2025
Plani i Mëshirës
Maj 2025


11:6

Plani i Mëshirës

Zoti është i mëshirshëm dhe plani i Atit tonë Qiellor për shpëtimin është vërtet një plan mëshire.

Ftesa e Një Profeti

Prillin e kaluar, pak kohë pas lajmit të gëzueshëm që Kisha kishte marrë Tempullin e Kirtlandit, Presidenti Rasëll M. Nelson na ftoi të studiojmë lutjen përkushtuese të Tempullit të Kirtlandit, të regjistruar në seksionin 109 të Doktrinës e Besëlidhjeve. Lutja përkushtuese, tha Presidenti Nelson, “është një material udhëzues mbi mënyrën se si tempulli na fuqizon shpirtërisht ju dhe mua për të përballuar sfidat e jetës në këto ditë të fundit”.

Jam i sigurt që studimi i seksionit 109 ju solli ide që ju bekuan. Sonte do t’ju tregoj për disa nga gjërat që mësova kur e ndoqa ftesën e profetit tonë. Shtegu paqedhënës tek i cili më çoi studimi im, më kujtoi se Zoti është i mëshirshëm dhe se plani i Atit tonë Qiellor për shpëtimin është vërtet një plan mëshire.

Misionarët e Sapothirrur që Shërbejnë në Tempull

Sikurse mund të jeni në dijeni, “misionarët e sapothirrur nxiten që të marrin ordinancën e dhurimit në tempull sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ta frekuentojnë tempullin sa më shpesh që e lejojnë rrethanat”. Pasi e kanë marrë dhurimin, ata gjithashtu “mund të shërbejnë si punonjës/e … të tempullit përpara se të fillojnë shërbimin misionar”.

Koha në tempull, përpara se të hyjnë në qendrën e trajnimit të misionarëve (QTM), mund të jetë një bekim i mrekullueshëm për misionarët e rinj, teksa ata mësojnë më shumë rreth besëlidhjeve të tempullit përpara se t’ia tregojnë botës bekimet e këtyre besëlidhjeve.

Por gjatë studimit të seksionit 109, mësova se në tempull, Perëndia u jep fuqi misionarëve të rinj, në të vërtetë të gjithëve ne, në një mënyrë të shenjtë shtesë. Në lutjen e përkushtimit, të dhënë nëpërmjet zbulesës, Profeti Jozef Smith u lut që “kur shërbëtorët e tu të shkojnë nga shtëpia jote … për të dhënë dëshmi për emrin tënd”, “zemrat” e “gjithë njerëz[ve]” do të “zbuten”, si për “të madhërishmit e tokës” ashtu edhe “gjithë të varfërit, nevojtarët dhe të munduarit e tokës”. Ai u lut që “paragjykimet e tyre të mund t’i lëshojnë rrugë së vërtetës dhe populli yt të mund të fitojë favor në sytë e të gjithëve; që gjithë fundet e tokës të mund ta dinë se ne, shërbëtorët e tu, e kemi dëgjuar zërin tënd dhe që ti na ke dërguar”.

Ky është një premtim i bukur për një misionar të sapothirrur, që t’i bëjë paragjykimet “t’i lëshojnë rrugë së vërtetës”, të “fitojë favor në sytë e të gjithëve” dhe ta bëjë botën të dijë se ata janë të dërguar nga Zoti. Secili prej nesh sigurisht që ka nevojë për po të njëjtat bekime. Çfarë bekimi do të ishte që t’i kishim zemrat të zbutura teksa ndërveprojmë me fqinjët dhe bashkëpunëtorët. Lutja e përkushtimit nuk shpjegon me saktësi se si koha jonë në tempull do t’i zbutë zemrat e të tjerëve, por jam i bindur se lidhet ngushtësisht me mënyrën se si koha në shtëpinë e Zotit i zbut vetë zemrat tona duke na qendërzuar te Jezu Krishti dhe mëshira e Tij.

