2025
“Prej Kësaj Do t’ju Njohin të Gjithë që Jeni Dishepujt e Mi”
Maj 2025


15:5

“Prej Kësaj Do t’ju Njohin të Gjithë që Jeni Dishepujt e Mi”

Dashuria jonë për Perëndinë dhe për fëmijët e Tij është një dëshmi e fuqishme për botën që kjo është vërtet Kisha e Shpëtimtarit.

Shumë vjet më parë, unë dhe Motra Uhtdorf po udhëtonim nëpër Gjermaninë jugore. Ishte periudha pak para Pashkës dhe ftuam një mike të mirë, e cila nuk qe anëtare e Kishës, të na bashkohej në shërbesën tonë të adhurimit të së dielës. Ne e donim këtë mike të shtrenjtë, ndaj ishte normale dhe e natyrshme që t’i tregonim si ndiheshim rreth Shpëtimtarit dhe Kishës së Tij dhe ta ftonim që të vinte e të shihte! Ajo e pranoi ftesën dhe na u bashkua në mbledhjet e një dege aty pranë.

Nëse keni sjellë ndonjëherë një mik në kishë për herë të parë, mbase mund ta kuptoni se si ndihesha unë atë të diel në mëngjes. Doja që gjithçka të shkonte përsosurisht. Mikja jonë ishte një njeri tejet i arsimuar dhe shpirtëror. Shpresoja seriozisht që mbledhjet e kësaj dege t’i linin një përshtypje të mirë dhe ta përfaqësonin mirë Kishën.

Dega mblidhej në disa dhoma të marra me qira, në katin e dytë të një ushqimoreje. Për të shkuar atje, duhej të ngjitnim shkallët në anën e pasme të ndërtesës, duke ndier aromat e forta të artikujve që mbaheshin aty.

Kur filloi mbledhja e sakramentit, mendova për miken time që po e përjetonte këtë për herë të parë dhe nuk munda të mos vija re gjëra që më vunë në siklet. Kur njerëzit këndonin, për shembull, nuk tingëllonin dhe aq si Kori i Tabernakullit. Gjatë sakramentit dëgjoheshin fëmijë të paqetë e të zhurmshëm. Folësit bënë më të mirën, por nuk e kishin zotësinë e të folurit në publik. Qëndrova ulur plot siklet gjatë mbledhjes, duke shpresuar se ndoshta Shkolla e së Dielës do të shkonte më mirë.

Nuk ndodhi.

Gjithë mëngjesin u shqetësova për atë që duhej të kishte menduar mikja jonë për këtë kishë ku e kishim çuar.

Paskëtaj, ndërsa shkonim me makinë për në shtëpi, u ktheva për t’i folur mikes sonë. Doja t’i shpjegoja që kjo ishte veç një degë e vogël dhe në të vërtetë nuk e përfaqësonte Kishën si të tërë. Po përpara se të thosha një fjalë, e mori ajo fjalën.

“Ishte bukur”, – tha ajo.

Mbeta pa fjalë.

Ajo vazhdoi: “Më bëri shumë përshtypje se si e trajtojnë njerëzit njëri‑tjetrin në kishën tuaj. Duket se të gjithë vijnë nga formime të ndryshme dhe prapëseprapë është e qartë që ata e duan çiltërsisht njëri-tjetrin. Kështu e imagjinoj se Krishti donte që të ishte Kisha e Tij.”

Epo, u pendova shpejt për qëndrimin tim gjykues. Kisha dëshiruar mbledhje të përsosura si për kartolinë, që t’i linin mbresë mikes sime. Por ajo që kishin arritur anëtarët e kësaj dege, ishte një frymë dashurie, dashamirësie, durimi dhe dhembshurie, e përsosur për zemrën.

