2025
Plaku B. Kori Kuvelier
Maj 2025


“Plaku B. Kori Kuvelier”, Liahona, maj 2025.

Plaku B. Kori Kuvelier,

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Kur Plaku B. Kori Kuvelier njoftoi se po e linte punën që të bëhej president misioni për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kolegët e tij e pyetën: “A je i çmendur?”

Plaku Kuvelier tha se kolegët e tij e kishin të vështirë ta kuptonin përse ai po largohej për tre vjet nga karriera e tij në lulëzim. “Por pyetjet e tyre ishin mundësi”, – tha ai, – “për të shprehur përse e bëjmë atë që bëjmë dhe përse besojmë atë që besojmë dhe te kush besojmë. Ai është Jezu Krishti.”

Brajën Kori Kuvelieri lindi më 12 janar 1969 në Los‑Anxhelos të Kalifornisë, ku e birësuan dhe rritën. I ati, Hains Joakim Kuvelieri, ishte oficer policie. E ëma, XhoEna Lesli Jarnek Kuvelieri, kujdesej për shtëpinë. Ai është më i madhi nga katër fëmijët.

Kur qe misionar i ri në moshë, Plaku Kuvelier shërbeu në Misionin e Brazilit, San‑Paolon Jugore. Ai u diplomua në Universitetin “Brigam Jang” në vitin 1994 me një diplomë universitare për marrëdhëniet publike. Ai iu bashkua shoqërisë “Shell Oil” në vitin 1996 ku punoi në njësi të ndryshme sipërmarrjesh anembanë Amerikës Veriore.

Plaku Kuvelier u martua me Uendi Su Menueringin më 18 korrik 1992, në Tempullin e Los‑Anxhelosit në Kaliforni. Ata janë prindër të katër djemve. Çifti Kuvelier shërbeu si udhëheqës misioni në Misionin e Brazilit, Kuritiba Jugore nga viti 2016 deri në 2019 dhe po jetonin në Kejti të Teksasit në kohën kur ai mori thirrjen.

Më parë, Plaku Kuvelier shërbeu si I Shtatëdhjetë Zonal në Zonën Jugperëndimore të Amerikës së Veriut, si president kunji, këshilltar në një presidencë kunji, këshilltar i lartë, peshkop, këshilltar në peshkopatë dhe president i Të Rinjve në lagje.