2025
Dashuria e Perëndisë
Maj 2025


10:34

Dashuria e Perëndisë

Dëshmoj gëzueshëm se Shpëtimtari Jezu Krisht është dashuria e Perëndisë. Dashuria e Tij për ne është e përkryer, vetjake dhe e pandërprerë.

Një ditë vere, ndërsa po udhëtonim në një zonë jashtë qytetit, familja jonë kaloi një mbrëmje duke fjetur në natyrë nën një qiell të kthjellët. E dukshme qartazi sipër nesh ishte Rruga mahnitëse e Qumështit, plot me yje të panumërta dhe atë yllin e zakonshëm që bie. Ndërkohë që mrekulloheshim nga madhështia e krijimit të Perëndisë, ne ndiem një lidhje nderimi me Të. Fëmijët tanë në moshë të re, që ishin rritur në Hong‑Kong, nuk kishin përjetuar kurrë diçka të tillë më parë. Ata me pafajësi pyetën a jetonim nën të njëjtin qiell në Hong‑Kong. U përpoqa t’ua shpjegoja se ishte po i njëjti qiell, mirëpo ndotja e ajrit dhe ndotja nga ndriçimi ku jetonim, na pengonin që t’i shihnim këto yje, ndonëse ishin atje.

Shkrimet e shenjta na mësojnë se “besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen”. Ndërkohë që shpërqendrimet çorientuese dhe tundimet terrestriale na e veshin shikimin shpirtëror, kur ushtrojmë besim te Perëndia dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, ne marrim siguri të qartë për realitetin e Tyre dhe për merakun e Tyre për ne.

Te Libri i Mormonit, profeti Lehi pa “një pemë, fruti i së cilës ishte i dëshirueshëm për ta bërë dikë të lumtur” dhe ishte “më i ëmbël se gjithçka”. Kur ai e provoi frutën, shpirti iu mbush me gëzim të madh dhe ai dëshironte që edhe familja e tij ta provonte atë. Ne mësojmë se kjo pemë përfaqëson “dashuri[në] e Perëndisë” dhe ashtu si Lehi, edhe ne mund të marrim një dëshmi të gëzueshme për Perëndinë kur e ftojmë Atë në jetën tonë.

Jezu Krishti mishëron dashurinë e Atit Qiellor për ne. Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, Ai mori mbi Vete mëkatet tona dhe u mavijos për paudhësitë tona. Ai personalisht ka mbajtur pikëllimet tona, ka mbartur brengat tona dhe ka marrë mbi Vete dhembjet dhe sëmundjet tona. Ai na dërgon Frymën e Shenjtë për të na ngushëlluar, dhe frytet e Shpirtit përfshijnë gëzimin, paqen dhe besimin, të cilat na mbushin me shpresë dhe dashuri.

Ndërkohë që te dashuria e Perëndisë kanë qasje të gjithë, shumë njerëz e kërkojnë me zell atë, ndërsa të tjerë dëshirojnë ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë, por nuk besojnë se e meritojnë atë. Disa të tjerë po përpiqen dëshpërimisht të mbahen pas saj. Shkrimet e shenjta dhe profeti i Zotit na mësojnë se ne mund ta përjetojmë në mënyrë të vazhdueshme dashurinë e Perëndisë, kur ne, nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit, pendohemi vazhdimisht, falim çiltërsisht, bëjmë çmos t’i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe u shërbejmë të tjerëve me vetëmohim. Ne e ndiejmë dashurinë e Perëndisë kur bëjmë gjërat që na afrojnë më shumë me Të, të tilla si të biseduarit me Të çdo ditë nëpërmjet lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta, dhe kur ndalojmë së bëri gjëra që na largojnë prej Tij, të tilla si të qenit krenarë, grindavecë dhe rebelë.

Presidenti Rasëll M. Nelson, na ka ftuar të “heq[im], me ndihmën e Shpëtimtarit, mbeturinat e vjetra nga jeta jonë” dhe ta “[lemë] mënjanë hidhësinë”. Ai na ka nxitur t’i “përforcoj[m]ë themelet [tona] shpirtërore” nëpërmjet “përqendr[imit të] jetë[s sonë] te [Shpëtimtari] dhe tek ordinancat e besëlidhjet e tempullit të Tij”. Ai premtoi se “ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona të tempullit, marrim qasje më të madhe te fuqia forcuese e Zotit. … Ne përjetojmë me bollëk të madh dashurinë e kulluar të Jezu Krishtit dhe të Atit tonë Qiellor!”