“Që Besimi … të Mund të Rritet në Tokë”

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, miq të mi të dashur, unë e dua Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ajo është Kisha e vërtetë dhe e gjallë e Shpëtimtarit dhe na mëson plotësinë e rivendosur të ungjillit të Jezu Krishtit. Fuqia dhe autoriteti i priftërisë së Tij banojnë këtu. Jezu Krishti e udhëheq Kishën e Tij vetë, nëpërmjet shërbëtorëve që Ai i ka thirrur dhe autorizuar, dhe nëpërmjet një profeti të gjallë, madje Presidentit Rasëll M. Nelson. Shpëtimtari u ka dhënë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme një mision të pashoq që t’i mbledhin fëmijët e Perëndisë dhe ta përgatitin botën për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Jap dëshminë time se e gjitha kjo është e vërtetë.

Por është e rëndësishme të mbajmë mend se kur shumica e njerëzve e përjeton Kishën e Jezu Krishtit për herë të parë, ata nuk mendojnë rreth autoritetit të priftërisë, ordinancave apo mbledhjes së Izraelit. Ajo që me gjasë do të vënë re më shumë se gjithçka tjetër, është mënyra se si ndihen kur janë me ne dhe mënyra se si e trajtojmë njëri-tjetrin.

“Ta doni njëri-tjetrin”, – tha Jezusi. “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi.” Shumë shpesh, dëshmia e parë e një njeriu për Jezu Krishtin, vjen kur ai ose ajo e ndien dashurinë mes dishepujve të Jezu Krishtit.

Shpëtimtari deklaroi se Ai e rivendosi Kishën e Tij në mënyrë “që besimi … të mund të rritet në tokë”. Prandaj, kur njerëzit i vizitojnë mbledhjet e Kishës sonë, Shpëtimtari do që ata të largohen me besim më të fortë tek Ai! Dashuria që miqtë tanë ndiejnë midis nesh, do t’i lartësojë ata duke i afruar më shumë me Jezu Krishtin. Ai është synimi ynë i thjeshtë sa herë që mblidhemi.

Kushdo që po kërkon besim më të madh te Krishti ose një lidhje më të afërt me Atin Qiellor, duhet të ndihet si në shtëpi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. T’i ftojmë ata në mbledhjet tona mund të jetë po aq normale dhe e natyrshme sa po t’i ftojmë në shtëpinë tonë.

Idealja dhe Realja

Tani, e kuptoj se po përshkruaj situatën ideale. Dhe, në këtë jetë në vdekshmëri, rrallëherë arrijmë ta përjetojmë idealen. Dhe “derisa dita [të je]të e plotë” në përsosuri, do të ketë gjithnjë një hendek mes ideales dhe reales. Pra, çfarë duhet të bëjmë kur Kisha nuk na duket si dita e përsosur? Kur, për çfarëdo arsye, lagjja jonë nuk e kultivon ende besimin ose dashurinë e përsosur? Ose kur ndiejmë se nuk përshtatemi me vendin aty?

Diçka që nuk duhet të bëjmë, është të heqim dorë nga idealja!

Faqja e titullit e Librit të Mormonit përfshin këtë paralajmërim të rëndësishëm: “Në qoftë se ka gabime”, – thuhet aty, – “ato janë gabime të njerëzve; prandaj mos dënoni gjërat e Perëndisë”.

A mundet një libër, ose një kishë apo një njeri, të ketë “gabime” dhe prapëseprapë të jetë vepra e Perëndisë?

Përgjigjja ime është një po kumbuese!

Pra, ndërkohë që vetë përpiqemi të mbajmë standardet e larta të Zotit, le të jemi gjithashtu të duruar me njëri-tjetrin. Secili prej nesh është një vepër në punë e sipër, dhe të gjithë mbështetemi te Shpëtimtari për çdo përparim që bëjmë. Kjo është e vërtetë për ne si individë dhe është e vërtetë për mbretërinë e Perëndisë në tokë.

Zoti na fton që jo vetëm t’i bashkohemi mbretërisë së Tij, por edhe të përfshihemi me zell në ndërtimin e saj. Perëndia përfytyron një popull që është “[i] një zemre dhe [i] një mendjeje”. Për të qenë të një zemre, duhet të synojmë të kemi zemra të kulluara, dhe kjo kërkon një ndryshim të madh të zemrës.

