2025
Nderim për Gjërat e Shenjta
Maj 2025


14:49

Nderim për Gjërat e Shenjta

Nderimi për të shenjtën kultivon mirënjohje të çiltër, e rrit lumturinë e vërtetë, na e drejton mendjen te zbulesa dhe na sjell gëzim më të madh në jetë.

Në librin e Eksodit, ne udhëtojmë bashkë me Moisiun drejt shpateve të malit të Horebit, teksa ai i lë mënjanë punët e përditshme – diçka që të gjithë ne duhet të jemi të gatshëm ta bëjmë – për të parë ferrishtën që digjej nga zjarri, por nuk bëhej shkrumb. Kur u afrua, “Perëndia e thirri nga mesi i ferrisht[ë]s dhe i tha: ‘Moisi, Moisi!’. Ai u përgjigj: ‘Ja ku jam’. Perëndia tha: ‘… Hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë’.” Me nderim, përulësi dhe mahnitje të madhe, Moisiu i hoqi këpucët dhe u bë gati të dëgjonte fjalën e Zotit dhe të përjetonte praninë e Tij të shenjtë.

Ai manifestim i shenjtë në mal, një përvojë e mbushur me nderim mahnitës, e lidhi Moisiun me identitetin e tij hyjnor dhe qe, në fakt, një element kyç i shndërrimit të tij nga një bari i përulur në një profet të fuqishëm, duke e drejtuar të merrte një rrugë të re në jetë. Në mënyrë të ngjashme, secili prej nesh mund ta shndërrojë dishepullimin e vet në një model më të lartë shpirtshmërie duke e bërë virtytin e nderimit një pjesë të shenjtë të karakterit tonë shpirtëror.

Fjala nderim [“reverence”] [në anglisht] mund ta ketë origjinën nga folja latine revereri, që do të thotë “mahnitem nga”. Në kuptimin ungjillor, ky përkufizim përfshin gjithashtu një qëndrim apo ndjenjë respekti, dashurie dhe mirënjohjeje të thellë. Një shprehje e këtillë për të shenjtën nga ata që kanë një zemër të penduar dhe përkushtim të thellë ndaj Perëndisë dhe Jezu Krishtit kultivon një ndjenjë të shtuar gëzimi në shpirtin e tyre.

Nderimi për gjërat e shenjta është shfaqja më e madhe e një cilësie shpirtërore jetike; ai është rezultat i lidhjes që kemi me shenjtërinë dhe reflekton dashurinë për Atin tonë Qiellor dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, si dhe afërsinë tonë me Ta. Nderimi është gjithashtu një nga përvojat më të shenjta të shpirtit. Një virtyt i tillë na i drejton mendimet, zemrën dhe jetën drejt Hyjnisë. Në fakt, nderimi nuk është thjesht një aspekt i shpirtshmërisë, ai është thelbi i saj, themeli mbi të cilën ndërtohet shpirtshmëria, duke krijuar një lidhje të vetën me hyjnoren, siç na mësohet nga fëmijët tanë kur këndojnë: “Dhe kur jam plot nderim, në zemër e di, Ati Qiellor, Jezusi jan’ pran’”.

Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne jemi ftuar të kultivojmë dhuratën e nderimit në jetën tonë që të bëhemi më të hapur për një komunikim më të thellë me Perëndinë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, duke forcuar njëkohësisht karakterin tonë shpirtëror. Nëse do të kishim më shumë ndjenja të tilla në zemër, pa dyshim që do të kishte më shumë gëzim dhe kënaqësi në jetën tonë, dhe do të kishte më pak vend për pikëllim e trishtim. Duhet të mbajmë mend se të treguarit nderim për gjërat e shenjta u jep kuptim shumë prej gjërave që bëjmë çdo ditë dhe na e forcon ndjenjën e mirënjohjes, duke frymëzuar mahnitje, respekt e dashuri për gjëra më të larta e më të shenjta.

Për fat të keq, ne jetojmë në një botë ku të treguarit nderim për gjërat e shenjta po bëhet gjithnjë e më i pazakontë. Në fakt, bota kremton atë që nuk është nderuese, siç dëshmon çdo shqyrtim i një reviste me tituj të bujshëm, i një programi televiziv apo i internetit. Mungesa e respektit për të shenjtën prodhon gjithnjë e më shumë shkujdesje në qëndrim dhe pakujdesi në sjellje, që mund ta bëjnë një brez të bjerë me shpejtësi në vorbullën e plogështisë dhe ta hedhë si me katapultë brezin e ardhshëm në mjerim.

Mungesa e nderimit gjithashtu mund të na largojë prej lidhjeve që ofrojnë besëlidhjet me Perëndinë dhe ta zvogëlojë ndjenjën tonë të përgjegjësisë para Hyjnisë. Rrjedhimisht, rrezikojmë që të kujdesemi vetëm për rehatinë tonë vetjake, të kënaqim orekset tona të pakontrolluara dhe përfundimisht të mbërrijmë në pikën e paudhë të përbuzjes së gjërave të shenjta, madje të Perëndisë, e rrjedhimisht të natyrës sonë hyjnore si fëmijë të Atit Qiellor. Mungesa e nderimit për gjërat e shenjta i bën synimet e kundërshtarit të përparojnë duke i bllokuar kanalet tona delikate të zbulesës, të cilat janë thelbësore për mbijetesën tonë shpirtërore në këtë kohë.