Zoti i Përgjigjet Përgjërimit të Jozef Smithit për Mëshirë

Kur e studiova lutjen e përkushtimit të Tempullit të Kirtlandit, gjithashtu më bëri përshtypje që Jozefi herë pas here u lut për mëshirë – për anëtarët e Kishës, për armiqtë e Kishës, për udhëheqësit e vendit, për kombet e tokës. Dhe, në mënyrë tepër vetjake, ai iu përgjërua Zotit që ta kujtonte atë dhe të kishte mëshirë për Emën e tij të dashur dhe fëmijët e tyre.

Si duhet të jetë ndier Jozefi kur, një javë më vonë, në ditën e Pashkës më 3 prill 1836, në Tempullin e Kirtlandit, Shpëtimtari iu shfaq atij dhe Oliver Kaudërit dhe, siç shënohet në seksionin 110 te Doktrina e Besëlidhje, tha: “Unë e kam pranuar këtë shtëpi dhe emri im do të jetë këtu; dhe unë do t’i manifestohem popullit tim në mëshirë në këtë shtëpi”. Ky premtim i mëshirës duhet të ketë pasur kuptim të veçantë për Jozefin. Dhe, siç na dha mësim Presidenti Nelson prillin e kaluar, ky premtim gjithashtu “zbatohet për çdo tempull të përkushtuar sot”.

Gjetja e Mëshirës në Shtëpinë e Zotit

Ka aq shumë mënyra në të cilat secili prej nesh mund të gjejë mëshirë në shtëpinë e Zotit. Kjo ka qenë e vërtetë që nga koha kur Zoti fillimisht e urdhëroi Izraelin që të ndërtonte një tabernakull dhe të vendoste në qendër të tij “pajtuesi[n e mëshirës]”. Në tempull gjejmë mëshirë në besëlidhjet që bëjmë. Këto besëlidhje, duke iu shtuar besëlidhjes së pagëzimit, na lidhin me Atin dhe Birin dhe na japin qasje të shtuar ndaj asaj që Presidenti Nelson na ka mësuar se është “një lloj i veçantë dashurie e mëshire … i quajtur hesed” në hebraisht.

Ne gjejmë mëshirë në mundësinë për t’u vulosur me familjet tona për përjetësinë. Në tempull gjithashtu arrijmë të kuptojmë me qartësi më të madhe se Krijimi, Rënia, flijimi shlyes i Shpëtimtarit dhe aftësia jonë për të hyrë sërish në praninë e Atit tonë Qiellor – në fakt, çdo pjesë e planit të shpëtimit – janë shfaqje të mëshirës. Mund të thuhet se plani i shpëtimit është një plan lumturie pikërisht ngaqë është një “plan i mëshirës”.

Kërkimi i Faljes Hap Dyert për Frymën e Shenjtë

Jam mirënjohës për premtimin e bukur te seksioni 110 që Zoti do ta shfaqë veten e Tij në mëshirë në tempujt e Tij. Jam gjithashtu mirënjohës për atë që zbulohet rreth mënyrës se si Zoti do ta shfaqë Veten e Tij në mëshirë kurdoherë që ne, si Jozefi, përgjërohemi për mëshirë.

Përgjërimi i Jozef Smithit për mëshirë në seksionin 109 nuk ishte hera e parë nga përgjërimet e tij për mëshirë që nxitën zbulesë. Në Korijen e Shenjtë, i riu Jozef u lut jo thjesht për të ditur se cila Kishë ishte e vërtetë, por edhe tha: “I thirra Zotit për mëshirë, sepse nuk ishte askush tjetër tek i cili të mund të shkoja dhe të merrja mëshirë”. Në njëfarë mënyre, dallimi nga ana e tij se kishte nevojë për mëshirën që vetëm Zoti mund ta siguronte, ndihmoi që të hapeshin pragjet e qiellit. Tre vjet më vonë, engjëlli Moroni u shfaq pas asaj që Jozefi tha se ishte “lutj[a] dhe përgjërim[i i tij] ndaj Perëndisë së Plotfuqishëm për falje të të gjitha mëkateve dhe marrëzive të [tij]”.

