Si një Fëmijë i Vogël
Unë dëshmoj se foshnjat dhe fëmijët, dhe të rinjtë e të rejat janë shëmbëllime të mbretërisë së Perëndisë që po lulëzon në tokë në tërë forcën dhe bukurinë e saj.
Jezusi e filloi vitin e fundit të jetës së Vet në vdekshmëri duke e shtuar trajnimin ndaj Apostujve të Tij. Me qëllim që mesazhi i Tij dhe Kisha e Tij të mbijetonin pas Tij, duhej që të shtihej më tepër njohuri brenda zemrës së 12 burrave tepër të zakonshëm që e kishin njohur Atë për thuajse as 24 muaj.
Një ditë, Jezusi qe dëshmitar i një debati ndërmjet Të Dymbëdhjetëve dhe, më vonë, pyeti: “Për çfarë diskutonit ndërmjet jush?” Ata, siç duket të turpëruar, “heshtën”, thotë anali. Por ky mësues, më i madhi i të gjithë mësuesve, e dinte ç’mendime kishin në zemrat e tyre dhe e nuhati shfaqjen fillestare të krenarisë vetjake. Ndaj, “thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, …
dhe tha: ‘Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.
Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.’”
Duhet përmendur se që përpara lindjes së Krishtit, predikimi i lamtumirës i mbretit Beniamin e përfshiu këtë koment të thellë mbi përulësinë e një fëmije. Aty thuhet: “Njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë … dhe do të jetë gjithmonë e përgjithmonë, nëse ai … nuk bëhet një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot, dhe nuk bëhet si një fëmijë, i nënshtruar, … i përulur, … plot me dashuri, … madje sikurse një fëmijë i [përgjigjet] atit të tij”.
Tani, pa dyshim që ka disa prirje foshnjore që nuk i inkurajojmë. Njëzet e pesë vjet më parë, nipi im, asokohe tre vjeç, e kafshoi të motrën pesëvjeçare në krah. Dhëndri im, që po kujdesej për fëmijët atë natë, i dha së bijës me furi të gjitha mësimet që mund t’i vinin në mendje për faljen, duke nxjerrë përfundimin se vëllai i vogël ndoshta as nuk e dinte se ç’ndjesi të shkaktonte kafshimi në krah. Ai koment atëror i papeshuar mirë funksionoi për afro një minutë, ndoshta për një minutë e gjysmë, derisa u dëgjua një e qarë nga dhoma e fëmijëve që i tundi dritaret vendit, nga ku mbesa ime me qetësi thirri fort: “Tani ai e di ndjesinë”.
Atëherë, çfarë është ajo që duhet të shikojmë te virtytet e më të vegjëlve në skuadrën e jetës? Çfarë qe ajo që e bëri Vetë Krishtin të lotonte në skenën më të dhimbsur në tërë Librin e Mormonit? Çfarë po jepte mësim Jezusi kur thirri të zbritnin zjarr qiellor dhe engjëj mbrojtës që t’i rrethonin ata fëmijë, duke u urdhëruar të rriturve që të “vini[n] re të vegjlit [e tyre]”?
Nuk e dimë se çfarë e nxiti gjithë këtë, por më bën të mendoj se diç kishte të bënte me pastërtinë dhe pafajësinë e tyre, përulësinë e tyre të lindur dhe me atë çfarë mund t’i sillte ajo jetës sonë nëse e ruajmë atë.
Përse ditët tona të dëshpërimit janë etiketuar nga një profet si “kotësi[a] e kotësive”? Si ndodh vallë që “imagjinata e kotë dhe kryelartësia e fëmijëve të njerëzve” janë fjalët që karakterizojnë ndërtesën e madhe dhe të gjerë, aq të vdekur shpirtërisht, në vegimin e Lehit? Po zoramitët, ai grup që lutej në mënyrë aq egoiste? Për ta Alma tha: “O Perëndi, ata të [luten] me gojën e tyre, ndërsa janë fryrë … me gjërat e kota të botës”.
Në dallim, a ka diçka më të ëmbël, më të pastër apo më të përulur se sa një fëmijë kur lutet? Është sikurse parajsa të gjendet në dhomë. Perëndia dhe Krishti janë kaq të vërtetë, por për të tjerët më vonë, kjo përvojë mund të bëhet më sipërfaqësore.
Por siç e citoi Plaku Riçard L. Evans, afro 60 vjet më parë: “Shumë prej nesh deklarojnë se janë të krishterë, prapëseprapë ne … nuk e marrim seriozisht Atë. … Ne e respektojmë Atë, por nuk e ndjekim. … Ne i citojmë thëniet e Tij, por nuk jetojmë në përputhje me to.” “Ne e admirojmë Atë, por nuk e adhurojmë.”
Sa ndryshe mund të ishte jeta nëse bota do ta çmonte Jezusin për më shumë sesa vetëm për të bërë be përdhosëse në emrin e Tij herë pas here.
Por fëmijët e duan njëmend Atë dhe kjo dashuri mund të mbartet te marrëdhëniet e tyre të tjera në “këndin e lojërave” të jetës. Si rregull, madje edhe në vitet e vegjëlisë, fëmijët shfaqin dashuri me aq lehtësi, falin aq kollaj, qeshin aq hareshëm, sa edhe zemra më e ftohtë, më e ashpër mund të zbutet.
