Konferenca e Përgjithshme
Profetët e Perëndisë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2025


11:8

Profetët e Perëndisë

Për ta dëgjuar dhe për t’iu bindur zërit të profetit, është vendimtare të mbështetemi në çdo gjë të mirë deri në Ardhjen e Dytë.

Të dashur të rinj e të reja, çfarë sesioni të bukur konference që kemi! Kemi dëgjuar tashmë tre Apostuj të gjallë të Jezu Krishtit. Ç’bekim i mrekullueshëm! Dhe do të dëgjojmë edhe një tjetër, Plakun Henri B. Ajring. Ushqimi shpirtëror me bollëk vazhdon.

Kur fola vitin e kaluar, ne mësuam se si të përballeshim me këtë botë nëpërmjet përvojës së Davidit me Goliathin. I mbani mend pesë gurët? Sot do të tregoj një histori nga Dhiata e Vjetër që e lexova kur isha sa ju, e cila më ngjalli dëshirën të isha si protagonistja e saj. Bibla nuk na e thotë emrin e saj, prandaj do ta quajmë gruaja nga Shunemi, sepse ky është emri i qytetit të saj.

Gruaja duke bërë bukë për profetin

Një ditë profeti Eliseu po kalonte nëpër Shunem dhe lexojmë se atje “banonte një grua e pasur, dhe kjo e [ftoi] të hante pak ushqim. Kështu, sa herë që ai kalonte andej, shkonte të hante tek ajo.” Përfytyroj se profeti Eliseu ishte kaq i lumtur me ftesën për të ngrënë në shtëpinë e saj. Ai kishte shkuar tashmë disa herë, kur një ditë gruaja i tha bashkëshortit të saj: “Ja, unë jam e sigurt që ai … është një njeri i shenjtë i Perëndisë.

Gruaja thotë: “Ja, unë jam e sigurt”. Duket se ajo e ftoi Eliseun në shtëpinë e vet pa e ditur se ishte profeti; ajo e mori dëshminë e vet nëpërmjet Frymës së Shenjtë duke dëgjuar me kujdes atë që i tha dhe i dha mësim Eliseu. (Mos harroni që në atë kohë s’kishte fotografi! Prandaj ishte e vështirë të dallohej profeti thjesht nëpërmjet fytyrës.)

Grua duke përgatitur një dhomë për profetin

Por historia nuk mbaron me kaq. Një ditë, gruaja i tha bashkëshortit të vet: “Të ndërtojmë një dhomë të vogël … dhe të vëmë për të një shtrat, një tryezë, një karrige dhe një shandan; kështu, kur të vijë te ne, mund të rrijë në atë dhomë”.

Kjo grua besnike ishte e gatshme të ndërtonte një dhomë në shtëpinë e saj me qëllim që profeti, kur të kalonte nëpër qytet, të kishte një vend ku të qëndronte.

Sot mund të marrim një mësim të fuqishëm nga kjo përvojë.

Zoti i dëshmoi gruas nga Shunemi se Eliseu ishte një profet i Perëndisë dhe ajo veproi duke e mirëpritur në shtëpinë e vet.

Edhe ne mund të marrim një dëshmi vetjake për profetët e Perëndisë sot dhe të hapim zemrën dhe mendjen – shtëpinë tonë – kundrejt mesazhit që Ati ynë Qiellor ka për ne në këto ditë të mëvonshme.

Të dashur të rinj e të reja, ju ftoj t’i bëni vetes këtë pyetje: “A kam një dëshmi vetjake për profetët e gjallë të Perëndisë?”

Le t’ia nisim nga fillimi.

Çfarë është një profet? Një profet është një burrë të cilin Perëndia e ka thirrur që të flasë për Të. Ka profetë në tokë sot, sikurse kishte në kohët e lashta.

Profetët janë shikues dhe zbulues. Kjo do të thotë që ata mund të shohin atë që të tjerët nuk mund ta shohin dhe ata mund të profetizojnë për ngjarje të së ardhmes. Ata gjithashtu mund të na përgatitin për fatkeqësitë. Profetët marrin urdhërime dhe zbulesa nga Zoti. Neni i nëntë i besimit flet për zbulesën e vazhdueshme në këto ditë të fundit. Ai thotë: “Ne besojmë gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe ne besojmë se Ai përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë”.