Ky model ku zbulesa pason një përgjërim për mëshirë, është një model i njohur në shkrimet e shenjta. Enosi e dëgjoi zërin e Zotit vetëm pasi u lut për falje. Kthimi në besim i të atit të mbretit Lamoni fillon me lutjen e tij: “Unë do t’i braktis të gjitha mëkatet e mia për të të njohur”. Ne mund të mos bekohemi me të njëjtat përvoja dramatike si këto, por për ata që nganjëherë hasin vështirësi që të ndiejnë përgjigjet ndaj lutjeve, kërkimi i mëshirës së Zotit është njëra nga mënyrat më të fuqishme për ta ndier dëshmimin e Frymës së Shenjtë.

Përsiatja e Mëshirës së Perëndisë Hap Portën drejt një Dëshmie për Librin e Mormonit

Një parim i ngjashëm jepet mësim shumë bukur te Moroni 10:3–5. Shpesh i përmbledhim këto vargje për të dhënë mësim se, nëpërmjet lutjes së sinqertë, ne mund të mësojmë nëse Libri i Mormonit është i vërtetë. Por kjo përmbledhje mund ta lërë jashtë vëmendjes rolin e rëndësishëm të mëshirës. Dëgjoni se si Moroni e fillon këshillimin e tij: “Do t’ju këshilloj që kur t’i lexoni këto gjëra, … të kujtoni sa i mëshirshëm ka qenë Zoti ndaj fëmijëve të njerëzve, që nga krijimi i Adamit dhe deri në kohën kur do t’i merrni këto gjëra dhe t’i meditoni në zemrat tuaja”.

Moroni na nxit që jo vetëm t’i lexojmë këto gjëra, analet që ai ishte duke i vulosur, por edhe të përsiatim në zemrat tona se çfarë zbulon Libri i Mormonit rreth mënyrës se “sa i mëshirshëm ka qenë Zoti ndaj fëmijëve të njerëzve”. Është përsiatja për mëshirën e Zotit që na përgatit “të pyes[im] Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta”.

Kur përsiatim për Librin e Mormonit, ne mund të bëjmë pyetjen: A është në fakt e vërtetë, sikurse dha mësim Alma, që plani i Perëndisë për mëshirën siguron që çdo njeri, i cili jetoi ndonjëherë në këtë tokë, do të ringjallet dhe se ata “do të rikthehen në formën e tyre … të përkryer”? A ka të drejtë Amuleku – a mund të kënaqë mëshira e Shpëtimtarit të gjitha kërkesat e vërteta të hidhura të drejtësisë, që ne përndryshe do të ishim të detyruar t’i paguanim dhe në vend të kësaj të na “rretho[jë] me krahët e sigurisë”?

A është e vërtetë, siç dëshmoi Alma, që Krishti vuajti jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për “dhimbje[t] dhe hidhërime[t]” tona, me qëllim që Ai të mund të “di[nte] … se si të ndihmo[nte] popullin e tij sipas dobësive të tyre”? A është Zoti vërtet kaq i mëshirshëm, sikurse dha mësim mbreti Beniamin, që, si një dhuratë pa pagesë, Ai shleu “për mëkatet e atyre … që kanë vdekur pa ditur vullnetin e Perëndisë në lidhje me ta, ose që kanë bërë mëkat nga padituria”?

A është e vërtetë, sikurse tha Lehi, se “Adami ra që njerëzit të mund të jenë; dhe njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim”? Dhe, a është në fakt e vërtetë, sikurse dëshmoi Abinadi, duke cituar Isaian, se Jezu Krishti “u plagos për shkeljet tona, ai u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi i paqes sonë ishte mbi të; dhe me vurratat e tij, ne u shëruam” ?

Në përmbledhje, a është plani i Atit, siç u dha mësim në Librin e Mormonit, me të vërtetë kaq i mëshirshëm? Dëshmoj se ai është dhe se janë të vërteta mësimet paqedhënëse dhe plot shpresë për mëshirën në Librin e Mormonit.

Akoma përfytyroj se disa mund të jenë duke hasur vështirësi, pavarësisht nga leximi dhe lutjet tuaja besnike, për të kuptuar premtimin e Moronit se Ati Qiellor “do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”. E njoh këtë vështirësi sepse e ndjeva atë shumë vjet më parë, kur dy leximet e mia të para vetjake të Librit të Mormonit nuk sollën një përgjigje të menjëhershme dhe të qartë ndaj lutjeve të mia.

