2025
Sistemi Ynë Qiellor i Udhërrëfimit
Maj 2025


10:48

Sistemi Ynë Qiellor i Udhërrëfimit

Kur e përqendrojmë jetën tonë te Jezu Krishti, ne do ta gjejmë udhën drejt shtëpisë, duke duruar deri në fund dhe duke u gëzuar deri në fund.

Jezu Krishti ma ndryshoi jetën kur u pagëzova në moshën 26-vjeçare në Frutijarin tim të dashur, në Kili. Në atë kohë, puna më çonte nëpër oqeanin, lumenjtë dhe liqenet e Patagonisë së bukur kiliane. Pas pagëzimit tim, e shihja punën dhe jetën time në një mënyrë të re dhe të ndryshme, duke e dalluar që vërtet “të gjitha gjërat tregojnë se ka një Perëndi”.

Në natyrë, salmonët lindin në burimin e lumenjve. Në njëfarë pike të jetës, atyre u nevojitet të notojnë duke zbritur në rrjedhën e lumit që të arrijnë oqeanin, ku gjejnë ushqimin dhe kushtet e nevojshme për zhvillimin e tyre.

Por oqeani është edhe një vend i rrezikshëm, ku grabitqarët rrinë në pritë dhe ku peshkatarët përpiqen t’i kapin salmonët me grepa me ngjyra të ndezura që imitojnë ushqimin, por që nuk i ushqejnë ata. Nëse salmonët u mbijetojnë këtyre kërcënimeve, ata do të jenë gati për të përdorur sistemin e tyre të fuqishëm të udhërrëfimit për t’u ngjitur përpjetë lumit drejt vendit ku u lindën, duke u përballur me sfida të reja dhe disa të njohura. Shkencëtarët e kanë studiuar sjelljen e tyre shtegtuese për vite të tëra dhe kanë zbuluar se ata përdorin një lloj harte magnetike, e ngjashme me GPS-në [Sistemin Global të Pozicionimit], për t’i udhërrëfyer drejt vendmbërritjes së tyre përfundimtare me përpikëri të pabesueshme.

Ne të gjithë mund të kthehemi një ditë drejt shtëpisë qiellore nga ku erdhëm. Ashtu si salmonët, edhe ne kemi hartën tonë magnetike, ose Dritën e Krishtit, që të na udhërrëfejë për atje. Jezusi u mësoi dishepujve të Tij: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje”.

Kur e përqendrojmë jetën tonë te Jezu Krishti, ne do ta gjejmë udhën drejt shtëpisë, duke duruar deri në fund dhe duke u gëzuar deri në fund. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se “gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë”.

Natyra dhe Destinacioni Ynë Hyjnor

Nga proklamata për familjen lexojmë që “secili [prej nesh] është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, ka një natyrë dhe destinacion hyjnor. … Në mbretërinë paratokësore, bijtë dhe bijat shpirtërore e njihnin dhe e adhuronin Perëndinë si Atin e tyre të Amshuar dhe e pranuan planin e Tij, me anë të të cilit fëmijët e Tij mund të merrnin një trup fizik dhe të fitonin përvojë tokësore për të përparuar drejt përsosjes dhe përfundimisht të arrinin destinacionin e tyre hyjnor si trashëgimtarë të jetës së përjetshme.”

Përpara lindjes së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti iu shfaq Moisiut dhe i foli në emër të Atit. Zoti i tha Moisiut se Ai kishte një vepër të madhe që duhej bërë prej tij. Gjatë atij takimi Zoti e thirri atë “biri im” disa herë.

Pas asaj përvoje, Satani erdhi ta tundonte, duke thënë: “Moisi, biri i njeriut, adhuromë mua”.

Moisiu iu përgjigj tundimit duke sjellë ndërmend natyrën e tij hyjnore, duke thënë: “Kush je ti? Sepse, vër re, unë jam një bir i Perëndisë.” E vërteta e çliroi Moisiun nga një sulm i kundërshtarit.

Vëllezër dhe motra, grepat e vdekshmërisë janë të vërtetë. Ata janë shpesh joshës, por synojnë vetëm një objektiv: të na tërheqin jashtë kursit të ujërave të gjallë që çojnë drejt Atit dhe jetës së përjetshme.