Plaku Geri E. Stivenson tha: “Zoti vazhdon t’ua zbulojë urdhërimet dhe vullnetin e Tij profetëve të Tij sot, sepse Ai dëshiron të na udhëheqë drejt lumturisë në këtë jetë dhe lavdisë çelestiale në jetën pas kësaj”.

Profetët gjithashtu shpallin ungjillin dhe janë mësues dhe lajmëtarë të frymëzuar të Perëndisë për çdo njeri në tokë.

Çdo anëtar i Presidencës së Parë dhe i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve është një profet, shikues dhe zbulues. Duke shërbyer si këshill nën drejtimin e Zotit, ata kanë autoritetin të shpallin dhe të interpretojnë doktrinën dhe të krijojnë rregullore për Kishën e Tij. Ata luten e diskutojnë me kujdes, sepse vendimet e këtyre kuorumeve duhet të jenë të njëzëshme. Në këtë mënyrë Zoti na siguron se do të bëhet vullneti i Tij.

Profetët dëshmojnë për Krishtin, ekzistencën e Tij, shërbesën e Tij dhe hyjninë e Tij.

Le të lexojmë disa dëshmi nga profetët te Libri i Mormonit.

Abinadi shpalli:

“Perëndia vetë do të zbresë mes fëmijëve të njerëzve dhe do të shëlbejë popullin e tij.

Për shkak se ai jeton në mish, ai do të quhet Biri i Perëndisë.”

Samuel lamaniti gjithashtu dëshmoi se Jezu Krishti është “Bir[i i] Perëndisë, At[i i] qiellit dhe [i] tokës, Krijues[i i] të gjitha gjërave që nga fillimi”.

Dhe profeti Moroni tha: “Unë kam parë Jezusin dhe … ai foli me mua ballë për ballë”.

Kur Krishti vizitoi nefitët, një nga gjërat e para që bëri, ishte të thërriste dymbëdhjetë Apostujt. Dhe Ai i tha popullit: “Të bekuar jeni ju, në qoftë se u vini veshin fjalëve të këtyre dymbëdhjetëve që unë kam zgjedhur”.

Tani, më lejoni të them disa fjalë për prindërit ose pjesëtarë të tjerë të familjeve që po rritin fëmijë. Zoti Vetë i mësoi Adamit dhe Evës të vërtetat e planit të shpëtimit. Dhe më pas Ai iu tha atyre: “Unë [ju] jap një urdhërim, t’ua mëso[ni] këto gjëra lirisht fëmijëve [tuaj]”.

Çfarë do të thotë të japësh mësim lirisht? Do të thotë të mësojmë vetë të vërtetat e ungjillit, të kemi dëshmi vetjake për to dhe t’ua japim atë njohuri fëmijëve tanë. Do të thotë të nxitim, si çastet e mësimdhënies formale, ashtu edhe ato joformale. Do të thotë të jetojmë sipas asaj njohurie dhe dëshmie.

Libri i Mormonit i përshkruan 2060 luftëtarët djalosharë si “njerëz që i përmbaheshin së vërtetës dhe njerëz seriozë të cilëve u ishte mësuar t’u bindeshin urdhërimeve të Perëndisë dhe të ecnin drejtësisht përpara tij”. Këta të rinj iu bindën besnikërisht Helamanit, i cili në atë kohë ishte udhëheqësi i tyre ushtarak dhe gjithashtu profeti i tyre dhe ata e kuptuan se nënat e tyre ua kishin mbushur zemrat me të vërtetën dhe me besim.

Prindër, në këtë botë ku ka shumë zëra dhe nganjëherë shumë errësirë, Perëndia Vetë na ka urdhëruar t’i rritim fëmijët tanë në dritë e të vërtetë. Ai na ka mirëbesuar përgjegjësinë që t’u mësojmë fëmijëve tanë të vërtetat shpëtuese të ungjillit. Nëse ne nuk arrijmë ta bëjmë këtë, as bota nuk do ta bëjë atë.

Të dashur miq të rinj në moshë, kam një ftesë për ju: Në ditët e ardhshme ju ftoj të bini në gjunjë, t’i hapni zemrat dhe t’i luteni me besim Atit Qiellor, duke i kërkuar Atij t’ju pohojë se profeti dhe apostujt e Tij të zgjedhur janë zëri i Tij në tokë sot.