Nëse po hasni vështirësi, a mund t’ju ftoj të ndiqni këshillën e Moronit për të përsiatur mbi mënyrat e shumta që Libri i Mormonit na mëson rreth mënyrës se “sa i mëshirshëm ka qenë Zoti ndaj fëmijëve të njerëzve”? Nisur nga përvoja ime, shpresoj që, kur ta bëni këtë gjë, paqja e Frymës së Shenjtë të mund të futet në zemrën tuaj dhe ju të mund të dini, besoni e ndjeni se Libri i Mormonit dhe plani i mëshirës që na mësohet aty, janë të vërtetë.

Shpreh mirënjohjen time për planin e madhërishëm të Atit për mëshirën dhe për gatishmërinë e Shpëtimtarit që ta kryente atë. E di se Ai do ta shfaqë Veten e Tij me mëshirë në tempullin e Tij të shenjtë dhe në çdo pjesë të jetës sonë, në qoftë se vërtet do ta kërkojmë Atë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Ngazëllehuni nga Dhurata e Çelësave të Priftërisë”, Liahona, maj 2024, f. 121.

  2. Rasëll M. Nelson, “Ngazëllehuni nga Dhurata e Çelësave të Priftërisë”, f. 121.

  3. Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 24.5.1, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  4. Si me të gjitha bekimet e tempullit, dhënia nga Perëndia e këtyre bekimeve varet nga mbajtja jonë e besëlidhjeve që bëjmë në tempull. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 96: “Çdo person që bën besëlidhje … në tempuj dhe i mban ato, ka qasje më të madhe te fuqia e Jezu Krishtit”.

    Si shembull tjetër, merreni parasysh thënien nga Presidenca e Parë lidhur me veshjen e veshjeve të brendshme të tempullit: “Ndërkohë që i mbani besëlidhjet tuaja, përfshirë privilegjin e shenjtë për të veshur veshjen e brendshme të tempullit siç udhëzohet në ordinancat nistore, ju do të keni qasje më të madhe te mëshira, mbrojtja, forca dhe fuqia e Shpëtimtarit” (Manuali i Përgjithshëm, 26.3.3.2; theksimi i shtuar).

  5. Doktrina e Besëlidhje 109:55–57.

  6. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Zoti Jezu Krisht do të Vijë Përsëri”, Liahona, nëntor 2024, f. 121–122: “Ky është premtimi im për ju: Çdo kërkues i sinqertë i Jezu Krishtit do ta gjejë Atë në tempull. Do ta ndieni mëshirën e Tij.”

  7. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 109:34: “Ki mëshirë për këtë popull dhe, ngaqë të gjithë njerëzit mëkatojnë, falja shkeljet popullit tënd dhe le të fshihen ato përgjithmonë”.

  8. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 109:50.

  9. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 109:54. Jozefi i kërkoi Zotit edhe që “të k[ishte] mëshirë mbi fëmijët e Jakobit, që Jeruzalemi, nga kjo orë, të mund të fillojë të shëlbehet; dhe zgjedha e robërisë mund të fillojë të thyhet nga shtëpia e Davidit; dhe fëmijët e Judës mund të fillojnë të kthehen në tokat që ti ia dhe Abrahamit, atit të tyre” (Doktrina e Besëlidhje 109:62–64).

  10. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 109:68.

  11. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 109:69. Oxford English Dictionary [Fjalori i Oksfordit për Anglishten] e përkufizon fjalën mëshirë si “mirësi e dhembshuri e treguar ndaj një personi i cili është në një gjendje pafuqie” (“mercy”, oed.com). Mëshira, sikurse hiri, është një shprehje e dashurisë dhe mirësisë së Perëndisë – hesed‑it të Tij. Ndërsa mëshira përqendrohet te largimi i një ndëshkimi që e meritojmë, hiri zakonisht i referohet Perëndisë që na jep bekime të cilat nuk i meritojmë dhe pa asnjë lidhje me meritën.

