2025
Pranojeni Dhuratën e Tij
Maj 2025


14:5

Pranojeni Dhuratën e Tij

Ju jeni një bijë e dashur e Perëndisë, ju jeni një bir i shtrenjtë i Perëndisë dhe Ai ju ka dhënë si dhuratë Birin e Tij të përsosur e të shenjtë.

Dhënia e Dhuratave

Dhënia e dhuratave është një zakon shoqëror që shtrihet tek të gjitha kulturat, qytetërimet dhe mijëvjeçarët. Përgjatë kohës, njerëzit i kanë dhënë dhurata njëri‑tjetrit për të forcuar marrëdhëniet, për të shprehur dashuri e mirënjohje dhe për të shënuar ngjarje të rëndësishme si dasmat, ditëlindjet dhe festat. Qeniet njerëzore nuk janë të vetmet krijime të Perëndisë që u japin dhurata njëri‑tjetrit. Ndër shumë shembuj të tjerë që mund të tregojmë, pinguinët njihen se u dhurojnë guralecë me shkëlqim shokëve të tyre të ardhshëm dhe bonobot (nga familja e shimpanzeve) japin fruta për të zgjeruar rrethin e tyre të miqësisë.

Pinguinë duke dhuruar guralecë.
Bonobo duke dhënë fruta.

Çfarë dhuratash keni dhënë ju? Mendoni për një rast kur gjetët, ose bëtë, dhuratën e përsosur për dikë që e doni. Ju thjesht e dinit se dhurata ishte pikërisht ajo që donte ky njeri i dashur dhe diçka që do ta çmonte. Cila qe dhurata? A ishte për nënën tuaj? Një mik? Fëmijën tuaj? Një mësues? Gjyshin tuaj? Si u ndiet kur e gjetët atë dhuratë? Si u ndiet kur menduat për çastin kur personi që doni, do ta hapte dhuratën? Në mënyrë të ngjashme, kur dikush jua dha juve dhuratën e përsosur dhe si ishte ta pranoje atë?

Dhurata e Atit Tim për Mua

Kur isha rreth shtatë vjeç dhe jetoja me prindërit e mi në Arabi, doli një film për fëmijë i quajtur Chitty Chitty Bang Bang [Makina Fluturuese]. Filmi ka të bëjë me një makinë magjike që mund të lëvizë vetë, të notojë në ujë dhe madje të fluturojë! E dija se në atdhe në Angli u bë një makinë lodër në miniaturë tamam si Chitty Chitty Bang Bang dhe o sa e doja një të tillë! Mund të tërhiqje një levë dhe makinës lodër i dilnin krahë! Im atë shkoi për një udhëtim pune në Angli dhe më pyeti nëse doja që të më sillte ndonjë gjë, dhe i thashë se sa shumë do të doja të kisha një nga ato makinat Chitty Chitty Bang Bang.

Ai u kthye nga udhëtimi dhe nuk pashë të kishte ndonjë makinë. U trishtova shumë dhe mendova se duhej ta kishte harruar. Por rreth 10 ditë më vonë ishte ditëlindja ime dhe një pako e vogël, e mbështjellë bukur, po më priste. Me padurim të madh, duke mos guxuar që të shpresoja shumë, e hapa dhuratën dhe gjeta makinën time. U lumturova aq shumë sa qava. E tërhoqa levën dhe krahët dolën, ashtu si makina në film! Sa shumë e falënderova tim atë për këtë dhuratë, më të çmueshmen! Luajta me atë makinë për vite të tëra dhe e mbajta për shumë vite të tjera. Mendoj se babit tim i pëlqeu shumë të ma jepte atë makinë, të paktën po aq sa më pëlqeu mua ta pranoja atë.

Dhënia, Marrja e Hapja dhe Pranimi

Ne mund ta mendojmë dhënien e dhuratave sikur ka tri faza:

  1. Dhënia e dhuratës, ku dhënësi e përzgjedh, e bën ose e përgatit dhuratën dhe ia dhuron njeriut të dashur. Kjo përfshin synimin e mirëmenduar nga ana e dhënësit për të dhënë diçka kuptimplotë.

  2. Marrja dhe hapja e dhuratës, kur marrësi e merr dhuratën nga dhënësi, shpesh me shprehje habie, mirënjohjeje dhe ngazëllimi, përpara se ta hapë atë, ndonjëherë duke zgjidhur një fjongo dhe duke e hapur pakon për të zbuluar se çfarë dhurate është.

  3. Dhe pastaj vjen ndoshta pjesa më e rëndësishme, pranimi i dhuratës. Të pranosh një dhuratë të dhënë sinqerisht, është shumë më tepër sesa ta marrësh dhe pastaj ta hapësh atë. Është më shumë, madje, sesa të dallosh vlerën e dhuratës dhe të shprehësh mirënjohje ndaj dhënësit. Për ta pranuar vërtet një dhuratë, ne arrijmë t’ia njohim vetë vlerën, ta vëmë plotësisht në përdorim në jetën tonë dhe atëherë ta kujtojmë me mirënjohje dhënësin.

