2025
Ruhuni nga Tundimi i Dytë
Maj 2025


11:36

Ruhuni nga Tundimi i Dytë

Mos u fshihni prej atyre që do t’ju duan dhe përkrahin; përkundrazi, vraponi drejt tyre.

Ca vite më parë, kur mbusha 12 vjeç, më ftuan që të merrja pjesë në kampin tim të parë me fjetje për kuorumin e Priftërisë Aarone. Kjo ishte një ftesë që mezi e prisja, ngaqë babai im ishte një udhëheqës kuorumi dhe shkonte shpesh në kamp me djemtë e lagjes së Kishës, ndërkohë që unë mbetesha në shtëpi.

Kur erdhi dita, unë isha plot emocion. Dhe duhet ta pranoj se dëshiroja skajshëm që të integrohesha me djemtë më të mëdhenj në moshë. Isha i vendosur që t’ua provoja se përkitja. Në atë përpjekje, nuk kaloi shumë kohë dhe u vura në provë për të parë nëse do të luaja pjesën time në rrengjet e tyre dhe të isha pjesë e grupit.

Detyra që m’u caktua, ishte të merrja çelësat e makinës së babait tim që të mund t’u punohej një rreng udhëheqësve. Nuk më kujtohet tamam se çfarë thashë që ta bindja babin, por shpejt vrapova te grupi i djemve me çelësat në dorë, krenar për arritjen time.

Më pas erdhi detyra e radhës. Duhej që të shkyçja derën e makinës dhe të vendosja një shkop midis pjesës së pasme të ndenjëses së shoferit dhe borisë së makinës. Dhe duhej ta kyçja derën me qëllim që boria të buçiste gjithë mbrëmjes dhe mos kishte asnjë mënyrë që udhëheqësit të futeshin në makinë për të hequr mjetin e thjeshtë.

Tani, këtu është pika ku historia bëhet e sikletshme në mënyrë të dhimbshme për mua. Pasi e vendosa në vend shkopin, kyça derën dhe vrapova aq shpejt sa munda që të fshihesha në një grumbull shkurresh aty pranë. Teksa u struka përtokë, ndjeva një dhembje sëmbuese. Në errësirë dhe nga nxitimi, isha ulur mbi një kaktus me gjemba.

Kaktus me gjemba.

Britmat e mia prej dhembjes u mbytën nga boria që binte, dhe nuk mund të bëja asgjë tjetër përveçse, duke çaluar me kujdes, të kthehesha te makina, të rrëfeja “mëkatet” e mia dhe të kërkoja përkujdesjen bazë dhe të sikletshme mjekësore.

Për pjesën e mbetur të asaj nate qëndrova i shtrirë barkas në një tendë, ndërkohë që babai im, duke përdorur piskatoren mjekësore, hiqte gjembat e kaktusit nga … , epo, më lejoni thjesht të them se nuk u ula rehat për shumë ditë më pas.

Kam reflektuar mbi atë përvojë shumë herë. Tani mund të qesh me budallallëkun e rinisë sime, ndërkohë që disa parime bazë janë bërë të qarta për mua.

Shumë modele në sjelljen njerëzore duket se janë të zakonshme për njeriun e natyrshëm: dëshira për t’u integruar, dëshira për ta provuar se ia dalim, frika se mos na përjashtojnë dhe nevoja detyruese për t’u fshehur që të shmangim pasojat. Është kjo sjellje e fundit tek e cila do të përqendrohem sot: fshehja pasi bëjmë diçka që nuk duhet ta bëjmë.

Tani, unë nuk po e barazoj rrengun tim fëmijëror me mëkatin e rëndë, por mund të heqim disa paralele që mund të rezultojnë të dobishme teksa vihemi në provë gjatë qëndrimit tonë në vdekshmëri.

Në Kopshtin e Edenit, Adami dhe Eva kishin rrethana idilike: një bollëk ushqimesh, bukurinë e pakrahasueshme të kopshtit – jo vetëm një kopsht bukurie, por një kopsht pa barëra të këqija dhe pa gjembaçë shpues.

Sidoqoftë, ne gjithashtu e dimë se jeta në kopsht e kufizonte përparimin e tyre të nevojshëm. Kopshti nuk ishte një vendmbërritje përfundimtare, por një provim, i pari nga shumë provime që do t’i provonin, përgatitnin dhe lejonin të përparonin drejt vendmbërritjes së tyre përfundimtare të kthimit në praninë e Atit dhe të Birit.