Gruaja nga Shunemi na mësoi se ne mund ta kemi atë dëshmi nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ju premtoj se sapo ta dimë se ata janë të vajosurit e Perëndisë, jeta jonë do të jetë më e lehtë pavarësisht nga sfidat tona të vazhdueshme, ndërsa do t’i bindemi zërit të tyre me mirëbesim, besim dhe shpresë. Për ta dëgjuar dhe për t’iu bindur zërit të profetit, është vendimtare të mbështetemi në çdo gjë të mirë deri në Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit tonë.

Ligësia e botës po shtohet, por Kisha e Jezu Krishtit dhe mbretëria e Tij janë më të forta se kurrë. Sioni po vesh rrobat e tij të mrekullueshme dhe froni i Krishtit nuk do të bjerë. Zoti pret që ne të kemi dëshmi të forta, të jemi plot besim dhe të pendohemi çdo ditë. Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, po mbështetet te secili prej nesh që ta vazhdojmë veprën e Tij.

Një herë, Profeti Jozef Smith tha: “Vëllezër, a nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe?” Sidoqoftë, përderisa mesazh im është kryesisht për ju, rininë, unë do të doja të përdorja fjalën të rinj e të reja në vend të fjalës vëllezër. Gati?

“[Të rinj e të reja], a nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe? Ecni përpara dhe jo prapa. Kurajë, [të rinj e të reja]; dhe përpara, përpara drejt fitores! Zemrat tuaja duhet të ngazëllehen dhe të jenë tepër të gëzuara.”

Jam mirënjohëse për udhërrëfimin dhe përpjekjet e përkushtuara të profetëve të gjallë. Ju jap dëshminë time solemne se, ata thirren nga Perëndia që të çojnë përpara, të krijojnë dhe të udhëheqin mbretërinë e Tij në tokë sot. Dhe do të jetë gjithmonë kështu. Do të jetë gjithmonë Zoti i cili i zgjedh shërbëtorët e Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Në spanjisht përkthimi i kësaj fraze përçon kuptimin “e ftoi me ngulm”.

  2. 2 Mbretërve 4:8.

  3. 2 Mbretërve 4:9; theksimi i shtuar.

  4. 2 Mbretërve 4:10.

  5. Shihni tek Amos 3:7.

  6. “Nën drejtimin e Zotit [Presidenti i Kishës], kryeson mbi Kishën dhe është i vetmi person në tokë i autorizuar të ushtrojë të gjithë çelësat e priftërisë. … Ai ka autoritetin të marrë zbulesë dhe të shpallë vullnetin e Perëndisë për të gjithë Kishën” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 5.1.1.1, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  7. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:38.

  8. Geri E. Stivenson, “Ungjilli i Jezu Krishtit: Një Tingull i Gëzuar”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2025, f. 5.

  9. Shihni te Mateu 28:19–20; Doktrina e Besëlidhje 21:1, 4–5; 107:35.

  10. “Secili Apostull mban të gjithë çelësat e mbretërisë dhe i ushtron ata çelësa nën drejtimin e Presidentit të Kishës” (Manuali i Përgjithshëm, 5.1.1.1).

  11. Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 5.1.1.1.

  12. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:27–31.

  13. “Dymbëdhjetë Apostujt janë ‘dëshmitarë [të] veçantë’ të emrit të Jezu Krishtit. … Ata i dëshmojnë të gjithë botës për hyjninë e Tij dhe realitetin e Ringjalljes së Tij” (Manuali i Përgjithshëm, 5.1.1.1).

  14. Mosia 15:1–2.

  15. Helamani 14:12.

  16. Ethëri 12:39.

  17. Duke folur për Librin e Mormonit, Profeti Jozef Smith dha mësim: “Ky libër gjithashtu na tregon se Shpëtimtari ynë u shfaq në këtë kontinent pas ringjalljes së tij, se ai e mbolli ungjillin këtu në gjithë plotësinë, pasurinë, fuqinë dhe bekimet e tij; se ata kishin apostuj, profetë, barinj, mësues dhe ungjilltarë; të njëjtin rend, të njëjtën priftëri, të njëjtat ordinanca, dhurata, fuqi dhe bekime, sikurse gëzoheshin në kontinentin lindor” (History, 1838–1856, vëllimi C-1 [2 nëntor 1838 – 31 korrik 1842], f. 1282, josephsmithpapers.org).

