij]” prej atyre që i kanë ngurtësuar zemrat, ashtu si Lamani dhe Lemueli. Për shkak se Lamani dhe Lemueli i ngurtësuan vazhdimisht zemrat e tyre, i ndrydhën ndjenjat ndaj Frymës së Shenjtë dhe zgjodhën të mos i pranonin fjalët dhe mësimet e atit të tyre dhe Nefit, ata përfundimisht i hodhën poshtë të vërtetat e përjetshme nga Perëndia.
Ndryshe nga Lamani dhe Lemueli, Nefi vazhdimisht e përuli veten, duke kërkuar udhërrëfim nga Shpirti i Zotit. Në këmbim, Zoti ia zbuti zemrën Nefit. Nefi tregoi: “I thirra Zotit dhe vini re, ai më vizitoi dhe ma zbuti zemrën, saqë unë besova të gjitha fjalët që ishin thënë nga ati im”. Zoti e ndihmoi Nefin t’i pranonte, kuptonte dhe besonte të gjitha misteret e Perëndisë dhe fjalët e Tij. Nefi mundi të kishte shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë.
Çfarë mund të bëjmë për të mos i ngurtësuar zemrat tona?
Së pari, ne mund të ushtrojmë pendim të përditshëm.
Shpëtimtari ynë dha mësim: “Kushdo që pendohet dhe vjen tek unë si një fëmijë i vogël, atë do ta pranoj”. Profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, dha mësim:
“Pendimi është çelësi i përparimit. Besimi i pastër na bën të shkojmë përpara në shtegun e besëlidhjeve.
Ju lutem, mos iu druani pendimit ose ta shtyni atë. Satani kënaqet nga mjerimi juaj. … Filloni që sot ta përjetoni gëzimin nga zhveshja e njeriut të natyrshëm. Shpëtimtari na do gjithmonë, por veçanërisht teksa pendohemi.”
Ndërsa përjetojmë gëzimin prej zbutjes së zemrave dhe ardhjes te Zoti, ne bëhemi “si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri, i gatshëm t’u nënshtrohet të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi të, madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij”.
Së dyti, ne mund të ushtrojmë përulësi.
Pendimi i përditshëm do të sjellë përulësi në zemrat tona. Ne duam të bëhemi të përulur përpara Zotit, ashtu si një fëmijë i vogël që i bindet të atit. Atëherë vërtet do ta kemi gjithmonë me vete Shpirtin e Shenjtë dhe zemrat tona do të zbuten.
Bashkëshortja ime, Sui, dhe unë kemi njohur një çift të mrekullueshëm këto katër vitet e fundit. Kur i njohëm fillimisht, bashkëshorti ishte një anëtar i ri i Kishës dhe bashkëshortja e tij po takohej me misionarët për të studiuar ungjillin. Misionarë të shumtë u takuan me të për ta ndihmuar që të vinte te Krishti. E ndiem se ajo kishte një dëshmi kumbuese për ungjillin dhe e dinte se Kisha ishte e vërtetë. Ajo e ndjeu Shpirtin shpesh gjatë vizitave tona dhe mori pjesë në mënyrë aktive në të gjitha takimet. Asaj i pëlqente shumë të ndërvepronte me anëtarët e mrekullueshëm të lagjes. Gjithsesi, e kishte të vështirë të zotohej për të hyrë në ujërat e pagëzimit. Një ditë ajo po lexonte te Moroni 7:43–44, që thotë:
“Dhe përsëri vini re, unë ju them juve se ai nuk mund të ketë besim dhe shpresë, në qoftë se nuk është i bindur dhe i përvuajtur në zemër.
Përndryshe, besimi dhe shpresa [juaj] është e kotë, meqë askush nuk pranohet para Perëndisë, në qoftë se nuk është i bindur dhe i përulur në zemër.”
