Përgatitja Vetjake për të Takuar Shpëtimtarin
Ndiqini mësimet e Shpëtimtarit. Udhëzimet e Tij nuk janë as të mistershme, as të ndërlikuara. Kur i ndjekim ato, nuk ka pse të kemi frikë ose të na zërë ankthi.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, tetorin e kaluar, Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Tani është koha që ju dhe unë të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezusit, Krishtit”. Kur Presidenti Nelson flet rreth Ardhjes së Dytë, këtë e bën gjithnjë me optimizëm plot gëzim. Megjithatë, një vajzë në Fillore më tha së fundmi se e zë ankthi sa herë që përmendet Ardhja e Dytë. Ajo tha: “Frikësohem sepse do të ndodhin gjëra të këqija përpara se Jezusi të vijë përsëri”.
Fëmijët nuk janë të vetmit që mund të ndihen kështu. Këshilla më e mirë për të, për ju dhe për mua është të ndjekim mësimet e Shpëtimtarit. Udhëzimet e Tij nuk janë as të mistershme, as të ndërlikuara. Kur i ndjekim ato, nuk ka pse të kemi frikë ose të na zërë ankthi.
Nga fundi i shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishtin e pyetën se kur do të vinte përsëri. Në përgjigje, Ai dha mësim tri shëmbëlltyra, të shënuara te Mateu 25, për mënyrën se si të përgatitemi për ta takuar Atë, qoftë në Ardhjen e Tij të Dytë, apo kurdo që të ndahemi nga kjo botë. Këto mësime janë vendimtare sepse përgatitja vetjake për ta takuar Atë është qendrore për qëllimin e jetës.
Shpëtimtari fillimisht tregoi shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave. Në këtë shëmbëlltyrë, dhjetë virgjëresha shkuan në një gosti dasme. Pesë të mençurat e morën me vete vajin për të mbushur llambat e tyre dhe pesë budallaçkat nuk e morën. Kur u njoftua ardhja e afërt e dhëndrit, virgjëreshat budallaçka ikën për të blerë vaj. Kur u kthyen, ishte tepër vonë; dera për në gosti ishte mbyllur.
Jezusi përcaktoi tri aspekte të shëmbëlltyrës për të na ndihmuar. Ai shpjegoi:
“Dhe në atë ditë, kur unë të vij në lavdinë time, do të përmbushet shëmbëlltyra që thashë lidhur me dhjetë virgjëreshat.
Sepse ata që janë të urtë dhe e kanë pranuar të vërtetën, dhe kanë marrë Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin e tyre, dhe nuk janë mashtruar – në të vërtetë unë ju them, ata … do t’i qëndrojnë ditës.”
Me fjalë të tjera, nuk u duhej të kishin frikë ose t’i zinte ankthi sepse ata do të mbijetonin dhe do të përparonin. Ata do të triumfonin.
Nëse jemi të mençur, ne e marrim të vërtetën duke e pranuar ungjillin e Jezu Krishtit nëpërmjet ordinancave të priftërisë dhe besëlidhjeve. Më pas, bëjmë çmos për të qëndruar të denjë për pasjen e Frymës së Shenjtë gjithnjë me ne. Kjo aftësi duhet të fitohet individualisht dhe personalisht, hap pas hapi. Veprat e vazhdueshme, vetjake dhe private të përkushtimit e ftojnë Frymën e Shenjtë të na udhërrëfejë.
Elementi i tretë që Jezusi e theksoi, është shmangia e mashtrimit. Shpëtimtari paralajmëroi:
“Ruhuni se mos ju mashtron ndokush!
Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: ‘Unë jam Krishti’ dhe do të mashtrojnë shumë nj[e]rëz.”
Shpëtimtari e dinte se këta shtirakë do të përpiqeshin t’i mashtronin edhe të zgjedhurit dhe se shumë dishepuj do të binin pre. Ne nuk duhet as t’u besojmë atyre që pretendojnë në mënyrë të rreme se kanë miratimin hyjnor, as të shkojmë kuturu pas shkretëtirave apo dhomave të fshehta metaforike për të marrë mësim nga falsifikuesit.
Libri i Mormonit na mëson se si mund të bëjmë dallimin mes mashtruesve dhe dishepujve. Dishepujt nxitin gjithnjë besimin te Perëndia, shërbimin ndaj Tij dhe bërjen mirë. Ne nuk do të mashtrohemi kur kërkojmë dhe marrim këshillë nga individë të besuar që janë vetë dishepuj besnikë të Shpëtimtarit.
