Të Vërtetë Ndaj Besimit që Prindërit Tanë Kishin për Zemër
Ju lutem të mësoni dhe të merrni forcë nga besimi dhe dëshmitë e atyre që jetuan përpara jush.
Teksa po vizitoja Tempullin e Neshvillit në Tenesi për një inspektim të tempullit, pata privilegjin ta shëtitja si pjesë e kësaj detyre, duke këqyrur këtë shtëpi të bukur të Zotit. Më bëri veçanërisht përshtypje piktura e Meri Uanlasit, e titulluar Carry On [Mos u Ndalni], e varur në murin e zyrës së kryekujdestares.
Kjo është historia që lidhet me pikturën:
“Në Misuri, në vitin 1862, 14‑vjeçarja Meri Uanlasi i premtoi njerkës së saj në prag të vdekjes, se ajo do të bënte çmos që babai i saj me aftësi të kufizuara [dhe katër vëllezërit dhe motrat e saj shumë më të vegjël, që të gjithë, do të mbërrinin] në luginën e Grejt‑Solt‑Lejkut. … Meri drejtonte qetë dhe lopët për qumësht, të cilat tërhiqnin karron ku [ishte i shtrirë] babai i saj, [dhe] ajo kujdesej për … vëllezërit dhe motrat e veta. Pas çdo dite rrugëtimi, ajo e ushqente familjen duke rrëmuar për fruta pylli, lule dhe bimë të ngrënshme. Busulla e saj e vetme ishte udhëzimi që kishte marrë për ta vazhduar udhëtimin drejt perëndimit ‘derisa retë të puqeshin me malet’.
Ata mbërritën në Luginën e Jutës në shtator, pasi kishin udhëtuar gjithë pranverën dhe verën. I ati i saj vdiq jo shumë kohë pasi familja u vendos në kontenë e Jutës, ku Meri më vonë u martua dhe krijoi familjen e saj.”
Kjo është një histori mahnitëse e besimit dhe forcës së një të reje 14‑vjeçare, që mund ta ndihmojë secilin prej nesh sot që “thjesht [të] mos ndal[emi]”.
Fraza “Thjesht mos u ndal” ose që në gjuhën time amtare holandeze përkthehet fare thjesht Gewoon doorgaan, është edhe motoja që patën gjithë jetën mamaja dhe babai im.
Prindërit e mi dhe të bashkëshortes sime janë pionierët në familjen tonë. Ata kanë kapërcyer “rrafshnaltat” e tyre vetjake, sikurse të gjithë ata që po vijnë në Kishë, në vathën e Zotit, çdo ditë. Historitë e tyre nuk kanë të bëjnë shumë me qetë dhe karrot, por kanë të njëjtin ndikim te brezat e ardhshëm.
Ata e përqafuan ungjillin dhe u pagëzuan në vitet kur ishin të rinj e të reja në moshë madhore. Që të dy prindërit e mi patën një fëmijëri të vështirë. Babai im u rrit në ishullin e Javës, në Indonezi. Gjatë Luftës II Botërore, atë e larguan me forcë prej familjes së vet dhe e internuan në një kamp përqendrimi, ku vuajti vështirësi të papërshkrueshme që në moshë të re.
Nëna ime u rrit në një familje me prindër të ndarë dhe gjithashtu vuajti nga uria dhe vështirësitë e Luftës II Botërore. Në disa raste madje përfundoi deri aty sa të hante rrënjët e tulipanëve. Si rrjedhojë e veprimeve të të atit dhe shkurorëzimit të tij të mëvonshëm nga nëna e saj, ndonjëherë ishte e vështirë për të që ta shihte Atin Qiellor si një Atë të dashur.
Prindërit e mi u takuan në një aktivitet në Kishë dhe pas pak kohe vendosën të martoheshin e të vuloseshin në Tempullin e Bernës në Zvicër. Duke pritur te stacioni i trenit, pasi i kishin shpenzuar të gjitha kursimet e tyre të pakta për udhëtimin për në tempull, ata vrisnin mendjen se si do t’i plotësonin nevojat, por patën besimin se gjithçka do të shkonte mirë. Dhe ashtu ndodhi!
