2025
Pendimi Juaj Nuk e Rëndon Jezu Krishtin; Ai e Ndrit Gëzimin e Tij
Maj 2025


11:44

Pendimi Juaj Nuk e Rëndon Jezu Krishtin; Ai e Ndrit Gëzimin e Tij

Ftesa që të pendohemi, është një shprehje e dashurisë së Perëndisë. T’i përgjigjemi me “Po” kësaj ftese, është një shprehje e dashurisë sonë.

Disa vjet më parë, në një udhëtim në Florida, u ula përjashta duke lexuar një libër. Titulli i tij sugjeronte që ne ende mundemi të shkojmë në parajsë, ndonëse nuk jemi të përsosur tani. Një grua që po ecte atypari, pyeti: “A mendoni se është e mundur?”

Ngrita sytë e hutuar dhe pastaj e kuptova që e kishte fjalën për librin që po lexoja. Thashë diçka qesharake si kjo: “Epo, nuk kam arritur deri aty, por do t’jua bëj të ditur se si mbaron”.

Oh, sa do të doja të mund të udhëtoja pas në kohë! Do t’i thosha: “Po, është e mundur! Pasi parajsa nuk është për njerëzit që kanë qenë të përsosur; është për njerëzit që kanë marrë falje, që e zgjedhin Krishtin vazhdimisht pa pushim.”

Sot dua t’u flas atyre prej nesh që ndonjëherë ndiejnë [sa vijon]: “Pendimi dhe falja duket se po funksionojnë për të gjithë, përveç meje”. Atyre që në vetvete vrasin mendjen: “Meqë vazhdoj të bëj po të njëjtat gabime, ndoshta kështu jam gatuar”. Ata që, sikurse unë, kanë ditë në të cilat shtegu i besëlidhjeve u duket aq i thiktë, saqë gati‑gati kthehet në një ngjitje mali besëlidhjesh.

Një misionar i shkëlqyer në Australi, Plaku Ganga nga Fixhi, tregoi rreth një ndjenje të ngjashme në dëshminë e tij para largimit: “E di se Perëndia më do, por ndonjëherë pyes veten: ‘A e di Perëndia se e dua Atë?’ Ngaqë nuk jam i përsosur dhe ende bëj gabime.”

Me këtë pyetje të ndier, që s’të shqitet nga mendja, Plaku Ganga e përmblodhi saktësisht atë që shpesh më ka shqetësuar edhe mua. Ndofta edhe ju po e pyesni veten, duke menduar: “Po përpiqem me mish e me shpirt, por a e di Perëndia që vërtet po përpiqem? Kur nuk jam aty ku duhet, a e di Perëndia se ende e dua Atë?”

Më trishton ta pranoj këtë, por e kisha zakon ta matja marrëdhënien time me Shpëtimtarin në raport me se sa përsosurisht po jetoja. Mendoja se një jetë me bindje nënkuptonte që nuk do të më nevojitej kurrë të pendohesha. Dhe kur bëja gabime, gjë që ndodhte çdo ditë, pa përjashtim, e distancoja veten nga Perëndia duke menduar: “Sa i zhgënjyer duhet të jetë Ai me mua!”

Kjo nuk është aspak e vërtetë.

Kam mësuar se, nëse prisni derisa të jeni mjaftueshëm të pastër apo sa duhet të përsosur për të shkuar te Shpëtimtari, atëherë nuk e keni kuptuar aspak thelbin!

Po sikur t’i shihnim urdhërimet dhe bindjen në një prizëm tjetër?

Dëshmoj se, ndërkohë që Perëndia interesohet për gabimet tona, Ai interesohet më shumë për atë që ndodh pasi bëjmë një gabim. A do të drejtohemi tek Ai vazhdimisht pa pushim? A do të qëndrojmë brenda kësaj marrëdhënieje besëlidhëse?

Ndofta i dëgjoni fjalët e Zotit: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” dhe ligështoheni pasi nuk i keni zbatuar të gjitha urdhërimet. Më lini t’ju kujtoj se të pendohesh është gjithashtu një urdhërim! Në fakt, mund të jetë urdhërimi më i përsëritur në shkrimet e shenjta.