  12. Doktrina e Besëlidhje 110:7.

  13. Në një shfaqje të mëshirës për individin, Jozefit dhe Oliverit iu tha: “Vini re, mëkatet tuaja ju janë falur; ju jeni të pastër përpara meje; si rrjedhim, ngrini kokat tuaja dhe gëzohuni” (Doktrina e Besëlidhje 110:5).

  14. Rasëll M. Nelson, “Ngazëllehuni nga Dhurata e Çelësave të Priftërisë”, f. 119. Presidenti Nelson tha: “Ju ftoj të përsiatni se çfarë do të thotë premtimi i Zotit për ju personalisht”.

  15. Shihni te Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Tabernacle” [“Tabernakull”]: “Shenjtërorja e Shenjtëroreve përmbante vetëm një orendi: Arkën e Besëlidhjes. … Mbi arkën dhe duke formuar kapakun ishte froni i mëshirës [ose pajtuesit]. Ai shërbente, së bashku me arkën nën të, si altar mbi të cilin kryhej shlyerja më e lartë, e njohur për ligjin judeas. Mbi të spërkateshin pika gjaku për flijimin e mëkatit në Ditën e Shlyerjes (Levitiku 16:14–15). Froni i mëshirës ishte vendi i shfaqjes së lavdisë së Perëndisë (Eksodi 25:22).”

  16. Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 5; Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, tetor 2022, f. 2. Sikurse e vë në dukje Presidenti Nelson, fjala hesed nuk ka një fjalë saktësisht të barasvlershme në anglisht, por përkthimi i saj më i zakonshëm në Dhiatën e Vjetër është mëshirë. Nga 248 rastet që fjala hesed shfaqet në Variantin e Mbretit Xhejms të Dhiatës së Vjetër, fjala mëshirë përdoret 149 herë, mirësi 40 herë dhe dashamirësi 30 herë (shihni te Blue Letter Bible, blueletterbible.org/lexicon/h2617/kjv/wlc/0-1/).

  17. Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 27.2. Shpëtimtari na mëson se asnjëri prej nesh nuk mund të vijë tek Ati përveçse nëpërmjet Tij (shihni te Gjoni 14:6). Te Doktrina e Besëlidhje, Shpëtimtari jep këtë përshkrim të bukur të lutjes së Tij për mëshirë në emrin tonë:

    “Dëgjoni atë që është avokati juaj me Atin, i cili po e mbron çështjen tuaj para tij –

    Duke thënë: ‘Atë, vër re vuajtjet dhe vdekjen e atij që nuk bëri asnjë mëkat, në të cilin ti ishe kënaqur; vër re gjakun e Birit tënd që u derdh, gjakun e atij të cilin e dhe që ti vetë të mund të përlëvdoheshe;

    Si rrjedhim, Atë, kurseji këta vëllezërit e mi që besojnë në emrin tim, që ata të mund të vijnë tek unë dhe të kenë jetë të përhershme” (Doktrina e Besëlidhje 45:3–5).

  18. Presidenti Xhefri R. Holland dikur tha: “Sigurisht gjëja që Perëndinë e gëzon më shumë rreth të qenit Perëndi, është emocioni i të qenit i mëshirshëm, veçanërisht për ata që nuk e presin ose shpesh ndihen sikur nuk e meritojnë” (“Punëtorët në Vresht”, Liahona, maj 2012, f. 33). Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 128:19: “Tani, çfarë dëgjojmë në ungjillin që kemi marrë? Një zë kënaqësie! Një zë mëshire nga qielli; dhe një zë të vërtete nga toka; lajme të gëzuara për të vdekurit; një zë gëzimi për të gjallët dhe të vdekurit; lajme të gëzuara të gëzimit të madh.”

  19. Alma 42:15. Mëshira gjithmonë ka qenë pikërisht në thelb të planit të shpëtimit. Tre shkrime të shenjta njoftuese e ilustrojnë këtë. Nefi e përfundoi pikërisht kapitullin e parë të Librit të Mormonit duke thënë: “Por, vini re, unë, Nefi, do t’ju tregoj se mëshirat e dhembshura të Zotit janë mbi të gjithë ata që ai ka zgjedhur, për shkak të besimit të tyre, për t’i bërë ata të pushtetshëm, madje, deri në fuqinë e çlirimit” (1 Nefi 1:20).