Ne mund ta shmangim mashtrimin gjithashtu duke adhuruar rregullisht në tempull. Kjo na ndihmon të ruajmë një këndvështrim të përjetshëm dhe na mbron nga ndikimet që mund të na shpërqendrojnë ose devijojnë nga shtegu i besëlidhjeve.
Mësimi thelbësor i kësaj shëmbëlltyre të dhjetë virgjëreshave, është se ne jemi të mençur kur e pranojmë ungjillin, kur përpiqemi të kemi Frymën e Shenjtë me vete dhe kur e shmangim mashtrimin. Pesë virgjëreshat e mençura nuk mund t’i ndihmonin dot ato që nuk kishin vaj; askush nuk mund ta pranojë ungjillin, ta marrë Frymën e Shenjtë si udhërrëfyes dhe ta shmangë mashtrimin në vendin tonë. Këtë duhet ta bëjmë vetë për veten tonë.
Shpëtimtari më pas tregoi shëmbëlltyrën e talentave. Në këtë shëmbëlltyrë, një njeri u dha shuma të ndryshme parash, të quajtura talenta, tre shërbëtorëve. Njërit prej shërbëtorëve i dha pesë talenta, një tjetri dy dhe të tretit i dha një. Me kalimin e kohës, dy shërbëtorët e parë e dyfishuan atë që kishin marrë. Kurse shërbëtori i tretë thjesht e groposi talentin e vetëm që kishte. Të dy shërbëtorëve që i kishin dyfishuar talentat e tyre, burri u tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd”.
Pastaj burri e qortoi shërbëtorin që e kishte groposur talentin e tij ngaqë qe treguar “i mbrapshtë dhe përtac”. Këtij shërbëtori iu mor mbrapsht talenti dhe ai u dëbua. Sidoqoftë, sikur shërbëtori ta kishte dyfishuar talentin e tij, ai do të kishte marrë të njëjtin përgëzim dhe shpërblim si shërbëtorët e tjerë.
Një mesazh i kësaj shëmbëlltyre është se Perëndia pret nga ne që t’i shumëfishojmë aftësitë që na janë dhënë, mirëpo Ai nuk do që ne t’i krahasojmë aftësitë tona me ato të të tjerëve. Merrni parasysh këtë këndvështrim që na u dha nga studiuesi hasidik i shekullit të 18-të, Zusia nga Anipoli. Zusia ishte një mësues me emër, të cilin filloi ta zinte frika ndërsa i afrohej vdekjes. Dishepujt e tij e pyetën: “Mësues, pse drithërohesh? Ti ke bërë një jetë të mirë; me siguri, Perëndia do të të japë një shpërblim të madh.”
Zusia tha: “Nëse Perëndia më thotë: ‘Zusia, pse nuk ishe ti një Moisi tjetër?’ Do t’i them: ‘Sepse nuk më dhe madhështinë e shpirtit që ia dhe Moisiut’. Dhe po të qëndroj para Perëndisë dhe Ai të thotë: ‘Zusia, pse nuk ishe ti një Salomon tjetër?’ Do t’i them: ‘Sepse nuk më dhe urtësinë e Salomonit’. Por, ç’të them unë i mjeri po të qëndroj para krijuesit tim dhe ai të thotë: ‘Zusia, pse nuk ishte ti Zusia? Pse nuk ishe ai burrë që të dhashë aftësinë të ishe?’ Ah, ja, prandaj drithërohem.”
Në të vërtetë, Perëndia do të zhgënjehet nëse nuk mbështetemi te meritat, mëshira dhe hiri i Shpëtimtarit për t’i shumëfishuar aftësitë që i kemi marrë prej Perëndisë. Me ndihmën e Tij të përzemërt, Ai pret që ne të bëhemi varianti më i mirë i vetes. Fakti që mund ta nisim jetën me aftësi të ndryshme është e parëndësishme për Të. Ashtu duhet të jetë edhe për ne.
Së fundmi, Shpëtimtari tregoi shëmbëlltyrën e deleve dhe cjepve. Kur Ai të kthehet në lavdinë e Tij, “të gjith[a] kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë. Dhe delet do t’i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën”.
Ata që ishin në të djathtën e Tij, u bënë trashëgimtarë në mbretërinë e Tij dhe ata që ishin në të majtën e Tij, nuk morën trashëgimi. Karakteristika dalluese ishte fakti a e ushqyen Atë kur ishte i uritur, a i dhanë për të pirë kur kishte etje, a e strehuan kur ishte i huaj, a e veshën kur ishte i zhveshur dhe a e vizituan kur ishte i sëmurë apo në burg.
