2025
Koha e Ripërtëritjes së të Gjitha Gjërave
Maj 2025


15:21

Koha e Ripërtëritjes së të Gjitha Gjërave

(Veprat e Apostujve 3:21)

“Lajmi i mirë” më i rëndësishëm e më i lavdishëm është mesazhi që Zoti Jezu Krisht e ka rivendosur ungjillin dhe Kishën e Tij në ditët e mëvonshme.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u organizua si sot 195 vjet më parë, më 6 prill 1830.

Një bashkësi e vogël besimtarësh dhe miqsh u mblodhën për këtë rast historik e të gëzueshëm. Një vërshim i madh i Shpirtit i bekoi të gjithë të pranishmit teksa u administrua ordinanca e sakramentit, u dha dhurata e Frymës së Shenjtë, u kryen shugurime në priftëri dhe u predikuan të vërtetat e ungjillit të Jezu Krishtit.

Gjatë rithemelimit të Kishës së Tij, Zoti, me anë të zbulesës, e caktoi Jozef Smithin 24‑vjeçar si udhëheqësin e saj në tokë, “një shikues, përkthyes, profet, apostull [të] Jezu Krishtit, plak [të] kishës nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, Atit dhe hirit të Zotit tuaj Jezu Krisht”.

Lutem me zell për ndihmën e Frymës së Shenjtë teksa marrim në konsideratë rëndësinë dhe ndikimin e vazhdueshëm të kësaj ngjarjeje të pashembullt në historinë e botës.

Vegimi i Parë

Organizimi formal i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ishte kulmi i një radhe përvojash mrekullibërëse. E para nga këto përvoja, ndodhi 10 vjet para tij, në pjesën veriore të shtetit të Nju‑Jorkut.

Në pranverën e vitit 1820, një djalosh i ri, me emrin Jozef Smith, shkoi në pyllin pranë shtëpisë për t’u lutur. Ai kishte pyetje lidhur me shpëtimin e shpirtit të tij dhe dëshironte të dinte “cil[a] nga të gjitha [kishat] ishte [e] drejt[a], që [ai] të mund të di[nte] me cil[ën] të bashko[hej]”. Jozefi kishte mirëbesim se Perëndia do t’i përgjigjej lutjes së tij dhe do ta drejtonte.

Ju lutem, vini re se Jozefi nuk u lut vetëm thjesht për ta ditur se çfarë ishte e drejtë. Përkundrazi, ai u lut për të ditur se çfarë ishte e drejtë në mënyrë që të mund të bënte atë që ishte e drejtë. Jozefi kërkoi me besim dhe qe i vendosur të vepronte në përputhje me përgjigjet që do merrte.

“Në përgjigje ndaj lutjes së tij [të sinqertë], Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën Jozefit dhe përuruan ‘ripërtëritje[n e] të gjithë gjërave’ (Veprat e Apostujve 3:21) siç u paratha në Bibël. Në këtë vegim, ai mësoi se, pas vdekjes së Apostujve të parë, Kisha e Krishtit e kohës së Dhiatës së Re, humbi nga toka.” Jozef Smithi do të ishte mjeti për rivendosjen sërish të doktrinës, autoritetit, besëlidhjeve dhe ordinancave të Kishës së lashtë të Shpëtimtarit.

Vegimi i Parë.

Jozefi pohoi: “Unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!

Nëpërmjet këtij vegimi dhe përvojave hyjnore që pasuan, Jozef Smithi arriti të kuptonte se Perëndia dhe Jezu Krishti e njihnin atë si individ, interesoheshin për shpëtimin e tij të përjetshëm dhe kishin një mision për të që ta kryente. Ai mori gjithashtu mësime jetike rreth tipareve, karakterit dhe përsosurive të Kreut-Perëndi, dhe se Ati dhe Biri janë qenie të veçuara dhe të dallueshme. Jezu Krishti është mirëfilli Biri i Perëndisë, në frymë dhe në mish.

Jozef Smithi deklaroi se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë qenie me trup fizik. Ai tha: “Ati ka një trup prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu; Biri gjithashtu; por Fryma e Shenjtë nuk ka një trup prej mishi e kockash, por është një personazh i Shpirtit”.

Unë dëshmoj se vizita që Ati dhe Biri i bënë Jozef Smithit, ishte ngjarja që e nisi “rivendosjen [e madhërishme] [të t]ë gjithë gjërave të thëna nga goja e tërë profetëve të shenjtë, që kur bota filloi”.

Libri i Mormonit

E dyta në radhën e përvojave mrekullibërëse që çuan në organizimin formal të Kishës së rivendosur të Shpëtimtarit, qe përkthimi dhe dalja në dritë e Librit të Mormonit.

Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit.