Unë e di se sa realë mund të jenë grepat e vdekshmërisë. Një të diel, kur isha një i sapokthyer në besim, po jepja mësim në një orë të priftërisë, kur nisi një bashkëbisedim i sikletshëm. E pata të vështirë që ta mbaroja mësimin. U ndjeva i fyer dhe se isha unë viktima. Pa thënë asnjë fjalë, u drejtova nga dalja, me idenë se nuk do të kthehesha në kishë për ca kohë.

Pikërisht në atë çast, më doli përpara një mbajtës i priftërisë i merakosur. Ai më ftoi plot dashuri që të përqendrohesha te Krishti dhe jo te gjendja që kisha përjetuar në klasë. Kur e kthej kujtesën te përvoja me të, ai më tregoi se kishte dëgjuar një zë t’i thoshte: “Shko tek ai; ai është i rëndësishëm për mua”.

Plaku Vargas dhe udhëheqësi që e ndoqi pas.

Miqtë e mi të dashur, ne jemi të gjithë të rëndësishëm për Të. Presidenti Nelson dha mësim: “Për shkak të besëlidhjes sonë me Perëndinë, Ai nuk do të lodhet kurrë në përpjekjet e Tij për të na ndihmuar dhe ne kurrë nuk do ta shterim durimin e Tij të mëshirshëm për ne”. Natyra jonë hyjnore dhe marrëdhënia jonë besëlidhëse me Perëndinë, na japin të drejtën për të marrë ndihmë hyjnore.

Nevoja për të Ushqyerit

Ashtu si salmonët kanë nevojë të ushqehen në oqean që të rriten, edhe ne kemi nevojë ta ushqejmë veten tonë shpirtërisht për ta shmangur vdekjen prej kequshqyerjes shpirtërore. Lutja, shkrimet e shenjta, tempulli dhe frekuentimi ynë i rregullt i mbledhjeve të së dielës janë jetike në regjimin tonë shpirtëror.

Në nëntor 1956, Rikardo Garsia hyri në ujërat e pagëzimit në Kili, duke u bërë anëtari i parë i Kishës në atdheun tim. Vetëm një ditë përpara se të vdiste, ai shpalli përpara familjes dhe miqve të vet: “Shumë vjet më parë misionarët më ftuan të jem i lumtur së bashku me familjen time. Jam një njeri i lumtur. U thoni të gjithëve në Kili se ungjilli është lumturi.”

Pasi ishte ushqyer me ungjillin e Jezu Krishtit, Rikardoja ia përkushtoi tërë jetën e vet shërbimit ndaj Perëndisë dhe të afërmve të tij me dashuri. Shembulli i tij i dishepullimit ka bekuar breza të tërë, përfshirë mua. Profeti Jozef Smith dha mësim se “një njeri i mbushur me dashurinë e Perëndisë nuk kënaqet vetëm me bekimin e familjes së tij, por endet në të gjithë botën, i dëshiruar që të bekojë të gjithë racën njerëzore”.

Kthimi në Shtëpinë Tonë Qiellore

Thellë brenda secilit prej nesh është një dëshirë për t’u kthyer në shtëpinë tonë qiellore, dhe Jezu Krishti është sistemi ynë qiellor i udhërrëfimit. Ai është udha. Flijimi i Tij shlyes na e bën të mundur të bëjmë besëlidhje të shenjta me Perëndinë. Kur bëjmë besëlidhje, do ta shohim veten nganjëherë duke notuar kundër rrymës. Rreziku, zhgënjimi, tundimi dhe fatkeqësia do ta vënë në provë besimin dhe forcën tonë shpirtërore. Kërkoni ndihmë. Jezu Krishti e kupton dhe është gjithmonë plot zell për t’i mbajtur barrët tona bashkë me ne.

Mbajeni në mendje se Ai njihet si një “njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes”. Shpëtimtari dha mësim: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”. Flijimi i Tij shlyes lejon që mëkatet tona të falen, deri në pikën që Ai nuk i kujton më ato.

Mund të mos i harrojmë tërësisht mëkatet tona si pjesë e të mësuarit në vdekshmëri, kështu që do të kujtohemi që të mos i përsëritim ato. Në vend të tyre, ne do të kujtojmë Atë teksa marrim sakramentin në kishë çdo të diel. Kjo ordinancë është pjesë thelbësore e adhurimit dhe e zhvillimit shpirtëror. Gëzimi vjen kur e kuptojmë se kjo nuk është thjesht një ditë si të tjerat. [Shabati apo] “e shtuna është bërë për njeriun” me qëllim që të na japë prehje nga bota dhe të na përtëritë trupin dhe shpirtin.

