2025
Adhurimi
Maj 2025


14:14

Adhurimi

Çfarë do të thotë, për ju dhe mua, të adhurosh Perëndinë?

“Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jeruzalem,

duke thënë: ‘Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar.’”

Dijetarët, siç quhen ndonjëherë, ishin të mençur ngaqë kërkuan ta gjenin dhe adhuronin Mesian. Për ta, adhurimi nënkuptonte të binin përmbys para Tij dhe t’i ofronin Atij dhurata ari dhe aromash të çmuara, erëkëndëshme.

Çfarë do të thotë, për ju dhe mua, të adhurosh Perëndinë?

Kur mendojmë për adhurimin, mendimet tona zakonisht drejtohen te mënyrat se si e tregojmë përkushtimin fetar, si privatisht, ashtu edhe në shërbesat e Kishës. Ndërsa e kam shqyrtuar çështjen e adhurimit të Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij të Dashur, Shpëtimtarit tonë, më kanë ardhur në mendje katër koncepte: së pari, veprimet që e përbëjnë adhurimin tonë; së dyti, qëndrimet dhe ndjenjat që figurojnë në adhurimin tonë; së treti, ekskluziviteti i adhurimit tonë; dhe së katërti, nevoja për t’u përngjarë Qenieve të Shenjta që ne adhurojmë.

Së Pari, Veprimet që Përbëjnë Adhurimin Tonë

Një nga format më të zakonshme dhe më të rëndësishme të adhurimit është mbledhja në një mjedis të shenjtëruar për të kryer vepra përkushtimi. Zoti thotë: “Dhe që të mund ta ruash veten më tepër të panjollë nga bota, duhet të shkosh në shtëpinë e lutjes dhe t’i ofrosh sakramentet e tua në [d]itën time të shenjtë”. Kjo, sigurisht, është shtysa jonë parësore për ndërtimin e godinave kishtare. Por, po të jetë e nevojshme, një mjedis jo i përkushtuar do të ishte i përshtatshëm nëse mund ta pajisim atë me një shkallë shenjtërie.

Mbledhje sakramenti.

Rëndësi më të madhe ka ajo që bëjmë kur mblidhemi në ditën e Zotit. Sigurisht, ne vishemi sa më mirë që mundemi, sipas mundësive tona, jo në mënyrë ekstravagante, por me thjeshtësi, në një mënyrë për të treguar respektin dhe nderimin tonë për Hyjninë. Sjellja jonë është po ashtu nderuese dhe plot respekt. Ne adhurojmë duke u bashkuar në lutje; adhurojmë duke kënduar himne (jo vetëm duke i dëgjuar, por duke i kënduar ato); adhurojmë duke udhëzuar dhe duke mësuar nga njëri‑tjetri. Jezusi thotë: “Kujto se në këtë, ditën e Zotit, ti do t’i japësh blatimet e tua, që do të thotë, ‘ofrimet e tua … të kohës, talenteve ose mjeteve, në shërbim të Perëndisë dhe të bashkëqenieve’, dhe sakramentet e tua Më të Lartit, duke ua rrëfyer mëkatet e tua vëllezërve të tu dhe përpara Zotit”. Ne mblidhemi së bashku jo për të argëtuar ose për t’u argëtuar, si nga një grup muzikor, për shembull, por për ta kujtuar Atë dhe për t’u “udhëz[uar] në mënyrë më të përsosur” në ungjillin e Tij.

Në konferencën e përgjithshme më të fundit, Plaku Patrik Kirën na kujtoi se “ne nuk mblidhemi në Shabat thjesht për të marrë pjesë në mbledhjen e sakramentit dhe për ta shënuar të kryer te lista. Ne mblidhemi së bashku për të adhuruar. Ka një ndryshim domethënës midis të dyjave. Të frekuentosh do të thotë të jesh i pranishëm. Por të adhurosh është që ta përlëvdojmë dhe admirojmë me qëllim Perëndinë tonë në një mënyrë që na shndërron!”

