2025
Siguri në Praninë e Perëndisë
Maj 2025


11:59

Siguri në Praninë e Perëndisë

Teksa kërkojmë plot zell që dashuria hyjnore dhe virtyti të na e mbushin jetën, siguria me të cilin i qasemi Perëndisë, do të shtohet.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam mirënjohës që do t’ju flas sot në këtë konferencë të përgjithshme të rëndësishme. Sytë e mi vazhdojnë të plaken. Ju falënderoj për mirëkuptimin tuaj ndërsa e jap mesazhin tim.

Ne jetojmë në një kohë hovi të madh në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Mbushem me gëzim teksa shoh përparim në kaq shumë fusha.

Frymëzohem veçanërisht nga të rinjtë e të rejat tona. Është një numër i madh i tyre që po jep shërbim. Ata po kërkojnë paraardhësit dhe po kryejnë ordinancat në tempull. Të rinjtë e të rejat tona po dorëzojnë kërkesa për shërbim misionar në numra rekord. Pjesëtarët e brezit të ri po rriten si pasues të palëkundur të Jezu Krishtit.

Presidenti Nelson me stërmbesën.

Kohët e fundit në familjen tonë u shtua një stërmbesë e re. Kur sjell ndër mend sfidat që do të përjetojë ajo në jetë, ndiej një dëshirë të madhe ta ndihmoj që të ndërtojë besim te Jezu Krishti. Të jetuarit e ungjillit të Tij është thelbësor për lumturinë e saj në të ardhmen.

Ajo, ashtu si secili prej nesh, do të përballet me sfida. Të gjithë ne do të përjetojmë sëmundje, zhgënjim, tundim dhe humbje. Këto sfida mund të na e godasin sigurinë te vetja. Megjithatë, dishepujt e Jezu Krishtit kanë qasje te një tjetër lloj sigurie.

Kur i bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet me Perëndinë, ne mund të kemi siguri që rrjedh nga Shpirti. Zoti i tha Profetit Jozef Smith se siguria jonë mund të “forcohet … në prani të Perëndisë”. Përfytyrojeni rehatinë prej pasjes së sigurisë në praninë e Perëndisë!

Kur flas për të pasur siguri përpara Perëndisë, po i referohem pasjes së sigurisë për t’iu qasur Perëndisë pikërisht tani! Po i referohem bërjes së lutjes me siguri se Ati Qiellor na dëgjon, se Ai i kupton nevojat tona më mirë sesa i kuptojmë ne. Po i referohem pasjes së sigurisë se Ai na do më shumë nga sa mund ta kuptojmë, se Ai dërgon engjëj që të jenë me ne dhe me njerëzit që i duam. Po i referohem pasjes së sigurisë se Ai është i dëshiruar ta ndihmojë secilin prej nesh që të arrijë potencialin e vet më të lartë

Tani, si e fitojmë një siguri të tillë? Zoti i përgjigjet kësaj pyetjeje me këto fjalë: “Brendësia jote duhet të jetë plot dashuri hyjnore ndaj gjithë njerëzve … dhe virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vet[ë]besimi yt në prani të Perëndisë”.

Ja ku është çelësi! Me vetë fjalët e Zotit, dashuria hyjnore dhe virtyti e hapin udhën për të pasur siguri përpara Perëndisë. Vëllezër dhe motra, ne mund ta bëjmë këtë! Siguria jonë vërtet mund të forcohet në praninë e Perëndisë, pikërisht tani!

Le t’i marrim parasysh të dyja, dashurinë hyjnore dhe virtytin.

Së pari, dashuria hyjnore. Dy vjet më parë, bëra thirrje që ne, si pasues të besëlidhjeve të Jezu Krishtit, të jemi paqebërës. E përsëris atë që thashë atëherë: “Zemërimi kurrë nuk ia mbush mendjen askujt. Armiqësia nuk e lartëson askënd. Grindja kurrë nuk çon drejt zgjidhjesh të frymëzuara.”

Dashuria e vërtetë hyjnore ndaj të gjithë njerëzve është tipari dallues i paqebërësve! Është e domosdoshme që ne të kemi dashuri hyjnore në diskutimet tona, si publike edhe private. I falënderoj ata prej jush që e rrënjosën në zemër këshillën time të mëparshme. Por prapëseprapë, mund të veprojmë më mirë.

Armiqësia e pranishme në dialogun publik dhe në mediat shoqërore, është alarmuese. Fjalët plot urrejtje janë armë vdekjeprurëse. Grindja e pengon Frymën e Shenjtë që të jetë shoqëruesi ynë i vazhdueshëm.

Si pasues të Jezu Krishtit, ne duhet të prijmë udhën si paqebërës. Teksa dashuria hyjnore bëhet pjesë e natyrës sonë, ne do ta humbasim shtysën që t’i poshtërojmë të tjerët. Do të ndalojmë së gjykuari të tjerët. Do të kemi dashuri hyjnore për njerëzit nga të gjitha fushat e jetës. Dashuria hyjnore për të gjithë njerëzit është thelbësore për përparimin tonë. Dashuria hyjnore është themeli i një karakteri të perëndishëm.

Le t’i përgjërohemi Atit tonë Qiellor që të na i mbushë zemrat me dashuri hyjnore më të madhe, veçanërisht për ata që është e vështirë t’i duam, pasi dashuria hyjnore është një dhuratë nga Ati ynë Qiellor për pasuesit e vërtetë të Jezu Krishtit. Shpëtimtari është Princi i Paqes. Ne duhet të jemi mjetet e Tij për paqe.