E mbani mend se kishte kundërshtim në kopsht. Luciferi u lejua që t’i vinte në provë Adamin dhe Evën. Fillimisht, ai tundoi Adamin që të hante frutën e pemës të njohjes të së mirës dhe të së keqes. Duke kujtuar urdhërimin për të mos e ngrënë atë, Adami rezistoi. Më pas erdhi Eva e bekuar, e cila zgjodhi ta hante frutën, duke e bindur Adamin që të bënte të njëjtën gjë.

Më vonë, Adami dhe Eva shpallën se ky vendim ishte i domosdoshëm për të përmbushur planin e Atit Qiellor. Por nëpërmjet ngrënies së frutës, ata kishin shkelur ligjin, një ligj të dhënë atyre drejtpërsëdrejti nga Ati. Të kuptuarit dërrmues që rrodhi lidhur me të mirën dhe të keqen, duhet t’i ketë lënë ata në ankth kur dëgjuan zërin e Atit të lajmëronte kthimin e Tij në kopsht. E kuptuan se ishin lakuriq, sepse ata ishin me të vërtetë pa veshje, ngaqë kishin jetuar në një gjendje pafajësie. Por, ndoshta më e dhimbshme sesa të qenit pa veshje në atë çast, ishte që tani ishte e dukshme shkelja e tyre. Ishin të pambrojtur dhe të cenueshëm. Ishin lakuriq në tërë kuptimin e fjalës.

Oportunisti i përhershëm, Luciferi, duke e ditur gjendjen e tyre të ekspozuar dhe të dobësuar, ende i tundoi ata sërish, këtë herë për t’u fshehur nga Perëndia.

Ky tundim, që do ta quaj “tundimi i dytë”, është tundimi që mund të sjellë pasojat më të mëdha nëse i dorëzohemi. Sigurisht, më e mira është që t’u shmangemi të gjitha tundimeve të para për të shkelur ligjin e Perëndisë, por ne e dimë se të gjithë do të dorëzohen ndaj një larmie tundimesh të para këtu në tokë. Teksa përparojmë në pjekurinë dhe të kuptuarit tonë, ne shpresojmë që forca jonë për t’iu shmangur tundimeve të para do të vazhdojë të përmirësohet, teksa përpiqemi fort që të bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.

Disa mund të përpiqen të fshihen nga Perëndia sepse nuk dëshirojnë të zbulohen apo ekspozohen, dhe ata ndiejnë turp ose faj. Gjithsesi, shkrime të shenjta të shumta na mësojnë se fshehja nga Perëndia është e pamundur. Do të përmend vetëm disa.

Zoti i jep mësim Jeremias nëpërmjet pyetjeve vijuese: “‘A mundet dikush të fshihet në vende të fshehta në mënyrë që unë të mos e shoh?’, thotë Zoti. ‘A nuk e mbush unë qiellin dhe tokën?’”

Dhe Jobit i jepet mësim:

“Sepse ai i mban sytë te rrugët e njeriut, dhe shikon tërë hapat e tij.

Nuk ka terr as hije vdekjeje, ku mund të fshihen njerëzit e këqij.”

Psalmisti David në mënyrën më poetike thërret:

“Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.

Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim. …

Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht. …

Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?

Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.”

Të Kthyerit e Rinj në Besim

Për ata që janë bashkuar kohët e fundit me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, tundimi i dytë mund të duket veçanërisht sfidues. Nëpërmjet pagëzimit, ju keni bërë besëlidhje që të merrni mbi vete emrin e Jezu Krishtit, gjë e cila për shumë njerëz përfshin një ndryshim të nevojshëm të llojit të jetesës. Ndryshimi i llojit të jetesës nuk është i lehtë. Shpesh kërkon që të ndryshoni zakone e praktika dhe madje shoqëri, që të përparoni drejt Atit tuaj të dashur Qiellor.

Kundërshtari e di se mund të jeni të cenueshëm ndaj sulmeve të tij që mezi dallohen. Ai do ta bëjë jetën tuaj të kaluar, e cila ju la të pakënaqur në kaq shumë mënyra, që tani të duket tërheqëse në mënyrë jorealiste. Paditësi, siç quhet ai në librin e Zbulesës, do t’ju tundojë me mendime që tingëllojnë si kjo: “Nuk jeni aq të fortë sa ta ndryshoni jetën tuaj; nuk mund ta bëni këtë gjë; nuk përkitni me këta njerëz; ata nuk do t’ju pranojnë kurrë; jeni shumë të dobët”.