Ata filluan ta rritnin familjen e tyre nga një apartament shumë i thjeshtë në papafingo, me një dhomë të vetme, në zemër të Amsterdamit. Pas larjes së rrobave të tyre me dorë prej disa vitesh, ata më në fund kishin kursyer mjaft para për të blerë një lavatriçe. Pikërisht përpara se ta bënin blerjen, peshkopi u erdhi për vizitë, duke u kërkuar një kontribut për ndërtimin e shtëpisë së mbledhjeve në Amsterdam. Ata vendosën që t’i jepnin të gjitha ato që kishin kursyer për lavatriçen, dhe vazhduan t’i lanin rrobat me dorë.
Si familje, ne kaluam disa vështirësi, sikurse çdo familje tjetër. Këto veçse na kanë bërë më të fortë dhe e kanë thelluar besimin tonë te Zoti Jezu Krisht, ashtu si me Almën kur po ia tregonte historinë e tij birit të vet, Helamanit, ku i tha se kishte marrë “përkrah[je] në sprova dhe në shqetësime të çdo lloji” ngaqë e kishte vendosur mirëbesimin e tij te Zoti Jezu Krisht.
Si u bënë dy njerëz që përjetuan kaq shumë sprova në vitet e tyre të rinisë, prindërit më të mirë që mund të kisha dëshiruar ndonjëherë? Përgjigjja është e thjeshtë: ata e përqafuan plotësisht ungjillin dhe jetojnë sipas besëlidhjeve të tyre deri më sot.
Pas më shumë se 65 vjetësh martese, nëna ime, e cila vuante nga sëmundja e Alzhaimerit, ndërroi jetë në shkurt. Babai im, me moshën 92‑vjeçare dhe që ende jeton në shtëpi, e vizitonte atë sa më shpesh që mundte, derisa ajo ndërroi jetë. Ca kohë më parë, ai u përmendi vëllezërve e motrave të mia më të vogla se përvojat e tmerrshme në kampin në Indonezi gjatë Luftës II Botërore, e kishin përgatitur për t’u kujdesur me durim për bashkëshorten prej shumë vjetësh ndërsa ishte e sëmurë dhe përkeqësohej nga kjo sëmundje e tmerrshme, dhe gjithashtu për ditën tronditëse kur iu desh t’ua mirëbesonte përkujdesjen kryesore për të njerëzve të tjerë dhe nuk mund të ishte më pranë saj. Motoja e tyre ka qenë dhe ende është: “Thjesht mos u ndal”, duke pasur një shpresë të përkryer në Krishtin për t’u ngritur në ditën e fundit dhe për të banuar me Të në lavdi përgjithmonë.
Besimi dhe dëshmitë e tyre janë një forcë shtytëse për brezat që kanë ardhur pas tyre.
Në fshatin ku u rrit bashkëshortja ime, prindërit e saj, të cilët ishin njerëz të mirë që shkonin në kishë, e përqafuan ungjillin kur ishin një çift i martuar në moshë të re, me bashkëshorten time si bijën e tyre dyvjeçare dhe të vetmin fëmijë në atë kohë. Vendimi i tyre për t’u bërë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme pati një ndikim të madh në jetën e tyre ngaqë fshatarët e tjerë dhe familjarët e tyre i shkëputën tërësisht lidhjet me ta. U deshën shumë vjet, letra të përzemërta ndaj pjesëtarëve të familjes dhe shërbim në komunitet përpara se të pranoheshin përfundimisht.
Në një rast kur babai i bashkëshortes sime po shërbente si peshkop, ai u akuzua në mënyrë të rreme për diçka dhe u lirua menjëherë nga thirrja. Vjehrra ime u lëndua kaq shumë sa e pyeti bashkëshortin e vet nëse duhej të vazhdonin të shkonin në kishë apo jo. Ai u përgjigj se sigurisht që do të vazhdonin të shkonin në kishë përderisa kjo nuk është kisha e njerëzve, por është Kisha e Jezu Krishtit.
