2025
Pikërisht Përpara Syve Tanë
Maj 2025


14:1

Pikërisht Përpara Syve Tanë

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po rritet në numër anëtarësh e familjesh, misionesh e misionarësh, shtëpish të mbledhjeve e tempujsh.

Vëllezër e motra, sa mirënjohës jam që jam me ju! Ne ju duam, jemi mirënjohës për ju dhe ndihemi të bekuar nga lutjet tuaja.

Presidenti Rasëll M. Nelson tha në konferencën tonë të fundit: “A e shihni atë që po ndodh pikërisht përpara syve tanë? Lutem që të mos e humbasim madhështinë e këtij çasti! Zoti njëmend po e përshpejton veprën e Tij.”

Përshpejtimi i veprës së Tij. “Përshpejtimi” është një fjalë që ka rëndësi. Sugjeron lëvizjen me të shpejtë, rritjen e shpejtësisë dhe madje ngutin. Në rritjen e Kishës dhe në planin e Krishtit, përshpejtimi po ndodh. Dhe ne të gjithë jemi pjesë e tij.

Në prill 1834, në Kirtland të Ohajos, Profeti Jozef Smith i mblodhi të gjithë ata që mbanin priftërinë, në një shtëpi të vogël, që ishte dhe shkollë, rreth 18 metra katrorë. Do të mund të futnim dhjetëra nga ato shtëpi shkolla në këtë Qendër Konference dhe prapë do të kishte vend bosh. Jozef Smithi tha: “Ju shihni vetëm një grusht njerëzish që mbajnë Priftërinë këtu sonte, por kjo Kishë do të mbushë Amerikën e Veriut dhe të Jugut – ajo do të mbushë botën”.

Ajo profeci po përmbushet “pikërisht përpara syve tanë”. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po rritet në numër anëtarësh e familjesh, misionesh e misionarësh, shtëpish të mbledhjeve e tempujsh, si dhe në regjistrimin në seminaret, institutet dhe universitetet tona anembanë botës.

Jemi mirënjohës që jemi në tokë kur Kisha po rritet në numër dhe në ndikim, por me më shumë rëndësi, në zemrat dhe jetën e anëtarëve të saj. Ne njihemi si dishepuj të Jezu Krishtit. Ne japim dëshmitë tona për Të, Kishën e Tij, udhët e Tij dhe shtegun e Tij të besëlidhjeve. Ne jemi populli i Tij dhe Ai është Shpëtimtari ynë.

Mahnitem me atë që Presidenti Nelson e quan “madhështi[a] e këtij çasti”, dhe i shpreh mirënjohje të thellë Zotit për veprën e Tij. Ju nxit që të qëndroni plot guxim si dishepuj të Tij, dëshmitarë okularë të përmbushjes së profecisë, si të lashtë ashtu edhe bashkëkohore.

Ka kundërshtues që bërtasin: “‘Shih, këtu!’ … ‘Shih, atje!’” pikërisht sikurse bënë në kohën e Profetit Jozef Smith. Sidoqoftë, ata janë dhe do të jenë veçse thjesht ca poshtëshënime në këtë vepër fisnike. Mbajini mend fjalët e Jozef Smithit: “Asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë punën të përparojë; përndjekjet mund të egërsohen, … por e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur derisa ajo të ketë përshkuar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të futet në çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye”.

Në detyrat e mia këtë vit, e kam dëshmuar i ulur në rresht të parë përshpejtimin që Zoti i ka bërë veprës së Tij. Kisha po ndërton tempuj me një ritëm të paparë, duke u dhënë mundësi më shumë anëtarëve për të adhuruar në shtëpinë e Zotit. Së dyti, puna misionare po mbledh një numër rekord njerëzish në tufën e Bariut të Mirë, Jezu Krishtit. Dhe së treti, arsimimi i Kishës në shumë mënyra është në një nivel të ri, të lartë për mësimdhënien ndaj atyre që e “kërko[jnë] këtë Jezus”.

Sot Kisha ka 367 tempuj në faza të ndryshme të projektimit, ndërtimit ose funksionimit. Dhe për çfarë qëllimi? Përgjigjja shpallet mbi secilin tempull: “Shenjtëri Zotit”. Tempulli hap udhën drejt bekimeve më të larta që Ati ynë në Qiell ka për secilin prej nesh. Vëllezër e motra, ne po e përshpejtojmë shenjtërinë tonë teksa jetojmë të denjë për tempullin, teksa adhurojmë në shtëpinë e Zotit dhe teksa bëjmë besëlidhje me Perëndinë për veten tonë dhe në emër të paraardhësve tanë në anën tjetër të velit.