Por kjo nuk do të thotë që ta ndryshoj zemrën time që të përputhet me tuajën. Nuk do të thotë as që ta ndryshoni zemrën tuaj që të përputhet me timen. Do të thotë që të gjithë e ndryshojmë zemrën që të na përputhet me Shpëtimtarin.

Nëse nuk jemi ende në atë pikë, mbajeni mend: me ndihmën e Zotit, asgjë s’është e pamundshme.

Përshtatja dhe Përkatësia

Dhe nëse ndonjëherë ndieni sikur nuk përshtateni aq me vendin aty, ju lutemi, dijeni se nuk jeni vetëm. A nuk kemi qenë të gjithë në situata të jetës ku jemi ndier si të huaj në dhomë? E kam përjetuar këtë më shumë se një herë. Kur isha 11 vjeç, familja ime u detyrua të linte shtëpinë dhe të shpërngulej në një krahinë të panjohur. Gjithçka ishte ndryshe nga ajo me të cilën isha mësuar. Theksi im ua bënte të qartë fëmijëve të tjerë që unë isha ndryshe nga ajo me të cilën qenë mësuar ata. Në një kohë kur kisha nevojë të skajshme për miqësi dhe përkatësi, u ndjeva i vetmuar dhe që nuk e kisha vendin aty.

Këtu në tokë, shumica e ndryshimeve që vëmë re, ndryshime që disa prej nesh i përdorin për të kategorizuar njëri-tjetrin, kanë të bëjnë me gjëra tokësore: pamja fizike, kombësia, gjuha, veshja, zakonet e kështu me radhë. Por “Perëndia nuk i sheh gjërat siç i shohin njerëzit. Njerëzit shikojnë pamjen, kurse Zoti shikon zemrën.”

Nga këndvështrimi i Tij, është një kategori që vjen përpara gjithë të tjerave: të qenit fëmijë i Perëndisë. Dhe në këtë kategori përshtatemi të gjithë përsosurisht.

Është e natyrshme të duam të jemi pranë njerëzve që duken, flasin, veprojnë dhe mendojnë si ne. Ka vend [dhe] për këtë.

Por në Kishën e Shpëtimtarit, mbledhim të gjithë fëmijët e Perëndisë që janë të gatshëm të mblidhen dhe që kërkojnë të vërtetën. Nuk është pamja jonë fizike, pikëpamjet tona politike, kultura jonë apo etnia jonë ajo që na bën bashkë. Nuk është formimi ynë i njëjtë ai që na bashkon në unitet. Është objektivi ynë i përbashkët, dashuria jonë për Perëndinë dhe dashuria jonë për të afërmin, zotimi ynë ndaj Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij të rivendosur. Ne jemi “një në … Krishtin”.

Uniteti që synojmë, nuk është që të gjithë të kenë të njëjtin qëndrim; është që të gjithë të shohin në të njëjtin drejtim, atë të Jezu Krishtit. Ne jemi një, jo për shkak të asaj që kemi kaluar, por se ku po përpiqemi fort të shkojmë; jo për shkak të asaj që jemi, por të asaj që synojmë të bëhemi.

Ky është gjithë qëllimi në Kishën e vërtetë të Krishtit.

Një Trup

Nëse e doni Perëndinë, nëse doni ta njihni më mirë Atë duke ndjekur Birin e Tij, atëherë ju e keni vendin këtu. Nëse po kërkoni me zell t’i mbani urdhërimet e Shpëtimtarit, ndonëse nuk jeni përsosur ende në bërjen e kësaj, atëherë ju jeni plotësisht të përshtatshëm për të qenë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Dhe, po sikur të jeni ndryshe nga njerëzit përreth jush? Kjo nuk ju bën ju të papërshtatshëm, ju bën një pjesë të nevojshme të trupit të Krishtit. Të gjithë janë të nevojshëm në trupin e Krishtit. Veshët rrokin gjëra që sytë nuk do të mundeshin kurrë t’i rroknin. Këmbët bëjnë gjëra që duart nuk do të arrinin dot t’i bënin.