Në monologun e tij: “O sikur të isha një engjëll dhe të mund të plotësoja dëshirën e zemrës sime … dhe të thërrisja pendim”, Alma nuk po përpiqej të na bënte me turp duke na i vënë në dukje gabimet. Ai donte të bënte thirrje për pendim në mënyrë që unë dhe ju të mund ta shmangnim vuajtjen tonë në botë. Një arsye përse Alma e urrente mëkatin, është ngaqë na shkakton dhembje.

Ndonjëherë më duhet ta risjell në mendje, si një postulat të ngjitur në ballë, që urdhërimet janë shtegu i largimit prej dhembjes. Siç është edhe pendimi. Profeti ynë tha: “Shpëtimtari na do gjithmonë, por veçanërisht teksa pendohemi”.

Pra, kur Zoti thotë: “Pendohuni, pendohuni”, po sikur ta përfytyronit duke thënë: “Ju dua. Ju dua.” Përfytyrojeni Atë duke ju përgjëruar ta lini pas sjelljen që ju shkakton dhembje, duke ju ftuar të dilni prej territ dhe të drejtoheni për te drita e Tij.

Në lagjen e sime bije, Karlit, një prift i ri u gjunjëzua për të bekuar sakramentin dhe në vend që të thoshte: “Që ata të mund ta bëjnë atë në kujtim të gjakut të Birit tënd”, ai pa dashje tha: “Që ata të mund ta bëjnë atë në kujtim të dashurisë së Birit Tënd”. Sytë e Karlit u mbushën me lot teksa e vërteta e atyre fjalëve i hyri thellë në zemër.

Shpëtimtari ynë qe i gatshëm të vuante dhembjen nga Shlyerja e Tij për shkak se Ai ju do. Në fakt, ju jeni “gëzimi… që ishte përpara tij” kur po vuante.

Ftesa që të pendohemi, është një shprehje e dashurisë së Perëndisë.

T’i përgjigjemi me “Po” kësaj ftese, është një shprehje e dashurisë sonë.

Përfytyrojeni figurën tuaj të parapëlqyer të Krishtit. Tani, përfytyrojeni Atë duke buzëqeshur i ndritur nga gëzimi sa herë që e përdorni dhuratën e Tij, pasi Ai është “ndriçim[i i] përkryer [i] shpresës”.

Po, pendimi juaj nuk e rëndon Jezu Krishtin; ai e ndrit gëzimin e Tij.

Le ta japim mësim këtë!

Pasi pendimi është lajmi ynë më i mirë!

Ne nuk qëndrojmë brenda shtegut të besëlidhjeve pa bërë kurrë asnjë gabim. Ne qëndrojmë brenda shtegut duke u penduar çdo ditë.

Dhe, kur pendohemi, Perëndia na fal pa na bërë me turp, pa na krahasuar me ndonjë njeri tjetër apo qortuar, ngaqë kjo është po e njëjta gjë për të cilën po pendoheshim edhe javën e kaluar.

Ai emocionohet sa herë na shikon në gjunjë. Ai e ka për kënaqësi të na falë, pasi ne jemi burim ëndjeje për Të.

A nuk e ndieni që kjo është e vërtetë?!

Atëherë, përse e kemi kaq të vështirë ta besojmë?!

Satani, paditësi dhe mashtruesi i madh, e përdor ndjenjën e turpit për të na mbajtur larg Perëndisë. Turpi është një terr aq i rëndë sa duket sikur, po ta hiqnit nga trupi, do të kishte një peshë a rëndesë në vetvete.

Turpi është zëri që të godet duke të thënë: “Po, ç’të tha mendja vallë?” “A bën ndonjëherë ndonjë gjë të saktë?”

Turpi nuk na dëfton që bëmë një gabim; ai na dëfton që jemi [të përkufizuar nga] gabimet tona. Mund ta dëgjoni edhe të thotë: “Fshihuni!” Kundërshtari bën gjithçka nën fuqinë e tij që pesha e rëndë e turpit të mbahet përbrenda, duke na thënë se çmimi i pendesës është tepër i lartë, se do të jetë më e lehtë që mëkati të mbetet në errësirë, duke na i prerë të gjitha shpresat.

Satani është vjedhësi i shpresës.