Kuptimi dhe rëndësia e nderimit për atë që është e shenjtë është përvijuar mirë kudo në shkrimet e shenjta. Një rast në librin Doktrina e Besëlidhje duket se sugjeron që nderimi ndaj Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, është një virtyt thelbësor për njerëzit që e arrijnë mbretërinë çelestiale.

Si Kishë, ne përpiqemi fort t’i shohim Atin dhe Birin me shenjtërinë dhe respektin maksimal në çdo aspekt, duke përfshirë mënyrën se si i paraqesim figurat e Tyre. Udhërrëfimi i Frymës së Shenjtë është një komponent thelbësor në përcaktimin se si këto figura duhet të pasqyrojnë natyrën e shenjtë, karakterin dhe cilësitë e perëndishme të Atit dhe të Birit. Ne tregohemi shumë të kujdesshëm për të shmangur portretizimin e elementeve që mund të shpërqendrojnë nga përqendrimi ynë parësor që është tek Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, dhe mësimet e Tyre, përfshirë mënyrën se si i vëmë në zbatim mjetet e përparuar që ofron teknologjia, të tilla si shfrytëzimin e inteligjencës artificiale (IA) për të krijuar përmbajtje dhe figurat.

Po ky parim zbatohet për çdo burim informacioni që është në dispozicion përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të Kishës. Çdo mësim, libër, manual dhe mesazh hartohet e miratohet me kujdes nën drejtimin e Shpirtit për t’u siguruar që të ruajmë virtytin, vlerat dhe standardet e shenjta të ungjillit të Jezu Krishtit. Në një mesazh të kohëve të fundit për të rinjtë e të rejat në moshë madhore të Kishës, Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Për të lundruar në kryqëzimin e ndërlikuar të shpirtshmërisë me teknologji[n]ë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet që me përulësi e plot lutje 1) të përcaktojnë parimet e ungjillit që mund të udhërrëfejnë përdorimin prej tyre të inteligjencës artificiale, dhe 2) të përpiqen fort sinqerisht për shoqërimin e Frymës së Shenjtë dhe dhuratën shpirtërore të zbulesës”.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sado e zhvilluar të jetë bërë teknologjia moderne, ajo thjesht nuk mundet ta imitojë mrekullinë, mahnitjen dhe habinë që gjendet në atë lloj nderimi që lind nga ndikimi i Frymës së Shenjtë. Si ndjekës të Krishtit nevojitet të jemi të kujdesshëm që të mos e dobësojmë lidhjen tonë me Perëndinë dhe Birin e Tij duke i përdorur në mënyrë të papërshtatshme përmbajtjen dhe figurat e krijuara nga IA‑ja. Duhet të mbajmë mend se mbështetja në “krahun [teknologjik, modern] prej mishi” është një zëvendësues i papërshtatshëm dhe i parespektueshëm për frymëzimin, lartësimin moral dhe dëshminë që mund të merren vetëm përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë. Sikurse shpalli Nefi: “O Zot, unë kam besuar te ti dhe unë do të besoj te ti përgjithmonë. Unë nuk do ta vë besimin tim në krahun prej mishi.”

Në një zbulesë tjetër, Profeti Jozef Smith u udhëzua që tempujt e ngritur për Zotin duhet të jenë një vend nderimi për Të. Gjatë gjithë shërbesës së tij, profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, e ka vënë fuqimisht theksin tek adhurimi ynë me nderim në tempullin e shenjtë. Në shtëpinë e Zotit ne marrim mësim për hyrjen në praninë e shenjtë të Atit dhe Birit. Gjithmonë më është dukur diçka edukative dhe madje frymëzuese që një nga gjërat e para që bëjmë kur hyjmë në tempull dhe bëhemi gati për të marrë pjesë në ordinancat e shenjta atje, është që heqim këpucët dhe ndërrohemi e vishemi me veshjet tona të bardha. Ashtu si Moisiu, nëse jemi qëllimplotë, ne mund ta kuptojmë se heqja e këpucëve të kësaj bote është fillimi i hyrjes në tokë të shenjtë dhe i shndërrimit tonë në mënyra më të larta dhe më të shenjta.