Kjo nuk do të thotë se detyra juaj është ta ndryshoni çdokënd që të jetë si ju. Por kjo do të thotë vërtet se ju keni diçka të rëndësishme me të cilën të kontribuoni, dhe se keni diçka të rëndësishme për të mësuar!

Një Zë

Në çdo sesion të konferencës së përgjithshme, bekohemi me muzikë frymëzuese nga kore të talentuara. Ndërsa mbani vesh, mund të vini re se jo të gjithë këngëtarët këndojnë të njëjtat nota. Nganjëherë, melodinë e mban njëra pjesë e korit, nganjëherë një tjetër. Por të gjithë ata bëjnë pjesën e tyre për të krijuar tingullin e bukur dhe janë në unitet të plotë. Secili anëtar i korit ka të njëjtin synim kryesor: t’i thurë lavde Perëndisë dhe të na ngrejë zemrën peshë për tek Ai. Secili duhet ta ketë mendjen dhe zemrën e vet të ngulitur tek i njëjti qëllim hyjnor. Dhe kur kjo ndodh, ata vërtet bëhen një zë i vetëm.

Nëse nuk jeni ende anëtar/e i/e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ju ftojmë të na bashkoheni teksa gëzohemi në “këngën e dashurisë shëlbuese” të Shpëtimtarit. Kemi nevojë për ju. Ju duam. Kisha do të jetë më e mirë me përpjekjet tuaja për t’i shërbyer Zotit dhe fëmijëve të Tij.

Nëse e keni treguar tashmë, nëpërmjet pagëzimit, nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve me Perëndinë, dëshirën tuaj që të “hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij”, faleminderit që jeni pjesë e kësaj vepre të madhërishme e hyjnore dhe që po ndihmoni për ta bërë Kishën e Jezu Krishtit ashtu sikurse Shpëtimtari dëshiron që ajo të jetë.

Sikurse e mësova nga mikja ime në Gjermani, dashuria jonë për Perëndinë dhe për fëmijët e Tij është një dëshmi e fuqishme për botën që kjo është vërtet Kisha e Shpëtimtarit.

Perëndia na bekoftë që të synojmë me durim dhe me zell që të jetojmë në lartësinë e idealeve të cilat Shpëtimtari, Shëlbuesi dhe Mësuesi ynë ka vendosur për ne, në mënyrë që të gjithë do të na njohin se ne jemi dishepujt e Tij. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Gjoni 13:34–35, New King James Version [Botimi i Mbretit Xhejms, Varianti i Ri].

  2. Doktrina e Besëlidhje 1:21.

  3. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 46:5–6.

  4. Doktrina e Besëlidhje 50:24.

  5. Moisiu 7:18.

  6. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 97:21.

  7. Shihni tek Alma 5:14.

  8. Shihni te Lluka 1:37.

  9. 1 Samuel 16:7, New English Translation [Përkthimi i Ri në Anglisht].

  10. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  11. Galatasve 3:28.

  12. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 6:36.

  13. Shihni te 1 Korintasve 12:12–27. Në trupin e Krishtit, ne nuk i shpërfillim ndryshimet dhe as mezi i pranojmë nga halli. Jemi plot falënderim për kontributin e pashoq që jep secili anëtar, për të mirën e tërë trupit.

  14. Ashtu sikurse do të ishte e pasaktë që veshi ta shihte trupin e të thoshte: “Nuk jam si syri, këtu nuk duhet të ketë vend për mua”, do të ishte po aq e pasaktë që syri t’i thoshte veshit: “Ti nuk je si unë, nuk na duhesh ti këtu” (shihni te 1 Korintasve 12:16, 21).

  15. Alma 5:26.

  16. Mosia 18:8. Kur pagëzohemi, mes të tjerash, dëshmojmë se duam të jemi pjesë e një populli që “mban… barr[ë]t e njëri-tjetrit” dhe “vajton… me ata që vajtojnë” dhe “ngushëllon… ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (vargjet 8–9). Me fjalë të tjera, kur i bashkohemi Kishës së Jezu Krishtit, ne po themi përulësisht, por qartë, se duam të bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë i dashur dhe duam ta bëjmë këtë së bashku.