Ne dëshmojmë më tej se Jozef Smithit iu dha dhurata dhe fuqia e Perëndisë për të përkthyer një anal të lashtë: Librin e Mormonit – Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit. … [Ky] tekst [i] shenjtë përfshin një rrëfim të shërbesës vetjake të Jezu Krishtit mes njerëzve në Hemisferën Perëndimore pak kohë pas Ringjalljes së Tij. [Libri i Mormonit] jep mësim për qëllimin e jetës dhe shpjegon doktrinën e Krishtit, që është qendrore për atë qëllim. Si shkrim i shenjtë shoqërues për Biblën, Libri i Mormonit dëshmon që të gjitha qeniet njerëzore janë bij e bija të një Ati të dashur në Qiell, që Ai ka një plan hyjnor për jetën tonë dhe që Biri i Tij, Jezu Krishti, flet sot ashtu si në kohët e vjetra.”

Si anëtarë të Kishës së rivendosur të Shpëtimtarit: “Ne e besojmë Biblën të jetë fjala e Perëndisë, për aq sa ajo përkthehet me saktësi; ne gjithashtu e besojmë Librin e Mormonit të jetë fjala e Perëndisë”. Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit, pohon vërtetësinë e Biblës dhe rivendos të vërteta të qarta e të çmueshme që humbën nga Bibla.

Rivendoset Priftëria

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme na mëson se Kisha fillestare e themeluar nga Shpëtimtari, me autoritetin, doktrinën dhe besëlidhjet e ordinancat e saj hyjnore, humbi nga toka. Si pjesë e rivendosjes së profetizuar të të gjitha gjërave në ditët e mëvonshme, profetët dhe apostujt e lashtë ia dhanë personalisht autoritetin e priftërisë Jozef Smithit dhe i lanë në dorëzim çelësat e priftërisë. Kjo ishte e treta në radhën e përvojave mrekullibërëse që çuan në organizimin formal të Kishës së rivendosur të Shpëtimtarit.

Autoriteti i priftërisë u jep leje shërbëtorëve të Perëndisë për ta “përfaqësuar [Atë] dhe për të vepruar në emrin e Tij”. “Çelësat e priftërisë janë autoriteti për të drejtuar përdorimin e priftërisë në emër të fëmijëve të Perëndisë.”

Rivendosja e priftërisë.

Nën drejtimin e Atit dhe të Birit, Gjon Pagëzori, i ringjallur, rivendosi në vitin 1829 autoritetin për të pagëzuar me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve. Në po atë vit, tre nga dymbëdhjetë Apostujt fillestarë – Pjetri, Jakobi dhe Gjoni – rivendosën detyrën e Apostullit dhe autoritetin dhe çelësat shtesë të priftërisë.

Gjashtë vjet pas organizimit formal të Kishës, në Tempullin e Kirtlandit, Moisiu, Eliasi dhe Elija i dhanë Jozefit autoritetin e mëtejshëm të nevojshëm për të përmbushur punën e Perëndisë në ditët e mëvonshme.

Moisiu dorëzoi çelësat e mbledhjes së Izraelit.

Eliasi dorëzoi periudhën ungjillore të Abrahamit, përfshirë rivendosjen e besëlidhjes së Abrahamit.

Elija dorëzoi çelësat e fuqisë vulosëse, duke dhënë autoritetin që i lejon ordinancat të cilat kryhen në tokë, që të jenë lidhëse në përjetësi, të tilla si bashkimi i familjeve tok, në lidhje të përjetshme familjare, që e kapërcejnë vdekjen.

Organizohet Kisha e Jezu Krishtit

Ndërsa e përkthente Librin e Mormonit, Jozef Smithi mori zbulesa që tregonin se Kisha e Jezu Krishtit do të rithemelohej. Por Zoti e udhëzoi Jozefin të mos e organizonte Kishën e Tij menjëherë. Përkundrazi, “me anë të shpirtit të profecisë dhe të zbulesës”, Zoti ia zbuloi Jozefit “ditën e saktë në të cilën … [ai] duhej të vazhdon[te] [të] organiz[onte] Kishën e Tij edhe një herë … mbi tokë”.

Kisha u organizua sipas rendit të duhur vetëm pas rivendosjes së priftërisë dhe botimit të Librit të Mormonit. Kopjet e para të Librit të Mormonit u mundësuan më 26 mars 1830 dhe Kisha u organizua në mënyrë formale më 6 prill.

Shpëtimtari Jezu Krisht.

“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme … është Kisha e Krishtit e kohës së Dhiatës së Re e rivendosur. Kjo Kishë është e ankoruar në jetën e përkryer të gurit të saj kryesor të qoshes, Jezu Krishtit, dhe në Shlyerjen e [Tij të] pafundme dhe Ringjalljen e mirëfilltë të Tij. Jezu Krishti edhe një herë ka thirrur Apostuj dhe u ka dhënë atyre autoritetin e priftërisë. Ai na fton që të gjithëve ne që të vijmë tek Ai dhe Kisha e Tij, të marrim Frymën e Shenjtë, ordinancat e shpëtimit dhe të fitojmë gëzim të qëndrueshëm.”