    Tek Eksodi 34:6, Zoti ia shpalli emrin e Tij Moisiut si: “Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në [të vërtetë]”. Disa njerëz kanë sugjeruar se ky varg mund të jetë përmendur si referencë nga profetët e Dhiatës së Vjetër më shumë se çdo varg tjetër në Dhiatën e Vjetër (shihni, për shembull, Bible Project, “The Most Quoted Verse in the Bible”, bibleproject.com/podcast/most-quoted-verse-bible/).

    Në Dhiatën e Re, në librin e Llukës, tregohet se Zakaria u godit “i pagojë dhe nuk do të mund të fl[iste]” kur e dyshoi premtimin e engjëllit se Elisabeta në moshën e saj të thyer do të lindte një djalë, i cili do të ishte Gjon Pagëzori (Lluka 1:20). Kur më së fundmi, Zakarias iu kthye zëri, ai u “mbush me Frymën e Shenjtë” dhe në shpalljen e parë publike se kishte ardhur më së fundi koha për Mesian, ai profetizoi se Zoti do të vinte “për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t’u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë, betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë” (Lluka 1:67, 72–73; theksimi i shtuar).

  20. Ese mbi Temat e Ungjillit, “Rrëfimet për Vegimin e Parë”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; shihni veçanërisht rrëfimin e vitit 1832.

  21. Joseph Smith – Historia 1:29. Doktrina e Besëlidhje 20:5–6 jep një përshkrim tjetër të rolit të pendimit në këto dy vegime të fuqishme. Jozefi tha se “askush nuk duhet të mendojë se unë jam fajtor për mëkate të mëdha ose të liga”, por ai u “nd[je] i ndëshkuar për dobësinë dhe papërsosmëritë” e tij dhe kishte nevojë për falje (Joseph Smith – Historia 1:28, 29).

  22. Shihni tek Enosi 1:1–8.

  23. Alma 22:18. Lutja e Almës: “O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua”, çon drejt një vërshimi të dritës dhe lehtësimit nga dhembja (shihni tek Alma 36:17–20). Presidenti Xhefri R. Holland, dikur tha për përgjërimin e Almës: “Ndoshta një lutje e tillë, edhe pse e shkurtër, është më domethënësja që dikush mund ta shqiptojë në një botë të rënë. Pavarësisht se çfarë lutjesh të tjera bëjmë, pavarësisht se çfarë nevojash të tjera kemi, të gjitha përmblidhen tek ai përgjërim: ‘O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua’” (Our Day Star Rising: Exploring the New Testament with Jeffrey R. Holland [2022], f. 170–171).

  24. Plaku Kajl S. Mek-Kei dha mësim shumë bukur: “Jeta e Jozefit duke u penduar rregullisht më jep vetëbesimin për t’ju ‘afr[uar] … me guxim fronit të hirit, që të marr mëshirë’” (“Burri që Foli me Jehovën”, Liahona, nëntor 2024, f. 61).

  25. Moroni 10:3.

  26. Përgjërimi i Moronit është përmbyllja e thënies së Nefit që në fillim të Librit të Mormonit, ku ai deklaron qëllimin e tij vetjak për shkrimin mbi fletët: “Vini re, unë, Nefi, do t’ju tregoj se mëshirat e dhembshura të Zotit janë mbi të gjithë ata që ai ka zgjedhur, për shkak të besimit të tyre, për t’i bërë ata të pushtetshëm, madje, deri në fuqinë e çlirimit” (1 Nefi 1:20).

  27. Moroni 10:4.

  28. Shihni te Mormoni 9:13.

  29. Alma 40:23: “Shpirti do t’i rivendoset trupit dhe trupi shpirtit; po, dhe çdo gjymtyrë dhe nyjë do t’i rivendoset trupit të vet; po, madje asnjë fije floku i kokës nuk do të humbasë; por, të gjitha gjërat do të rikthehen në formën e tyre të përshtatshme dhe të përkryer”.