Përkushtimi i Shabateve tona ndaj Zotit dhe qëllimeve të Tij është në vetvete një vepër adhurimi. Disa vjet më parë, asokohe Plaku Rasëll M. Nelson vërejti: “Si e shenjtërojmë ne ditën e Shabatit? Në vitet e mia më të hershme, unë studiova veprën e njerëzve të tjerë, të cilët kishin hartuar lista lidhur me gjërat që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë në Shabat. Kohë më vonë mësova nga shkrimet e shenjta se sjellja ime dhe qëndrimi im për Shabatin përbënte një shenjë midis meje dhe Atit tim Qiellor [shihni tek Eksodi 31:13; Ezekiel 20:12, 20]. Me atë kuptueshmëri, unë nuk kisha më nevojë për lista të gjërave që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë. Kur më duhej të merrja një vendim nëse një veprimtari ishte e duhur apo jo për Shabatin, unë thjesht e pyesja veten: ‘Çfarë shenje dua t’i jap Perëndisë?’”

Adhurimi në ditën e Zotit shenjohet nga një përqendrim i veçantë te flijimi madhështor shlyes i Jezu Krishtit. Ne e kremtojmë në mënyrë të përshtatshme dhe të posaçme Ringjalljen e Tij në kohë Pashke, por edhe çdo javë ndërsa marrim emblemat e sakramentit të Shlyerjes së Tij, duke përfshirë Ringjalljen e Tij. Për të penduarin, marrja e sakramentit është pika kulmore e adhurimit në Shabat.

Adhurimi së bashku si “trupi i Krishti[t]” ka fuqi dhe dobi të pashoqe ndërsa i japim mësim, i shërbejmë dhe e mbështetim njëri‑tjetrin. Është interesante se një studim i kohëve të fundit zbuloi se ata që e shohin jetën e tyre shpirtërore si krejtësisht private, kanë më pak gjasa t’i japin përparësi rritjes shpirtërore, ose të thonë se besimi i tyre është shumë i rëndësishëm, apo të kalojnë kohë të rregullt përkushtimi me Perëndinë. Si një komunitet shenjtorësh, ne e forcojmë njëri‑tjetrin për sa i përket adhurimit dhe besimit.

Megjithatë, nuk mund t’i harrojmë veprat e përditshme të adhurimit në të cilat angazhohemi individualisht dhe në shtëpi. Shpëtimtari na kujton: “Megjithatë, zotimet e tua duhet të bëhen në drejtësi në të gjitha ditët dhe në të gjitha kohët”. Një motër vërejti plot urtësi: “Nuk mund të mendoj për një mënyrë më të thellë për të adhuruar Perëndinë sesa t’i mirëpresim të vegjlit e Tij në jetën tonë dhe të kujdesemi për ta dhe t’u mësojmë atyre planin e Tij për ta”.

Alma dhe Amuleku u mësuan zoramitëve që ishin përjashtuar nga sinagogat e tyre, ta adhuronin Perëndinë jo vetëm një herë në javë, por gjithmonë dhe “në çfarëdolloj vendi që të [ishin]”. Ata folën rreth lutjes si [formë] adhurimi:

“Ju duhet të derdhni shpirtrat tuaj në dhomëzat tuaja dhe në vendet tuaja të fshehta dhe në vendin tuaj të shkretë.

Po, dhe kur ju të mos i përgjëroheni Zotit, le të jenë zemrat tuaja plot, të hapura në lutje tek ai vazhdimisht.”

Ata folën edhe rreth shqyrtimit të shkrimeve të shenjta, dhënies së dëshmive për Krishtin, kryerjes së veprave dhe shërbimit bamirës, marrjes së Frymës së Shenjtë dhe të jetuarit çdo ditë me falënderime. Shqyrtojeni atë mendim: “Të jet[uarit] çdo ditë me falënderime”. Ai lidhet me konceptin tim të dytë:

Qëndrimet dhe Ndjenjat e Qenësishme në Adhurim

Të ndierit dhe shprehja e mirënjohjes ndaj Perëndisë janë, në fakt, ato që e mbushin adhurimin me një ndjesi ripërtëritjeje të gëzueshme në ndryshim nga të parit e tij thjesht si një detyrë më shumë.