Vëllezër e motra, nuk kemi nevojë të ngjitemi në majë të një mali, siç bëri Moisiu, për të zbuluar nderimin për gjërat e shenjta dhe për ta kthyer dishepullimin tonë në një nivel më të thellë shpirtshmërie dhe përkushtimi. Ne mund ta gjejmë atë, për shembull, kur përpiqemi fort ta mbrojmë mjedisin tonë familjar nga ndikimet e botës. Kjo mund të arrihet duke u lutur me çiltërsi dhe zjarr para Atit tonë Qiellor në emër të Jezu Krishtit dhe duke u përpjekur ta njohim më mirë Shpëtimtarin tonë nëpërmjet studimit tonë me zell të fjalës së Perëndisë që gjendet në shkrimet e shenjta dhe në mësimet e profetëve tanë. Përveç kësaj, një shndërrim i tillë shpirtëror mund të vijë kur përpiqemi fort t’i nderojmë besëlidhjet që kemi bërë me Zotin duke jetuar me bindje ndaj urdhërimeve. Këto përpjekje mund të na sjellin një qetësi të heshtur dhe të sigurt në zemër. Përqendrimi në veprime të tilla sigurisht që mund të ndihmojë për t’i shndërruar shtëpitë tona në vendstrehime shpirtërore plot nderim, në shenjtërore vetjake të besimit, ku banon Shpirti, në ngjashmëri të madhe me përvojën e Moisiut në mal.

Ne gjithashtu mund të përjetojmë një shndërrim të tillë shpirtëror kur marrim pjesë besnikërisht në shërbesën e adhurimit në Kishë, përfshirë harmonizimin e zemrave me Zotin nëpërmjet të kënduarit me çiltërsi të himneve të shenjta. Mënjanimi, sikurse bëri Moisiu, nga shpërqendrimet e kësaj bote, veçanërisht nga celularët tanë apo çdo gjë që nuk është në harmoni me atë çast të shenjtë, na mundëson t’i kushtojmë vëmendje të plotë marrjes së sakramentit, me mendjen dhe zemrën e përqendruar te Shpëtimtari dhe flijimi i Tij shlyes, krahas besëlidhjeve tona vetjake. Një përqendrim i tillë te sakramenti do të nxitë një çast përtëritjeje dhe nderues në komunikimin tonë me Shpëtimtarin, do ta bëjë Shabatin një kënaqësi dhe do ta shndërrojë jetën tonë.

Përfundimisht, ne mund ta përjetojmë këtë ndryshim shpirtëror në dishepullimin tonë ndërsa adhurojmë rregullisht në malin e shtëpisë së Zotit – në tempujt tanë të shenjtë – dhe përpiqemi fort të jetojmë me vetëbesimin që vjen nga besëlidhjet, veçanërisht kur përballemi me sprovat e jetës në vdekshmëri.

Unë dhe bashkëshortja ime i kemi përjetuar personalisht disa çaste të shenjta në atë mal duke treguar nderim ndërsa jemi përpjekur fort t’i zbatojmë këto parime në jetën tonë, gjë që ka sjellë një shndërrim domethënës në dishepullimin tonë. Më kujtohet si të ishte dje ecja përmes varrezës para se të varrosnim fëmijën tonë të dytë, i cili lindi para kohe dhe nuk mbijetoi, ndërkohë që bashkëshortja ime ende po merrte veten në spital. Më kujtohet që iu luta me zjarr e nderim të madh Perëndisë, duke kërkuar ndihmë për t’u përballur me atë sprovë sfiduese. Në atë çast, m’u dha një sigurim i qartë e i fuqishëm shpirtëror në zemër: Gjithçka do të jetë mirë në jetën tonë nëse unë dhe bashkëshortja ime durojmë, duke u mbajtur fort te gëzimi që vjen nga të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit. Ajo që asokohe u duk si një sfidë mbisunduese dhe pikëlluese, u kthye në një përvojë të shenjtë e nderuese, një gur kulmor që ka ndihmuar për ta mbajtur fort besimin tonë dhe na ka dhënë vetëbesim në besëlidhjet që kemi bërë me Zotin dhe në premtimet e Tij për mua dhe familjen time.

Vëllezërit dhe motrat e mia, nderimi për të shenjtën kultivon mirënjohje të çiltër, e shton lumturinë e vërtetë, na e drejton mendjen te zbulesa dhe na sjell gëzim më të madh në jetë. Ai na i ngulit këmbët në tokë të shenjtë dhe na e ngre zemrën drejt Hyjnisë.

Ju dëshmoj se ndërsa përpiqemi fort ta përfshijmë një virtyt të këtillë në jetën tonë të përditshme, ne do të jemi në gjendje ta bëjmë më të madhe përulësinë tonë, ta zgjerojmë kuptueshmërinë tonë për vullnetin që Perëndia ka për ne dhe ta forcojmë mirëbesimin në premtimet e besëlidhjeve që kemi bërë me Zotin. Dëshmoj se ndërsa e përqafojmë këtë dhuratë të nderimit për gjërat e shenjta – qoftë në malin e shtëpisë së Zotit, në një shtëpi mbledhjesh apo në vetë shtëpinë tonë – ne do të mbushemi me habi dhe mahnitje të mrekullueshme ndërsa krijojmë lidhje me dashurinë e përsosur të Atit tonë Qiellor dhe Jezu Krishtit. Dëshmoj me nderim për këto të vërteta në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit, amen.