Dhe, ju keni nevojë ta dëgjoni këtë, kështu që do t’i them me zë të lartë këto fjalë: Ju nuk jeni ai zëri në kokën tuaj apo ato gabimet që keni bërë. Edhe ju mund të keni nevojë ta thoni këtë me zë të lartë. I thoni Satanit: “Jo sot”. Lëreni atë pas krahëve.

Ndiejeni atë tërheqje, trishtimin sipas mënyrës së Perëndisë që ju kthen për nga Shpëtimtari juaj, dhe shikojeni hirin e Tij të hyjë në jetën tuaj dhe në jetën e njerëzve që i doni. Premtoj se, në çastin që e sjellim guximshëm para Tij zemrën e thyer, Ai menjëherë na gjendet pranë.

Nëse do ta shihnit dikë duke u mbytur, a nuk do t’ia zgjatnit dorën e ta shpëtonit? A mund ta përfytyroni Shpëtimtarin tuaj duke jua refuzuar dorën që ia keni zgjatur për ndihmë? Unë e përfytyroj Atë duke u zhytur në ujë, duke zbritur nën gjithçka për të na ngritur lart që të mund të marrim frymë lirisht! Askush nuk mund të zhytet më poshtë sesa drita e Krishtit që shkëlqen.

Shpëtimtari është përherë e përgjithmonë më i ndritshëm se terri i turpit. Ai kurrë nuk do ta sulmonte vlerën tuaj. Kështu që më ndiqni me kujdes!

  • Përfytyroni sikur kjo dorë përfaqëson vlerën.

  • [Ndërsa], kjo dorë përfaqëson bindjen. Ndoshta këtë mëngjes u zgjuat, bëtë një lutje kuptimplotë dhe shqyrtuat shkrimet e shenjta për t’ia vënë veshin zërit të Perëndisë. Keni marrë vendime të mira dhe po i trajtoni njerëzit rreth e qark jush në ngjashmëri me mënyrën e Krishtit. Po dëgjoni konferencën e përgjithshme! Ja ku e keni bindjen!

  • Ose, ndoshta gjërat nuk kanë shkuar aq mirë. Kohët e fundit, keni pasur vështirësi t’i bëni ato gjëra të vogla e të thjeshta për t’u lidhur me qiellin. Keni marrë disa vendime për të cilat nuk jeni krenarë.

  • Ku është vlera juaj? A ka lëvizur ndopak vendit kjo dorë?

Vlera juaj nuk lidhet me bindjen. Vlera juaj është konstante; ajo nuk ndryshon kurrë. Ajo ju është dhënë nga Perëndia dhe nuk ekziston asgjë që ju apo ndokush tjetër mund të bëni për ta ndryshuar atë. Bindja sjell bekime; kjo po që është e vërtetë. Kurse vlera nuk vjen si rrjedhojë e bindjes. Vlera juaj është përherë “e madhe në sytë e Perëndisë”, pavarësisht se ku ju kanë çuar si përfundim vendimet tuaja.

Teksa bëj gabime, unë dua që të qëndroj brenda marrëdhënies besëlidhëse me Krishtin, dhe do t’jua them arsyen përse.

U rrita duke marrë mësime zhytjeje dhe mësova se kur gjyqtarët caktojnë pikët për një zhytje, ata vëzhgojnë ekzekutimin. A ishte hyrja në ujë përsosurisht vertikale, me gishtat e këmbëve drejt dhe me një spërkatje të paktë të ujit? Pastaj, ata bëjnë diçka të jashtëzakonshme. Ata marrin parasysh si faktor shkallën e vështirësisë.

Çdokush kur zhytet, ka shkallën e vet të vështirësisë. Shpëtimtari juaj është i vetmi që e di vërtet vështirësinë me të cilën po zhyteni. Unë dua të kem një marrëdhënie me të vetmin person që më kupton, që ma njeh zemrën dhe që e di se sa shumë po përpiqem!

Ai e di se mjegullat e errësirës po na bien përsipër të gjithëve si udhëtarë, që udhëtimi ynë kalon karshi lumit të fëlliqësisë – ndaj edhe kur mbahemi te shufra e hekurit, ne medoemos do të spërkatemi.