Pasi i lexoi ato vargje, ajo e kuptoi se çfarë duhej të bënte. Mendoi se e kishte kuptuar domethënien e të qenit e bindur dhe e përulur. Megjithatë, të kuptuarit e vet nuk ishte i mjaftueshëm sa të kishte besim e shpresë për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë. Ajo duhej ta linte pas kryeneçësinë dhe urtësinë e saj vetjake. Ajo filloi të përulej nëpërmjet pendimit të sinqertë. Filloi ta kuptonte përulësinë sipas këndvështrimit të syve të Perëndisë. U mbështet tek Ati Qiellor dhe u lut që t’i zbutej zemra. Nëpërmjet këtyre lutjeve, e ndjeu Shpirtin t’i dëshmonte se Ati Qiellor donte që ajo të pagëzohej.
Si bashkëshorti, ashtu edhe bashkëshortja treguan se sa më shumë të përulur bëheshin, aq më shumë mundën t’i kuptonin fjalët e Perëndisë dhe zemrat e tyre u zbutën për t’i ndjekur mësimet e Zotit tonë, Jezu Krishtit.
Së treti, ne mund të kemi besim dhe të mbështetemi te Shpëtimtari ynë.
Nefi ishte një shembull i shkëlqyer i lejimit që zemra t’i zbutej nëpërmjet besimit te Zoti. Ai dha mësim: “Unë kam besuar te ti dhe unë do të besoj te ti përgjithmonë. Unë nuk do ta vë besimin tim në krahun prej mishi.” Në mënyrë të ngjashme, në një zbulesë që iu dha Profetit Jozef Smith, Zoti tha: “Vëre besimin tënd në atë Shpirt që drejton për të bërë mirë – po, për të bërë të drejtën, për të ecur me përulësi”. Kur e vëmë besimin tonë te Zoti dhe mbështetemi tek Ai, Ai do t’i zbutë zemrat tona dhe ne do të përkrahemi në sprovat, vështirësitë e mjerimet tona.
Nëse pendohemi sinqerisht, përulemi, mirëbesojmë dhe mbështetemi te Zoti, zemrat tona do të zbuten. Më pas, Ai do të derdhë Shpirtin e Tij dhe do të na tregojë misteret e qiellit. Ne do t’i besojmë të gjitha fjalët që Ai dha mësim, dhe kuptueshmëria jonë do të thellohet.
Shpëtimtari ynë, Jezu Krishtit, ishte shembulli më i lartë i bindjes. Te 2 Nefi 31:7 lexojmë: “Por megjithëse ishte i shenjtë, ai u tregon fëmijëve të njerëzve se, sipas mishit, ai përul veten para Atit dhe i dëshmon Atit se ai do të jetë i bindur ndaj tij, në zbatimin e urdhërimeve të tij”. Ndonëse ishte i shenjtë dhe i përsosur, Ai u përul përpara Atit dhe ishte i bindur ndaj Tij duke u pagëzuar.
Në fund të jetës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti ia nënshtroi vullnetin e Tij vetjak Atit të Tij duke e pirë kupën e hidhur. Kjo vuajtje e bëri Atë “të dridhe[j] për shkak të dhembjes e [t’i] … d[ilte] gjak nga çdo por dhe të vua[nte] si në trup e në shpirt”. Shpëtimtari kërkoi që Ai “të mos e pi[nte] kupën e hidhur e të mpake[j]”. “Megjithatë”, tha Ai: “lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve”.
Vëllezër dhe motra, neve na është dhënë liria morale e zgjedhjes. Mund të zgjedhim ta ngurtësojmë zemrën ose mund të zgjedhim ta zbutim atë. Në jetën tonë të përditshme, mund të zgjedhim të bëjmë gjërat që e ftojnë Shpirtin e Zotit të vijë e të banojë në zemrat tona. Unë e di se në këto zgjedhje ka paqe dhe gëzim.
Le ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, i cili ndoqi vullnetin e Atit. Ndërsa e bëjmë këtë, Zoti na ka premtuar: “Pasi, vër re, unë do t’i mbledh sikurse një klloçkë i mbledh zogjtë e vet nën krahët e saj, nëse ata nuk do t’i forcojnë zemrat e tyre”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.