Tani, le të flasim për virtytin. Zoti na thotë t’i stolisim pa pushim mendimet tona me virtyt. Përfytyrojeni shtytjen që do të merrni për çfarëdo mendimi pozitiv kur e pasuroni me virtyt. Virtyti e bën çdo gjë më të mirë dhe më të lumtur. Nga ana tjetër, përfytyrojeni se çfarë do të ndodhë kur ia shtoni virtytin një mendimi të papastër, një mendimi mizor apo një mendimi brengosës. Virtyti do t’i përzërë ato mendime. Virtyti do t’ju çlirojë nga mendimet e ankthshme, të mundimshme.

Vëllezër e motra, teksa bota bëhet më e ligë, nevojitet që ne të bëhemi gjithnjë e më të dëlirë. Mendimet, fjalët dhe veprimet tona nevojitet të jenë të virtytshme në mënyrë të palëkundshme dhe të mbushura me dashurinë e pastër të Jezu Krishtit ndaj të gjithë njerëzve. Mundësia e shkëlqyer që kemi përpara, është që të bëhemi njerëzit që Perëndia ka nevojë që ne të bëhemi.

Adhurimi i rregullt në shtëpinë e Zotit na e rrit aftësinë, si për virtyt edhe për dashuri hyjnore. Po kështu, koha në tempull na e shton sigurinë përpara Zotit. Koha më e shumtë në tempull do të na ndihmojë të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Ne nuk e dimë ditën apo orën e ardhjes së Tij. Por unë vërtet e di se Zoti po më shtyn mua që t’ju nxit të bëhemi gati për atë “dit[ë të] madhe dhe [të] llahtarshme”.

Teksa kërkojmë plot zell që dashuria hyjnore dhe virtyti të na e mbushin jetën, siguria me të cilin i qasemi Perëndisë, do të shtohet. Unë ju ftoj të ndërmerrni hapa të qëllimshëm për t’u rritur në sigurinë tuaj përpara Zotit. Atëherë, ndërsa shkojmë tek Ati ynë Qiellor me siguri në rritje, do të mbushemi me më shumë gëzim dhe besimi ynë te Jezu Krishti do të rritet. Do të fillojmë të përjetojmë fuqi shpirtërore që i tejkalon shpresat tona më të mëdha.

I jemi mirënjohës Zotit për përshpejtimin e ndërtimit të tempujve në vitet e fundit. Nën drejtimin e Tij, sot ne njoftojmë planet për të ndërtuar një tempull në secilën prej këtyre 15 vendndodhjeve:

  • Reinosa, Meksikë

  • Çorijos, Peru

  • Rivera, Uruguaj

  • Kampo‑Grande, Brazil

  • Porto, Portugali

  • Ujo, Nigeri

  • San‑Hoze‑del‑Monte, Filipine

  • Njumea, Kaledonia e Re

  • Liverpul, Australi

  • Kolduell, Ajdaho

  • Flegstaf, Arizonë

  • Rapid‑Siti, Dakota e Jugut

  • Grinvill, Karolina e Jugut

  • Norfolk, Virxhinia

  • Spenish‑Fork, Jutë

Unë dëshmoj se Jezu Krishti, Shëlbuesi i Izraelit, e udhëheq këtë, Kishën e Tij. Ai po përgatitet të vijë përsëri. U përgatitshim kësisoj edhe ne që ta presim Atë! Për këtë lutem, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Guri i vogël që profeti Daniel pa në ëndrrën e tij për ditët e mëvonshme, po përhapet për të mbushur tokën (shihni te Daniel 2:31–45; Doktrina e Besëlidhje 65:2).

  2. Doktrina e Besëlidhje 121:45.

  3. “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (Doktrina e Besëlidhje 84:88).

  4. Doktrina e Besëlidhje 121:45, theksimi i shtuar; shihni edhe vargun 46.

  5. Rasëll M. Nelson, “Kërkohen Paqebërës”, Liahona, maj 2023, f. 98.

  6. Zgjedhja për t’u grindur me të tjerët është zgjedhja për të jetuar pa udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë.

  7. Ne duhet të kemi dashuri hyjnore “ndaj gjithë njerëzve e ndaj familjes së besimit” (Doktrina e Besëlidhje 121:45).

  8. Kjo do të thotë të bëjmë lutje “me gjithë fuqinë e zemrës” (Moroni 7:48).

  9. Shihni te Moroni 7:48.

  10. Shihni tek Isaia 9:6.

  11. Siç dha mësim Jozef Smithi: “Nëse dëshiro[jmë] të shko[jmë] atje ku është Perëndia, [ne] duhet të je[m]i si Perëndia, apo të zotëro[jmë] parimet që Perëndia zotëron” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 75). Po ashtu, Apostulli Pal dha këshillën që ne duhet t’i “afrohemi … me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje” (Hebrenjve 4:16).

  12. Shihni te Mateu 24:36–37.

  13. Malakia 4:5; shihni edhe te Sofonia 1:14–18.

  14. Zoti na ka thënë të “kujto[jmë] besimin, virtytin, diturinë, maturinë, durimin, mirësinë vëllazërore, perëndishmërinë, dashurinë hyjnore, përulësinë [dhe] zellin” (Doktrina e Besëlidhje 4:6). Kur e bëjmë këtë, siguria jonë do të shtohet dhe atëherë, me vetë fjalët e Tij, kur kërkojmë, ne do të marrim. Dhe kur të trokasim, do të na çelet. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 4:7.)

  15. Ne mund të përjetojmë atë që përjetoi populli i mbretit Beniamin: “Ata u mbushën me gëzim, pasi kishin marrë një heqje të mëkateve të tyre dhe pasi kishin paqe të ndërgjegjes, për shkak të besimit të jashtëzakonshëm që ata kishin në Jezu Krishtin” (Mosia 4:3).