U desh ca kohë përpara se e vërteta të dilte në dritë dhe të kërkohej falje. Ajo që mund të kishte qenë pika e kulmit të durimit, vetëm sa ia shtoi forcën dhe bindjen.
Përse ndodh që disa prej nesh i marrin për të mirëqena besimin dhe dëshmitë e prindërve tanë të cilët, përmes gjithë vështirësive të tyre, kanë mbetur besnikë? A mendojmë se nuk kanë një kuptueshmëri të qartë të gjërave? Ata nuk ishin dhe nuk janë mashtruar! Thjesht kanë pasur tepër shumë përvoja me Shpirtin dhe mund të thonë bashkë me Profetin Jozef: “Unë e dija atë [gjë]… dhe nuk mund ta mohoja”.
A nuk ju pëlqen kënga për ushtrinë e Helamanit, që gjendet te Libri i Këngëve të Fëmijëve?
Edhe po të mos jetë ky rasti, sikurse përjetoi nëna ime kur ishte fëmijë, ju mund të bëheni njëri nga ata “prindër të mir’ që Zotin duan”, dhe të jepni një shembull të drejtë për të tjerët.
A e ndiejmë ne se kjo është absolutisht e vërtetë kur e këndojmë atë? A e ndieni se jeni “si ushtri[a] e Helamanit” dhe se ju “do je[n]i misionar’t e Zotit[,] t’vërtetën [e tij] t’s[illni] në bot’”? E kam ndier këtë në kaq shumë raste ndërsa e kënduam këtë këngë në disa mjedise të FSY‑së dhe grumbullime të tjera të rinisë.
Ose çfarë ndiejmë kur këndojmë himnin “T’Vërtet’ Ndaj Besimit”?
Pjesëtarë të brezit të ri kudo ku jeni dhe në çfarëdo situate që mund të gjendeni, ju lutem të mësoni dhe merrni forcë nga besimi dhe dëshmitë e atyre që jetuan përpara jush. Kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni se me qëllim që të fitoni ose ta rritni një dëshmi, do të duhet të bëhen sakrifica dhe se “sakrifica sjell të qiellit bekime”.
Duke menduar për një sakrificë që vërtet do ta bekojë jetën tuaj, ju lutem të merrni parasysh dhe të luteni rreth ftesës së profetit tonë të dashur, Presidentit Rasëll M. Nelson, kur i kërkoi “çdo të riu të denjë dhe të aftë të përgatitet dhe të shërbejë në një mision. Për të rinjtë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, shërbimi misionar është një përgjegjësi priftërie. …
Për motrat e reja dhe të afta, misioni është gjithashtu një mundësi e fuqishme, por me dëshirë.”
Ju mund të thirreni si misionar shërbimi ose mësimdhënieje. Të dy llojet e misionarëve japin ndihmesë drejt të njëjtit qëllim të sjelljes së shpirtrave te Krishti, secili sipas mënyrës së vet të pashoqe dhe të fuqishme.
Në të dyja llojet e shërbimit, ju do t’i tregoni Zotit se e doni Atë dhe se dëshironi ta njihni Atë më mirë. Mbani mend, “pasi, si do ta njohë një njeri zotëruesin, të cilit nuk i ka shërbyer dhe që është i huaj për të, dhe është larg nga mendimet dhe qëllimet e zemrës së tij?”
Qofshim brezi i parë në ungjill apo i pesti, ne të gjithë duhet ta pyesim veten: Çfarë historish besimi, force dhe zotimi çelestial do të kaloj unë te brezi i mëpasshëm?
Le të vazhdojmë që të gjithë me përpjekjet tona për ta njohur më mirë Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin dhe për ta bërë Atë qendrën e jetës sonë! Ai është shkëmbi mbi të cilin duhet të ndërtojmë që, kur kohët të bëhen të vështira, ne do të jemi në gjendje të qëndrojmë të palëkundur.
Qofshim “t’vërtet’ ndaj besimit të prindërve tan’, t’vërtet’ ndaj t’vërtetës për t’cilën u vran’, [si] Zoti urdh’ron, [me] zemrën dhe dor’n, besnik, t’vërtet’ do qëndrojm’ gjithmon’”! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.