Presidenti Nelson ka thënë: “Sulmet e kundërshtarit po shtohen në mënyrë eksponenciale, për nga intensiteti dhe larmia. Nevoja jonë për të qenë në tempull rregullisht dhe shpesh nuk ka qenë kurrë më e madhe. Ju përgjërohem ta merrni parasysh plot lutje mënyrën se si e shpenzoni kohën tuaj.” Në shtëpinë e Tij, ne mund ta ndiejmë praninë e shenjtë dhe paqen e mrekullueshme të Zotit.

Plaku dhe Motra Rasband në Tempullin e Mendozës, Argjentinë.

Vitin e kaluar isha i privilegjuar që të kryesoja në përkushtimin e Tempullit të Mendozës në Argjentinë. Në mesazhin tim, iu referova profecisë së Plakut Melvin J. Ballard, të vitit 1926, që vepra e Zotit do të rritej ngadalë për ca kohë në Amerikën e Jugut, “ashtu si një lis rritet ngadalë nga një lende. Nuk do të rritet papritur në një ditë”, por mijëra veta do të bashkoheshin me Kishën dhe kombet e Amerikës së Jugut do të bëheshin “një fuqi në Kishë”. E pashë të përmbushej ajo profeci pikërisht përpara syve të mi.

Mendoza, dikur një lende e vogël, është bërë një lis i fuqishëm. Ajo rritje po përsëritet nëpër kontinentet dhe ishujt e detit.

Ne e shohim Zotin ta përshpejtojë veprën e Tij në misione. Në vitin 2024, 80 000 misionarë po shërbenin në 450 misione. Tridhjetë e gjashtë prej tyre, janë misione të reja. Vitin e kaluar, puna misionare solli mbi 308 000 anëtarë të rinj në Kishë. Më shumë se numrat, fryma e mbledhjes po sjell shpirtra te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij.

Mendoj për Apostujt Brigam Jang dhe Hibër C. Kimball, të cilët në vitin 1839 u nisën si misionarë drejt Ishujve Britanikë. Ata ishin të sëmurë; i lanë familjet të sëmura e të mjeruara. Megjithëkëtë, ata të dy u ngjitën në një karrocë dhe, ndërsa ende i shihnin njerëzit e tyre të dashur, Hibëri tha: “Le të çohemi dhe t’iu japim një përshëndetje”. Të dy u ngritën me vështirësi në këmbë dhe bërtitën: “Urra, urra për Izraelin!”

Takimi me misionarët në Limë, Peru.

Pashë po të njëjtin entuziazëm për veprën e Zotit në Limë të Perusë, kur u takova me misionarët nga qendra e trajnimit të misionarëve dhe nga misionet në Limë. Çfarë pamjeje! E pashë përshpejtimin pikërisht përpara syve të mi. Tani ka shtatë misione vetëm në qytetin e Limës.

Në fund të takimit tonë, misionarët patën një surprizë të veçantë për mua. U ngritën në këmbë dhe thirrën: “Urra për Izraelin!” Nuk do ta harroj kurrë atë çast; do të doja që ju të gjithë të mund të kishit qenë atje. Pikërisht përpara syve të mi ishin misionarët që kishin lënë mënjanë “gjërat e kësaj bote” për t’i shërbyer Zotit dhe për të ndihmuar që të përshpejtohet ardhja e Tij.

Ne e shohim Zotin të përshpejtojë mundësitë arsimore për anëtarët tanë dhe madje edhe për ata që nuk janë të besimit tonë nëpër botë. Njëra nga gjërat që na dallon si kishë, është theksimi ynë tek arsimimi. Zoti urdhëroi në ditët e hershme të Rivendosjes: “Kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”. Kjo po ndodh sot dhe e meriton që të bërtasim një “urra” kumbuese.

Aktualisht, më shumë se 800 000 nxënës dhe studentë në të gjithë botën janë regjistruar në seminar dhe institut, regjistrimi më i madh në historinë e Kishës. Rinia jonë mblidhet në një larmi mënyrash, nga orët mësimore herët në mëngjes, gjatë ditës e në mbrëmje deri në orët mësimore në internet dhe të studimit në shtëpi. Ata janë një batalion i fuqishëm dhe i drejtë, që marrin forcë nga njëri‑tjetri teksa mësojnë për Jezu Krishtin, e ndjekin Atë dhe dëshmojnë për Të si Biri i Perëndisë.