Adhurim i vërtetë do të thotë ta duam Perëndinë dhe t’ia dorëzojmë vullnetin tonë Atij – dhurata më e çmuar që mund të ofrojmë. Kur e pyetën Jezusin se cili ishte urdhërimi i madh i të gjithë ligjit, Ai u përgjigj: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”. Ai gjithashtu e quajti atë urdhërimi i parë [i të gjithëve].

Ky ishte modeli i vetë adhurimit të Jezusit ndaj Atit. Jeta e Tij dhe flijimi i Tij shlyes iu përkushtuan lavdisë së Atit. Në mënyrë prekëse e kujtojmë lutjen që të këput shpirtin, të Jezusit mes vuajtjes dhe ankthit të papërfytyrueshëm: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë”, por më pas nënshtrimin e Tij: “Megjithatë, jo si dua unë, por si do ti”.

Krishti në Gjetseman.

Adhurimi është bërja çmos për ta ndjekur këtë shembull të përsosur. Ne nuk do ta arrijmë përsosurinë në këtë drejtim sa hap e mbyll sytë, por nëse çdo ditë i “ofro[jmë] [Atij] për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar”, Ai do të na pagëzojë përsëri me Shpirtin e Tij dhe do të na mbushë me hirin e Tij.

Së Treti, Ekskluziviteti i Adhurimit Tonë

Në seksionin e parë te Doktrina e Besëlidhje, Zoti ngre këtë akuzë ndaj botës:

“Ata janë larguar nga ordinancat e mia dhe kanë marrë nëpër këmbë besëlidhjen time të përjetshme;

Ata nuk kërkojnë Zotin për të vendosur drejtësinë e tij, por çdokush ecën në udhën e vet dhe sipas shëmbëlltyrës së perëndisë së vet, shëmbëlltyrë e cila është sipas ngjasimit të botës.”

Na bën mirë të kujtojmë shembullin e tre të rinjve judeas, Hananiahut, Mishaelit dhe Azarias, që u dërguan robër në Babiloni, jo shumë kohë pasi Lehi dhe familja e tij u larguan nga Jerusalemi. Një drejtues babilonas u vuri emrat Shadrak, Meshak dhe Abed‑nego. Më vonë, kur këta të tre nuk pranuan të adhuronin një figurë të ngritur prej mbretit Nebukadnetsar, ky urdhëroi që ata të hidheshin në një furrë me zjarr përvëlues, duke u thënë atyre: “Dhe cila ësht[ë] ajo perëndi që do të mund t’ju çlirojë nga duart e mia?”

Do ta kujtoni përgjigjen e tyre të guximshme:

“Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret.

Por edhe sikur të mos e bënte, dije … që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur.”

Shadraku, Meshaku dhe Abed‑negoja shpëtuan në furrën me zjarr.

Furra ishte aq e nxehtë saqë ata që i hodhën djemtë në të, vdiqën, por Shadraku, Meshaku dhe Abed‑negoja nuk u lënduan. “Nebukadnetsari filloi të thotë: ‘Qoftë i bekuar Perëndia i Shadrakut, i Meshakut dhe i Abed‑negos, që … [i] ka çliruar shërbëtorët e tij, që kanë pasur besim tek ai; … dhe ia kanë ekspozuar trupin e tyre vdekjes, në vend që të shërbenin dhe të adhuronin tjetër perëndi përveç së tyres’.” Ata mirëbesuan te Jehova për çlirim, “por edhe sikur të mos e bënte”, domethënë, edhe nëse Perëndia në urtësinë e Tij nuk do ta parandalonte vdekjen e tyre, prapëseprapë ata do të qëndronin të vërtetë ndaj Tij.