  18. 3 Nefi 12:1; theksimi i shtuar.

  19. Moisiu 6:58; theksimi i shtuar.

  20. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:25–28.

  21. “Duhet të rrokim çdo mundësi për t’ua treguar fëmijëve mësimet e Jezu Krishtit. Këto çaste mësimdhënëse janë të paçmueshme dhe shumë më të pakta krahasuar me përpjekjet e pandërprera të forcave kundërshtare. Për çdo orë të shpenzuar duke rrënjosur doktrinën në jetën e një fëmije, ka orë të panumërta kundërshtimi përplot me mesazhe dhe imazhe që i sfidojnë apo i shpërfillin ato të vërteta shpëtuese.

    Disa prej jush mund të pyesin veten nëse mund të jetë më mirë që t’i afroni fëmijët tuaj më pranë vetes nëpërmjet argëtimit, ose mund të pyesin veten nëse fëmija mund të fillojë të ndihet i mbingarkuar nga mësimet tuaja. Përkundrazi, duhet të kemi parasysh këtë: ‘Me kaq pak kohë e kaq pak mundësi, çfarë fjalësh doktrine mund t’u tregoj që do t’i forcojë kundër sfidave të pashmangshme ndaj besimit të tyre?’ Fjalët që u thoni sot, mund të jenë ato që do të mbartin me vete; dhe e sotmja do të kalojë shpejt” (Henri B. Ajring, “E Thjeshtë Është Doktrina e Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2024, f. 97).

  22. Çdo i ri dhe e re është e rëndësishme! (Shihni tek Alma 57:6, 20).

  23. Alma 53:21; theksimi i shtuar.

  24. Shihni tek Alma 56:44–48; 57:21.

  25. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 93:40.

  26. Ne gjithashtu kemi shembullin e prindërve të Enosit, të cilët e rritën atë “në kujdesin dhe këshillën e Zotit” (Enosi 1:1) dhe i mësuan për “jetën e përjetshme dhe … gëzimin e shenjtorëve” (Enosi 1:3). Enosi e njohu vërtet karakterin e Perëndisë (shihni tek Enosi 1:6, 15, 17).

  27. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 21:1–2, 4–6. “Ndërkohë që bota këmbëngul se pushteti, pasuritë, popullariteti dhe kënaqësitë e mishit të sjellin lumturi, ato nuk ta sjellin! Nuk munden ta sjellin. Ajo që ato shkaktojnë, nuk është veçse një zëvendësuese e zbrazët për ‘gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë’ [Mosia 2:41].

    E vërteta është se është shumë më rraskapitëse që ta kërkoni lumturinë atje ku nuk mund ta gjeni kurrë! Sidoqoftë, kur viheni nën zgjedhë me Jezu Krishtin dhe bëni punën shpirtërore që kërkohet për ta mundur botën, Ai dhe vetëm Ai, e ka fuqinë t’ju ngrejë mbi ndikimin e kësaj bote.

    Tani, si e bekon jetën tonë mundja e botës? Përgjigjja është e qartë: Hyrja në një marrëdhënie besëlidhëse me Perëndinë na lidh me Të në një mënyrë që e bën më të lehtë çdo gjë në lidhje me jetën. Ju lutem, mos më keqkuptoni: Nuk thashë se bërja e besëlidhjeve e bën jetën të lehtë. Në fakt, prisni kundërshtim, sepse kundërshtari nuk do që ju ta zbuloni fuqinë e Jezu Krishtit. Por marrja e zgjedhës së Shpëtimtarit do të thotë që ju keni qasje te forca dhe fuqia shëlbuese e Tij” (Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 97).

  28. Shihni tek Ethëri 8:26; Moroni 7:19–25.

  29. Shihni tek Isaia 52:1.

  30. Shihni te Psalmeve 125:1; Isaia 28:16.

  31. Doktrina e Besëlidhje 128:22; theksimi i shtuar.

  32. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:30.

  33. Shihni te Nenet e Besimit 1:5.