Periudha Ungjillore e Plotësisë së Kohëve

Shfaqja e Atit dhe e Birit para Jozef Smithit, përkthimi dhe dalja në dritë e Librit të Mormonit dhe rivendosja e autoritetit dhe çelësave të priftërisë qenë parakushte të domosdoshme për organizimin e Kishës së rivendosur të Zotit si sot 195 vjet më parë.

Në Dhiatën e Vjetër, profeti Daniel interpretoi një ëndërr për një gur që do të shkëputej nga mali, jo nga dora e njeriut, dhe do të mbushte tërë tokën. Një vit pas organizimit të Kishës, Zoti e udhëzoi Jozef Smithin se çelësat e mbretërisë së Perëndisë i qenë “[dhënë] njeriut në tokë” sërish dhe se “ungjilli” i Jezu Krishtit “do të përhape[j] … deri në fundet e dheut, ashtu si guri që shkëputet pa duar nga mali”.

Unë dëshmoj se Zoti po e përmbush premtimin e Tij. Kisha e rivendosur e Shpëtimtarit po themelohet në mbarë botën dhe ajo është mjeti me anë të të cilit Perëndia do t’i “s[jellë] në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe”.

Puna e Zotit në ditët e mëvonshme “është një kauzë që i ka interesuar popullit të Perëndisë në çdo kohë; është një temë mbi të cilën profetët, priftërinjtë dhe mbretërit janë ndalur me ëndje të veçantë; ata e kanë shpresuar me pritje të gëzuar ditën në të cilën jetojmë ne; dhe të frymëzuar me parashikime qiellore e të gëzueshme ata kanë kënduar dhe shkruar, dhe profetizuar për këtë ditën tonë”.

Në këtë periudhë ungjillore që është më e madhërishmja dhe e fundit nga të gjitha, “një bashkim i plotë dhe i tërë, dhe i përsosur, dhe lidhja së bashku e periudhave të kujdestarisë dhe e çelësave, dhe e fuqive, dhe e lavdive [do] të ndodhë dhe [do] të zbulohet nga ditët e Adamit madje deri në kohën e tanishme. Dhe jo vetëm kjo, por ato gjëra që kurrë nuk janë zbuluar që nga krijimi i botës … do t[ë] zbulohen … në këtë, periudhën e plotësisë së kohëve.”

Profeti Jozef shpjegoi më tej: “Gjithë ordinancat dhe detyrat që janë kërkuar gjithmonë nga Priftëria, nën drejtimet dhe urdhërimet e të Plotfuqishmit në cilëndo prej periudhave, të gjitha do të ekzistojnë në periudhën e fundit ungjillore … duke bërë të ndodhë rivendosja e thënë nga goja e tërë Profetëve të Shenjtë”.

Premtime dhe Dëshmi

Jam orvatur të përmbledh elemente bazë të “lajmi[t të] mirë” më të rëndësishëm dhe më të lavdishëm që mund të marrë çdo njeri, kudo në botë: mesazhin se Zoti Jezu Krisht e ka rivendosur ungjillin dhe Kishën e Tij në ditët e mëvonshme.

I ftoj të gjithë të mësojnë për këtë mesazh e ta vënë në provë atë. Premtoj se individët “që me lutje e studiojnë mesazhin e Rivendosjes dhe veprojnë me besim, do të bekohen [nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë] që të fitojnë vetë dëshminë e tyre për hyjnueshmërinë e saj dhe qëllimin e saj për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të premtuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit”. Teksa luteni me zell, me pritshmërinë që njëkohësisht të merrni një përgjigje nga Perëndia dhe të veproni sipas saj, sikurse bëri i riu Jozef Smith, aftësia juaj për ta dalluar dhe për të reaguar ndaj asaj dëshmie hyjnore, do të rritet.

Dëshmoj se Perëndia, Ati i Amshuar, është Ati ynë. Dëshmoj dhe jap dëshmi se Jezu Krishti është Biri i Dashur i Atit dhe i Vetëmlinduri i Tij në mish. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë.

Dhe dëshmoj gëzueshëm se Ati dhe Biri iu shfaqën djaloshit Jozef Smith, duke nisur kështu Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme. Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit dhe përmban fjalën e Perëndisë. Autoriteti i priftërisë për ta përfaqësuar Shpëtimtarin dhe për të vepruar në emrin e Tij gjendet përsëri në tokë. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është Kisha e rivendosur e Krishtit e kohës së Dhiatës së Re. Unë jap dëshminë time të sigurt që të gjitha këto gjëra janë të vërteta, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.