Pranimi i një dhurate nuk është diçka pasive, por një proces i qëllimshëm dhe kuptimplotë që shkon përtej thjesht hapjes së një pakoje. Të pranosh do të thotë ta vlerësosh dhe të lidhesh, si me dhuratën, ashtu edhe me zemrën e dhënësit në një mënyrë që i forcon lidhjet midis dhënësit e marrësit. Mendimi për atë makinë lodër më sjell ndërmend një mori kujtimesh të çmuara, pasi ndiej edhe një herë dashurinë dhe përkujdesjen e thellë të babait tim për mua, të treguara nga ajo dhuratë dhe veprime të tjera të panumërta bujare.

Dhuratat e Atit Tonë Qiellor

Ati ynë Qiellor ka dhurata të panumërta drite dhe të vërtete të përgatitura për t’u derdhur mbi secilin prej nesh, fëmijët e Tij të shtrenjtë. Ato rrjedhin nga Dhënësi ynë Zemërgjerë si një rrëke uji në shkretëtirë prej zemrës së Tij dashamirëse. “Çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave.” Në lidhjen tonë besëlidhëse me Atin, Ai është gjithmonë Dhënësi dhe ne marrësi i/e përulur.

Dhurata Më e Madhe nga të Gjitha Dhuratat e Atit, Nëpërmjet së Cilës Rrjedhin të Gjitha të Tjerat

Por ne nuk mund të merrnim kurrfarë gjëje pa dhuratën më të madhe nga të gjitha dhuratat e Atit, Qengjin e Tij të dashur, Birin e Tij, Jezu Krishtin. Të gjitha dhuratat e Atit tonë rrjedhin dhe aktivizohen nga blatimi i vullnetshëm i Shpëtimtarit në Gjetseman e në kryq dhe nga Ringjallja e Tij ngadhënjimtare. Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë i mëshirshëm, është dhurata supreme nga Ati ynë i dritave. “Në dhuratën e Birit të tij, Zoti përgatiti [për ne] një udhë më të shkëlqyer.”

Një Dhuratë Gjithëpërfshirëse e së Vërtetës së Përjetshme

Do të doja të flisja për një dhuratë gjithëpërfshirëse të së vërtetës së përjetshme që përforcon aftësinë tonë për të pranuar gjithçka tjetër që Ati ynë dëshiron të na dhurojë – dhuratën jetike të njohurisë e cila, kur pranohet plotësisht dhe merret thellë në shpirt, i vë në kontekst gëzimet dhe vështirësitë e jetës, si dhe pyetjet për të cilat nuk kemi përgjigje: Dhurata është që ne jemi vërtet fëmijë të Perëndisë. Kjo e vërtetë është marramendëse! Mahnitëse! Dhe nuk është figurative.

Përfytyroni sikur po e dëgjoni këtë për herë të parë! Ju jeni vërtet bija e Tij e shtrenjtë. Ju jeni vërtet biri i Tij i çmuar. Shtegu ku ndodheni, është plani i Tij për lumturinë. Me dashurinë e Tij të gjithëdijshme, Ai e di saktësisht se kush ishit para se të dërgoheshit në tokë, çfarë keni përjetuar deri më tani në jetën tuaj në vdekshmëri dhe Ai ka planifikuar me mëshirë për ju për çdo të nesërme. Dhe o, sa dëshiron Ai që një ditë të ktheheni tek Ai, për të pranuar qëllimin suprem të të gjitha dhuratave të Tij të bukura, jetën e përjetshme me Të.

Çështja nuk është a është reale kjo dhuratë e së vërtetës, por a do ta zbulojmë dhe pranojmë ne atë. Dhurata na është dhënë tanimë nga Ati. Çmimi për qëllimin përfundimtar të kësaj dhurate është paguar tashmë nga Shpëtimtari. Por nëse jua kanë mësuar këtë, e keni thënë këtë, keni kënduar për këtë të vërtetë për vite me radhë, ndoshta çudia e hatashme për të është zbehur prej kohësh dhe ju nuk e ndieni më fuqinë dhe paqen prej saj.

Nëse kjo dhuratë e paçmuar e kuptueshmërisë dhe e gjithë mirësia, paqja dhe shpresa që rrjedhin prej saj nuk merret, nuk hapet dhe nuk pranohet, çfarë humbjeje e tmerrshme për ne! Çfarë trishtimi për Dhënësin! “Sepse çfarë dobie ka një njeri, nëse një dhuratë i jepet atij dhe ai nuk e pranon dhuratën? Vini re, ai nuk gëzohet në atë që i jepet, as nuk gëzohet në atë që është dhënësi i dhuratës.”

Ju ftoj ta pranoni, qoftë për herë të parë ose në një shkallë më të madhe se kurrë më parë, perceptimin madhështor se jeni vërtet fëmijë i dashur i Perëndisë. Ju duhet ta zgjidhni fjongon, ta grisni letrën mbështjellëse, ta hapni kutinë dhe të merrni në mënyrë aktive, me përulësi mirënjohëse, një kuptueshmëri të vërtetë dhe të kulluar për këtë të vërtetë themelore. Shpirti i Shenjtë mund t’ju dëshmojë në zemër se ju jeni njëmend një fëmijë i Shumë të Lartit.

