2025
Ti Je Krishti
Maj 2025


11:12

Ti Je Krishti

(Mateu 16:16)

Ne dëshirojmë që fëmijët tanë të besojnë te Jezu Krishti, t’i përkasin Jezu Krishtit dhe Kishës së Tij nëpërmjet besëlidhjes dhe të përpiqen fort që të bëhen si Jezu Krishti.

Kur biri ynë, Ilai, ishte në klasën e katërt, klasa e tij krijoi një qeveri të sajuar, ku Ilai u zgjodh nga bashkëmoshatarët e tij për të shërbyer si gjykatësi i klasës. Një ditë, erdhi për vizitë një gjykatës i mirëfilltë nga Gjykata e Rrethit të Dytë të Jutës, i veshi Ilait rrobën e tij zyrtare dhe, më pas, kreu për klasën e tyre një betim të asaj detyre. Kjo ndezi në shpirtin mbresëmarrës të djaloshit Ilai një pasion për të studiuar për ligjin dhe Vetë Ligjvënësin, Jezu Krishtin.

Pas vitesh përpjekjesh të zellshme, Ilai mori një ftesë për një intervistë me shkollën e ligjit që qe njëra nga të zgjedhurat e tij kryesore. Ai u shpreh: “Mami, më bënë 10 pyetje. Pyetja e fundit ishte: ‘Nga e merr orientimin busulla jote morale?’ Thashë se gjatë gjithë historisë, njerëzimi ka nxjerrë sisteme të moralitetit nëpërmjet modelimit të jetës së vet prej prototipeve. Prototipi i moralitetit sipas të cilit unë përpiqem fort ta modeloj jetën time, është ai i Jezu Krishtit. Thashë se, në qoftë se gjithë njerëzimi jetonte sipas mësimeve të Jezu Krishtit në Predikimin në Mal, bota do të ishte një vend më i mirë, më paqësor.” Pastaj mbaroi intervista dhe ai mendoi me vete: “Ja ku morën fund ëndrrat e fëmijërisë sime. Askush në akademinë laike nuk dëshiron të dëgjojë rreth Jezu Krishtit.”

Dy javë më vonë, Ilai u pranua me një bursë. Përpara se ta ndërmerrte zotimin, vizituam kompleksin universitar. Shkolla e ligjit dukej si një kështjellë dhe qe pozicionuar lart mbi një kodër me pamje nga një liqen i bukur. Në mënyrë mbresëlënëse, teksa ecnim përmes bibliotekës madhështore dhe korridoreve hijerëndë, ne gjetëm te banderolat dhe të gdhendura në gurë cilësi të përmendura nga Predikimi në Mal.

Predikimi në Mal është pa asnjë dyshim ligjërata më e shquar, e dhënë ndonjëherë, duke u hapur udhën mësimeve të tilla. Asnjë predikim tjetër nuk mund të na ndihmojë më mirë që të kuptojmë karakterin e Jezu Krishtit, cilësitë e Tij hyjnore dhe qëllimin tonë përfundimtar për t’u bërë si Ai.

Dishepullimi gjatë gjithë jetës ndaj Jezu Krishtit fillon në shtëpitë tona dhe në Fillore që nga mosha 18‑muajshe. Ne dëshirojmë që fëmijët tanë të besojnë te Jezu Krishti, t’i përkasin Jezu Krishtit dhe Kishës së Tij nëpërmjet besëlidhjes dhe të përpiqen fort që të bëhen si Jezu Krishti.

Besoni te Jezu Krishti

Së pari, besoni te Jezu Krishti.

Pas predikimit mbi bukën e jetës, “shumë nga dishepujt [e Zotit]” e patën të vështirë t’i pranonin mësimet dhe doktrinën e Tij, dhe ata “u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të. Jezusi atëherë u kthye nga Të Dymbëdhjetët dhe u bëri një pyetje pikëlluese: “A doni edhe ju të largoheni?”

Pjetri u përgjigj:

“Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.

… Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë [s]ë gjallë.”

Siç e vuri në dukje Pjetri, bindja është “të … kesh besim [te dikush] ose të pranosh diçka si të vërtetë”. Dhe që besimi ynë të çojë drejt shpëtimit, ai duhet të përqendrohet te Zoti Jezu Krisht. “Ne … ushtrojmë besim te [Jezu] Krishti kur kemi një siguri se Ai ekziston, [një kuptueshmëri] për karakterin [dhe natyrën] e Tij [të vërtetë] dhe dijeni se po përpiqemi fort që të jetojmë sipas vullnetit të Tij.”

Profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, shpalli: “Besimi te Jezu Krishti është themeli i gjithë bindjes dhe përçuesi i fuqisë hyjnore”.

Si mund t’i ndihmojmë fëmijët që ta forcojnë bindjen e tyre për Jezu Krishtin dhe ta përdorin fuqinë e Tij hyjnore? Nuk kemi nevojë të shohim më tej sesa te Vetë Shpëtimtari ynë.

“[Zoti] i foli popullit, duke thënë:

Vini re, unë jam Jezu Krishti. …

Ngrihuni dhe ejani. …

… Turma shkoi përpara dhe i vunë duart në anën e tij, dhe ndien gjurmët e gozhdëve në duart e tij dhe në këmbët e tij; dhe këtë e bënë duke vajtur një nga një … dhe panë me sytë e tyre dhe ndien me duart e tyre, dhe mësuan me siguri, dhe dëshmuan se ishte ai.”

Ju ftoj të përsiatni se si mund të reflektohet kjo në jetën e fëmijëve të vegjël. A dëgjojnë dëshmi për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij? A shohin figura nderuese dhe adhuruese për shërbesën dhe perëndishmërinë e Tij? A e ndiejnë dhe e dallojnë Frymën e Shenjtë të dëshmojë për realitetin dhe hyjninë e Tij? A dinë për mesazhin dhe misionin e Tij?