Çfarëdo gjëje që ka përparësi mbi adhurimin e Atit dhe Birit, bëhet një idhull. Ata që nuk e pranojnë Perëndinë si burimin e së vërtetës, ose e mohojnë çdo llogaridhënie ndaj Tij, në fakt e zëvendësojnë Atë me vetveten si perëndinë e tyre. Dikush që e vë besnikërinë ndaj një partie ose kauze përpara drejtimit hyjnor, adhuron një perëndi të rremë. Madje edhe ata që pretendojnë se e adhurojnë Perëndinë, por nuk i zbatojnë urdhërimet e Tij, po ecin në vetë udhën e tyre: “Ata më afrohen me buzët e tyre, por zemrat e tyre janë larg prej meje”. Objekti i adhurimit tonë është ekskluzivisht “[i] vetmi Perëndi [i] vërtetë, dhe Jezu Krishti … që [Ai] k[a] dërguar”.

Së Fundmi, Nevoja për t’i Përngjarë Atit dhe Birit

Në fund të fundit, mënyra se si jetojmë mund të jetë forma më e mirë, më e vërtetë e adhurimit. Të treguarit e përkushtimit tonë do të thotë t’i përngjajmë Atit dhe Birit, duke zhvilluar cilësitë dhe karakterin e Tyre te vetja. Nëse, siç thotë shprehja, “imitimi është forma më e sinqertë e lëvdatës”, atëherë mund të themi në lidhje me Hyjninë, përngjasimi është forma më e sinqertë e përnderimit. Kjo sugjeron një përpjekje aktive e të vazhdueshme nga ana jonë për të kërkuar shenjtëri. Por të bërit më të ngjashëm me Krishtin, është gjithashtu rezultati i natyrshëm i veprave tona të adhurimit. Fraza e Plakut Kirën, e cituar më herët, rreth adhurimit “në një mënyrë që na shndërron”, është domethënëse. Adhurimi i vërtetë është shndërrues.

Kjo është e bukura e shtegut të besëlidhjeve: shtegut të adhurimit, dashurisë dhe besnikërisë ndaj Perëndisë. Ne hyjmë në atë shteg nëpërmjet pagëzimit, duke u zotuar të marrim mbi vete emrin e Krishtit dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Ne marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë, lajmëtarin e hirit të Shpëtimtarit, i cili na shëlbon dhe pastron nga mëkati ndërsa pendohemi. Madje, mund të themi se kur jemi duke u penduar, jemi duke e adhuruar Atë.

Më pas vijojnë ordinancat dhe besëlidhjet e tjera të priftërisë që bëhen në shtëpinë e Zotit, që na shenjtërojnë më tej. Ceremonitë dhe ordinancat e tempullit përbëjnë një formë të lartë adhurimi.

Presidenti Rasëll M. Nelson ka theksuar se “çdo burrë dhe çdo grua që merr pjesë në ordinancat e priftërisë dhe që bën e i mban besëlidhjet me Perëndinë, mund të marrë drejtpërsëdrejti nga fuqia e Perëndisë”. Ajo nuk është vetëm një fuqi tek e cila mbështetemi për të shërbyer dhe për të bekuar. Është gjithashtu fuqia hyjnore që vepron në ne për të na rafinuar dhe pastruar. Ndërsa ecim në shtegun e besëlidhjeve, “fuqia [shenjtëruese] e perëndishmërisë manifestohet” në ne.

“[Rënshim] te këmbët e Jezusit dhe [e] adhur[ofshim] atë”, sikurse nefitët dhe lamanitët e lashtë! “[Rënshim] përtokë dhe … [e] adhuro[fshim] Atin në emrin [e Birit]”, siç u urdhëruam nga Jezusi! E marrshim Shpirtin e Shenjtë dhe ia dhënçim zemrat tona Perëndisë, mos paçim perëndi të tjerë para Tij dhe, si dishepuj të Jezu Krishtit, i përngjafshim karakterit të Tij në vetë jetën tonë! Dëshmoj se ndërsa i bëjmë këto, do të përjetojmë gëzim tek adhurojmë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.