Duke u folur nxënësve të seminarit dhe studentëve të institutit.

Vjeshtën e kaluar, fola në një takim shpirtëror në një pallat sporti plot me nxënës seminari dhe studentë instituti dhe prindërit e tyre në Universitetin e Jutës. Pjesëmarrja e tyre tregoi shumë rreth dëshirës së tyre për ta njohur e ndjekur Jezu Krishtin. Mesazhi im për ata studentë qe i qartë: Jepini Zotit kohë të barabartë. I këshillova që të baraspeshonin studimet e tyre me të mësuarit e vërtetë, më të lartë, madje një studim për “Biri[n e] Perëndisë të gjallë”.

I kërkoj të njëjtën gjë çdo njeriu sot: Çfarëdo që është në listën tuaj “gjëra për t’i bërë”, jepini Zotit kohë të barabartë, jo kohën që ju ngelet, në studimin vetjak të shkrimeve të shenjta, studimin familjar të programit Eja, Më Ndiq, lutjet, thirrjet në Kishë, dhënien e shërbesës, marrjen e sakramentit, adhurimin në tempull dhe përsiatjen e gjërave të Perëndisë. Zoti dhe Shpëtimtari ynë ka thënë: “Mësoni nga unë … dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj”. Merreni për bazë fjalën e Tij. Dhe jepini Atij kohë të barabartë.

Presidenti Nelson ka thënë: “Ju lutem që ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj. Jepini Atij një pjesë të mirë të kohës suaj. Ndërsa e bëni këtë, vërejeni se çfarë i ndodh hovit tuaj pozitiv shpirtëror.”

E shohim atë hov duke u ngritur në seminaret, institutet dhe universitetet e Kishës. Në këto mjedise, Zoti është një përparësi. Po ashtu duhet të jetë Ai në jetën e secilit prej nesh.

Një fushë tjetër që tregon ndikimin në rritje të arsimimit në Kishë, është UBJ–Pathway Mbarëbotëror. Anembanë botës, regjistrimi ka arritur në afërsisht 75 000 veta dhe vazhdon të rritet me shpejtësi. Shumica janë anëtarë dhe më shumë se një e treta janë në Afrikë. Pathway ka si qëllim kryesor qasjen ndaj arsimimit. Përfundimi i kurseve do të thotë qasje ndaj punësimit dhe qasje ndaj punësimit do të thotë një jetë më e mirë për familjet dhe më shumë mundësi për t’i shërbyer Zotit.

Takimi me udhëheqësit e kunjit në Ugandë.

Kur po takohesha me udhëheqësit e kunjit në Ugandë, mësova se e tërë presidenca e kunjit ishte regjistruar në UBJ–Pathway. Sa më të përgatitur të jemi materialisht dhe shpirtërisht, aq më shumë mund t’i pengojmë sulmet djallëzore të kundërshtarit. Mbajini mend fjalët e Pjetrit: “Djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë”.

E dalloj se mes lajmit të mirë të ungjillit, janë ata që hasin vështirësi, të cilët kanë sfida, dyshime dhe pyetje ndaj besimit që duken se nuk kanë asnjë përgjigje. Vëllezër e motra, Jezu Krishti është përgjigjja. Fillojeni me Të. Kërkojeni dorën e Tij në jetën tuaj. Dëgjojeni Atë. “Zemra juaj mos u trondittë”, – iu tha Ai në orët e fundit dishepujve të Tij përpara Gjetsemanit, përpara se të mbartte kryqin e Tij nëpër rrugët e Jerusalemit, përpara Golgotës, ku Ai plotësoi flijimin e Tij shlyes – gjë që vetëm Ai, Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, mund ta bënte.

Dijeni se Ai kupton. Ai mori mbi veten e Tij të gjitha mëkatet tona, gabimet, mjerimin dhe ditët shumë të këqija, që ne të mund të jetojmë përsëri me Atin tonë në Qiell në përjetësi. Ai ka thënë: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë”. Besimi te Jezu Krishti mund t’ju ngrejë dhe ta shërojë shpirtin tuaj të plagosur. Kini besim tek Ai dhe ju do ta përshpejtoni kthimin tuaj në “krahët e dashurisë së tij”.