Kur e mirëprisni këtë realitet madhështor drejt e në shpirt dhe e ndieni rehatinë dhe emocionin prej tij, e gjithë paradigma juaj ndryshon! Ju mund ta ndieni dashurinë e Tij, ta dëgjoni zërin e Tij dhe dalloni dorën e Tij, pavarësisht se çfarë po ndodh, ose nuk po ndodh, në jetën tuaj. Ju mund ta ripërcaktoni mënyrën se si e shihni veten dhe të tjerët. Lidhja juaj besëlidhëse me Shpëtimtarin tuaj bëhet edhe më e fortë dhe përmes thjerrave të kësaj dhurate të këndshme, jeta merr shkëlqim, bukuri dhe shpresë të re.

Ju lutem, a do të luteni për të kuptuar a po e merrni vërtet këtë njohuri shndërruese thellë në shpirtin tuaj? Ju lutem, a do ta pranoni dhuratën? A do ta bëni këtë më thellësisht, më lirisht, më me tepri se ç’e keni bërë më parë dhe, për shkak se e bëtë këtë, të mbuloheni me të gjitha ato dhuratat e tjera që vijnë bashkë me të?

Pranimi i Kësaj Dhurate të së Vërtetës së Përjetshme

Ju mund të pyesni veten: “Çfarë duhet të bëj për ta pranuar këtë dhuratë nga Perëndia?” Epo, faktikisht, asgjë. Është një dhuratë nga Dhënësi. Është thjesht një fakt. Thjesht pranojeni. Ju jeni fëmija i Tij. Jeni i dashur për Të. Mos e ndërlikoni. Mos e bllokoni pranimin e kësaj dhurate me mendime se në njëfarë mënyre nuk e meritoni. E vërteta është se askush prej nesh nuk “e meriton”. Të gjitha dhuratat e Atit merren vetëm nëpërmjet meritave, mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë, por sa digjet zemra e Tij bujare që secili prej fëmijëve të Tij t’i pranojë ato! Më pas, ndërsa kuptueshmëria juaj e re ose e ripërtërirë ju bëhet më e qartë, gëzohuni duke e falënderuar Dhënësin e kësaj dhurate.

Qëkurse e gjeta besimin tim mes viteve të mia të 20‑a, më është zgjuar perceptimi se jam vërtet një bir i Perëndisë. Sa më plotësisht që e përvetësoj këtë dhuratë, aq më thellësisht e di se kush jam dhe sa tërësisht më duan. Disa gjëra që më kanë ndihmuar për ta rritur kuptueshmërinë, janë fjalët në shkrimet e shenjta, bekimi im patriarkal, adhurimi në tempull, shërbimi ndaj të tjerëve, shprehja e mirënjohjes dhe lutja e shenjtë me Atin tim. Unë mahnitem nga mënyra se si pikëllimi, dhembja dhe hidhërimi i mëparshëm në jetën time do të ishin interpretuar, zbutur dhe se si do t’i kapërceja shumë prej tyre po ta kisha ditur këtë të vërtetë të bukur.

Ejani te Krishti dhe Pranoni

Moroni na nxit të “mos [i] moho[jmë] dhuratat e Perëndisë”, por të “vi[jmë] te Krishti dhe të m[arrim] çdo dhuratë të mirë”. Ju mund të vini te Krishti me vetëbesim te dashamirësia e Tij dhe t’i pranoni të gjitha dhuratat e Tij të gëzimit, paqes, shpresës, dritës, së vërtetës, zbulesës, njohurisë dhe urtësisë – me kokën lart, me krahët e shtrirë dhe duart e hapura, gati për t’i marrë. Dhe ju mund t’i pranoni këto dhurata sepse jeni të sigurt dhe të palëkundur në njohurinë se jeni një bijë e dashur e Perëndisë, se jeni një bir i shtrenjtë i Perëndisë dhe se Ai ju ka dhënë si dhuratë Birin e Tij të përsosur e të shenjtë, për t’ju shëlbuar, shfajësuar dhe shenjtëruar.

Ju jeni një fëmijë i Perëndisë. Kjo nuk është thjesht një këngë e këndshme që e këndojmë. Ju lutem, a do ta merrni, hapni dhe pranoni këtë dhuratë njohurie dhe kuptueshmërie prej Tij? A do ta mbani fort si thesar i çmuar që është? Pranojeni rishtas këtë dhuratë, ose ndoshta pranojeni vërtet për herë të parë fare dhe lejojeni t’jua shndërrojë çdo aspekt të jetës! Kjo është mënyra më e shkëlqyer që Perëndia ka përgatitur për ju nëpërmjet dhuratës së Birit të Tij. Ju vërtet jeni që të mund të keni gëzim! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.