Përkitini Jezu Krishtit dhe Kishës së Tij

Së dyti, përkitini Jezu Krishtit dhe Kishës së Tij.

Populli i mbretit Beniamin përjetoi një ndryshim të madh të zemrës dhe me anë të besëlidhjes, ia përkushtuan jetën e tyre bërjes së vullnetit të Perëndisë. Për shkak të besëlidhjes që bënë me Perëndinë dhe Jezu Krishtin, ata u “qu[ajtën] fëmijët e Krishtit, bijtë e tij dhe bijat e tij”. Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne kemi një përgjegjësi besëlidhëse për të ndërtuar mbretërinë e Tij dhe për t’u përgatitur për kthimin e Tij.

Materiale për t’i përgatitur fëmijët që të ecin gjatë gjithë jetës në shtegun e besëlidhjeve të Perëndisë.

Si mund t’i ndihmojmë fëmijët që të bëjnë e të mbajnë besëlidhje të shenjta? Në manualin Eja, Më Ndiq, në shtojcat A dhe B, gjejmë mënyra si të nisim një bashkëbisedim, si dhe mësime që do t’i forcojnë familjet dhe do të përkrahin mësuesit dhe udhëheqësit në përgjegjësinë e tyre të shenjtë për t’i përgatitur fëmijët që të ecin gjatë gjithë jetës në shtegun e besëlidhjeve të Perëndisë.

Bëhuni si Jezu Krishti

Së treti, bëhuni si Jezu Krishti.

Në Librin e Mormonit, Shpëtimtari i këshilloi dishepujt e Tij të sapothirrur që të vepronin si Ai sa më shumë që të mundeshin: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë.”

Si mund t’i ndihmojmë fëmijët e pagëzuar dhe të konfirmuar që të përmbushin përgjegjësinë e tyre besëlidhëse për t’u mbledhur vetë dhe për t’i mbledhur të tjerët te Jezu Krishti? Dishepullimi gjatë gjithë jetës kërkon që ne të jemi “bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues”.

Kur u bëni ftesa dishepujve më të vegjël të Zotit, ju lutemi që të shfrytëzoni çdo mundësi për t’u treguar, për t’i drejtuar, për t’u ndenjur pranë dhe për t’i ndihmuar që Rrugën ta gjejnë. Këshillohuni me këta fëmijë të vegjël, të shtrenjtë teksa përgatiten të japin mësim, të dëshmojnë, të luten ose të shërbejnë, me qëllim që ata të jenë plot vetëbesim dhe të përjetojnë gëzim në përmbushjen e përgjegjësive të tyre. Kërkoni mënyra të frymëzuara për t’i ndihmuar që të arrijnë të dinë se kjo është Kisha e tyre dhe se ata kanë një rol jetik për të luajtur në përgatitjen për kthimin e Shpëtimtarit.

Kur Jezu Krishti bëhet përqendrimi i jetës sonë, ajo çfarë ne dëshirojmë dhe se si e dëshirojmë atë, ndryshon përgjithmonë. Kthimi në besim ndryshon gjithçka! E ndryshon natyrën tonë sa “që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht”. E ndryshon mënyrën se si e kalojmë kohën tonë, se si i shfrytëzojmë burimet tona; atë që lexojmë, shikojmë, dëgjojmë dhe tregojmë. Madje e ndryshon mënyrën se si përgjigjemi në një intervistë të spikatur akademike, vendimtare për karrierën.

Na nevojitet ta fusim Dritën e Jezu Krishtit në çdo aspekt të jetës sonë. Nëse nuk po dëshmojmë në shtëpitë tona dhe në çdo mbledhje individuale të kësaj Kishe për të vërtetën e perëndishmërisë së Tij para lindjes, për misionin e Tij hyjnor dhe Ringjalljen e Tij që i shpërtheu dyert e burgut, atëherë mesazhet tona për dashurinë, ndershmërinë, përulësinë, mirënjohjen e dhembshurinë mund të bëhen jo më shumë sesa një bisedë e hareshme inkurajuese për të jetuarit plot mendim. Pa Jezu Krishtin, nuk gjendet asnjë fuqi për të ndryshuar, asnjë qëllim për ta aspiruar dhe asnjë pajtim për pikëllimet e jetës. Nëse bëhemi të shkujdesur në dishepullimin tonë ndaj Jezu Krishtit, kjo mund të jetë shkatërrimtare për fëmijët tanë.

Kur u themi fëmijëve tanë se i duam, a po u themi edhe se Ati i tyre në Qiell dhe Shpëtimtari i tyre, Jezu Krishti, i duan? Dashuria jonë mund të ngushëllojë dhe frymëzojë, por dashuria e Tyre mund të shenjtërojë, ekzaltojë dhe shërojë.

Ky Jezus nuk duhet të jetë një Jezus imagjinar apo një Jezus i thjeshtëzuar, apo një Jezus pa trup, apo një Jezus i rastësishëm, apo një Jezus i panjohur, por [një Jezus] i përlëvduar, i plotfuqishëm, i ringjallur, i ekzaltuar, i adhuruar, i fuqishëm, Biri i Vetëmlindur i Perëndisë i cili është i fuqishëm të shpëtojë. Dhe ashtu siç më dëshmoi plot bindje një fëmijë i vogël në Filipine një ditë: “Ne ia vlen të shpëtohemi!” Në emrin e shenjtë dhe të shenjtëruar të Atij që e “ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen” e madhërishme [pajtuese], Jezu Krishtit, amen.