I theksoj përsëri fjalët e profetit tonë të gjallë: “A e shihni atë që po ndodh pikërisht përpara syve tanë? Lutem që të mos e humbasim madhështinë e këtij çasti! Zoti po e përshpejton veprën e Tij.” Bërtitshim ne, si dishepuj të kohës sonë: “Urra për Izraelin!”, teksa përgatitemi për kthimin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Zoti Jezu Krisht do të Vijë Përsëri”, Liahona, nëntor 2024, f. 121; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 88:73: “Vini re, unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë”.

  2. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 142.

  3. Rasëll M. Nelson, “Zoti Jezu Krisht do të Vijë Përsëri”, f. 121; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 88:73: “Vini re, unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë”.

  4. Joseph Smith – Historia 1:5.

  5. Joseph Smith te History, 1838–1856, vëll. C-1, f. 1285, josephsmithpapers.org.

  6. Ethëri 12:41.

  7. Mbishkrimi “Shenjtëri Zotit” është në pjesën e jashtme të çdo tempulli të Kishës. Shumica përfshijnë edhe frazën “Shtëpia e Zotit”.

  8. Rasëll M. Nelson, “Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 114.

  9. Melvin J. Ballard, në Melvin R. Ballard, Melvin J. Ballard: Crusader for Righteousness (1966), f. 84.

  10. Shihni te Mary Richards, host, Church News podcast, episodi 217, “Elder W. Mark Bassett and David N. Weidman of the Church’s Missionary Department on the Expanding Role of Missionary Work”, Church News, 3 dhjetor 2024, thechurchnews.com.

  11. Shihni tek “The Church of Jesus Christ Will Create 36 New Missions in 2024”, Newsroom, 1 nëntor 2023, newsroom.ChurchofJesusChrist.org.

  12. Informacion i siguruar nga Sektori i Misionarëve i Kishës. Në vitin 2022, numri i pagëzimeve të të kthyerve në besim ishte 212 172. Në vitin 2023 u shtua në 251 763. Në vitin 2024 u pagëzuan 308 682 individë.

  13. Presidenti Gordon B. Hinkli shpalli: “Nuk ka nevojë t’ju kujtoj se kjo kauzë në të cilën jemi përfshirë, nuk është një kauzë e zakonshme. Është kauza e Krishtit. Është mbretëria e Perëndisë, Atit tonë të Amshuar. Është ndërtimi i Sionit në tokë” (“An Ensign to the Nations”, Ensign, nëntor 1989, f. 53).

  14. Tek Orson F. Whitney, Life of Heber C. Kimball: an Apostle, the Father and Founder of the British Mission (1888), f. 276.

  15. Informacion i siguruar nga Sektori i Misionarëve i Kishës.

  16. Joseph Smith Translation, Matthew 6:38 (te Matthew 6:33, , poshtëshënimi a [në Biblën në anglisht]).

  17. Doktrina e Besëlidhje 88:118.

  18. Shihni tek Tad Walch, “Enrollment Growth at Latter-day Saint Universities Rebuts Narrative About Young Adults Losing Faith”, Deseret News, 23 nëntor 2024, deseret.com.

  19. Shihni te Rachel Sterzer Gibson, “Give the Lord ‘Equal Time’, Elder Rasband Encourages During Devotional to 10,000 Youth and Young Adults”, Church News, 14 tetor 2024, thechurchnews.com.

  20. Mateu 16:16.

  21. Mateu 11:29.

  22. Rasëll M. Nelson, “Fuqia e Hovit Shpirtëror”, Liahona, maj 2022, f. 99.

  23. Shihni te Walch, “Enrollment Growth at Latter-day Saint Universities”, Deseret News, 23 nëntor 2024, deseret.com.

  24. 1 Pjetër 5:8.

  25. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Përgjigjja Është Gjithmonë Jezu Krishti”, Liahona, maj 2023, f. 127–128.

  26. Gjoni 14:27.

  27. Shihni te Mateu 26:36–38.

  28. Shihni te Lluka 23:26; Gjoni 19:17.

  29. Shihni te Gjoni 19:17; 1 Nefi 11:33; 3 Nefi 27:14–15.

  30. Shihni tek Alma 7:14; Doktrina e Besëlidhje 76:41–42.

  31. Shihni te Moisiu 1:39.

  32. Doktrina e Besëlidhje 6:36.

  33. Shihni te Moroni 9:25.

  34. Shihni te Psalmeve 147:3; Jakobi [LiM] 2:8.

  35. Shihni te Fjalët e Urta 3:5.

  36. 2 Nefi 1:15.

  37. Rasëll M. Nelson, “Zoti Jezu Krisht do të Vijë Përsëri”, f. 121, theksimi i shtuar; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 88:73: “Vini re, unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë”.