Të gjithë ishin të pështjelluar, si ata në krah të djathtë, edhe ata në krah të majtë. Ata e pyetën se kur i kishin dhënë apo nuk i kishin dhënë ushqim, pije, veshje ose ndihmë kur Ai ishte i pamundur. Në përgjigje, Shpëtimtari tha: “Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”.
Mesazhi i shëmbëlltyrës është i qartë: Kur u shërbejmë të tjerëve, ne i shërbejmë Perëndisë; kur nuk u shërbejmë, ne e zhgënjejmë Atë. Ai pret që ne t’i përdorim dhuratat, talentet dhe aftësitë tona për të bekuar jetët e fëmijëve të Atit Qiellor. Impulsi hyjnor për t’u shërbyer të tjerëve, ilustrohet në një poemë të shkruar në shekullin e 19-të nga poeti finlandez, Johan Ludvig Runeberg. Unë dhe vëllezërit e motrat e mia e kemi dëgjuar vazhdimisht poemën “Bujku Pavo”, gjatë gjithë fëmijërisë sonë. Në poemë, Pavoja ishte një bujk i varfër që jetonte me të shoqen dhe fëmijët e tij në rajonin liqenor të Finlandës qendrore. Disa vjet radhazi, pjesa më e madhe e të korrave i prishej, qoftë nga përmbytja prej shkrirjes së dëborës në pranverë, nga stuhitë e breshrit në verë apo nga ngricat e parakohshme të vjeshtës. Sa herë që vinte koha e të korrave të pakta, gruaja e bujkut qahej: “Pavo, Pavo, more plak i gjorë, na ka braktisur Perëndia”. Pavoja, nga ana tjetër, thoshte në mënyrë stoike: “Përziej lëvore me miell thekre për të bërë bukë që të mos kenë uri fëmijët. Unë do të punoj më fort për të kulluar fushat që i ka zënë uji. Perëndia po na sprovon, por Ai do të na e sigurojë atë që na duhet.”
Sa herë që prisheshin të korrat, Pavoja e udhëzonte të shoqen që ta dyfishonte sasinë e lëvores që përziente me miellin për të shmangur urinë prej zisë së bukës. Ai gjithashtu punonte fort, duke hapur kanale që të kullonte tokën dhe që ta ulte dëmin e mundshëm në fushat e tij nga shkrirja e dëborës në pranverë dhe ngricat e parakohshme të vjeshtës.
Pas shumë vitesh mundimi, Pavoja më në fund mblodhi të korra me bollëk. E shoqja me ngazëllim tha: “Pavo, Pavo, ç’kohë e gëzuar është kjo! Është koha ta hedhim lëvoren dhe ta bëjmë bukën vetëm me thekër.” Mirëpo Pavoja, e kapi me fisnikëri të shoqen nga dora dhe i tha: “Përzieje gjysmën e miellit me lëvore, sepse fushat e fqinjit tonë i ka zënë ngrica”. Pavoja sakrifikoi bollëkun e vet dhe të familjes së tij për të ndihmuar fqinjin e tij të mbetur shkretë e të vobektë.
Mësimi i shëmbëlltyrës së Shpëtimtarit të deleve dhe cjepve është që ne duhet t’i përdorim dhuratat që na janë dhënë, kohën, talentet dhe bekimet, për t’u shërbyer fëmijëve të Atit Qiellor, veçanërisht atyre më të cenueshëm dhe më nevojtarë.
Ftesa ime ndaj fëmijës së Fillores në ankth që e përmenda më herët, dhe secilit prej jush, është që të ndiqni Jezu Krishtin dhe t’i mirëbesoni Frymës së Shenjtë siç do t’i besonit një miku të dashur. Mbështetuni tek ata që ju duan dhe që e duan Shpëtimtarin. Kërkojeni udhërrëfimin e Perëndisë për të zhvilluar aftësitë tuaja të pashoqe dhe për të ndihmuar të tjerët, edhe kur nuk është e lehtë. Ju do të jeni gati për ta takuar Shpëtimtarin dhe mund t’i bashkoheni Presidentit Nelson duke qenë optimistë plot gëzim. Kur e bëni këtë, ju ndihmoni ta përgatitni botën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe do të bekoheni me shpresë të mjaftueshme për të hyrë në prehjen dhe gëzimin e Zotit, tani dhe në të ardhmen.
Sikurse këndojmë në njërin nga himnet tona të reja:
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.