Epo, lista vazhdon e vazhdon. Pastërti? Mirëbesim? Guxim? Karakter?
Ejani me mua për të parë përulësinë e treguar përpara Perëndisë nga një miku im i ri në moshë dhe tepër i dashur për mua.
Më 5 janar 2025, 91 ditë më parë, Iston Derrin Xhollit iu dha Priftëria Aarone dhe ai u shugurua dhjak në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Istoni kishte dëshiruar fort ta shpërndante sakramentin e Darkës së Zotit që kur s’mbahej mend. Por kjo mundësi e shenjtë shoqërohej nga frika që i mblidhte një lëmsh në stomak, se nuk do t’ia dilte mbanë, se do të rrëzohej, se do ta ngacmonin ose që do të turpëronte veten dhe familjen.
Për ta ditur, Istoni ka një sëmundje të rrallë dhe tepër shkatërruese, distrofinë e lindur muskulore të Ulrihut. Ajo pa u ndalur, ia ka mbushur jetën e njomë me sfida të frikshme, duke ia shkatërruar ndërkohë shpresat dhe ëndrrat për të ardhmen. Së shpejti, ai do të jetë përfundimisht në një karrige invalidi. Familja e tij nuk flet për atë që e pret pas kësaj.
Të dielën pas shugurimit të tij, Istoni do të shpërndante për herë të parë sakramentin. Dhe shtysa e tij, të cilën e mbante për vete, ishte që të mund t’ia paraqiste veten dhe këto emblema të shenjta të atit, i cili ishte peshkopi i lagjes. Në pritje të asaj detyre, ai qe përgjëruar e lutur dhe kishte qarë e bërë përgjërime, duke marrë garancinë se asnjë, asnjë, nuk do të përpiqej ta ndihmonte. Për shumë arsye, të cilat ishin vetjake, ai kishte nevojë ta bënte këtë i vetëm dhe pa ndihmë.
Pasi prifti e kishte copëtuar bukën dhe e bekoi atë – një emblemë që përfaqëson trupin e copëtuar të Krishtit – Istoni, me trupin e vet të copëtuar, u ngrit çalë‑çalë për të marrë tabakanë e tij. Mirëpo, ishin tri shkallë mjaft të mëdha nga dyshemeja e shtëpisë së mbledhjeve për te podiumi i ngritur. Kështu që, pasi e mori tabakanë, ai u zgjat për lart sa më shumë që mundi dhe e vendosi tabakanë e tij mbi sipërfaqen sipër parmakut. Më pas, duke u ulur te njëra nga shkallët më të sipërme, me të dyja duart, e tërhoqi këmbën e djathtë lart te shkalla e parë. Pastaj, tërhoqi këmbën e majtë te e njëjta shkallë, dhe kështu me radhë derisa u ngjit, me mundim, në majë të malit të tij vetjak të Everestit prej tri shkallësh.
Më pas, e manovroi veten drejt një shtylle të ndërtesës me anë të së cilës mundi të ngrihej për të qëndruar në këmbë. Bëri sërish prapa për tek tabakaja. Edhe pak hapa dhe qëndroi para peshkopit, babait të tij, të cilit iu desh që, me lotët që ia mbushnin sytë e i shkonin rrëke faqeve, ta përmbante veten që të mos e përqafonte këtë bir përsosurisht të guximshëm e besnik. Dhe Istoni, i lehtësuar dhe me një buzëqeshje vesh më vesh që i mbulonte fytyrën, mjaft mirë mund të kishte thënë: “Unë [e] kam përlëvduar [atin tim dhe] e kam kryer veprën që më k[a] dhënë të bëj”.
Besim, besnikëri, pastërti, mirëbesim, nder dhe, në fund, dashuri për atë baba që ai dëshironte aq shumë ta kënaqte! Këto e dhjetëra cilësi të tjera, na bëjnë edhe ne të themi: “Kush … do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve”.
Vëllezër e motra dhe miq e mikesha, në krye të listës së shëmbëllimeve më të bukura që unë njoh, janë foshnjat e fëmijët dhe të rejat e të rinjtë po aq të ndërgjegjshëm e të paçmueshëm sa ata të cilëve iu referuam sot. Unë dëshmoj se ata janë shëmbëllime të mbretërisë së Perëndisë që po lulëzon në tokë në tërë forcën dhe bukurinë e saj.
Me po atë frymë dëshmie, unë jap dëshmi se në rininë e vet, Jozef Smithi e pa atë që ai tha se pa dhe bisedoi me ata me të cilët tha se foli. Dëshmoj se [ai], Rasëll M. Nelsoni, i përulur e i pastër, është profeti dhe shikuesi i shuguruar e me dhunti i Perëndisë. Duke qenë se vij nga një jetë e tërë leximi, jap dëshmi se Libri i Mormonit është libri më shpërblyes që kam lexuar ndonjëherë dhe guri kyç i vendbanimit tim të vogël në një mbretëri me shumë banesa. Jap dëshmi se priftëria dhe lutja po e rivendosin jetën time – priftëria e Krishtit dhe lutjet tuaja. E di që të gjitha këto janë të vërteta dhe ju jap dëshmi për to, në emrin e më besnikut dhe të përulurit nga të gjithë bijtë e Perëndisë, Alfës dhe Omegës, të Madhit “Unë Jam”, të kryqëzuarit, dëshmitarit besnik, madje Zotit Jezu Krisht, amen.