Nëse këto mendime duket se tingëllojnë të vërteta për ju që sapo keni hyrë në shtegun e besëlidhjeve, ne ju përgjërohemi që të mos ia vini veshin zërit të paditësit. Ne ju duam; ju mund ta bëni këtë gjë; ne ju pranojmë dhe, me Shpëtimtarin, ju do të keni fuqi për të bërë gjithçka. Në një kohë kur ju nevojitet më shumë [se kurrë] dashuria dhe përkrahja jonë, mos u mashtroni që të mendoni se do t’ju refuzojmë nëse bëni një hap prapa drejt llojit tuaj të mëparshëm të jetesës. Nëpërmjet fuqisë së pakrahasueshme të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ju mund të shëroheni sërish [plotësisht]. Por nëse fshiheni prej Tij dhe e largoni veten nga komuniteti juaj i sapogjetur i besimit, ju e largoni vetveten pikërisht nga burimi që mund dhe do t’ju japë forcën për ta kapërcyer [tundimin].

Një miku im i shtrenjtë, një i kthyer në besim kohët e fundit, më tregoi se sa e vështirë është ta mbështetësh besimin nën izolim. Gjendet forcë e madhe në të bërit dhe të qëndruarit pjesë e një komuniteti përkrahës, ku të gjithë pengohen, por ende përparojnë, ndërkohë që bekohen nga dashuria e Jezu Krishtit.

Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se “mundja e botës nuk është një ngjarje që ndodh për një ose dy ditë. Ajo ndodh gjatë një jete të tërë teksa ne e përqafojmë vazhdimisht doktrinën e Krishtit. Ne e kultivojmë besimin te Jezu Krishti duke u penduar çdo ditë dhe duke i mbajtur besëlidhjet që na dhurojnë fuqi. Ne qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve dhe bekohemi me forcë shpirtërore, zbulesë vetjake, besim në rritje dhe shërbesën e engjëjve.”

Nëse pësoni një dëmtim fizik, gjendja juaj do të përkeqësohet dhe mund të bëhet kërcënuese për jetën nëse nuk kërkoni përkujdesjen e duhur mjekësore. Kjo është e vërtetë edhe për plagët shpirtërore. Vetëm se plagët e pakuruara shpirtërore mund të kërcënojnë shpëtimin tuaj të përjetshëm. Mos u fshihni prej atyre që do t’ju duan dhe përkrahin; përkundrazi, vraponi drejt tyre. Peshkopët, presidentët e degëve dhe udhëheqësit e mirë mund t’ju ndihmojnë që ta përdorni fuqinë shëruese të Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Atyre që mund të jenë në fshehje, ne ju përgjërohemi që të ktheheni. Ju keni nevojë për atë që ofrojnë ungjilli dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, dhe ne kemi nevojë për atë që ju ofroni. Perëndia i di mëkatet tuaja; ju nuk mund të fshiheni prej Tij. Pajtojeni veten tuaj përpara Tij.

Si shenjtorët e Tij, secili prej nesh duhet të kultivojë një kulturë përkatësie në Kishë që është plot dashuri, pranim dhe nxitje për të gjithë njerëzit që dëshirojnë të përparojnë përgjatë shtegut të Tij.

Ruhuni nga ky tundim i dytë! Ndiqeni këshillën e profetëve, si të lashtë, ashtu edhe bashkëkohorë, dhe dijeni se nuk mund të fshiheni nga një Atë i dashur.

Përkundrazi, përfitoni nga fuqia e mrekullueshme shëruese e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ky është pikërisht qëllimi i ekzistencës sonë: që të fitojmë një trup të dobësuar e të vdekshëm, i cili “mund të preke[t] nga të gjitha llojet e dobësive” dhe që trishtueshëm do të dorëzohet ndaj shumë tundimeve të para; që të përparojmë edhe kur biem në këto tundime; si dhe të kërkojmë ndihmë hyjnore pasi e bëjmë këtë gjë, me qëllim që të mund të bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë dhe Ati ynë në Qiell. Kjo është udha e Tij. Ajo është e vetmja udhë. Për këto të vërteta unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.