  30. Alma 34:16. Ndërkohë që marrim parasysh se sa i mëshirshëm ka qenë Zoti, ne mund të tundohemi për ta shkëputur mëshirën nga drejtësia, për të menduar se mëshira e dashur e Atit tonë Qiellor, e vetme, mund ta mposhtë drejtësinë. Por siç dha mësim Alma: “Plani i mëshirës nuk mund të realizohej, nëse nuk bëhej një shlyerje; prandaj Perëndia vetë shlyen për mëkatet e botës, që të realizohet plani i mëshirës, për të plotësuar kërkesat e drejtësisë, që Perëndia të mund të jetë një Perëndi i përsosur, i drejtë dhe gjithashtu një Perëndi i mëshirshëm” (Alma 42:15; theksimi i shtuar).

    Tërë dashuria e mëshirshme e Shpëtimtarit për ne nuk mund të na shpëtonte. Përkundrazi, ishte vuajtja nga ana e Tij e pikërisht kërkesave shumë të vërteta dhe të dhimbshme të drejtësisë që na shpëton. Kjo sigurisht që nuk e pakëson rëndësinë e dashurisë së Tij. Sigurisht, ishte dashuria e Tij për ne, dhe dëshira e Tij për të bërë vullnetin e Atit, i cili gjithashtu na do, që e bëri Atë të ishte i gatshëm për të vuajtur (shihni te Gjoni 3:16; Doktrina e Besëlidhje 34:3). Por dashuria, e vetme, nuk mund të funksiononte.

    Nganjëherë mund të përqendrohemi kaq shumë te dashuria e Tij për ne pikërisht ashtu siç jemi, saqë e harrojmë faktin që mënyra se si jemi, si burra dhe gra të natyrshme, sjelljet e të cilëve në mënyrë të pashmangshme nuk arrijnë t’i jetojnë urdhërimet, kërkon që drejtësia të përmbushet. Nëse e keqkuptojmë dhe e shohim dashurinë e Tij si eliminimin e kërkesave të drejtësisë, ne e pakësojmë dhuratën e flijimit të Tij shlyes dhe vuajtjen që Ai e bëri për të paguar çmimin e tmerrshëm të drejtësisë. Do të ishte ironike dhe shkurajuese, nëse do ta kuptonim dashurinë e Tij për ne sikur ajo e bën të panevojshëm flijimin e Tij shlyes. Do të ishte shumë më mirë po t’i shohim siç duhet kërkesat e plota të drejtësisë dhe më pas të jemi mirënjohës se Ai na deshi aq sa t’i duronte ato kërkesa shumë reale në emrin tonë.

  31. Alma 7:11–12.

  32. Mosia 3:11.

  33. 2 Nefi 2:25.

  34. Mosia 14:5.

  35. Moroni 10:4.

  36. Moroni 10:3.

  37. Presidenti M. Rasëll Ballard na nxiti të japim “dëshmi për atë që di[më] dhe beso[jmë] dhe për atë që ndie[jmë]” (“Kujtoni Atë që Është Më e Rëndësishmja”, Liahona, maj 2023, f. 107).

  38. Me ofrimin e këtij sugjerimi, unë nuk kam për qëllim të ofroj një “formulë” zëvendësuese për një dëshmi në lidhje me vërtetësinë e Librit të Mormonit ose ungjillit. Sikurse ka dhënë mësim Plaku Dejvid A. Bednar, zbulesa mund të vijë si “një dritë që ndizet në dhomë të errët”, ku zbulesa merret “shpejt, plotësisht dhe përnjëherë”. Ajo edhe mund të vijë si “shtimi shkallë‑shkallë i dritës që rrezatohet nga dielli që lind, … ‘rresht pas rreshti, parim pas parimi’ (2 Nefi 28:30). … Kumtime të tilla nga Ati Qiellor, shkallë-shkallë e butësisht ‘[pikojnë] mbi shpirtin [tonë] sikurse vesat nga qiejt’ [Doktrina e Besëlidhje 121:45]. Kjo mënyrë zbulese priret të jetë më shumë e zakonshme sesa e rrallë” (“Shpirti i Zbulesës”, “Liahona”, maj 2011, f. 88).