“Plaku Eduardo F. Ortega”, Liahona, maj 2025.
Plaku Eduardo F. Ortega,
Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë
Gjatë viteve të shërbimit në Kishë, Plaku Eduardo F. Ortega ka marrë një mësim të rëndësishëm. Në çfarëdo thirrjeje, qoftë si peshkop apo si vëlla shërbestar, njohuria se përfaqësojmë Zotin na e bën më të lehtë atë thirrje.
“Nëse mendojmë se si do ta bënte Ai atë, është më e lehtë”, – tha ai, duke cituar vargjet te Jakobi 5:71–72 në Librin e Mormonit. “E kam ndier Zotin duke shërbyer përkrah meje shumë herë në thirrje të shumta, sepse ky është vreshti i Tij, jo i yni.”
Eduardo Fransisko Ortega iu lind Fernando Daniel Ortegës dhe Irma Elvira Endstorferit në Godoi‑Kruz të Mendozës në Argjentinë, më 10 korrik 1977. Ai u martua me Gabriela Alehandra Kapi Fransian në Tempullin e Montevideos në Uruguai më 13 shtator 2002. Ata janë prindër të pesë fëmijëve dhe po jetonin në Meksiko‑Siti të Meksikës në kohën kur ai mori thirrjen.
Plaku Ortega mori një diplomë universitare për arkitekturë në Universitetin “Xhon F. Kenedi” në Argjentinë në vitin 2008 dhe një diplomë pasuniversitare në Universitetin e Belgranos në vitin 2016. Në vitin 2017, ai mori një diplomë për udhëheqje nga Shkolla e Biznesit e Harvardit. Ai punoi si përgjegjës i projekteve të ndërtimit, fillimisht për kompaninë “SBA” dhe më pas për degën argjentinase të grupit “Village Roadshow Entertainment”. Ai u bë drejtor i pasurive të patundshme për kompaninë “American Express” në vitin 2014, anëtar i bordit për “Arch Royale Projects Ltd.” në vitin 2023 dhe anëtar i bordit për kompaninë “CorNet Global” në vitin 2024.
Në kohën kur mori thirrjen, Plaku Ortega po shërbente si I Shtatëdhjetë Zonal. Ai gjithashtu ka shërbyer si këshilltar i presidencës së një kunji, si peshkop, këshilltar në peshkopatë, president i kuorumit të pleqve, udhëheqës grupi i priftërinjve të lartë dhe misionar kohëplotë në Misionin e Kolumbisë, Kali.