Kam një mik që ishte bekuar me një familje të bukur dhe me një karrierë premtuese. Kjo gjë ndryshoi kur një sëmundje e la të pamundur për të punuar, e cila u pasua nga një shkurorëzim. Vitet qysh atëherë kanë qenë të vështira, mirëpo dashuria e tij për fëmijët e vet dhe për besëlidhjet që ai ka bërë me Perëndinë, i kanë dhënë krah. Një ditë, ai mori vesh se ish‑bashkëshortja e tij ishte martuar sërish dhe kishte kërkuar një anulim të vulosjes së tyre në tempull. U ndje i trazuar e i pështjelluar. Ai kërkoi paqe dhe kuptueshmëri në shtëpinë e Zotit. Të nesërmen, pas vizitës së tij në tempull, më erdhi mesazhi vijues prej tij:

“Pata një përvojë të mrekullueshme mbrëmë në tempull. Mendoj se ishte e dukshme, që ende po mbaja mjaft mëri. … E dija që duhej të ndryshoja dhe jam lutur gjithë javën që ta bëja këtë. … Mbrëmë në tempull, e ndjeva realisht Shpirtin të ma hiqte mërinë nga zemra. … Ç’lehtësim ishte të çlirohesha prej saj! … Një barrë ogurzezë fizike që më rëndonte, më është hequr.”

Ndonëse ka ende sfidat e tij, miku im e ruan si thesar atë përvojë në shtëpinë e Zotit, ku fuqia çliruese e dashurisë së Perëndisë e ka ndihmuar të ndihet më afër Perëndisë, më optimist për jetën dhe më pak në ankth për të ardhmen.

Kur e përjetojmë dashurinë e Perëndisë, ne mund t’i durojmë barrët tona me lehtësi dhe t’i nënshtrohemi me durim dhe gëzim vullnetit të Tij. Ne kemi bindjen se Perëndia do t’i mbajë mend besëlidhjet e Tij me ne, se do të na vizitojë në pikëllimet tona dhe do të na çlirojë nga robëria. Do të dëshirojmë edhe të tregojmë për gëzimin që ndiejmë, familjes dhe njerëzve tanë të dashur. Ashtu si me familjen e Lehit, çdo njeri ka lirinë për të zgjedhur a ta hajë ose jo frutën, por mundësia jonë është të japim dashuri, të tregojmë dhe të ftojmë në një mënyrë të tillë që ata që i duam, të mund ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë.

Për t’i ndihmuar të tjerët ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë, na nevojitet të kultivojmë te vetja cilësi si të Krishtit, të tilla si përulësia, dashuria hyjnore, dhembshuria dhe durimi, si dhe t’i ndihmojmë të tjerët t’i drejtohen Shpëtimtarit nëpërmjet zbatimit të dy urdhërimeve të mëdha që ta duam Perëndinë dhe t’i duam bashkëqeniet tona.

Njëri nga bijtë tanë kishte vështirësi për t’u përshtatur me të tjerët dhe me vetëvlerësimin gjatë viteve të adoleshencës. Bashkëshortja ime dhe unë u lutëm që të dinim se si ta ndihmonim, dhe ishim të gatshëm të bënim çfarëdo që Zoti do të donte që të bënim. Një ditë, ndjeva nxitjen të pyesja presidentin e kuorumit të pleqve a njihte dikë në nevojë që mund ta vizitonim së bashku me tim bir. Pasi u mendua ca, ai na kërkoi të vizitonim një grua me sfida të mëdha shëndetësore dhe, me lejen e presidentit të degës, t’i çonim asaj çdo javë sakramentin. U ngazëlleva, por edhe u shqetësova për atë se si do të reagonte im bir ndaj këtij zotimi javor.

Në vizitën tonë të parë, na qante zemra për këtë grua të dashur, ngaqë kishte dhembje gjatë gjithë kohës. Ajo ishte tepër mirënjohëse për sakramentin, dhe ne gëzoheshim të shkonim për vizitë tek ajo dhe bashkëshorti i saj. Pas disa vizitash, një të diel nuk ndodhesha aty dhe nuk mund ta shoqëroja tim bir, por ia rikujtova detyrën që kishim. Kur u ktheva në shtëpi, mezi prisja të dëgjoja se si kishte shkuar vizita. Im bir u përgjigj se nuk mendonte se shokët e tij të klasës u qëllonte të bënin gjëra kaq të hatashme. Dhe vijoi të thoshte se mori me vete të vëllanë që ta ndihmonte dhe se sakramenti shkoi për bukuri, por ajo motër e dashur kishte qenë e trishtuar gjatë javës ngaqë kishte ftuar miq në shtëpinë e saj për të parë filma, mirëpo nuk i punonte pajisja që hapte filmat. Im bir tha se bëri kërkime në internet, e gjeti ku ishte problemi dhe ia rregulloi atë në çast. U ndie i dobishëm, i lumtur dhe ndjeu se iu besua të bënte diçka që i dha dritë ditës së saj. Ai ndjeu dashurinë që Perëndia ka për atë, vetë.