Ne e kujtojmë Atë edhe kur shkojmë në tempull, në shtëpinë e Zotit. Tempujt na japin njohuri më të thellë për Jezu Krishtin si qendra e besëlidhjes që na çon drejt jetës së përjetshme, “më e madhja nga … dhuratat e Perëndisë”.

Frekuentimi i tempullit më ka dhënë ngushëllim dhe shpresë të madhe rreth destinacionit tonë të përjetshëm. Kam përjetuar lidhje hyjnore me njerëz në të dyja anët e velit. Kam parë mrekullitë shëruese në jetën e fëmijëve të mi të vegjël, dy prej të cilëve jetojnë me sëmundje të panjohura, që kërkojnë përkujdesje të përditshme gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës.

Familja jonë ngazëllehet kur flasim rreth planit të lumturisë. Fytyrat e fëmijëve të mi ndritin kur dëgjojnë se falë Jezu Krishtit, “mjerimet e [tyre] do të jenë veçse një çast i shkurtër”. Ne i duam fëmijët tanë thellësisht dhe e dimë se një ditë, sikurse dha mësim Presidenti Xhefri R. Holland, ata “do të qëndrojnë përpara nesh të përlëvduar dhe të madhërishëm, të përsosur në mënyrë mahnitëse në trup dhe në mendje”. Besëlidhjet tona na sjellin më pranë Perëndisë deri në pikën sa ta bëjnë të pamundurën të mundur, duke e mbushur çdo hapësirë ku ka terr dhe dyshim, me dritë dhe paqe.

Falë Jezu Krishtit, ka shpresë dhe arsye me bazë të fortë, për të vazhduar t’i duam dhe t’i përkrahim njerëzit të cilët i kemi për zemër, dhe të lutemi për ta.

E di se Ai jeton. Ai na njeh dhe na do. Ai është drita, e vërteta dhe jeta e botës.

Bëj një ftesë që të gjithë ne sot ta përqendrojmë jetën tonë te Jezu Krishti dhe mësimet e Tij. Bërja e kësaj gjëje do të na ndihmojë t’i shmangim grepat e tundimit, e fyerjes dhe të keqardhjes për veten. Ne do të qëndrojmë si tempujt: të shenjtë, të palëkundshëm dhe të qëndrueshëm. Do t’u bëjmë ballë stuhive dhe do t’ia dalim të kthehemi në shtëpi, duke duruar deri në fund dhe duke u gëzuar deri në fund. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Kam punuar si inxhinier për më shumë se 20 vjet duke zhvilluar kulturat ujore në Kili.

  2. Alma 30:44.

  3. Shihni Steve Lundeberg, “Magnetic Pulses Alter Salmon’s Orientation, Suggesting They Navigate via Magnetite in Their Tissue”, Oregon State University Newsroom, 2 maj 2020, oregonstate.edu.

  4. Gjoni 14:6.

  5. Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 82.

  6. Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, [tek “Ordinancat dhe Proklamatat” në “Shkrimet e Shenjta”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  7. Shihni te Moisiu 1:4–13.

  8. Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 6; Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, tetor 2022, f. 2.

  9. Shihni te Dallin H. Oaks, “Nourishing the Spirit”, Ensign, dhjetor 1998, f. 6–13; Liahona, gusht 2001, f. 10–19.

  10. Shihni te Trent Toone, “Builders and Blessings: How Early Latter-day Saint Pioneers Shaped the Growth of the Church in Chile”, Church News, 18 shkurt 2025, thechurchnews.com.

  11. Intervistë vetjake me Perla Garsian, të bijën e Rikardo Garsias.

  12. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 454.

  13. Isaia 53:3.

  14. Gjoni 16:33.

  15. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 58:42.

  16. Shihni te Nil L. Andersen, “Pendohuni … Që të Mund t’Ju Shëroj”, Liahona, nëntor 2009, f. 40–43.

  17. Shihni tek Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Sacrament” [“Sakramenti”], [nënpjesa “Overview”, “Vështrim i Përgjithshëm”]; Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  18. Marku 2:27.

  19. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, f. 4–11; f. 1–7.

  20. Doktrina e Besëlidhje 14:7.

  21. Doktrina e Besëlidhje 121:7.

  22. Xhefri R. Holland, “Si një Vazo e Thyer”, Liahona, nëntor 2013, f. 42.

  23. Shihni te Hebrenjve 3:6.