Të vish te Krishti është si të thuash: “A do të më ndihmosh?”, duke pasur shpresë, një zbulesë sigurie që krahët e Tij janë përherë të zgjatur drejt jush për t’ju ndihmuar. Besoj se ky këndvështrim i ri për pendimin do të thotë se ndonëse bindja jonë nuk është ende e përsosur, ne përpiqemi me zemër për bindjen tani, duke zgjedhur vazhdimisht pa pushim të qëndrojmë, ngaqë e duam Atë.

A ju kujtohet populli i mbretit Beniamin, që nuk kishte më prirje të bënte keq, por veç të bënte mirë vazhdimisht? A mendoni se i mblodhën tendat, shkuan në shtëpi dhe nuk bënë kurrë asnjë gabim tjetër? Sigurisht që jo! Ndryshimi është që ata nuk dëshironin më të mëkatonin. Ata e kishin bindjen në zemër! Zemrat e tyre ishin drejtuar te Perëndia dhe harmonizuar me Të ndërkohë që hasnin vështirësi!

Një herë, në plazh, pashë një zog të fluturonte në erë, duke i rrahur krahët aq fort, thuajse me harbim, por duke mbetur në të njëjtin vend. Pastaj vura re një zog tjetër, më sipër. Ai qe kapur pas një rryme ajri për lart dhe po pluskonte me lehtësi e pa andrallë në erë. Ky është dallimi mes përpjekjes për t’ia dalë mbanë vetëm dhe të drejtuarit te Shpëtimtari ynë, duke e lënë Atë të na ngrejë lart me “shërimin në krahët e tij”.

Si udhëheqës misioni në Australi, gjatë vizitës sonë të fundit me secilin misionar, folëm rreth vargjeve tek 3 Nefi 17, ku njerëzit qenë pranë Shpëtimtarit dhe mund ta dëgjonin të lutej për ta. Ne iu bëmë pyetjen: “Nëse do ta dëgjonit Shpëtimtarin të lutej për ju, çfarë mendoni se do të thoshte?”

Të dëgjoja përgjigjet e tyre, qe një nga përvojat më të mbushura me Shpirtin të jetës sime. Çdonjëri prej atyre misionarëve heshtte dhe lotët ua mbushnin sytë kur ne u kujtonim: “Shpëtimtari juaj e di shkallën e vështirësisë që po përjetoni. Ai e ka ndier atë!”

Kjo është ajo që thanë ata misionarë qetësisht e butësisht. Një motër tha: “Jezusi do t’i thoshte Atit: ‘Ajo po bën më të mirën e saj. E di se sa me mish e me shpirt po përpiqet.’” Një misionar tha: “Duke pasur parasysh gjithçka që i ka ndodhur në jetë, jam krenar pa masë për të”.

Le ta provojmë këtë! Sonte, para se të luteni, përfytyrojeni Jezu Krishtin pranë. Ai është Avokati juaj tek Ati. Pyeteni veten: “Çfarë do t’i thoshte Shpëtimtari im Atit për mua?”

Dhe pastaj qëndroni në heshtje.

Mbani vesh për atë zë që thotë gjëra të mira për ju, zërin e Shpëtimtarit, mikut tuaj më të mirë dhe të Atit tuaj në Qiell, që është vërtet atje. Mos harroni, dashuria e Tyre dhe vlera juaj janë përherë të mëdha, pavarësisht nga çdo gjë!

Qëndroj këtu për të dëshmuar se Jezu Krishti u jep dritë atyre që rrinë në terr. Kështu që, në ato ditë kur e ndieni atë zë t’ju thotë që të fshiheni, se duhet të fshiheni në një dhomë të errët krejt të vetëm, ju ftoj të jeni të guximshëm dhe t’i besoni Krishtit! Lëvizni drejt Dritës dhe ndizeni Atë, Ndriçimin tonë të Përkryer të Shpresës.

Të mbështjellë nga drita e Tij, do të shihni njerëz kudo rreth jush që janë ndier gjithashtu të vetmuar, por tani, me dritën të ndezur, ju dhe ata do të pyesni veten: “Përse ishim aq të frikësuar në terr? Dhe, përse qëndruam aq gjatë atje?”

“Zoti i Gjithë Dritave ju mbështjelltë në krahët e Tij dhe ju ngushëlloftë e dashtë vazhdimisht!” Paçim pareshtur dashuri për dhe e zgjedhshim vazhdimisht pa pushim Atë! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.