Nëse, pavarësisht nga përpjekjet tuaja më të mira, jeta bëhet e vranët, nëse mendoni se lutjet tuaja nuk dëgjohen, ose nëse nuk mund ta ndieni dashurinë e Perëndisë, ju lutem, dijeni se çdo përpjekje e juaja ka rëndësi dhe se, po me aq siguri sa ekzistenca e yjeve sipër nesh, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ju njohin, ju dëgjojnë dhe ju duan.

Në një rast kur dishepujt e Tij qenë në barkë duke u “përplas[ur] nga valët”, Shpëtimtari eci drejt tyre mbi ujë dhe i siguroi duke u thënë: “Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!” Kur Pjetri donte të shkonte te Shpëtimtari duke ecur mbi ujë, Jezusi e ftoi duke i thënë: “Eja!” Dhe kur Pjetri e humbi përqendrimin dhe filloi të fundosej në ujë, Shpëtimtari menjëherë ia zgjati dorën për ta kapur dhe e çoi drejt sigurisë duke i thënë: “O njeri besimpak, pse dyshove?”

Kur erërat i kemi kundër në jetën tonë, a jemi të gatshëm të marrim zemër dhe kurajë? Si mund ta mbajmë mend që Shpëtimtari nuk na braktis dhe se Ai është pranë nesh, ndofta në mënyra që nuk i dallojmë ende? A jemi ne të gatshëm të shkojmë tek Ai me besim, veçanërisht kur shtegu para nesh duket i pamundur? Dhe në çfarë mënyrash na ngre Ai drejt sigurisë kur ngecim? Si mund të shohim tek Ai me besim në çdo mendim, pa dyshuar, pa pasur frikë?

Nëse do të doni ta ndieni dashurinë e Perëndisë më me bollëk në jetën tuaj, më lejoni t’ju ftoj që të merrni parasysh sa vijon:

  • Së pari, ndaluni shpesh për të kujtuar se jeni një fëmijë i Perëndisë dhe mendoni ato gjëra për të cilat jeni mirënjohës.

  • Së dyti, lutuni çdo ditë, duke i kërkuar Atit Qiellor t’ju ndihmojë të dini se kush nga njerëzit rreth jush ka nevojë ta ndiejë dashurinë e Tij.

  • Së treti, kërkoni sinqerisht se çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë individ ta ndiejë dashurinë e Perëndisë.

  • Dhe së katërti, veproni menjëherë sipas frymëzimit që merrni.

Nëse vazhdimisht lutemi dhe bëjmë thirrje në emër të të tjerëve, Perëndia do të na i tregojë njerëzit që mund t’i ndihmojmë. Nëse veprojmë menjëherë, mund të bëhemi mjeti nëpërmjet të cilit Ai u përgjigjet lutjeve të tyre. Duke e bërë këtë, me kalimin e kohës, do të marrim përgjigje për lutjet tona dhe do ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë në jetën tonë.

Pamje jashtë dritares së një avioni.

Disa muaj më parë ndërsa po udhëtonim për në Vietnam, unë dhe bashkëshortja ime ndodheshim në një avion që u nis gjatë një stuhie të fortë. Turbulencat ishin të mëdha dhe nga dritarja mund të shihnim retë e zeza, shiun e dendur dhe vetëtimat. Pas një ngritjeje të gjatë dhe të paqëndrueshme, avioni më në fund u ngjit mbi retë e stuhishme dhe doli në këtë pamje të lavdishme. Na erdhi ndër mend sërish Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti dhe e ndiem dashurinë e Tyre të madhe për ne.

Miq të dashur, si dikush që e ka përjetuar dashurinë e Perëndisë, dëshmoj gëzueshëm se Shpëtimtari Jezu Krisht është dashuria e Perëndisë. Dashuria e Tij për ne është e përkryer, vetjake dhe e pandërprerë. Ndërsa e ndjekim me besnikëri Atë, qofshim të mbushur me dashurinë e Tij dhe qofshim një far që i udhërrëfen të tjerët drejt dashurisë së Tij! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.